Ata kanë optimizëm dhe shpresë dhe janë në kërkim të Perëndisë

    Rreth 40 persona me aftësi të kufizuara morën pjesë në datat 25-27 maj në veprimtarinë “Fundjava e miqësisë” në qytetin e Durrësit. Prej pesë vjetësh Zyra Kombëtare e Rinisë Orthodhokse në kalendarin e veprimtarive të shumta të saj po organizon me shpenzimet e Kishës, një aktivitet të shumëpritur nga kjo kategori sociale, që për hir të së vërtetës meriton vëmendje të veçantë nga shoqëria.
     
    Përvoja e fituar nga vitet e kaluara tregoi se miqësia mes të rinjve orthodhoksë dhe personave me aftësi të kufizuara është rritur dhe forcuar nga viti në vit. Këtë vit kishte më shumë të rinj me aftësi të kufizuara, ndërsa ata më të vjetrit zinin vendin e nderit, duke sjellë eksperiencën dhe entuziazmin e tyre. Tre ditët e aktivitetit morën përmasat e një feste të veçantë me lojëra e argëtime, me biseda në grupe, konkurse dijesh dhe vallëzimi.

    Nuk është e çuditshme të shikosh se sa bukur dinë të kërcejnë edhe këta individë, të cilët edhe pse ndodhen në karrige me rrota ose në paterica, janë të aftë të përshtaten edhe në këtë drejtim. Madje aftësitë e tyre krijuese i kapërcejnë hamendjet. Këtë vit u promovuan tre libra të rinj nga pjesëmarrësit e këtij aktiviteti. Pothuajse në çdo veprimtari, ata promovojnë librat e tyre të rinj, duke shfaqur talentin dhe inteligjencën e tyre, por mbi të gjitha botën e pasur shpirtërore.
    Në një nga ditët e aktivitetit ishte i ftuar të referonte kleriku i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhjakon Spiro Kostoli, i cili iu përgjigj interesimit të të pranishmëve për disa çështje fetare. “Më tërhoqi fryma e këtyre njerëzve, pavarësisht problemeve që kanë. Ata kanë optimizëm dhe shpresë dhe janë në kërkim të Perëndisë. Kisha jep ngushëllim dhe ngushëllimi qëndron në bashkimin e njeriut me Perëndinë. Mesazhi që jep Kisha është që njeriu sa herë bie duhet të ngrihet. Shpresa jonë tek dashuria e Perëndisë na jep jetë” – tha dhjakon Spiro.

    
    Të gjithë pjesëmarrësit e vlerësuan këtë veprimtari dhe sugjeruan të marrë përmasa më të gjera, sepse personat me aftësi të kufizuara janë të shumtë dhe kanë nevojë për të qenë aktivë ne jetën e përditshme, për të patur miqësi të reja dhe për të ofruar përvojën e tyre. Kisha është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë me ndihma dhe veprimtari të ndryshme kulturore, edukative dhe argëtuese. Të gjithë pjesëmarrësit u larguan nga ky aktivitet me dashuri dhe falënderim, duke marrë me vete kujtimet më të bukura, për t’i treguar ato vitin tjetër, në fundjavën e shumëpritur të miqësisë.
Isidor Koti