Edhe këtë vit, me bekimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Anastas, në shumë enori të Kishës sonë u zhvilluan kampet ditore njëjavore për fëmijë, me temë qendore: “Të rritemi me Krishtin”.

    Ato u organizuan nga fundi i gushtit deri në fillim të shtatorit, me pjesëmarrje të gjerë të fëmijëve, të drejtuar nga priftërinjtë, katekistët dhe shumë vullnetarë të rinj. Programi zhvillohej nga ora 08.00 deri në 12.00. 

    Çdo ditë e kampit niste me lutjen e mëngjesit dhe vazhdonte me bisedën shpirtërore, punën e dorës, këngët dhe mund të përfundonte me drekë të përbashkët.

    Fëmijët kaluan disa ditë me freski shpirtërore dhe trupore, duke u përgatitur për fillimin e vitit të ri arsimor. Nëntemat shpirtërore ishin: “Të rritemi në besim”,“Të rritemi në të vërtetën”,“Të rritemi në dashuri” dhe“Të rritemi në mendime, fjalë dhe vepra”.

    Në Tiranë nga 20-26 gusht u organizuan kampe ditore në dy qendra; paradite në mjediset e përkujdesjes ditore “Ungjillëzimi” dhe pasdite në mjediset e Kishës në rrugën “Qemal Stafa”. Morën pjesë dhjetëra fëmijë, të cilët ndoqën me interes programin e përgatitur nga koordinatorët e Zyrës Qendrore të Fëmijëve, e cila ishte edhe organizatorja e kësaj veprimtarie kombëtare.

    Në Kavajë kampi ditor u organizua nga 27 gusht–2 shtator, në mjediset e kishës “Shën Nikolla”. Sipas moshës, fëmijët u ndanë në 3 grupe: “Dashuria”, “Besimi” dhe “E Vërteta”. Ky kamp ishte një mundësi për ta, jo vetëm për të mësuar më shumë rreth besimit, por edhe për t’u argëtuar, sepse zhvilloheshin edhe lojëra të ndryshme.

    Në Shkodër mbi 50 fëmijë morën pjesë në veprimtaritë e zhvilluara në qytet dhe në fshatin Vrakë.

    Nga 24–31 gusht ky kamp u zhvillua edhe në qytetin e Gramshit, me më shumë se 100 pjesëmarrës. Kampi u zhvillua në mjediset e kishës “Metamorfoza e Shpëtimtarit”. Kontribuan në mbarëvajtjen e tij klerikët e zonës, katekistët e Zyrës Qendrore të Katekizmit, studentë të Akademisë Teologjike, si edhe të rinj vullnetarë nga zona e Gjinarit dhe qyteti i Gramshit.

    

    Kampi niste me shërbesën e Mëngjesit dhe vazhdonte me komentin e Ungjillit të ditës, mësim kënge, biseda shpirtërore, lojëra të ndryshme, punë dore etj. Gjithashtu, u organizuan ekskursione në pika të ndryshme të qytetit, por ai më mbresëlënësi ishte në Manastirin e hirshëm të shën Vlashit. Aty fëmijët u pritën nga Episkopi i Apollonisë, Hirësia e tij, Nikolla, i cili bëri me ta një bisedë të ngrohtë.

    Nga 13-22 gusht aktiviteti u organizua në zonën e Gjinarit. Në këtë kamp morën pjesë rreth 120 fëmijë, nga 7-14 vjeç. Tema e këtij kampi ishte: “Të rritemi në Krishtin”. Temat u zhvilluan nga katekistë dhe studentë të Akademisë Teologjike. Për organizimin e këtij kampi ndihmoi dhe kleriku i kishës atë Jani Ranxha, i cili kryente edhe shërbesat e ndryshme. Këta fëmijë që jetojnë në një zonë të thellë malore, treguan sa e duan Perëndinë dhe u shprehën mirënjohës ndaj Kishës dhe Kryebariut të saj, i cili u mundësoi këtë aktivitet.
 

    

    Duke parë që në zonat rurale ka mungesë të theksuar aktivitetesh, Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës sonë organizoi një kamp veror edhe në zonën Mëlizë-Shelcan, ku morën pjesë fëmijë të këtyre fshatrave. Veç programit të larmishëm, u organizua gjithashtu një marshim në kishën e shën Nikollës, si edhe një ekskursion në Manastirin e shën Vlashit, në Durrës.

    Në kamp morën pjesë rreth 65 veta, nga të cilët ishin 45 fëmijë nga Shelcani dhe 20 nga Mëliza. Një veprimtari e tillë u realizua edhe në fshatin Kuqan të komunës Shirgjan, ku në të morën pjesë 58 fëmijë të moshës nga 7-14 vjeç.

    Edhe në Mitropolinë e Beratit këto kampe ditore u zhvilluan në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit në Poro të Vlorës, në Berat, në Lushnje, në shën Pjetër, në Bubullimë, Krutje, Fier, Mifol dhe Karavasta. Në çdo kamp merrnin pjesë 40–60 fëmijë. Edhe këtu ndihmuan katekistët dhe të rinj orthodhoksë, si edhe priftërinjtë e zonave. Fëmijët falënderuan Perëndinë dhe Kryepiskopin tonë Anastasin për kujdesin e madh që tregon për ta.

    Nga 27 gushti deri në 2 shtator, në kishën e Profetit Ilia në qytetin e Korçës, u zhvillua kampi ditor, ku morën pjesë rreth 100 fëmijë. Fëmijët patën mundësinë të mësonin si të jetojnë besimin, të rriten brenda frymës së krishterë orthodhokse në një marrëdhënie të ngushtë shpirtërore me Kishën, Perëndinë dhe të afërmin, nëpërmjet bisedave shpirtërore të përditshme. E veçantë ishte ora e punës së dorës, të cilën fëmijët e prisnin me dëshirë të madhe, sepse ajo përforconte mesazhin e temës shpirtërore të ditës, por edhe se ishte një moment argëtues për ta. Në fund u zhvillua edhe “festivali i fëmijëve”, ku rreth 25–30 prej tyre konkurruan me vjersha, këngë, skeçe dhe humor.

    E diela e 2 shtatorit ishte dhe dita e fundit e kampit, ku të gjithë fëmijët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe disa prej tyre në misterin e Kungatës së Shenjtë.

    Kampet ditore u organizuan për herë të parë këtë vit në qytetin e Librazhdit, ku morën pjesë rreth 45 fëmijë. Në kamp u organizuan edhe ndeshje futbolli dhe lojëra të tjera, si edhe një ekskursion në Manastirin e shën Vlashit, në Durrës.

    Të gjithë fëmijët nëpër enori të ndryshme të vendit mbetën të kënaqur nga kampet ditore të organizuara nga Kisha jonë, duke marrë mesazhin e kampit: “Të rritemi me Krishtin”. Me të vërtetë që është bukur të punosh në vreshtin e Zotit, por gëzimi që fëmijët të japin është gjithmonë i veçantë.

    

   Materiali u përgatit nga: Gabriela Bezhani, Isidor Koti,
   Dhjak Niko Lushi, Dhjak Niko Petani, Petro Halili,
   Robert Pelushi, Vangjel Qazimllari, Entela Kostrista.