Vdekja

    Nuk ka asnjë njeri që nuk do të vdesë. Përgatitja për vdekjen është në qendër të jetës shpirtërore.

    O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam. Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë (Psalmi 39:4-6).

    Që njeriu duhet të vdesë nuk është dëshira e Perëndisë, sepse ashtu si shkrimet thonë: “Perëndia nuk e krijoi vdekjen.”

    Perëndia nuk e krijoi vdekjen dhe nuk kënaqet në shkatërrimin e të gjallëve; sepse Ai i krijoi të gjitha që të jetojnë (Urtësia e Salomonit 1:13)

    Unë, në fakt, nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes, thotë Zoti, Zoti. Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni (Ezekieli 18:32).

    Vdekja është rezulatat i mëkatit. Ajo është fitorja përfundimtare e djallit, rezultat i aktivitetit të tij shkatërrimtar. Trupi i tij mund të kishte ndryshuar dhe evoluar gjatë periudhave të mëdha të kohës, por ai nuk do ishte ndarë nga shpirti i tij për t’u kthyer në dheun. Dhe vetë shpirti i njeriut nuk do të ishte korruptuar, duke e humbur pushtetin e tij mbi trupin dhe duke u bërë skllavi i tij. Ky është kuptimi i mëkatit të Adamit, se njeriu u shfaq në faqen e tokës, i bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe i frymëzuar me Shpirtin e Shenjtë dhe zgjodhi vdekjen në vend të jetës, të keqen në vend të drejtësisë dhe kështu, nëpërmjet ndyrjes së natyrës së tij në rebelimin kundër Perëndisë, solli prishjen dhe vdekjen në botë (kr. Zanafilla 3, Romanët 5:12-21).

    “Vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romanët 5:12); dhe duke mëkatuar njeriu solli vdekjen tek fëmijët që marrin pjesë në natyrën dhe jetën e tij të vdekshme. Në një botë të lidhur nga mëkati, nuk shpëton asnjë person, edhe ata që janë personalisht pa faj, sepse të gjithë janë kapur në mëkatet e botës.

    Se ja tek u zura në paudhësi dhe në mëkat më lindi nëna ime (Psalmi 51:5).

    Edhe e pacënuara Virgjëresha Mari që lindi Krishtin në mish nuk mund t’i shpëtonte grackave të vdekjes. Me gjithë pafajsinë dhe përsosjen shpirtërore, ajo, gjithashtu, kishte nevojë për shpëtimin nga vdekja nga Biri i saj dhe shpirti i saj u ngazëllua në Perëndinë Shpëtimtarin e saj. (kr. Lluka 1:47)

    Sipas besimit të krishterë orthodhoks, vetëm Jisu Krishti, nga të gjithë njerëzit, si Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë nuk ishte i detyruar të vdiste. Vetëm vdekja e tij, nga të gjitha vdekjet njerëzore, ishte përsosmërisht vullnetare. Ai erdhi që të vdiste dhe me anë të vdekjes së Tij, të çlironte ata që mbaheshin robër nga pushteti i vdekjes.

    Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im (Joani 10:17-18).

    Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them? “O Atë, më shpëto nga kjo orë?” Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.

    Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.

    Por Ai i thoshte këto për të treguar nga ç’lloj vdekje duhet të vdiste. (d.m.th. kryqëzimin)

    Turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti (d.m.th. Mesia) mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?”.

    Atëherë Jisui u tha atyre: “Drita është me ju edhe për pak kohë . . . (Joani 12:27-35, kr. Matheu 16:21-23, 17:9-13).

    Jisui erdhi për të vdekur “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë” (Besorja e Nikeas). Ai erdhi, që me anë të vdekjes dhe ngjalljes së Tij, të gjithë njerëzit të ngjalleshin së vdekurish për jetën e përjetshme në Mbretërinë e Perëndisë. Ky është besimi i krishterë.

     . . . Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë . . . dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit (Joani 5:25-29).

    Kjo është, gjithashtu doktrina e apostullit (kr. Veprat 2:22-36).

    Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj do të vijë fundi, kur Ai t’ia dorëzojë Mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që Ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja (1 Korinthianët 15:20-26).

    Sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar:  

    “Vdekja u përpi në fitore.

    O vdekje, ku është gjëmba jote?

    O ferr, ku është fitorja jote?”

    Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jisu Krisht (1 Korinthianët 15:52-57).

    E gjithë esenca e jetës shpirtërore është të vdesësh me Krishtin në mëkatet e kësaj bote dhe të kalosh nëpërmjet përvojës së vdekjes trupore me Atë, për t’u ngjallur “ditën e fundit” në Mbretërinë e Perëndisë (kr. Joani 6:39-44, 54).

    Me fuqinë e Krishtit dhe me hirin e Shpirtit të Shenjtë, të krishterët munden dhe duhet t’i shndërrojnë vdekjet e tyre në akte jete. Ata duhet ta përballojnë tragjedinë e vdekjes me besimin në Zotin dhe ta mundin “armikun e fundit – vdekjen” (1 Korinthianët 15:26) me fuqinë e besimit të tyre.

    Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët (Romanët 14:8-9).

    Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë (Joani 5:24, kr. Joani 6:29-58).

    Unë jam ngjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë (Joani 11:25-26).

    Për të krishterët, ashtu si për të gjithë njerëzit, vdekja mbetet një tragjedi. Kur përballen me vdekjen, ashtu si të gjithë njerëzit, dhe si Vetë Jisui dhe apostujt e Tij, të krishterët mund vetëm të vajtojnë dhe të mbajnë zi (kr. Joani 11:35, Matheu 26:37-38, Marku 14:33-34, Lluka 22:42-44, Veprat 8:2). Por, për të krishterët, vdekja mund të shndërrohet në fitore.