Uria dhe etja për drejtësi

“Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen (Matheu 5:6). Të flasësh saktësisht, ky lumurim i Zotit bekon, jo drejtësinë, por kërkuesin e drejtësisë. Janë ata që kanë uri dhe etje për çfarë është e drejtë dhe e mirë që marrin bekimin e Perëndisë, që thotë gjithashtu: Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por, para së gjithash, kërkoni Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen (Matheu 6:31-33).

    Jeta e njeriut qëndron në kërkimin, në urinë dhe etjen për drejtësinë. Ky është mësimi shpirtëror i shkrimeve dhe i shenjtorëve. Kënaqësia dhe prehja vijnë prej Perëndisë, por është një kënaqësi dhe një prehje, që në vetvete, gjithmonë dhe përjetësisht, bëhet baza e një urie dhe një etjeje të re. Kjo nuk është në kundërshtim me mësimin e Krishtit se “ai që vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë kurrë etje” (Joani 6:35). Por është më tepër pohimi se “mosprehja” e zemrës së njeriut, siç ka thënë Shën Agustini (shek. 5), është krijuar “drejt Perëndisë”, dhe se “prehja” që gjendet në Atë është vetë, siç ka thënë Shën Maksimi (shek. 7) një “prehje gjithmonë-dinamike”, gjithmonë duke u rritur dhe duke u zhvilluar në një bashkim gjithmonë më të madh me pasurinë dhe plotësinë e panxënë dhe të pashtershme të qenies dhe jetës hyjnore.

    Shën Grigori i Nisës (shek. 4) e thotë në këtë mënyrë: . . . mendja njerëzore . . . që endet dhe shpërndahet vazhdimisht, kudo ku u pëlqen shqisave . . . kurrë nuk do të ketë ndonjë fuqi të dukshme në progresin e saj drejt të Mirës së Vërtetë (d.m.th. Perëndisë). Sepse është e pamundur për natyrën tonë njerëzore të ndalojë ndonjëherë të lëvizë; ajo është bërë nga Krijuesi i saj të jetë vazhdimisht në ndryshim. Prandaj, kur ne e parandalojmë atë që të përdorë energjinë e saj në kotësira dhe e mbajmë nga të gjitha anët që të mos bëjë ato që nuk duhen, ajo do lëvizë medoemos në një udhë të drejtë drejt së vërtetës (Mbi Virgjërinë). Kështu, në një kuptim, ajo (njerishmëria jonë) është në krijim vazhdimisht, duke ndryshuar përherë për më mirë në rritjen e saj në përsosje; në këto linja nuk mund të mendohet ndonjë kufi, as nuk mund të kufizohet nga ndonjë cak rritja e saj progresive në përsosje. Në këtë mënyrë, në gjendjen e saj të përsosjes, sado e madhe dhe e përkryer qoftë, është thjesht fillimi i një stadi superior më të madh (Komentari mbi Këngën e Këngëve).

    Ky mësim shpirtëror do të thotë se personi i vërtetë shpirtëror jo vetëm që do të lëvizë prej padrejtësisë në drejtësi, por do të lëvizë përjetësisht në Perëndinë tek përsosja dhe drejtësia gjithmonë më e madhe. Uria dhe etja në këtë mënyrë janë një karakteristikë themelore e shpirtit të gjallë të personit të drejtë; ato janë dinamika thelbësore e jetës shpirtërore. Apostull Pavli e ka dhënë këtë doktrinë. . . . Por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jisu. Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime . . . (Filipianët 3:13-16). Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, shndrrohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit (2 Korinthianët 3:18).

    Nuk ka kënaqësi për shpirtin e njeriut përveçse tek Perëndia. Është kënaqësia e rritjes së përhershme në bashkim me Perëndinë. Të kesh uri dhe etje për Perëndinë, “për Perëndinë e gjallë” (Psalmi 42;2), kjo është jeta shpirtërore. Të mbushesh dhe të kënaqesh me diçka tjetër është vdekje për shpirtin.