Kryepeshkopata Amerikane

    Në 1898, peshkopi Tikon Belavin u bë kreu i dioqezës së Ishujve Aleutinë dhe Alaskës të Kishës Orthodhokse Ruse. Në 1900 emri kësaj dioqeze u ndërrua në dioqeza e Ishujve Aleutinë dhe Amerikës së Veriut. Në 1905 Sinodi i Shenjtë i Kishës Ruse e ngriti dioqezën në rangun e kryedioqezës dhe Tikoni u bë kryepeshkop. Gjatë këtij viti, qendra e kryepeshkopatës lëvizi nga San Françisko në NjuJork, ku u ndërtua Katedralja e Shën Nikollës. Në këtë kohë, gjithashtu u themelua seminari i parë kishtar në Mineapolis (Minneapolis) dhe u mbajt këshilli i parë i përgjithshëm (sobor) në 1907 në Meifild (Mayfield) të Pensilvanisë, pranë Manastirit të Shën Tikonit në  Kananin e Jugut (South Canaan), ku kryepeshkopi kishte ngritur gjithashtur, një shkollë pastorale për të përgatitur priftërinj.

    Kryepeshkopi Tikon

    Kisha në Amerikë, gjatë kohës së kryepeshkopit Tikon, i cili ishte kreu i saj deri në 1908, përfshinte të gjithë të krishterët orthodhoksë qe jetonin në botën e re, prej kombësive të ndryshme. Shumë nga sllavët në kryepeshkopatë ishin ish-unitë, d.m.th. anëtarë të Kishës Katolike të ritit lindor që erdhën në Amerikë nga ato zona të Evropës Lindore ku Unioni i Brestit ishte akoma në fuqi (Shih tek Shekulli Gjashtëmbëdhjetë). Shumë nga këta të krishterë sllavë u sollën përsëri në Kishën Orthodhokse nga At Aleksi Toth (v. 1909), i cili, në 1891, u bashkua me Kishën Orthodhokse me enorinë e tij në Mineapolis. Kryepeshkopi Tikon kishte ide të mëdha për Kishën Orthodhokse në Amerikë. Ai i shkroi Sinodit të Shenjtë të Kishës Ruse në 1905-1906 se kryepeshkopata amerikane duhej të ishte një Kishë autonome e përbërë nga të gjithë të krishterët orthodhoksë të të gjithë kombeve, duke përdorur anglishten dhe kalendarin civil amerikan (kalendarin grigorian) për shërbesat dhe veprimatritë e saj kishtare. Në këtë kohë, ishin bërë tashmë përkthimet në anglisht të shërbesave kryesore të Kishës.

    Ishte bindja e Tikonit se Kisha Amerikane duhej të përbëhej nga shumë grupe etnike dhe ai vetë kishte një plan për zhvillimin shkallë-shkallë të vetëqeverisjes së Kishës nga një hierarki të përbërë nga të gjitha grupet etnike orthodhokse. Në 1904, Rafael Hauini* (Raphael Hawaweeny), një arkimandrit sirian u dorëzua peshkop i Bruklinit për t’u kujdesur për besimtarët me origjinë siriane dhe libaneze që ishin në Amerikë. Një plan i ngjashëm u hartua edhe për dorëzimin e një peshkopi nga kleri serb, i cili do të kishte, gjithashtu një dioqezë territoriale për të plotësuar nevojat e orthodhoksëve serbë në tokën e re. Kështu ishte formuluar në mënyrë të ndërgjegjshme plani për të zhvilluar një hierarki lokale, që e ruante parimin territorial orthodhoks të qeverisjes dioqeziane dhe përsëri i shërbente nevojave pastorale të popujve të njerëzve të kombeve të ndryshëm. Megjithatë, tashmë në 1905 një “Kishë Orthodhokse Lindore Helenike” u bashkërendua në shtetin e Nju Jorkut e pavarur nga hierarkia orthodhokse lokale, ndonëse në atë kohë nuk kishte peshkop grek në vend dhe as plane për një dioqezë të veçantë greko-amerikane.

    Nga 1908-1917

    Mbasi kryepeshkopi Tikon u kthye në Rusi, dioqeza amerikane u kryesua nga Kryepeshkopi Platon Rozhdestvenski, i cili shërbeu deri në 1914 kur ai u kthye në Rusi për të shërbyer si anëtar i Sinodit të Shenjtë nën qeverinë e përkohshme. Platoni ishte ish-eksarku i Kishës së Gjeorgjisë (Iberia) në Perandorinë Ruse. Në 1912, seminari kishtar, i quajtur Shën Platoni, u transferua nga Mineapolis në Tenafli (Tenafly) të NjuXhersit. At Leonid Turkeviç, mitropoliti i ardhshëm Leonti, një nga mësuesit e parë të seminarit, u bë në këtë kohë dekani i katedrales së Shën Nikollës në Nju Jork. Ai shkroi shumë artikuj gjatë kësaj periudhe rreth fatit të kryepeshkopatës misionare amerikane për t’u bërë një Kishë Orthodhokse vetëqeverisëse. Së bashku me At A. Kukulevskin, ai përfaqësoi dioqezën amerikane në Sinodin e Kishës Ruse në 1917-1918.

    Kisha në Rusi

    Periudha prej 1900 deri në 1917, në Rusi, ishte një kohë e rilindjes fetare dhe e reformës kishtare. Ndërkohë, intelektualë të tillë ateistë, si: P.B. Struv (v. 1944), S.N. Bulgakov (v. 1944), N.A. Berdiaev (v. 1948), S.L. Frank (v. 1950), G.P. Fedotov (v. 1951) dhe të tjerë po kryenin kthimin  e tyre nga “marksizmi në idealizëm” dhe në Kishën Orthodhokse peshkopët dhe udhëheqësit e Kishës Ruse po i bënin një shqyrtim kritik strukturave kishtare. Në 1905, ober-prokuratori i Sinodit të Shenjtë, K.P. Pobedonostsev, i cili aktualisht e kishte drejtuar Kishën për një çerek shekulli, më në fund shpalli deklaratën e perandorit se një sinod i Kishës Ruse duhej të mbahej dhe duhej të bëheshin plane për “ta çuar përpara detyrën e madhe”. Pushteti civil u dorëzua më në fund, ndaj kërkesave të Kishës Ruse për të qenë e lirë të drejtonte jetën dhe punën e saj pa ndërhyrje nga kontrolli i shtetit.

    Sinodi i 1917-1918

    U bë shumë punë para sinodit. U bënë pyetësor për peshkopët për të marrë idetë e tyre. U mbajtën fjalime dhe raporte. Mbas shumë debatesh, u vendos që çdo dioqezë do të dërgonte delegatë nga kleri dhe laikët për të qenë së bashku me peshkopët, të cilët, vetëm ata, sipas Besimit Orthodhoks, duhet t’i bënin vendimet përfundimtare për çëshjet e doktrinave dhe të praktikave të Kishës. Në 1917, në mes të trazirave revolucionare u mblodh sinodi. Akti i tij më aktual ishte restaurimi i patriarkanës në Kishën Ruse. Në mëngjesin e 1 Nëntorit, 1917, mbas agripnisë dhe lutjeve, një murg i vjetër tërhoqi emrin e njërit prej të tre të zgjedhurve të emëruar nga një kuti para ikonës së Hyjlindëses së Kazanit. Kështu, Kryepeshkopi Tikon, ish-primati i kryepeshopatës amerikane, u bë Patriku i parë i Kishës Orthodhokse Ruse qysh prej kohës së Pjetrit të Madh.

    Patriku Tikon

    Qysh prej fillimit, patriku i ri luftoi për të drejtat e Kishës Ruse në situatën e re të ndarjes ligjore nga shteti sovjetik. Në janar 1918, ai nxorri një dekret zyrtar ku dënoheshin dhe çkishëroheshin të gjithë “armiqtë e hapur dhe të fshehtë të të vërtetës së Krishtit”. Ky dekret, i cili i referohej drejtpërdrejt veprimeve te qeverisë bolshevike, u aprovua nga Sinodi i Kishës i cili ishte akoma në vazhdim. Patriku Tikon u arrestua dhe u nxorr para gjyqit për kundërshtimin e tij ndaj dhënies së enëve të shenjta të kishës të cilat qeveria i kishte kërkuar gjatë kohës së zisë së bukës dhe luftës civile, me qëllim për të ushqyer të varfërit. Primati i ofroi të gjitha pasuritë e pashenjtëruara të Kishës dhe premtoi të mblidhte para për nevojtarët nëpërmjet ofrimeve vullnetare të besimtarëve që do të barazonin shumën që po kërkonte qeveria, dhe, që, gjithashtu do t’u ndahej njerëzve drejtpërdrejt nga Kisha. Në përpjekjet dhe sprovat e tij, patriku u përpoq të ndiqte rrugën e një politike neutrale, ndërkohë që ai i mbrojti të drejtat e Kishës pa kompromis. Ai vdiq, në 1925, si një konfesor i besimit dhe u njoh nga shumë si një martir dhe shenjt.

    Kisha e Gjallë

    Patrikut Tikon i duhej të përballej, gjithashtu edhe me Kishën e Gjallë, një grup klerikësh ultra-liberalë, të cilët plot entuziazëm mbështetnin regjimin sovjetik. Kisha e Gjallë u njoh nga shteti si Kisha zyrtare Ruse, dhe u përdor nga shteti kundër atyre që ishin besnikë të patrikut Tikon. Ky grup “rinovistësh” i ndryshoi mësimet dhe praktikat e Kishës në shumë aspekte dhe u përshëndet nga disa në Perëndim si mbartësit e Reformës në Rusi. Kisha e Gjallë u shua në fund të viteve njëzet kur nuk i nevojitej më shtetit. Ajo nuk pati pasues nga populli dhe një numër klerikësh që kishte marrë pjesë në këtë lëvizje me qëllim të mirë u pendua dhe u kthye në Kishën Orthodhokse.

    Vetë-dorëzimi Ukrainas

    Në 1921, në Kiev, u mbajt një sinod priftërinjsh ukrainas për të formuar një Kishë autoqefale për Ukrainën. Në këtë takim, në të cilin nuk ishte i pranishëm asnjë peshkop, priftërinjtë e “dorëzuan” udhëheqësin e tyre, Vasil Lipkivski, si “peshkop”. Kështu filloi grupi i “vetë-dorëzuar” i quajtur me emrin Kisha Orthodhokse Autoqefale Ukrainase, e cila qysh prej atëhere është përhapur nëpër botë.

    Kisha në Amerikë

    Mbas revolucionit bolshevik në Rusi, Kisha Orthodhokse në Amerikë u hodh në pështjellim dhe kaos. Qysh prej 1917, krypeshkopata amerikane ishte pa udhëheqje. Mbas revolucionit Krypeshkopi Platon u kthye në Amerikë. Ai pati bekimin e patrikut Tikon për t’u kujdesur për Kishën amerikane, por nuk pati dokumenta zyrtare për këtë. Këshilli i tretë i kryepeshkopatës amerikane, që u mbajt në Pitsburg, në 1922, e pranoi Platonin si udhëheqësin e saj, por vendosi të priste për fjalën zyrtare nga patriku në Moskë, për caktimin e tij zyrtar. Por, në  këtë kohë, patriku ishte në robërinë e regjimit sovjetik dhe mbështjetja zyrtare i ishte dhënë Kishës së Gjallë. Në 1923, prifti i zhveshur, Joan Kedrovski, erdhi në Amerikë si “peshkop” i Kishës së Gjallë dhe kërkoi – dhe mori me veprim të ligjshëm – zotërimin e pronave të Kishës Ruse, duke përfshirë katedralen e Shën Nikollës në Nju Jork. Gjithashtu, në këtë kohë, Seminari në Tenafli u mbyll dhe pronat dhe libraria e tij u shitën.

    Këshilli i Detroit-it

    Në 1924, këshilli i katërt i kryepeshkopatës amerikane u mbajt në Detroit. Ky këshill, i bazuar në dekretin e patrikut Tikon, të 20 Nëntorit 1920, No. 362 – që deklaronte se të gjitha dioqezat e Kishës Ruse të shkëputura nga patriarkana duhet të qeverisnin vetveten dhe ta vazhdonin jetën e tyre kishtare nën mbikqyrjen lokale – deklaronte që kryepeshkopata amerikane duhej të ishte një mitropoli vetë-qeverisëse derisa të vinte koha që të rivendoseshin lidhje normale me Kishën në Rusi. Platoni u vendos zyrtarisht si mitropolit i Kishës që do të quhej Mitropolia Amerikane, e përfshirë zyrtarisht si Kisha Orthodhokse Greke Katolike Ruse e Amerikës.

    Përçarja Amerikane

    Kaosi i viteve mbas revolucionit i dha mundësinë orthodhoksëve jo-rusë në Amerikë të formonin juridiksionet e tyre kishtare, duke inauguruar kështu, për herë të parë në historinë e Kishës Orthodhokse, ekzistencën e shumë “dioqezave” kishtare në të njëjtin territor. Në 1922, Patriarkana e Konstandinopojës i zgjidhi problemet e saj me Kishën Greke në lidhje me Amerikën dhe formoi zyrtarisht Kishën Orthodhokse Greke në Amerikë nën juridiksionin e saj. Peshkopi sirian, Rafael vdiq në 1915 dhe peshkopi i ri për Orthodhoksët Sirianë në Amerikë, Efthimi, u dorëzua në Amerikë në bashkim me peshkopët lokalë rusë. Gjithashtu, në këtë kohë, grupe lokale të të krishterëve orthodhoksë nga të gjitha kombësitë i organizuan vetvetet në bashkësi enorish në botën e re pothuaj, pa ndonjë udhëheqje hierarkike të qartë.

    Kisha në Greqi

    Në Greqi, çereku i parë i shekullit pa ardhjen e shumë grekërve nga territoret turke, veçanërisht në kohën e luftës greko-turke të vitit 1922, kur Patriarkana e Konstandinopojës humbi një numër të madh anëtarësh të cilët emigruan në vende të tjera, përfshirë edhe botën e re. Në 1911, At Eusebio Mathopulos themeloi në Greqi vëllazërinë Zoi, një organizatë përkushtuar ndriçimit të Greqisë së krishtere. Vëllazëria themeloi shumë shkolla dhe rrethe dhe bëri shumë vepra të mira. Ajo solli, gjithashtu, në Kishë shumë doktrina dhe praktika protestante.

    Kishat e Tjera

    Në 1920, pesë dioqezat orthodhokse serbe, që u krijuan gjatë kohës së shpërbërjes së Perandorisë Turke dhe formimit të shteteve të reja evropiane, u mbodhën në një Kishë Orthodhokse Serbe kombëtare me një patrik në Beograd. Në 1922, kjo Kishë u nda zyrtarisht prej shtetit. Kisha Orthodhokse rumune me patrikun e saj në Bukuresht u themelua në 1925. Ajo mbetet Kisha kombëtare e Rumanisë. Patriarkana e Antiokisë në Lindjen e Mesme pati, me ndihmën e rusëve, primatin e saj të parë arab në 1898. Megjithatë, Patriarkana në Jeruzalem, vazhdonte të kishte një primat grek, ndonëse një këshill i priftërinjve dhe laikëve arabë u formua në 1911 për të marrë pjesë në drejtimin e Kishës. Kisha Orthodhokse e Polonisë e mori autoqefalinë në 1924. Në 1925 ajo kishte gjithashtu, dy dioqeza të krishterësh orthodhoksë në Çekosllovaki. Kisha Orthodhokse e Finlandës u bë autonome nën drejtimin e Patriarkanës së Konstadinopojës (1923). Në 1921, eksarkati i Kishës Orthodhokse Ruse në Evropën Perëndimore udhëhiqej nga Mitropoliti Evlogji Gjeorgjevski (v. 1946), i cili ishte caktuar nga patriku Tikon. Patriarkana e Konstandinopojës caktoi një eksark grek në Londër në 1922.

    Sinodi në Mërgim

    Menjëherë pas revolucionit bolshevik, një grup klerikësh rusë të mërguar, së bashku me udhëheqës laikë monarkistë, formuan Sinodin Orthodhoks Rus në Mërgim, i quajtur, gjithashtu Kisha Orthodhokse Ruse Jashtë Rusisë. Ky grup i udhëhequr nga Mitropoliti Antoni Krapovitski (v. 1936), e vendosi qendrën e tij në Serbi, ku mori të drejtën të funksiononte në mënyrë të pavarur nga hierarkia kishtare lokale. Për shkak të vendosjes në Sremski-Karlovtsi, grupi mori, gjithashtu, emrin Sinodi Karlovatski. Ky grup u dënua zyrtarisht nga patriku Tikon, si edhe nga Patriarkana e Konstandinopojës, për prishjen e rregullit të Kishës.

    Lëvizja Ekumenike

    Lëvizja për bashkëpunim ndërmjet të krishterëve, e cila filloi ndër protestantët në shekullin e nëntëmbëdhjetë, u zhvillua më e fuqishme në fillim të këtij shekulli me themelimin e Këshillit Misionar Ndërkombëtar, në Edinburg, në 1910. Në 1920, peshkopët e Patriarkanës së Konstandinopojës nxorrën një letër enciklike “Të Gjitha Kishave të Krishtit Kudo Që Të Jenë,” duke bërë thirrje për “një lidhje më të ngushtë dhe një mirëkuptim të ndërsjelltë ndërmjet Kishave të ndryshme të krishtera.

____________________

 * Rafael Hauini u kanonizua shenjt nga Kisha Orthodhokse në Amerikë në vitin 2000 së bashku me disa klerikë të tjerë. Ai dorëzoi Theofan Nolin në dhjak.