Misteret

    Jeta shpirtërore e Kishës i është dhënë njerëzve në misteret. Ato quhen misteret e shenjta dhe e gjithë jeta e Kishës konsiderohet të jetë mistike dhe misterore (shih Vëllimi II, Adhurimi). Jeta e re në Krishtin, jeta e vërtetë e Perëndisë, i jepet njeriut në pagëzimin, lindja e re dhe krijimi i ri i njeriut në Krishtin me anë të Shpirtit të Perëndisë. Në pagëzimin personi e mohon Satanin dhe të gjithë veprat e tij të këqia dhe pranon Krishtin dhe dhuratën e jetës së përjetshme, vdes dhe ngjallet përsëri me Jisuin në “risinë e jetës”. Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jisu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. (…) Kështu edhe ju, mbajeni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jisu Krishtin, Zotin tonë (Romanët 6:3-11; Kr., gjithashtu Kolosianët 2-3, Galatianët 3).

    Jeta e re në Krishtin e dhënë në pagëzim – një vdekësim i vazhdueshëm dhe ngjallje e përditshme me Jisuin – është bërë e mundur në njeriun me anë të “vulës së dhuratës së Shpirtit të Shenjtë” në misterin e mirosjes (Kr. 2 Korinthianët 1:22, Efesianët 1:13). Mirosja bëhet pas pagëzimit dhe është e lidhur esencialisht me atë, ashtu si Shpirti i Shenjtë vjen me Krishtin, Pentekostia me Pashkën, dhe jeta vjen me lindjen. Nuk ka jetë të re në njerishmërinë e re të fëmijërisë hyjnore në Jisuin pa Shpirtin jetëbërës të Perëndisë. Është Shpirti i Shenjtë në mirosjen që e bën të mundur dhe të fuqishme jetën shpirtërore në të cilën njerëzit kanë lindur në pagëzimin e krishterë. Jeta e re në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë në Kishë ushqehet dhe mbahet në misterin e eukaristisë – Kungimin e Shenjtë. “Darka mistike e Birit të Perëndisë” është qendra e jetës shpirtërore. Për të krishterët nuk ka aspak jetë pa atë:  Unë jam buka e jetës . . . nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.

    Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim . . . kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë (Joani 6:32 e vazhdim). Kur një person largohet nga jeta e Perëndisë në Kishë, ai ose ajo mund të ribashkohet me Krishtin me anë të ripajtimit nëpërmjet rrëfimit pendimtar. Mëshira e madhe e Perëndisë banon në Kishë me anë të pranisë së Krishtit, dhe Zoti që “nuk dëshiron vdekjen e mëkatarit”, por që ai të mund “të kthehet nga paudhësia dhe të jetojë” (Ezekieli 18:32, 33:14) do t’i falë ata që vijnë tek Ai në pendim (Kr. Joani 6:37). Pendimi i vazhdueshëm nga mëkati është një element qendror në jetën shpirtërore të njerëzve që kanë zgjedhur jetën në Perëndinë, por që vazhdojnë, në mënyrë të pashmangshme, të mëkatojnë.

    Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne (1 Joani 1:8-10). Në këtë jetë akoma të lidhur nga mëkati i botës, njeriu në mënyrë të pashmangshme vuan dhe vdes. Natyra e tij e jashtme po humbet, ndërkohë që natyra e tij e re në Krishtin është duke u përsosur. Misteri i vajimit të shpirtit dhe trupit të njeriut të sëmurë është shenjtërimi i “natyrës prishëse” të njeriut, që “natyra e vdekshme” e tij të mund “të veshë pavdekësinë” (1 Korinthianët 15:51 e vazhdim). Nëpërmjet vajimit të shenjtë një personi i jepet hiri i Shpirtit për ta bërë sëmundjen dhe vdekjen e tij një akt fitoreje dhe jete. Nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë; në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të . . . (2 Timotheu 2:11, Kr. Jakovi 4:13 e vazhd.).

    Edhe në këtë jetë Perëndia ka krijuar qenie njerëzore në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij hyjnore si meshkuj dhe femra. Bashkimi në dashuri ndërmjet një burri dhe një gruaje përjetësisht është shprehja e dashurisë së përsosur të Perëndisë për krijesat e Tij. Misteri i martesës është shëmbëlltyra njerëzore e “misterit të madh” të “Krishtit dhe Kishës” (Efesianët 6:21-33). Në misterin e martesës, dashuria njerëzore bëhet e përjetshme dhe hyjnore nga hiri i Shpirtit të Krishtit. Nuk ka ndarje as në vdekje, por përmbushje në Mbretërinë e Perëndisë. Të gjitha misteret e Kishës kryhen në Kishë nëpërmjet misterit të priftërisë së dorëzuar. Peshkopët dhe priftërinjt janë shërbyesit brenda bashkësisë të cilët garantojnë realitetin e jetës mistike të Kishës në të gjitha kohët dhe vendet. Nëpërmjet shërbyesve të dorëzuar brenda kungimit të Kishës, Vetë Krishti është i pranishëm dhe i fuqishëm në plotësinë e aktivitetit të Tij shpëtimtar.