Meditimi ndryshon nga lutja, edhe nga lutja në qetësi, në atë që meditimi është mendim rreth Perëndisë dhe soditje e fjalës dhe veprës së Tij. Normalisht meditimi fillon me lexime nga Shkrimet e shenjta, Fjala e Perëndisë. Kjo quhet në traditën shpirtërore lectio divina. Është leximi i ngadaltë dhe i vëmendshëm i Biblës, ose ndoshta i shkrimeve të etërve të kishës dhe shenjtorëve, jo për të fituar informacion, por për të patur kungim me Perëndinë.
Një lexim meditativ i tillë mund të jetë i llojit ku një person përpiqet, me fuqinë e mendimit dhe imagjinatës së tij, të hyjë brenda ngjarjes rreth së cilës po lexon për t’u bërë pjesëmarrësi bashkëkohor i saj. Ose, mund të jetë i llojit ku personi thjesht lexon dhe dëgjon në qetësi, pa imagjinim ose mendim racional, me qëllim që Fjala e Perëndisë të hyjë në mendjen dhe zemrën e tij që të mbeten atje, për të prodhuar fryte në kohën e caktuar.
Psalmodia, e bërë vetëm apo në bashkësinë kishtare, ekziston për këtë qëllimin e fundit. Kur bëhet leximi ose këndimi i psalmeve, personi nuk përpiqet të mendojë rreth çdo fjale dhe fraze. Për më tepër, ai këput çdo arsyetim dhe e hap zemrën e tij te Zoti, duke e bashkuar “gojën e tij me mendjen e tij,” (Shën Benedikti) dhe duke e lejuar Fjalën e Perëndisë të mbillet brenda tij për të çelur në shpirtin e tij me frytet e Shpirtit. Është e njëjta gjë edhe me himnologjinë kishtare. Ajo këndohet për lavdinë e Perëndisë dhe për ndërtimin dhe zgjerimin e shpirtit nëpërmjet soditjes së Zotit në fjalët dhe veprat e Tij të shpëtimit, shumë më tepër sesa nga çdo udhëzim intelektual. Ky tip meditimi këshillohet veçanërisht në kohët e dëshpërimit.
Ka, gjithashtu, një tip meditimi dhe soditje e bërë krejtësisht në qetësi, pa asnjë fjalë, imazh ose aktivitet, as edhe psalmodi. Personi, thjesht, ulet në qetësi, shpesh në praninë e ikonave të shenjta dhe duke e zbrazur mendjen e tij nga çdo mendim, imagjinatë dhe dëshirë, dëgjon Perëndinë në qetësi, “gjuhën hyjnore të Mbretërisë së qiellit” (Shën Isaak Siriani). Ky tip meditimi, për një person të lutjes së pandërprerë, do të jetë “lutja e qetësisë”, me “burimin gurgullues” të Lutjes së Jisuit, si i vetmi themel dhe sfond i saj. Në një lutje të tillë meditative dhe meditim lutës, shpirti i njeriut bëhet një me Shpirtin e Perëndisë (kr. 1 Korinthianët 6:17).