Tryeza e Blatës (Proskomidhia)

Nëse qëndrojmë përballë altarit, Tryeza e Blatës (Proskomidhia) është në të majtë. Aty përgatitet buka dhe vera për Meshën Hyjnore. Potiri – kupa për verën – dhe Dhisku – për bukën, mbahen në këtë tryezë. Këto enë, zakonisht janë dekoruar me gdhendje ikonografike, simbole të krishtera dhe shenjën e kryqit.

   Në këtë tryezë mbahen të gjitha gjërat që duhen për përgatitjen e Blatës; një thikë e veçantë liturgjikale – e quajtur simbolikisht shtizë – e cila përdoret për të prerë bukën e meshës; një lugë liturgjike, përdorur për t’i dhënë besimtarëve Kungatën; disa mbulesa të veçanta për të mbuluar Potirin dhe Dhiskun, si dhe një pjesë metalike në formë kryqi e quajtur yll, që qëndron mbi bukën e meshës në Dhisk. Gjithashtu, aty mbahen një sfungjer dhe disa piceta për tharjen e Potirit mbas meshës. Tryeza e Blatës zbukurohet në të njëjtën mënyrë si Tryeza e Shenjtë.

   Mbi Tryezën e Blatës (tryeza ku përgatiten dhuratat për Kungatën e Shenjtë), që ndodhet në të majtë të Tryezës së Shenjtë, mund të shihen ikona të ndryshme. Një nga më të shpeshtat është ajo e Lutjes së Krishtit në Gjethsemani: “le të hiqet prej meje ky potir…” Një tjetër, është ajo e Lindjes së Krishtit, ndonëse kjo vjen nga një interpretim simbolik i Meshës Hyjnore, i cili nuk është tregues i traditës themelore liturgjike të Kishës. (Shih kapitullin e pestë në Meshën Hyjnore.)