Letra e Shën Pjetrit

    Shumica e studiuesve bashkëkohorë nuk mendojnë se Shën Pjetri vetë i ka shkruar këto dy letra që mbajnë emrin e tij. Ata e konsiderojnë letrën e parë sikur vjen nga fundi i shekullit të parë dhe letrën e dytë nga gjysma e parë e shekullit të dytë. Por Tradita e Kishës mban dëshminë e vetë letrave, duke ia atribuar ato korifeut të apostujve të Krishtit i cili shkruante nga “Babilonia”, që ishte në Kishën e hershme emri për Romën, pak para martirizimit të tij në gjysmën e dytë të shekullit të parë (Shih 1 Pjetri 5:13; 2 Pjetri 1:14). Letra e parë e Shën Pjetrit është një thirrje plot pasion për të gjithë “Popullin e Perëndisë” që të bëhen të fortë në vuajtjet e tyre, duke imituar Krishtin dhe së bashku me Atë, duke mbajtur një “sjellje të mirë ndër kombet”, duke e nënshtruar veten pa ligësi dhe pa justifikime ndaj “çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit” (2:11,13).

    Instruksione dhe këshillime të veçanta për devotshmëri i drejtohen, së pari tërë Kishës e cila është “një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, popull i fituar (nga Perëndia)” (2:9) dhe pastaj shërbëtorëve (2:18), burrave dhe grave (3:1-7), si edhe presbiterëve (pleqëve) të cilët autori si një “shoku i tyre dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit” u bën thirrje që të “ruajnë grigjën e Perëndisë… jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, por me vullnet të mirë, dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për grigjën” (5:1-4). Nëpër tërë letrën, vazhdimisht bëhet analogji ndërmjet vuajtjeve të Krishtit dhe vuajtjeve të të krishterëve, që është për shpëtimin e tyre.

Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin, sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij”. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen; kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht. Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat. Sepse ju ishit si dele endacake, por tani ju u kthyet te bariu (fjalë për fjalë peshkopi) dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj (2:20-25).

    Letra e dytë e Shën Pjetrit konsiderohet ndonjëherë si një predikim drejtuar atyre që sapo ishin pagëzuar në besimin e krishterë. Autori dëshiron që para vdekjes së tij “të mbajë zgjuar… duke iu kujtuar” (1:13, 3:1) se çfarë ka bërë për ata që janë thirrur, që ata të mund “të bëhën pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i  shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të dëshirimit të keq” (1:3-4). Ai i paralajmëron për shfaqjen e “profetëve të rremë” dhe “përqeshësit” të cilët do çojnë të zgjedhurin në rrugë të gabuar me anë të “herezive shkatërruese” të tyre dhe “duke mohuar Zotin që i bleu ata”, duke i bërë ata kështu të kthehen përsëri në një jetë mëkati dhe paditurie ashtu si thotë proverbi “qeni u kthye në të vjellat e tij dhe dosa si u la u zhgërrye në llucë” (2:1-22, 3:1-7). Autori paralajmëron në mënyrë të veçantë kundër shtrembërimit të shkrimeve të shenjta, si të Dhiatës së Vjetër ashtu edhe atyre të Shën Pavlit, “të cilat, të paditurit dhe të paqëndrueshmit, i shtrembërojnë për humbjen e vetes së tyre” (3:16, 1:20).

    Kapitulli i tretë i letrës së dytë të Shën Pjetrit është interpretuar ndonjëherë gabim si shkatërrimi tërësor i krijimit të Perëndisë në mbarim të botës. Interpretimi orthodhoks është që vetëm mëkati dhe e keqja do të “treten nga zjarri” në “ditën e Perëndisë”, dhe se “qiej të rinj dhe toka e re, në të cilët banon drejtësia” do të jetë e njëjta botë “shumë e mirë” e krijimit fillestar të Perëndisë, por e pastruar, e rinuar dhe shlyer nga gjithçka që është kundër mirësisë dhe shenjtërisë së Tij hyjnore (3:8-13; Shih Vëllimi I, Doktrina). Rikujtimi në letrën e dytë të Shën Pjetrit mbi shpërfytyrimin e Krishtit është apostulli që lexohet në Kishë në festën e kësaj ngjarjeje të shenjtë (1:16-18). Lexime nga të dyja letrat gjenden në leximin e Kishës, pjesë nga letra e parë lexohen në vigjiljen e festës së Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit.