Kampi i tretë në Manastirin e Shën Joan Vladimirit u përjetua me gëzim nga të rejat orthodhokse. Nga datat 10 -20 gusht 2007 u zhvillua kampi i fundit për këtë verë me vajza të moshës 17 – 25 vjeç.
Në këtë kamp morën pjesë 70 vajza nga qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë si: Tirana, Durrësi, Lushnja, Berati, Fieri, Vlora, Elbasani etj. Tema e kampit ishte e njëjtë me dy kampet e para: “Krishti u Ngjall, gëzimi im”.
|
|
|
Programi i kampit, por për më tepër ana shpirtërore e kampit, ishte e lidhur me festën e Ngjalljes së Zotit, e cila është edhe qendra e besimit tonë.
|
Dita përmbante aktivitete mjaft të larmishme. Lutja e mëngjesit, punët rreth kampit, studimet biblike, referatet nga folës të ndryshëm si: Hirësi Andoni, Hirësi Nikolla, Kryedhjakon Asti, Sonila Dedja dhe Nathan Hoppe.
|
|
Gjithashtu në ditët e zakonshme mbasditja ishte e mbushur me lojëra dhe aktivitete të tjera. Çdo ditë niste dhe mbyllej me lutje drejtuar Perëndisë.
|
|
|
Por kampit nuk i mungonin aktivitetet e veçanta si ekskursioni në mal, nata ndërkombëtare ku çdo grup prezantoi një kontinent ose shtet, prezantimi i rretheve nga ku vinin vajzat, lojërat olimpike, nata e zjarrit, konkursi biblik etj.
|
Në këtë kamp një bekim i veçantë ishte vizita e Kryepiskopit Anastas, i cili i shtoi gëzimin me prezencën e tij kampit. Vajzat patën rastin të zhvillonin një bisedë të frytshme me Kryepiskopin.
|
|
|
Vajzat e kampit të drejtuara nga kryetaret e tyre të grupeve kishin përgatitur drama, skeçe, këngë të ndryshme për ta mirëpritur Kryepiskopin.
|
Zelli i vajzave dhe krijimtaria e tyre për të marrë pjesë me gjithë mendje dhe zemër në programin e kampit ishte karakteristikë e këtij aktiviteti.
|
|
Në këtë kamp ofruan shërbimin e tyre afërsisht 10 vajza ku të gjitha kanë mbaruar ose vazhdojnë Akademinë Teologjike. Ky kamp kishte një koordinatore të përgjithshme të kampeve Znj. Ana Baba, drejtuesen e kampit znj. Ana Kërçyku, 6 drejtuese grupesh dhe dy drejtuese të aktivitete të veçanta. Falënderime të shumta i drejtohen Perëndisë për këtë bekim të madh, Kryepiskopit Anastas për mbështetjen shpirtërore dhe financiare, vajzave që ofruan ndihmën e tyre në këto kampe dhe shumë njerëzve të tjerë që kanë punuar shumë për zhvillimin e këtyre kampeve. Kampistet u larguan nga ambientet e bukura të Manastirit me urimin për t’u takuar përsëri vitin e ardhshëm.
|
|
Ana Kërçyku
|