Duke u nisur nga shkrimi i Hyqmet Zane në gazetën “Republika”, i datës 26 maj 2007, për vjedhjen e kambanës në kishën e Shën Kollit të fshatit Shelcan të Elbasanit, mendova të shkruaj  këtë artikull. Si arkitekt restaurator më duhet të them se në këto shkrime ka shumë pasaktësi, të cilat shtrembërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë punën e kryer nga Kisha Ortodokse për restaurimin e monumenteve të kulturës të kultit orthodhoks në Shqipëri. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me në krye Fortlumturinë e tij Kryepiskopin Anastas, ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm në ndërtimin e kishave të reja, të cilat janë objekte shpirtërore në shërbim të komunitetit të besimtarëve të krishterë ortodoks, por dhe në restaurimin e kishave monumente kulture, të cilat përbëjnë një vlerë të pamohueshme të trashëgimisë sonë kulturore.

   Aty thuhet: “Greqizimet që bën me kishat Hirësia e tij, kur kishat shqiptare i pasuron me ndonjë kambanë, duke i lënë në harresë detyrimet që ka si Kryepiskop i ortodoksisë shqiptare për të meremetuar me kujdesin e duhur ato vlera të papërsëritshme” dhe disa rreshta më poshtë thuhet: “mosfinancimi nga Kisha Ortodokse Shqiptare e objekteve të tilla që kanë nevojë për rikonstruksione të kalibrit monument kulture janë një tjetër dëshmi e së keqes që ka mbjellë ky Janullatos në këtë vend në emër të ndihmës vëllazërore të Greqisë për ortodoksinë shqiptare”.
    KISHA E MANASTIRIT TE SHEN KOLLIT NE CEPO TE GJIROKASTRES PARA RESTAURIMIT

    Në dy citimet e mësipërme duken qartë dhe hapur tendencat  negative që ka autori për të minimizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kontributin e Kryepiskopit Anastas për monumentet e kulturës në Shqipëri. Asnjë gjë nuk është e vërtetë në këto që thuhen në këtë shkrim kur dihet, jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por dhe nga njerëzit profesionistë të cilët merren me restaurimet e monumenteve të kulturës në Shqipëri, që e vërteta është se Kisha Ortodokse dhe Kryepiskopi Anastas kanë investuar për restaurimin e objekteve monumente kulture deri tani një fond që i kalon 5 milion euro.

    KISHA E MANASTIRIT TE SHEN KOLLIT NE CEPO TE GJIROKASTRES PAS RESTAURIMIT

     Janë restauruar deri tani nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë 82 objekte kishtare monumente kulture, që përfshin kisha dhe manastire. Ka shumë kohë që pranë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është ngritur Bërthama e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën specialistë të njohur dhe restauratorë të monumenteve të kulturës japin kontributin e tyre në restaurimet e këtyre lloj monumenteve si dhe koordinimin e punës me Institutin e Monumenteve të Kulturës për bashkëpunimin brenda akteve ligjore të trashëgimisë kulturore shqiptare.

     Bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke filluar që në fillim të viteve ’90, ka qenë shumë i suksesshëm dhe vazhdon të jetë i tillë, sidomos në momentin që për shkak të tranzicionit që po kalon Shqipëria është shumë e vështirë që shteti të gjejë fonde për të restauruar këto monumente. Projektet e restaurimit realizohet nga njerëz të liçensuar për këtë fushë. Ato shqyrtohen dhe miratohen nga Komisioni Kombëtar i Restaurimit dhe zbatohen nga kompani të liçensuara për restaurim, si dhe me një supervizim të ngushtë nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në qarkullim është edhe një libër shumë profesional që emërtohet “Restaurimi i monumenteve të Kishës Ortodokse në Shqipëri”, i cili tregon në mënyrë shumë të qartë për restaurimet që ka bërë Kisha Ortodokse si dhe për fondin e investuar në to.
     Duke u bazuar në këto që tregova më sipër, mendoj që ekziston një lloj dashakeqësie e shkruar ne këto artikuj për të lënë në hije gjithë këtë punë të bërë nga Fortlumturia e tij Kryepiskopi Anastas, si dhe specialistët përkatës, por edhe indirekt IMK-në, me të cilën Kisha Ortodokse bashkëpunon ngushtë.

    Për restaurimet që janë bërë ne kemi marrë shumë përgëzime, jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por edhe specialistë të njohur në fushën e restaurimit, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me këtë besim. Bien poshtë të gjitha citimet e thëna më sipër, duke menduar që janë nisur jo nga qëllime të mira për keqardhjen ndaj kishës së Shën Kollit në Shelcan, por duke u fshehur nën petkun e personave “të dhimbsur” shfrytëzojnë rastin për të njollosur emrin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mbi të gjitha atë të Kryepiskopit Anastas.

    KISHA E MANASTIRIT TE SHEN MARISE NE ZVERNEC TE VLORES PARA RESTAURIMIT
    Së pari, këta shkrues duhet të dinë që ky objekt për të cilin flasim ka statusin e monumentit të kulturës të kategorisë së parë dhe mban numrin 38 në listën e monumenteve të rrethit të Elbasanit. Nuk është nevoja të diskutojmë rreth vlerave të këtij monumenti, të cilat specialistët profesionistë i dinë që shumë vite më parë, sepse janë ata që kanë vlerësuar monumentet të cilat ne i kemi në ruajtje sot. Por, në bazë  të ligjit të trashëgimisë kulturore duhet të kihet parasysh që është IMK që duhet të kujdeset direkt për monumentet e kategorisë së këtij lloji, megjithëse duhet të jemi të qartë për të gjitha vështirësitë që ka ky institut, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë monumentet e Shqipërisë.

    KISHA E MANASTIRIT TE SHEN MARISE NE ZVERNEC TE VLORES PAS RESTAURIMIT
    Instituti i Monumenteve të Kulturës bën sforcime të jashtëzakonshme me ato pak fonde që jepen gjatë një viti, duke i shpërndarë në mënyrë ekonomike, që të arrijë të mbajë në këmbë monumente të cilat janë drejt zhdukjes së plotë. Nga ana tjetër, Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Ortodokse, me interesimin dhe investimin direkt të fondeve të gjetura nga Kryepiskopi Anastas, përveç restaurimeve të bëra që thamë më sipër, gjatë kohës që ne flasim, janë nën restaurim 4 objekte monumente kulture, një kishë dhe tre manastire, si dhe janë në plan për t’u restauruar dhe shumë objekte të tjera monumente kulture dhe në një të ardhme jo shumë të largët do të vijë radha edhe për monumentin e marrë në shqyrtim, por fillimisht është e rëndësishme të merremi me monumente në emergjencë, të cilat nga çasti në çast mund t’i humbim përgjithmonë.
    Për sa i përket vjedhjes së kambanës është e mira të mos trumbetojmë nëpër artikuj që kambanat na qenkan ansambluar me metale të çmuara, gjë që nuk është e vërtetë,  sepse krijojmë mundësi, si në rastet precedente, të vjedhjes së tyre .
    Kemi dhe shumë monumente të tjera, po me vlera të papërsëritshme, të cilat kanë arritur pikën kritike, siç është rasti i kishës së Shën Marisë në kalanë e Elbasanit, e cila për statusin që ka duhet të jetë një monument në shërbim të të gjithë komunitetit ortodoks dhe të atyre që janë dashamirës të trashëgimisë kulturore. Kjo kishë fatkeqësisht mbahet e uzurpuar, por për më tepër duke folur nga ana profesionale, ajo ka dëmtime strukturale të jashtëzakonshme, duke e çuar statusin e saj ekzistues “në ngjyrën e kuqe”, monument me prioritet të lartë emergjence. Besoj se me kishën e Shën Marisë së Elbasanit duhet të merreni më parë se me kishën e Shën Kollit të Shelcanit, pa u entuziazmuar për disa vizitore “madhorë”, të cilët i vlerësojnë këto monumente nga ana ekzotike, por mjaftohen vetëm me kaq dhe nuk mundohen të japin kontributin e tyre me përpjekje për të gjetur një fond për restaurimin e saj.
    Në fund, duke kërkuar për t’u distancuar nga çdo lloj ngjyrimi politik, klanor etj., ftoj njerëzit qe kanë shkruar këto artikuj të azhornohen me informacion të pafund pranë zyrës së Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Përgatiti: Gentian Stratobërdha – Arkitekt Restaurator