Si në të gjithë botën e krishterë edhe në Zëvendësinë e Vlorës Krishtlindjet u pritën dhe u festuan me gëzim nga të gjithë besimtarët. Në Kishën e Shën Theodhorëve në Vlorë festimet për këtë të kremte filluan në mbrëmjen e datës 24. Besimtarë të shumtë morën pjesë në lutjen që u organizua nga ora 11:30 deri në orën 12:00 të mbrëmjes. Prej disa vitesh Kisha e Shën Theodhorëve në mbrëmjen e datës 24 organizon veprimtari të ndryshme të cilat mbyllen me lutjen e mesnatës. Që në orët e para të mëngjesit Kisha u mbush përsëri nga besimtarët të cilët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore që u celebrua për nder të Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht.

    Pas liturgjisë besimtarë të shumtë,përfaqësues të pushtetit lokal,të shoqatavedhe partive politike,morën pjesë në pritjen e organizuar nga Kisha. Për të uruar Krishtlindjet erdhën edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare të qytetit të Vlorës. Për komunitetin Katolik urimet i përcolli vetë Peshkopi Katolik i Jugut Hill Kabashi. Në emër të Komunitetit Mysliman uroi Myftiu i Vlorës Hito Shahaj dhe për Komunitetin Bektashian Sekretari i këtij Komuniteti.

    Edhe në qytetin e Selenicës festimet për Lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht filluan sa po akrepat e orës  trokitën për llogari të datës 25 Dhjetor. Zërat e fëmijëve  nisën të çonin në çdo shtëpi të qytetit lajmin se në një shpellë në Betlehem ka lindur Zoti Krisht. Është traditë në këtë qytet që këtë natë portat e shtëpive qëndrojnë të hapura dhe presin fëmijët të cilët lajmërojnë për Lindjen e Zotit.  Duke kënduar një këngë tradicionale ata shkojnë në çdo shtëpi duke mbajtur në duar Ikonën e Lindjes së Zotit, dhe nga besimtarët atyre ju jepen edhe dhurata të ndryshme. Kjo natë ishte shumë  e vecantë për të gjithë besimtarët. Zërat e fëmijëve, si zëra ëngjëllorë, çanë terrin e natës  dhe lajmëruan për një ditë të re, për një ditë plot me dritë, me dritë që buron nga shpella ku  lindi Zoti Krisht. Dhe sa po rezet e dritës nisën të ndriçojnë, besimtarë të shumtë u ngjitën për në kodrën mbi qytet, ku ndodhet Kisha e Shën Athanasit, ku dhe morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore që u celebrua me këtë rast. Gjatë Liturgjisë  u lexua edhe mesazhi i Mitropolitit të Beratit Vlorës Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignatit,  për Klerikët dhe besimtarët shpresëtarë të Mitropolisë.

    ”Bijtë e mi të dashur më Zotin! tha Mitropliti.

    Erdhën edhe sivjet Krishtlindjet dhe Shën Joan Gojarti na fton të festojmë së bashku, duke thënë: ”Ejani të kremtojmë!Ejani të festojmë! Rendin pranë Tij Magët. Rendim edhe ne.Rend edhe ylli, që të shfaqë Zotin e qiejve. Krijuesin dhe grazhdin shikoj…Foshnjën dhe shpërgenjtë,lehonën e virgjër, të përbuzur.Varfëri e madhe…I pasuri u bë i varfër për hirin tonë”.

    Në përfundim Mitropoliti ju drejtohet besimtarëve me fjalët: ”Këtë priste njerëzimi i tërë,që t’i zgjidhë prangat me të cilat,si një tjetër “Promete i lidhur”, ishte i lidhur me zinxhirë dhe priste “të Priturin” e Madh,për ta çliruar nga mëkati. Dhe i cili prej shekujsh,tashmë,ofron fuqinë tek të pafuqishmit;tek të sëmurët, shëndetin;tek të vdekurit nga mëkati, jetën e re të qiellit dhe ngazëllimin e përjetësisë së pambaruar”.

    Pas Liturgjisë, për të uruar Krishtlindjet, në pritjen e organizuar nga Kisha erdhën përfaqësuesit e Pushtetit Lokal,drejtues të institucioneve dhe besimtarë të shumtë.

    Edhe në Kishat e tjera të Zëvendësisë u organizuan ceremoni të ndryshme dhe u celebrua Liturgjia Hyjnore, në Kishën Shën e Diela në Nartë nga Atë Dhimitër Kushi, në Kishën Shën Spiridhoni në Orikum nga Atë Jani Konomi, në Kishën Shën Spiridhoni në Mifol nga Atë Ilia Qirjo, në Kishën Pesë Martirët në Bestrovë nga Atë Lluka Gjergji, në Kishën Ngjallja në Novoselë nga Atë Sotiraq Prifti dhe në Kishën Shën Nikolla në Poro nga Atë Sotir Prifti.

Atë Spiro Bulika