Atmosfera festive e Krishtlindjes nisi të ndihej që ditë më parë, me përgatitjet për ta pritur sa më mire Krishtin-Foshnjë, pas një periudhe të gjatë kreshmimi dhe lutjeje dhe me veprimtaritë e shumta e të bukura të të rinjve e fëmijëve.

    Kremtimi i parë ishte në pasditen e të Dielës para Krishtlindjes, kur besimtarët u mblodhën siç është bërë traditë në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Misterin e Efqelisë, lyerjes me vaj të shenjtëruar. Të hënën, 24 dhjetor, herët në mëngjes besimtarët morën pjesë në Shërbesën e Orëve të Mëdha të Krishtlindjes, të mbushur me tropare dhe me lexime nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, që flasin për Lindjen e Krishtit, duke u pasuar më pas me Shërbesën e Mbrëmësores dhe Liturgjinë Hyjnore. Ndërsa fëmijë orthodhoksë të organizuar nga katekistë të Zyrës së Fëmijëve vazhduan gjatë gjithë ditës vizita nëpër shtëpi besimtarësh orthodhoksë duke kënduar kolendrat – këngët tradicionale të Krishtlindjes mjaft popullore për besimtarët.

   Veprimtaritë dhe përgatitjet shpirtërore të besimtarëve orthodhoksë kulmuan në datën 25 Dhjetor, me Liturgjinë Hyjnore të Krishtlindjes, që për herë të parë u bë në Katedralen e re madhështore “Ngjallja e Krishtit”. Liturgjia u krye nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Hirësi Nikolla, Hirësi Andoni, Hirësi Nathanaili, Hirësi Asti dhe klerikë të shumtë.

    Fortlumturia e Tij Anastasi, lexoi Mesazhin e Krishtlindjeve, që këtë vit kishte si titull “Durim me zemër të gjerë”, duke theksuar ndër të tjera se “Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona… “Dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara.”

    Festimet vazhduan me pritjen tradicionale, e cila këtë vit u bë për herë të parë në mjediset e Qendrës Sinodike, pjesë e kompleksit të Katedrales. Erdhën për të uruar përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, ministra, përfaqësues të partive politike, ambasadorë, personalitete dhe intelektualë të njohur, besimtarë etj.

    Për të uruar besimtarët orthodhoksë erdhi Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli dhe Kryeministri, Z. Sali Berisha, të cilët uruan besimtarët dhe vlerësuan përpjekjen e Kryepiskopit Anastas për ngritjen e katedrales, si një vepër që ka zbukuruar Kryeqytetin. Vlerësim të veçantë mori edhe dhurimi nga Fortlumturia e Tij Anastasi e Kodikut të Korçës nr 93, i shek. X, i cili u ribotua në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Shoqërinë Biblike Ndërkonfensionale.