Edhe sivjet, si çdo prag Krishtlindje tjetër, me bekimin e Mitropolitit të Gjirokastrës Imzot Dhimitrit, nxënësit e Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar”, së bashku me stafin e tyre, vizituan azilin e pleqve të këtij qyteti. Në azil strehohen rreth 50 të moshuar.

    Mitropolia e Gjirokastrës me rastin e festave të fundvitit ofroi disa dhurata simbolike për ta. Ndërkohë nxënësit e kësaj shkolle përgatitën një program të veçantë gjatë kësaj vizite baritore.  Ndër të tjera, drejtori i konviktit të shkollës “Kryqi i Nderuar”, Atë Joan Mërkuri tha: “Pavarësisht se njerëzit në këtë botë janë të rinj apo të moshuar, të varfër apo të pasur, përpara syve të Perëndisë jemi të gjithë të barabartë, të gjithë jemi Bij të Zotit”.

    Pak përpara se programi të përfundonte, njëri prej të moshuarve u shpreh: “Ju falënderojmë nga zemra që morët iniciativën të vini tek këta njerëz të vetmuar që kanë nevojë për një fjalë të ngrohtë dhe mos harroni asnjëherë prindërit tuaj që ju kanë sjellë në jetë”.
 
Emiliano Lito