Nxënësit e shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët” në kryeqytet festuan më 22 dhjetor pasdite, në një nga sallat e Akademisë së Arteve, ardhjen e Krishtlindjes dhe Vitit të ri 2006. 

      Në këtë veprimtari ishte i ftuar edhe Kryepiskopi Anastas, mësuesit dhe prindërit e nxënësve, të cilët ndoqën për më shumë se një orë programin festiv të përgatitur nga fëmijët e shkollës.

      Të 105 nxënësit e katër klasave prezantuan këngë, recitime, humor, dramatizime dhe histori nga Lindja e Krishtit dhe pritjes së Vitit të Ri, duke përcjellë emocione të veçanta tek të gjithë të pranishmit. Në fytyrat e vogëlushëve ndriçonte drita e Krishtlindjes dhe gëzimi fëmijëror i shoqëruar nga duartrokitjet e zjarrta të prindërve të tyre. Është e natyrshme që ky gëzim të jetë edhe më i madh tek fëmijët, të cilët Zoti Krisht i quan bijtë e Tij “…sepse e tyre është Mbretëria e Perëndisë” .

      Në fund të aktivitetit fëmijët dhe prindërit e tyre i përshëndeti edhe drejtoresha e shkollës, znj. Shanon Sakelariu, e cila tregoi për punën e madhe në kuadrin e kësaj feste si edhe dëshirën dhe devotshmërinë e stafit për të përgatitur të ardhmen e vendit me dashuri për dijen dhe kulturën.

       Nxënësit e shkollës kishin përgatitur edhe një tufë me lule për Kryepiskopin Anastas, i cili mes emocioneve dhe buzëqeshjeve i bekoi ata me dashurinë dhe ngrohtësinë e Atit dhe Bariut të Kishës sonë.                                                                                                              

Isidor Koti