Fjala e Kryepiskopit Joan
E Hëna e Madhe, Shërbesa e Dhëndrit (I)
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Tiranë, 5 prill 2026
Sot kemi hyrë në Javën e Madhe që është java më intensive liturgjike e jetës shpirtërore në Kishën Orthodhokse. Është shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne të kuptojmë realisht se çfarë festojmë, çfarë mendojmë dhe përse bëhen këto shërbesa? Shërbesat e Javës së Madhe, tre të parat që emërtohen Shërbesa e Dhëndrit, dhe ato që do të pasojnë, janë shërbesa të përzirshme, ku kujtojmë vuajtjen vullnetare të Zotit për shpëtimin tonë.
Nëse do të ndalemi tek temat për të cilat flitet në këto shërbesa, fillojmë të kuptojmë akoma edhe më shumë për Misterin e Kryqit dhe për Shërbesën e dashurisë së Zotit. Ne nuk vajtojmë vdekjen e një heroi tragjik. Kur vajtojmë, vajtojmë për mëkatet tona dhe për gjithçka tjetër që ka prishur lidhjen tonë me Perëndinë. Pra, shërbesat janë të përzitshme dhe temat kryesore janë disa.
Shërbesa e sotme njihet shpeshherë si Shërbesa e Dhëndrit. Me çfarë lidhet kjo Shërbesë e Dhëndrit? Ajo lidhet pikërisht me paravolinë e 10 virgjëreshave dhe me ‘parusia’ me Ardhjen e Dytë të Krishtit, i cili na thotë të jemi vazhdimisht vigjilentë. Kjo përkujtohet të Martën e Madhe. Një temë tjetër shumë e rëndësishme është ajo e Mbretërisë së Perëndisë, në të cilën hyjmë nëpërmjet përulësisë dhe kryqit. Sepse në Ungjillin e sotëm dhe në troparet, përveç Jerusalemit të mbidheshëm, u përmend Jerusalemi qiellor. Kisha dhe Mbretëria e Zotit i përkasin Jerusalemit qiellor, jo Jerusalemit të mbidheshëm. Dhe fjala Jerusalem në hebraisht ‘Yerushalayim’ ka mbaresën ‘aim’. Mbaresa ‘aim’ nuk është shumësi, por tregon dy gjëra, sepse e shikonin Jerusalemin në dy forma: Jerusalemi tokësor dhe Jerusalemi qiellor, shpirtëror. Dhe Mbretëria e Krishtit është mbretëri qiellore, mbretëri e paqes dhe e dashurisë.
Një temë tjetër shumë e rëndësishme është përplasja ndërmjet Krishtit dhe udhëheqësve fetarë të asaj kohe: farisenjve, shkronjësve dhe të gjithë të tjerëve. Sa më shumë shfaqej madhështia e Zotit, predikimet e tij, mrekullitë, aq më shumë ashpërsoheshin ata, gjersa krijuan një komplot për ta kapur dhe për ta vrarë Atë. Dhe Zoti i qorton ata për dy gjëra shumë të rëndësishme. Së pari i qorton për një lloj legalizmi, me anë të të cilit e shikonin fenë vetëm nga jashtë, jo nga brenda. Kur profetët e Izraelit të lashtë thoshnin fjalët e Zotit, ato ishin shumë të ashpra: Unë nuk i dua, shërbimet tuaja, i urrej të gjitha sakrificat tuaja. Ajo që kërkoj unë, thotë Zoti, është mëshirë dhe përdëllim (Osea 6:6). Feja e vërtetë nuk janë ritualet e jashtme. Ato janë mjete për të na ndihmuar për pastrimin shpirtëror. Por nëse do të qëndrojmë vetëm te legalizmi i jashtëm, do të fillojmë të bëhemi hipokritë. Lufta e Krishtit me farisenjtë ishte pikërisht për hipokrizinë e tyre, dhe ky është qortimi i dytë. Në atë kohë qarkullonte dhe një proverb në Izraelin e shekullit të parë, ku thuhej kështu: “Nëse ndahen të gjithë hipokritët e botës në 10 pjesë, 9 prej tyre janë në Jerusalem”. Prandaj, duhet të kemi gjithmonë kujdes. Kur standardi është shumë i lartë dhe nuk kemi forcën dhe besimin e fortë për ta ndjekur atë, do të fillojmë të bëhemi hipokritë. Dhe hipokrizia është sëmundja më e tmerrshme që shkatërron besimin fetar.
Temat e parë e sotme është Josifi i drejtë i cili u persekutua padrejtësisht, sepse donte të ruante dëlirësinë e tij. Vëllezërit e tij e shitën si skllav dhe donin ta vrisnin. Por Josifi është parafigurim i Krishtit, një ikonë e tij, sepse ashtu si Krishti i pafajshëm që u kryqëzua për të shpëtuar të gjithë botën dhe Josifi e përdori të gjithë atë të keqe që i bënë vëllezërit e tij, për t’i ndihmuar dhe shpëtuar ata. Josifi u thotë vëllezërve këto fjalë: “Ju kishit thurur të këqija kundër meje, por Perëndia i ktheu në të mira, për të bërë atë që po ndodh sot: të mbajë gjallë një popull të madh” (Gjen. 50:20). Ashtu siç thotë edhe Shën Pavli: “Dhe ne e dimë se çdo gjë bashkëvepron për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të tij” (Rom. 8:28). Josifi e donte Perëndinë dhe nëse ne e duam Perëndinë, asgjë nuk mund të na dëmtojë. Madje edhe të këqijat që mund të kurdisin armiqtë, Perëndia do t’i kthejë për të mirë.
Dhe tema e dytë e sotme është tharja e fikut. Çfarë përfaqëson tharja e thikut? Historikisht flitet për sinagogën judaike, të cilët nuk e besuan Zotin edhe nuk dhanë më fryte. Çdo gjë që nuk jep fryt, thahet dhe nuk ka më jetë. Ky është një kujtim për gjithsecilin nga ne që duhet të japim fryte. Besimi që nuk jep fryte është i vdekur. Kështu shkruan Shën Jakovi, besimi pa vepra, që do të thotë pa fryte, është një besim i vdekur. “Kështu edhe besimi, po nuk pati vepra, është i vdekur në vetvete” (Jak.2:17).
Prandaj, le ta gjallërojmë besimin dhe le të këndojmë së bashku troparin nga ku mësojmë të marrim mësim nga tharja e fikut, dhe t’i sjellim fryte të denja pendimi Krishtit, i cili u fal të gjithë njerëzve përdëllimin e madh.
Do të doja që të gjithë t’i ndiqnit këto shërbesa, sepse duke i përjetuar ato, ndiejmë besimin thellë në shpirtit tonë. Dhe kjo ndjenjë nga brenda fillon dhe e pastron zemrën tonë, e ndriçon mendjen tonë dhe e bën jetën tonë akoma më të bukur. Nuk ka gëzim më të madh kur njeriu dallon dorën e Zotit në jetën e tij. Në këtë javë mund ta ndjejmë këtë gjë, sepse nëse do ta përjetojmë ngjarjen jo vetëm thjesht si kujtim i saj, do të ndiejmë diçka brenda shpirtit tonë; dhe kështu rritet besimi.
Nuk mund të ketë besim pa jetë shpirtërore, sepse nuk ka besim intelektual. Besimi përfshin të gjithë mendjen, zemrën dhe shpirtin e njeriut. Le të falënderojmë Zotin edhe Etërit e Kishës të cilët kanë krijuar këto shërbesa të jashtëzakonshme, të cilat do të na ndihmojnë vazhdimisht në rrugëtimin tonë shpirtëror drejt Jerusalemit qiellor. Amin.
Video