Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joanit, në ditën e përvjetorit të parë të Fronëzimit të tij si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Falënderoj Mitropolitin e Fierit dhe vëllain tim bashkëmeshëtar Hirësi Nikollën për fjalët e ngrohta dhe dua të shpreh falenderimin për të gjithë Anëtarët e Sinodit të Kishës sonë të cilët më kanë mbështetur dhe kemi qenë vazhdimisht së bashku. Vetëm duke qenë të bashkuar, mund të kemi sukses, sepse siç e thotë Ungjilli, një shtëpi e ndarë nuk qëndron dot (Shih Mt.12:25b); asnjë shtet i ndarë nuk qëndron dot. Vetëm nëse jemi të bashkuar mund të qëndrojmë dhe të kemi sukses.
Por që të jemi të bashkuar duhet të kemi, së pari, respekt të madh për njëri-tjetrin dhe për çdo njeri. Dhe së dyti, duhet të promovojmë dhe të nderojmë të gjithë paraardhësit tanë. Kisha ka vazhdimësi, ajo nuk është përpjekje e individëve të veçantë, por është një bashkësi, një trup. Nëse vuan një gjymtyrë, vuan i gjithë trupi, thotë shën Pavli (shih 1 Kor. 12:26a). Nëse do ta shikojmë Kishën me këtë sy, padyshim që do të kemi respekt të madh për të gjithë paraardhësit tanë. Midis tyre doja të përmendja Kryepiskopin e ndjerë Anastas, i cili i dha kësaj Kishe kaq shumë gjëra. Ne do ta kujtojmë vazhdimisht dhe do ta falënderojmë atë, sepse nëse humbasim falënderimin, atëherë do të humbasim edhe bekimin. Ata gëzohen lart në qiell kur Kisha jonë ka sukses. Kisha do të ketë sukses, nëse kemi falenderimin në shpirt. E falenderojmë Perëndinë dhe i falënderojmë të gjithë ata njerëz me anë të cilëve Perëndia e bëri të mundur ringjalljen e Kishës sonë. Ditët e përkujtimeve dhe përvjetorëve janë ditë reflektimi, për të medituar dhe falënderuar të gjithë njerëzit, të njohur dhe të panjohur, të cilët kanë dhënë kontribut shumë të madh që Kisha jonë të ringrihej. Sot është detyra jonë që ta vazhdojmë këtë vepër, ku secili të ofrojë sipas mundësive të tij, por me të njëjtën frymë: me frymën e dashurisë ndërmjet njëri-tjetrit dhe me frymën e së vërtetës.
Falënderoj të gjithë besimtarët jo vetëm të dioqezës së Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në Kishë, kanë dhënë kontribut, kanë mbështetur Kishën dhe besoj që do të vazhdojnë ta mbështesin gjithmonë, sepse Kisha nuk i përket një grupi njerëzish, qofshin edhe episkopë. Kisha u përket të gjithëve. Çdo anëtar i Kishës ka përgjegjësi për sigurinë, ruajtjen dhe lulëzimin e Saj. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët ose siç thoshte një shenjtor i madh që jemi të gjithë në një anije. Nëse mbytet anija, mbytemi të gjithë. Prandaj, çdo i krishter orthodhoks në territorin e Kishës sonë ka përgjegjësinë për t’u kujdesur për Kishën.
Jam i gëzuar për pjesëmarrjen e madhe që kemi sot këtu dhe uroj që Perëndia të na japë të gjithëve forcë, mençuri dhe dituri që trashëgiminë të cilën e kemi nga ata që ishin para nesh, Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti Ignat, Mitropoliti Dhimitër, madje edhe të tjerët më parë, martirët e shenjtë të cilët dhanë jetën për të mbrojtur besimin, për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe Kishën këtu, ta vazhdojmë më tej. U jemi mirënjohës të gjithëve, sepse Kisha, siç e përmenda më parë, nuk u përket individëve të veçantë ashtu siç e shikojnë shpeshherë politikanët dhe pushtetarët, sikur historia fillon me ta. Kisha ka vazhdimësi, sepse është Trupi i Krishtit dhe çdo gjymtyrë ka vlerën e saj. Asnjë nuk është i tepërt në Kishë. Të gjithë janë të nevojshëm, por secili sipas aftësisë së tij, siç thotë shën Pavli: “Duke pasur, pra, dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha…” (Rom. 12:6). Njërit i jepet një dhuratë, një tjetri një dhuratë tjetër, por gjithmonë duhet të jetë e njëjta frymë: Fryma e dashurisë për Perëndinë, për njëri-tjetrin dhe për të ruajtur me çdo kusht unitetin e Kishës sonë.
Ju uroj të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet jo vetëm përvjetorin, por gjithçka tjetër që kemi.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë
29 mars 2026