Kreshma e Madhe.

 

    Periudha e Kreshmës së Madhe është koha e përgatitjes për festën e Ngjalljes së Krishtit. Ajo është simboli i gjallë i tërë jetës së njeriut, jetë që do të përmbushet në ngjalljen e tij prej së vdekurish me Krishtin. Ajo është një kohë për të rigjallëruar devotshmërinë: me lutje, agjërim e lëmosha. Eshtë një kohë pendese, një rigjallërim real i mendjes, zemrës dhe veprave tona, sipas Krishtit dhe mësimeve të tij. Eshtë një kohë, para së gjithash, e kthimit tonë drejt porosive të mëdha, për të dashur Perëndinë dhe të afërmit.  Në Kishën Orthodhokse Kreshma e Madhe nuk është një kohë zie dhe trishtimi. Por, përkundrazi, është një kohë ngazëllimi dhe pastrimi. Ne jemi thirrur “për të lyer kryet” dhe për “të larë fytyrën, siç lajmë edhe shpirtrat”. Himni i parë në shërbesën e parë të Kreshmëve të Mëdha e jep tonin e periudhës:

      Le ta fillojmë Kreshmën me gëzim… le të agjërojmë prej pasioneve ashtu siç agjërojmë prej të ngrënit, të dëfrehemi në fjalët e mira të Frymës, që të mund të shikojmë pësimin e shenjtë të Krishtit Perëndisë sonë dhe Pashkën e tij të shenjtë, duke u gëzuar shpirtërisht. Hiri yt u ngrit mbi ne, o Zot, ndriçimi i shpirtrave tanë u shfaq; ja, tani është koha e pranueshme; ja, tani është koha e pendimit (Himne të Mbrëmësores).

    Perëndia kërkon pendimin tonë, jo dëshpërimin. Ne ndjejmë keqardhje për mëkatet tona, por ne e bëjmë këtë në gëzimin e mëshirës së Perëndisë. Ne e dobësojmë mishin tonë, por e bëjmë në gëzimin e ngjalljes sonë në jetën e amëshuar. Ne bëjmë gati për ngjalljen, gjatë Kreshmës së Madhe, Ngjalljen e Krishtit dhe ngjalljen tonë.

    Shërbesat ditore gjatë Kreshmës karakterizohen nga melodi të veçanta kreshmore të një karakteri pendimtar. Dyert e Bukura mbahen të mbyllura, për të treguar ndarjen e njeriut prej Mbretërisë së Perëndisë nga shkaku i mëkatit. Veshjet e Kishës janë të errëta, zakonisht në ngjyrë vjollcë. Gjithashtu edhe troparet ditorë kanë një karakter lutës, duke i kërkuar Perëndisë, me ndërmjetimet e shenjtorëve, të na mëshirojë ne mëkatarët. Në Shërbesën e Mëngjesit Aliluiat e gjata zëvëndësojnë psalmin Perëndia është Zoti… Psalmodia është e zgjeruar. Himnologjia i referohet përpjekjeve kreshmore. Në Mbrëmësoret, kemi si shtesë lexime të Shkrimit të Shenjtë prej Gjenezës dhe Fjalëve të Urta dhe në Shërbesën e Orës së Gjashtë prej Profetit Isaia. Këndimet e Apostullit dhe Ungjillit nuk bëhen, meqenëse nuk bëhen Mesha Hyjnore. Gjatë gjithë Kreshmës, në të gjitha shërbesat thuhet Lutja e Shën Efrem Sirianit. Në këtë lutje i kërkohen Perëndisë veçanërisht ato virtyte, të cilat janë të nevojshme për jetën e krishterë.

    Zot dhe Mjeshtër i jetës sime, mos më jep frymë përtese, kureshtie, lavdidashje dhe kotësie. Po falmë frymë urtësie, përunjësie, durimi dhe dashurie. Vlerësomë, o Zot dhe Mbret, t’i shoh fajet e mia dhe të mos e gjykoj tim vëlla. Se i bekuar je në jetë të jetëve, Amin. Shërbesa e Mbrëmësores që fillon periudhën e Kreshmës, quhet Mbrëmësorja e Faljes. Të krishterët në këtë shërbesë, i kërkojnë falje njëri-tjetrit për çdo faj të bërë me dashje apo pa dashje. Në shërbesat e Pasdarkës të javës së parë të kreshmës këndohet Kanoni i Shën Andreas së Kretës. Ky përbëhet nga disa seri vargjesh pendimtarë, të bazuar në temat biblike. Secilit varg populli i përgjigjet: Mëshiromë o Perëndi, mëshiromë. Ky kanon përsëritet në Mëngjesoren e së Enjtes të Javës së Pestë. Gjatë pesë javëve të para të Kreshmës, të premten në mbrëmje këndohet Himni Akathist, në nderim të Hyjlindëses.

    E Shtuna e parë e Kreshmës së Madhe i kushtohet kujtimit të Shën Theodhor Tironit. E dyta, e treta dhe e katërta quhen Të Shtunat e Shpirtrave, meqenëse i janë kushtuar kujtimit të të vdekurve. Mesha Hyjnore e të Shtunës së Pestë bëhet për nderim të Hyjlindëses. Gjatë të Shtunave të Shpirtrave himnet liturgjike luten universalisht për gjithë të fjeturit dhe gjatë Mëngjesoreve për të vdekurit, të quajtura parastasis ose panikida, të vdekurit përmenden me emra. Në Meshën Hyjnore janë shtuar litani dhe lutje dhe këndimet nga Shkrimi i Shenjtë iu referohen të vdekurve dhe shpëtimit të tyre prej Krishtit.

    Dita e shtunë, edhe gjatë përiudhës jokreshmore, është dita për kujtimin e të vdekurve. Kjo, sepse e Shtuna, Dita e Sabatit, është dita kur Perëndia bekoi për jetën në këtë botë. Por, për shkak të mëkatit, kjo ditë tani simbolizon të gjithë jetën tokësore, të përmbushur natyralisht në vdekjen. Madje edhe Krishti, Zoti, u shtri i vdekur në Ditën e Sabatit, “duke pushuar nga të gjitha veprat e tij” dhe “duke shkelur vdekjen me vdekje” (Shih më poshtë). Kështu, në Kishën e Krishtit të Dhiatës së Re, e Shtuna u bë dita për kujtimin e të vdekurve dhe për t’u lutur për shpëtimin e tyre të përjetshëm.