E Shtuna e Llazarit dhe e Diela e Dafinës.

 

    Java që pason të Dielën e Shën Marisë së Egjiptit, quhet Java e Dafinës ose e Luleve. Shërbesat e të Martës së kësaj jave, përmendin që miku i Jisuit, Llazari, ka vdekur dhe Zoti po shkon t’a ngjallë atë prej së vdekurish (Joani 11). Në ditët që pasojnë drejt së Shtunës, Kisha, në himnet dhe vargjet e saj, vazhdon ta ndjekë Jisuin drejt Betanisë, në varrin e Llazarit. Të Premten në mbrëmje, vigjilja e kremtimit të Ngjalljes së Llazarit, “dyzet ditët e mëdha shpëtimtare” të Kreshmës së Madhe, formalisht kanë arritur në një përfundim: Mbasi kemi përfunduar dyzet ditët për përfitim të shpirtrave tanë, të lutemi o Njeridashës, që të mundim të shohim Javën e Madhe të Pësimit Tënd dhe në të, të mundim të Lavdërojmë madhështinë Tënde dhe planin Tënd të papërshkruar për shpëtimin tonë… (Himn i Mbrëmësores).

 

    E Shtuna e Llazarit është një kremtim paskal. Është hera e vetme në tërë vitin kishtar, që shërbesa e Ngjalljes e së Dielës kremtohet në një ditë tjetër. Në Meshën e së Shtunës së Llazarit, Kisha lavdëron Krishtin si “Ngjallja dhe Jeta”, i Cili me anë të ngjalljes së Llazarit ka konfirmuar, madje edhe përpara pësimit dhe vdekjes së tij, ngjalljen e përgjithshme të njerëzimit. O Krisht Perëndia Ynë, kur ngjallët Llazarin prej së vdekurish, përpara Pësimit Tënd, tregove Ngjalljen e Përgjithshme. Prandaj edhe ne porsi fëmijët që mbanin palma e lule në duar, shenja të fitores dhe triumfit po të thërrasim: “O Mundës i Vdekjes, Hosana më të lartat! I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit” (Përlëshorja e Festës)Krishti Perëndi, gëzim i të gjithëve dhe dritë e shkëlqim dhe ngjallje e të gjithë njerëzve, përmbi dhenë u shfaq tani dhe sipas mirësisë së tij, na dha shëmbëllesën e Ngjalljes së nesërme, mëshirën dhe ndjesën e mëkateve {Shkurtorja (Kondaqi)}.

    Në Meshën Hyjnore të së Shtunës së Llazarit, vargu pagëzimor nga Galatianët: “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët” (Galatianët 3:27), zëvendëson Himnin Trishenjtor, duke treguar kështu karakterin ngjallësor të kremtimit dhe faktin që e Shtuna e Llazarit ishte dikur një ndër pak ditët e mëdha pagëzimore në Vitin Kishtar të Kishës Orthodhokse. Për shkak të ngjalljes së Llazarit prej së vdekurish, Krishti u përshëndet nga populli si Mesia i shumëpritur, Mbreti i Izraelit. Kështu, në përmbushjen e profecive të Dhiatës së Vjetër, ai hyri në Jerusalem, Qyteti i Mbretit, hipur mbi pulishtin e një gomari (Zaharia 9:9; Joani 12:12). Turma e përshëndeti atë me degë palmash nëpër duar dhe duke britur thirrje lavdërimi: Hosana! I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit! Biri i Davidit! Mbreti i Izraelit! Për shkak të këtij lavdërimi nga ana e popullit, priftërinjtë dhe shkronjësit bënë këshillë “ta vrisnin” (Lluka 19:47; Joani 11:53, 12:10).

    Festa e Hyrjes triumfale të Krishtin në Jerusalem, E Diela e Dafinës, është një nga dymbëdhjetë festat e mëdha të Kishës. Shërbesat e kësaj të Diele pasojnë direkt ato të së Shtunës së Llazarit. Kisha vazhdon të jetë e veshur me shkëlqimin ngjallësor, e mbushur me himne që vazhdimisht përsërisin Hosana, blatuar Krishtit si Mesia – Mbret, i cili vjen në emrin e Perëndisë Atë, për shpëtimin e botës. Tropari kryesor i të Dielës së Dafinës është i njëjti me atë të së Shtunës së Llazarit. Ai këndohet gjatë gjithë shërbesave dhe në Meshën Hyjnore është përdorur si antifoni i tretë, që pason vargje psalmorë të tjerë të veçantë, të cilët këndohen si antifone liturgjike në vend të atyre që këndohen normalisht. Tropari i dytë i festës, si edhe shkurtorja dhe himne e vargje të tjera, vazhdojnë të lavdërojnë manifestimin triumfal të Krishtit “gjashtë ditë para Pashkës”, kur ai do e jepte vetveten në Darkën dhe në Kryqin për jetën e botës.

    Hiri i Shpirtit të Shenjtë na mblodhi sot; edhe të gjithë e ngremë kryqin dhe themi: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, hosana në më të lartat!(Tropari i parë i Mbrëmësores)U varrosëm me pagëzimin bashkë me ty, o Krisht Perëndia ynë, u vlerësuam për jetën pa vdekje me Ngjalljen tënde dhe të thërrasim me lavdi: Hosana në më të lartat, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit! (Tropari i dytë)Në qiell si Mbret mbi fron, në dhenë si rob mbi pulisht, na je shfaqur o Krisht Perëndi, prano lavdërimin e engjëjve dhe këngët e fëmijëve që këndojnë: I bekuar është ai që vjen të shpëtojë Adamin! (Shkurtorja)Në Mbrëmësoren e festës të së Dielës së Dafinës këndohen profecitë nga Dhiata e Vjetër rreth Mesias-Mbret dhe Ungjilli i Mëngjesit tregon hyrjen e Krishtit në Jerusalem. Përpara ose pas Meshës bëhet bekimi i degëve të gjelbëra dhe pastaj ato iu shpërndahen besnikëve. Ata i mbajnë ato në duar, si shenjë e lavdërimit të Jisuit si Mbret e Shpëtimtar. Këto degë zakonisht janë palma ose dafina. Në mungesë të tyre mund të përdoren degë të tjera të gjelbëra.*

    Kur populli mban nëpër duar degët dhe i këndon Zotit të Dielën e Dafinës, ata janë gjykuar së bashku me turmën e Jerusalemit. Sepse ishin të njëjtët zëra që i thirrën “Hosana” Krishtit dhe disa ditë më vonë thirrën për Krishtin tek Pilati “Kryqëzoje”. Kështu, në liturgjinë e Kishës jetët e njerëzve vazhdojnë të gjykohen kur ata e përshëndesin Krishtin me “degët e fitores” dhe hynë me Të në ditët e “pësimit të vullnetshëm”.
___________________
* Në vendin tonë përdoren degë dafine, si në shumicën e vendeve Europiane. Në Palestinë palma ishte simbol i fitores, ndërsa në vendet mesdhetare të Europës kjo simbolizohej nga dafina.