Lartësimi i Kryqit ose Ngritja e Kryqit

Lartësimi i Kryqit, kremtuar në 14 shtator, përkujton gjetjen e Kryqit të Krishtit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u morë nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur ai u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem. Nga kjo ngjarje e fundit “lartësimi universal” i Kryqit filloi të kremtohej çdo vit në të gjitha Kishat e perandorisë. Dita e Lartësimit të Kryqit u bë festa kombëtare e Perandorisë së Krishterë të Lindjes, siç janë sot festat kombëtare të vendeve të ndryshme. Kryqi, emblema zyrtare e perandorisë, që vendosej në të gjitha ndërtesat publike dhe në uniformat, ngrihej në këtë ditë zyrtarisht nga peshkopët dhe priftërinjtë. Ata bekonin me kryqin katër pikat e horizontit, ndërkohë që populli përsëriste “Mëshiro o Zot”. Ky ritual bëhet akoma edhe sot në disa Kisha, mbas paraqitjes dhe lartësimit të Kryqit, mbas Dhoksologjisë së Madhe të Mëngjesores, ose mbas Meshës Hyjnore.

    Përlëshorja (Tropari) i festës, e cila ishte, dikush mund të thotë, “himni kombëtar”, këndohej në të gjitha rastet festive të Perandorisë së Krishterë të Lindjes. Fillimisht i kërkohej Perëndisë të shpëtonte popullin, t’u dhuronte fitore në luftë dhe të ruante perandorinë “me fuqinë e kryqit”. Sot, në shumë Kisha, tropari dhe shumë himne të festës janë “shpirtërizuar”; “barbarët” janë kështu të ligjtë shpirtërisht e mëkatarët, përfshirë këtu djallin dhe ushtrinë e tij dhe “të krishterët orthodhoksë” zëvëndëson emrin e sundonjësve zyrtarë të perandorisë. O Zot, shpëto popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd. Dhuroju shpresëtarëve fitore mbi barbarët dhe ruaje shtetin tënd me anën e Kryqit tënd(Tropari).

    Ti që u ngrite mbi Kryqin, duke dashur, shtetit të ri të themeluar prej teje, dhuroju kurdoherë hir, o Krisht Perëndi, jepi forcë dhe gëzim, popullit dhe shtetit tonë, fali fitore e triumf në çdo luftë mbi armiqtë; ji gjithmonë bashkëluftëtar, armë për paqe, trofe e pamundur (Shkurtorja)Dita e shenjtë e Lartësimit të Kryqit, ndonëse ka një origjinë të dukshme “politike”, ka edhe sot një vend dhe rëndësi të madhe në Kishën Orthodhokse. Ajo është për ne një ditë agjërimi dhe lutje, një ditë që na kujton se Kryqi është e vetmja shenjë e vlefshme e gjithë besnikërisë sonë dhe që shpëtimi ynë vjen jo nga “fitoret” e gjërave tokësore, por nga e vetmja fitore e vërtetë dhe e përhershme e kryqëzimit të Krishtit dhe e bashkëkryqëzimit tonë me të. Kur ne ngremë Kryqin dhe përulemi para tij në nderim dhe adhurim ndaj Perëndisë, ne shpallim se i përkasim Mbretërisë “jo të kësaj bote” dhe se qytetaria jonë e vërtetë dhe e përhershme është me shenjtorët në “qytetin e Perëndisë” (Efesianët 2:19; Hebrejtë 11:10; Zbulesa 21-22).

    Këndimi i parë në Mbrëmësore nga Dhiata e Vjetër flet për “drurin”, i cili e shndërroi ujin e hidhur në të ëmbël – simbol i Drurit të Kryqit (Eksodi 15:22-16:1). Këndimi i dytë na kujton se Zoti i qorton dhe i ndëshkon ata që i do dhe se Urtësia Hyjnore është “një Dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje, si në Zotin” (Fjalët e Urta 3:11-18). Përsëri referenca është për Kryqin, i cili është, si edhe Apostulli i ditës e proklamon “për ata që janë thirrur… fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë” (1 Korinthianët 1:18-25).

    Këndimi i tretë nga Dhiata e Vjetër prej Profecisë së Isaisë, flet për “qytetin e Zotit”, ku Judejtë dhe Kombet do të jetojnë së bashku dhe “do të përulen” para nënkëmbëses së Perëndisë dhe “do të njohin që Unë Zoti jam Shpëtimtari yt dhe Çlironjësi yt, i Fuqishmi i Izraelit” (Isaia 60:11-16). Këtu, ne kemi referencën direkte të qytetit të Perëndisë, ku njerëzit do ta adhurojnë para nënkëmbëses së Tij; dhe së bashku me vargun e psalmit që përsëritet vazhdimisht gjatë shërbesës, duke na thirrur “të përulemi para nënkëmbëses së tij”, ne kemi përsëri referencë për Kryqin e Shenjtë (Psalmi 99:5, 110:1 etj.).

    Kryqit tënd po i falemi, o Kryezot dhe Ngjalljen tënde të shenjtë lavdërojmë (Himn Nderimi para Kryqit)Ky himn qendror i Lartësimit të Kryqit, i cili zgjat në Kishë për tetë ditë, këndohet shumë herë. Ai zëvendëson në Meshë Himnin Trishenjtor. Antifonët e zakonshëm, gjithashtu, zëvendësohen me vargje të veçanta nga psalmet, që i referohen direkt Kryqëzimit të Krishtit (Psalmet 22, 74, 99). Në Shërbesën e Mëngjesit, në këndimin e Ungjillit të Shën Joanit, Krishti thotë, se kur ai do ngrihet mbi kryq, do t’i tërheqë të gjithë tek ai (Joani 12:28-36). Ungjilli i gjatë që këndohet në Meshën Hyjnore është tregimi i pësimit, po nga ky Ungjill. Kështu, në Lartësimin e Kryqit, të krishterët bëjnë zyrtarisht ripërkushtimin e tyre ndaj Zotit të kryqëzuar dhe i premtojnë një besnikëri të përhershme atij, duke adhuruar këmbët e tij të shenjta, të kryqëzuara në Kryqin jetëbërës. Ky është sot në Kishë kuptimi i kësaj dite të shenjtë agjërimi dhe pendimi.