U zhvillua Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

“Të ecim siç është e denjë për ti pëlqyer Atij në të gjitha” ishte mesazhi qendror i Asamblesë Kleriko-laike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u zhvillua sot, 2 gusht 2022, në kuadër të 30 vjetorit te fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Data 2 gusht 1992 shënon fillimin e ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas viteve të ashpra të regjimit të egër.

Përgjatë këtyre 30 viteve vepra ndërtuese, shpirtërore dhe sociale e Kishës sonë ka arritur përmasa të paimagjinueshme: mbi 160 kisha dhe katedrale të ndërtuara, 68 kisha e manastire-monumente kulture të restauruara, mbi 170 Kisha të rregulluara si edhe krijimin e Sinodit të Shenjtë.

Përpara 31 vitesh, në dt. 1-2 gusht 1991, dy javë pasi Ekzarku Patriarkal erdhi në Shqipëri, u bë konferenca Kleriko-Laike ku merrnin pjesë 15 klerikë të aftë për të kryer misionin dhe 30 laikë përfaqësues të 4 Mitropolive të Shqipërisë. U zgjodh një këshill kishtar prej 4 klerikësh edhe 4 laikësh. Për t’iu përligjur ekzistenca e kishës duhej edhe episkopi, prandaj konferenca e dt. 2 gusht 1991 vendosi njëzëri që kryetari i këshillit të përgjith kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (e domosdoshme të jetë Episkop), të ishte Ekzarku Patriarkal, Imzot Anastasi.

Sot, 31 vjet pas Asamblesë së parë dhe në 30 vjetorin e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Anastasit, situata është krejt ndryshe. Tashmë në tryezën drejtuese të Asamblesë ishin Anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës: Hirësi Joani i Korçës, Hirësi Dhimitri i Gjirokastrës, Hirësi Nikolla i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Andoni i Elbasanit dhe Hirësi Nathanaili i Amantias. Kujtojmë se që nga viti 1992 deri në vitin 1998, Kryepiskopi ishte i detyruar të vepronte i vetëm në Shqipëri si Hierark. Sot Sinodi i Shenjtë përbëhet nga 8 Anëtarë.

“Të kujtojmë, – tha Kryepiskopi në fjalën e tij hyrëse, – nga dhuratat që na ka dhënë Perendia në këta 30 vjet… Shoh tani, këtu disa persona që dikur ishin të rinj dhe sot janë punonjës dhe pjesë e intelektualëve të vendit dhe anëtarë të Kishës që emetojnë një jetë me virtyte të larta”.

E çeli Asamblenë Hirësia e Tij Andoni i Elbasanit me temën “Krijimi i kuadrove kishtare (klerikë, katekistë, psaltë)”, ku solli në retrospektivë një pjesë të punës dhe arritjeve të Kishës që në fillimet e ringritjes së saj. Hirësi Andoni u përqëndrua tek ngritja e seminarit Teologjik dhe zhvillimin e tij deri në ditët e sotme si pjesë e Kolegjit Universitar “LOGOS”. Foli gjithashtu edhe për të gjitha shkollat që janë ngritur në këto 30 vjet për arsimimin e katekistëve dhe psaltëve.

Më pas, përgjegjësi i Zyrës së katekizmit, z. Miron Çako bëri një përmbledhje të veprës katekitike në Kryepiskopatën e Tiranës dhe Mitropolitë përgjatë këtyre viteve.

“Kontributi i Kishës sonë Orthodhokse në veprën ndërtuese, restauruese dhe kulturore” ishte tema që referoi në vazhdim z. Andrea Rëmbeci.

Atë Nikolla Kodheli, klerik i Kryepiskopatës, foli për veprën sociale të Kishës, e cila përfshin ndihmë konkrete tek njerëzit në nevojë.

Edhe përgjegjësja e Fondacionit “Diakonia Agapes”, z.Nina Gramo, solli në vëmendje veprën e madhe filantropike të Kishës e cila kap vlerën e miliona dollarëve për t’u dhënë mundësi grupeve të ndryshme të rregullojnë mënyrën e tyre të jetesës përmes granteve, kredive, pajisjeve të domisdoshme për ngritjen e bizneseve të vogla për të ndërtuar jetesën në këtë vend për t’i vënë fre largimit të njerëzve.

Hirësi Dhimitri i Gjirokastrës foli për kontributin e kishës sonë në arsim, jo vetëm atë kishtar. Qëllimi i punës në fushën e arsimit, sipas tij, u përqendrua në 2 pika: përhapja e Fjalës së Perëndisë dhe arsimimi në tërësi i fëmijve dhe të rinjve, në përgatitjen e të ardhmes se vendit në nivele cilësore arsimore, nëpërmjet fondacionit “Frymë Dashurie”. Kisha është kujdesur që të ruhet nivel i lartë i mësimdhënies në shkollat e saj, si dhe ka qenë institucioni i parë në Shqipëri që ka hapur shkollat e formimit profesional.

Një kontribut i madh i Kishës përgjatë këtyre 30 viteve është përkujdesi shëndetësor përmes klinikave ku ofrohen shërbime cilësore, me aparatura bashkëkohore. Përgjegjësi i klinikës diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, z. Vasil Kristo, prezantoi gjerësisht nismat e shëndetësisë të ndërmarra nga Kryepiskopi Anastas.

“Udhëtimi vazhdon…” cilësoi në mbyllje Kryepiskopi Anastas në fund të fjalës së tij mbyllëse duke u bazuar tek fjala e Ap Pavlit: “Të ecim siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer Atij në të gjitha.”

Fama e Kryepiskopit, psalur në mbyllje nga të pranishmit ishte nje falenderim për punën e perkushtuar dhe me dashuri hyjnore në këta 30 vjet për KOASH-in, për vepren madhështore të kryer me përulësi nga Kryebariu ynë.

 

————-

Foto Album:

 

Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 02.08.2022