KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

Deklaratë për shtyp.

 

Në fund të Liturgjisë Hyjnore panegjirike dhe sinodike, të kryer në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit”, të martën, më 2 gusht 2022, me rastin e 30-vjetorit të fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij Anastas, duke iu referuar përmasave mahnitëse dhe rëndësisë së veprës së Kryepiskopit, Mitropoliti i Korçës, hirësi Joani, ndër të tjera theksoi: “Kontributi juaj më i mirë është baza shpirtërore, mbi të cilën u mbështetën të gjitha përpjekjet tuaja: mesazhi i Ungjillit që ju përcollët, shpresa, falja, respekti ndaj çdo personi njerëzor”.

Siç dihet, nga viti 1944 deri në vitin 1967, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përball me persekutimin ateist në formën e tij klasike, si në vendet e tjera. Nga viti 1967 deri në vitin 1990, vendi përjetoi persekutimin total që ndaloi me kushtetutë çdo shprehje fetare dhe shpërbëri Kishën vendore. Në korrik të vitit 1991, mbërriti në Shqipëri, si Ekzark Patriarkal i Patriarkanës Ekumenike, Episkopi i atëhershëm, më vonë Mitropoliti i Andrusës, Anastasi, Profesor i Universitetit të Athinës. Më 24 qershor 1992, me kërkesë të Orthodhoksëve të Shqipërisë, u zgjodh nga Patriarkana Ekumenike Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe u fronëzua më 2 gusht 1992. Në tre dekadat që pasuan, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u ringrit tërësisht dhe u zhvillua në të gjitha fushat.

Kryepiskopi Anastas, pasi i dërgoi lavdi dhe falënderime Perëndisë për rrugëtimin 30-vjeçar me bashkëpunëtorët e tij të vyer, mes vështirësive, pikëllimeve, gjendjeve parrugëdalje e dhimbjeve të ndryshme, por edhe bekimeve të panumërta të Zotit, kujtoi se: “Kleri dhe populli i Kishës së Shqipërisë kujtojnë me mirënjohje nismën e Patriarkanës Ekumenike dhe kthjelltësinë e komisionit përgjegjës për ringritjen e Kishës sonë vendore dhe me respekt të pashtirur dhe dashuri të sinqertë luten për Tërëshenjtërinë e Tij të Hirshme, Patriarkun Ekumenik, z. Vartholome”.

***

Pas atmosferës dhoksologjike të Liturgjisë Hyjnore, ku morën pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikë nga të gjitha Mitropolitë e Shenjta, dy koret e kishës katedrale dhe një numër i madh besimtarësh, pavarësisht se ishte ditë pune, në Qendrën moderne Kulturore – pjesë e kompleksit të kishës katedrale dhe Qendrës Sinodike – vijoi punimet Asambleja e Përgjithshme Kleriko-laike. Siç parashikohet nga Statuti i Kishës së Shqipërisë, në Asamble marrin pjesë: “anëtarët e Sinodit të Shenjtë, anëtarët e Këshillit Kleriko-laik, dy përfaqësues nga çdo manastir i shenjtë dhe njëzet klerikë dhe njëzet e katër laikë, me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë”.

Gjatë zhvillimit të punimeve, nga klerikët përgjegjës apo laikët e çdo sektori u pasqyruar përmbledhtas vepra e shumanshme kishtare që është kryer.

Në mbarim të punimeve të Asamblesë Kleriko-laike, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, nënvizoi lutjen e Apostull Pavlit, si busull për vazhdimin e rrugës së Kishës: “ecni siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer Atij në të gjitha, duke sjellë fryte në çdo punë të mirë, dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë”. (Kol. 1:10)

Tiranë, 2 gusht 2022

Nga Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës.

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to DearFlip WordPress Flipbook Plugin Help documentation.