Martesa

   Qëllimi i familjes së krishterë. Familja përbën bërthamën themelore të shoqërisë. Kështu që në Kishën militante të Krishtit është një njësi bazë e trupit të Kishës. Prandaj, në shkrimet e Apostullit, familja e krishterë është quajtur në vetvete një “Kishë”. “Përshëndet Prishilën dhe Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Jisu Krishtin… si dhe Kishës që është në shtëpinë e tyre” (Rom. 16:3, 5); “Përshëndetni Nimfën edhe Kishën që është në shtëpi të atij” (Kol. 4:15). Nga këto kuptohet se çfarë kujdesi i madh i duhet dhënë familjes nga pikëpamja e Kishës, kështu që familja të përmbushë qëllimin e të qenit një “kishë” e vogël, siç shprehet shën Joan Gojarti.

   Gjithashtu është edhe një rrugë tjetër jete personale, e cila është e bekuar në Krishterim: virgjëria ose celibati. Celibati për hir të Krishtit ka krijuar një lloj tjetër të njësisë sociale të krishterë: murgërinë. Kisha e vendos atë mbi jetën martesore, dhe me të vërtetë ka qenë në historinë e Kishës një element drejtues dhe udhëheqës, një mbështjeje e Kishës në realizimin e shkallëve më të larta të ligjit moral të Ungjillit. Por, jo të gjithë mund të marrin mbi vete premtimin e virgjërisë në emër të Krishtit dhe të Kishës. Prandaj Kisha e bekon gjithashtu jetën martesore, për hir të atyre qëllimeve të larta dhe të vështira që janë vënë para familjes së krishterë, dhe ky bekim është njohur si mister.

   Shkrimi i Shenjtë dhe historia njerëzore fillon dhe mbaron me një martesë. Adami me Evën bashkohen në martesë, në Parajsë, para Rënies, duke e treguar martesën si një pjesë e planit të përjetshëm të Perëndisë për njerëzimin në mes të krijimit (Gjen. 2:22-25). Historia mbyllet me martesën e Nuses me Qengjin (Zbul. 19:7-9), martesa tokësore e përmbushur në qiell, duke treguar natyrën e përjetshme të misterit.

   Martesa si institucion hyjnor. Që martesa ka bekimin e Zotit, kjo thuhet shumë herë në Shkrimin e Shenjtë. Në Gjenezën 1:27-28 shkruhet: “Kështu Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëllimit të tij, sipas shëmbëllimit të Perëndisë e krijoi atë, mashkull dhe femër i krijoi ata. Dhe Perëndia i bekoi dhe iu tha: shtohuni e shumëzohuni e mbushni dheun”.

   Shpëtimtari vetë, duke urdhëruar që besnikëria duhet të ruhet në martesë dhe duke ndaluar divorcin, përmend fjalët e librit të Gjenezës 2:24: “Prandaj njeriu do të lerë atin dhe nënën edhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe të dy do të jenë një mish”, pastaj shton: “Atë pra që Perëndia e bashkoi njeriu të mos e ndajë”. Këto fjalë të Zotit e tregojnë qartë dinjitetin moral të martesës. Zoti Jisu Krisht e shenjtëroi martesën me anë të pranisë së tij në Kana të Galilesë, ku kreu mrekullinë e tij të parë.

   Apostull Pavli e krahason karakterin mistik të Kishës me martesën: “Ju burrat duajini gratë tuaja, sikundër edhe Krishti deshi Kishën, dhe dha veten e tij për atë”, – dhe më tej thotë – “Prandaj, njeriu do e lerë atin dhe nënën e tij, dhe do bashkohet me gruan e tij, edhe do të jenë të dy një mish. Ky është një mister i madh, po flas në lidhje me Krishtin dhe Kishën” (Efes. 5:25, 31-32).

   Martesa nuk është thjesht rregullim social dhe civil. Në Kishë, ajo kryhet në praninë e Perëndisë, para altarit të shenjtë. Është një martesë e shenjtë, një mister.

   Kështu, të krishterët orthodhoksë që nuk janë të martuar në Kishë, duhet ta shenjtërojnë bashkimin e tyre në Krishtin, nëpërmjet Misterit të Martesës në Kishën Orthodhokse. Ndryshe, ata nuk mund të marrin Kungatën e Shenjtë dhe Misteret e tjera të Kishës. Një orthodhoks i devotshëm nuk mund ta përjashtojë Krishtin nga një pjesë kaq e rëndësishme e jetës, siç është martesa. “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot mundohen ndërtuesit”, thotë Psalmisti.

   Në Kishën e hershme martesa, shihej si një mister. Tertuliani, duke shkruar në shek. II, na thotë se një çift i krishterë që dëshiron të martohet, mbasi merr një çertifikatë civile, vjen në Kishë të Dielën për të marrë Kungimin dhe bekimin e episkopit apo të priftit. Kështu që marrëveshja civile bëhet një mister. Mbas bekimit, emrat e tyre – na thotë Tertuliani – “shkruhen në qiell”, dhe jo në “regjistrin” qeveritar. Shën Ignati (rreth vitit 100 pas Krishtit) thotë: “Ata që duan të martohen, duhet të bashkohen me dijen e episkopit, kështu që martesa të bëhet sipas Zotit dhe jo nga dëshira njerëzore”.

   Fakti që martesa në Kishën e shekujve të parë kryhej (si sot Dorëzimet) gjatë Meshës (Liturgjisë), tregon kuptimin e lartë dhe të thellë të martesës së krishterë. Martesa në Kishën Orthodhokse nuk është thjesht një marrëveshje midis një burri dhe gruaje për të jetuar bashkë, as “kryhet” nga çifti vetë me klerikun dhe bashkësinë si dëshmitarë. Bashkimi i tyre – bazuar në vullnetin e lirë – bëhet një mister, sepse ata bashkohen si të krishterë orthodhoksë, të cilët janë anëtarë të komunitetit Eukaristik, duke ndarë së bashku Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe duke marrë hirin e Perëndisë, për bashkimin e tyre me anë të pjesëmarrjes së tërë Kishës në personin e episkopit apo priftit dhe në praninë e popullit të Perëndisë.

Divorci. Kisha vetëm në raste të jashtëzakoshme e njeh prishjen e martesës, vetëm kur ajo ndyhet nga kurvëria, ose prishet nga shkaqet e jetesës (p. sh. largimi pa fjalë i njërit nga bashkëshortët). Martesa e dytë, mbas vdekjes së njërit lejohet nga Kisha, por në lutjet për ata që martohen për së dyti, kërkohet falja për mëkatin e martesës së dytë. Ai që martohet dy herë, nuk mund të dorëzohet prift. Edhe një martesë e tretë tolerohet, por vetëm si një e keqe më e vogël, për të shmangur një të keqe më të madhe – një jetë imorale, siç e shpjegon shën Vasili i Madh.

Ceremonia. Ceremonia e Martesës në Kishën Orthodhokse është e pasur në ritual dhe në simbolikë. Çdo akt ka kuptimin e veçantë. Ajo përbëhet nga dy shërbesa, atë të Fejesës dhe atë të Kurorëzimit, të bashkuara në një.

Unazat. Ato bekohen nga prifti, i cili i merr në duart e tij dhe duke bërë kryqin mbi to thotë: “Shërbëtori i Perëndisë… fejohet me shërbëtoren e Perëndisë… në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”.

Pastaj kumbari ua shkëmben unazat tri herë. Unazat janë simbol i fejesës prej kohësh shumë të lashta. Shkëmbimi do të thotë që në jetën martesore dobësia e njërit do të kompesohet nga forca e tjetrit, papërsosmëria e njërit nga përsosmëria e tjetrit. Nga vetvetja, të porsafejuarit janë të paplotësuar; së bashku ata plotësohen. Kështu shkëmbimi tregon që bashkarisht do të plotësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Secili do të pasurohet nga bashkimi.

Qirinjtë. Shërbesa e Kurorëzimit fillon menjëherë mbas asaj të Fejesës. Dhëndri dhe nusja, gjatë tërë shërbesës, mbajnë qirinj. Qirinjtë janë si llambadhat e pesë virgjëreshave të mençura të Ungjillit, të cilat, ngaqë kishin mjaft vaj, mundën ta pritnin Dhëndrin, Krishtin, kur erdhi në mes të natës. Qirinjtë simbolizojnë dëshirën shpirtërore të çiftit për të pritur Krishtin, i cili i bekon ata nëpërmjet këtij misteri.

Bashkimi i duarve. Dora e djathtë e nuses dhe dhëndrit janë të bashkuara, kur prifti lexon lutjen që i kërkon Perëndisë të “bashkojë këta shërbëtorët e tu, në një mendje dhe një mish”. Duart që mbahen të bashkuara gjatë tërë shërbesës simbolizojnë “bërjen një” të çiftit.

Kurorëzimi. Pjesa kryesore e ritit të Misterit të Martesës/Kurorëzimit është vendosja e kurorave në kokat e dhëndrit dhe nuses me fjalët “shërbëtori i Perëndisë (aksh) kurorëzohet me shërbëtoren e Perëndisë (aksh), në emërin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin”. Kurorat janë shenja të lavdisë dhe nderimit me të cilat Perëndia kurorëzon çiftin gjatë misterit. Dhëndri dhe nusja kurorëzohen si mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë së tyre të vogël, shtëpisë, në të cilën ata do të mbretërojnë me drejtësi, dituri, integritet dhe dashuri.

Disa e interpretojnë përdorimin e kurorave në ceremoninë orthodhokse të Martesës si referim tek kurorat e martirëve, ngaqë çdo martesë e vërtetë përfshin – vetësakrifikime të pallogaritshme nga të dy anët. Në procesionin rreth tryezës këndohet një tropar për martirët e shenjtë, ku përmendet kurorëzimi i tyre.

Kupa e përbashkët. Mbas kurorëzimit lexohet Apostulli dhe Ungjilli. Pjesa e Ungjillit është martesa në Kana të Galilesë, të cilën Krishti e bekoi me pjesëmarrjen e Tij. Atje Ai ktheu ujin në verë dhe u dha nga ajo të porsamartuarve. Në kujtim të këtij bekimi, i jepet verë çiftit. Kjo është “kupa e pëbashkët” e jetës, që tregon ndarjen reciproke të gëzimit dhe hidhërimit, modeli i nje jete në harmoni. Pirja e verës nga kjo kupë e përbashkët i tregon çiftit që prej këtij momenti ata do pjesëtojnë së bashku gjithçka në jetë, gëzimet e hidhërimet, dhe do mbajnë “barrët e njëri-tjetrit”. Kupa e përbashkët është një mbetje e Kungatës. Në Kishën e hershme çifti e merrte Kungatën pikërisht në këtë moment. Kungata ishte vula e martesës. Sot çifti e merr Kungatën të dielën para martesës.

Procesioni. Prifti i prin dhëndrit dhe nuses në një procesion rreth tavolinës ku është vendosur Ungjilli dhe Kryqi, njëri që përmban fjalën e Perëndisë, tjetri simbol i shpëtimit tonë me anë të Jisuit. Çifti po bën hapat e para si të martuar, dhe Kisha në personin e priftit, i udhëheq në rrugën që duhet ecur. Procesioni është rruga e jetës së krishterë, është një orbitë e përsosur rreth qendrës së jetës, Jisu Krishtit, Zotit tonë.

Gjatë procesionit, këndohet një himn për martirët e shenjtë, duke i kujtuar të porsamartuarve dashurinë dhe sakrificat që duhet të kenë e të bëjnë për njëri-tjetrin. Fillimisht, ky ishte një procesion për në shtëpinë e çiftit, ku prifti iu hiqte kurorat me një lutje të veçantë.

Bekimi. Pastaj prifti e bekon dhëndrin, duke e krahasuar me Abrahamin, Isakun, Jakovin dhe nusen me Sarën, Rebekën dhe Rakelën; duke i treguar çiftit që martesa bekohet nga Perëndia, i cili është i vetmi që jep hir, paqe e shëndet; dhe është Perëndia, që gjatë gjithë historisë njerëzore, ka madhëruar, bekuar dhe shenjtëruar martesën.

Hierodhjakon Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës),

Misteret e shenjta në Kishën Orthodhokse,

Nga libri: Besimi Orthodhoks,

Shtëpia botuese Bashkimi Orthodhoks Kristian “Kryqi i Nderuar”,

Selanik, 1996