Kungata Hyjnore.

   Kungata Hyjnore është quajtur Misteri i mistereve; i cili i përshkon tërë misteret e tjerë. Kungata është misteri në të cilin buka dhe vera e blatuar ndryshohen prej Shpirtit të Shenjtë në Trupin dhe Gjakun e vërtetë të Zotit tonë Jisu Krisht. Në çdo mister tjetër, ne thërresim bekimet e Perëndisë në disa elemente materiale, që ato të shenjtërohen. Ky element mund të jetë ujë, vaj apo diçka tjetër. Vetëm në Kungatën Hyjnore ne thërresim bekimin e Perëndisë mbi elementet materiale të bukës dhe verës dhe i kërkojmë Atij që jo vetëm t’i shenjtërojë, por t’i ndryshojë në Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Kështu që, kur ne marrim Kungatën, ne marrim vetë Krishtin, bëjmë një bashkim intim me Të dhe me jetën e përjetshme.

   Aq i madh është ky mister, sa që ne nuk mund ta shprehim dot, por vetëm falënderojmë Zotin për këtë dhuratë; sa që edhe Kungata e Shenjtë quhet Eukaristi, që do të thotë Falënderim. Ky mister, së bashku me Pagëzimin, janë themeluar nga vetë Zoti dhe janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Pa këto dy mistere ne nuk hymë dot në Mbretëri dhe nuk kemi Jetë. Zoti tha që po të mos lindim prej uji dhe Fryme (pagëzimi), nuk do të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë, por edhe nëse nuk ushqehemi, çfarë lindi nga pagëzimi nuk do të rrojë. “Me të vërtetë po ju them: po të mos hani trupin e Birit të njeriut, dhe po të mos pini gjakun e Tij, nuk do të keni jetë në veten tuaj” (Joan. 6:53). Me pagëzimin lindim në jetën shpirtërore, por me Kungatën ushqehemi. Lindja është vetëm një herë, por ushqimi duhet i vazhdueshëm.

   Ky mister përbëhet nga dy momente të veçanta: 1) ndryshimi apo trasformimi i bukës dhe i verës në Trupin dhe Gjakun e Zotit, dhe 2) kungimi me trupin dhe gjakun e Krishtit. Kungata është një mister i pakaluar, në atë çfarë ajo është dhe në atë se çfarë ajo kryen e përmbush. Në Ungjillin sipas Mattheut (26:26-28), tregohet se Jisui, në Darkën Mistike, mori bukën dhe, si e bekoi, e theu e ua dha nxënësve duke thënë: “Merrni e hani: ky është Trupi im”. Pastaj mori potirin, edhe si falenderoi, ua dha atyre, duke thënë: “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im…”. E njëjta gjë tregohet edhe në Ungjillin sipas Markut (kap. 14), si edhe në atë të Llukait (kap. 22). Fjalët e Shpëtimtarit në Darkën Mistike: “Ky është Trupi im, që thyhet për ju, ky është Gjaku im i Dhiatës së Re, që derdhet për shumë për ndjesën e mëkateve”, janë krejtësisht të qarta, dhe nuk lejojnë interpretime të tjera, përveçse atij direkt, d.m.th., që nxënësve iu ishte dhënë Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Krishtit. Dhe kjo është plotësisht në harmoni me premtimin e dhënë nga Shpëtimtari në kapitullin 6 të Ungjillit të Joanit, lidhur me Trupin dhe Gjakun e tij.

Çfarë është Kungata?

   Kungata është një takim personal me Krishtin e Gjallë. Kungimi është dhoma nusërore e shpirtit tonë, ku ai takohet me Dhëndrin Hyjnor. Ashtu siç Mirosja është një Pendikosti personale, edhe Kungimi është një Darkë Mistike personale. Ne jetojmë dhe marrim atë që jetuan dhe morën nxënësit në dhomën e sipërme në Jerusalem, kur Zoti ynë hëngri Pashkën bashkë me ta. Shën Kirili i Jerusalemit thotë: “Krishti dha tek fëmijët e dhomës nusërore gëzimin e Trupit dhe të Gjakut të tij”.

   Një tjetër nga Etërit e Kishës, Theodhoreti, shkruan: “Në ngrënien e Trupit të Dhëndrit dhe në pirjen e Gjakut të Tij, ne kryejmë një bashkim martesor”. Shën Ambrozi thotë që kur Trupi i Krishtit prek buzët e besimtarit, kjo është me të vërtetë një puthje dhënë shpirtit nga Krishti. Kungata është Eskaton Omega, që ndërhyn në histori, është shijimi i së ardhmes, qielli i pranishëm në tokë. Krishterimi është më tepër se dogmë apo doktrinë. Është Krishti vetë që jeton ndër ne.

Është më tepër se simbol.

   Kisha gjithmonë i ka besuar fjalët: “Ky është Trupi im… “, në kuptimin direkt të tyre dhe jo si simbol. Didakia, një nga dokumentet më të vjetër të Krishtërimit, deklaron që buka e vera janë të shenjta; ato janë ushqimi dhe pija shpirtërore që japin jetën e përjetshme. Shën Ignati shkruan që: “Kungata është mishi i Shpëtimtarit Jisu Krisht, i cili pësoi për mëkatet tona, dhe që Ati në mirësinë e tij e ngriti përsëri”. Ai e quan Kungatën një ilaç për përjetësinë, një antidot kundër vdekjes.

   Kur Jisui foli ato fjalë, i tha në kuptim literal. Buka dhe vera që ne marrrim në kungim janë realisht dhe jo simbolikisht, Trupi dhe Gjaku i tij. Sepse në të Jisui tha: “Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim, edhe gjaku im me të vërtetë të pirë. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai” (Joan 6:55-56).

   Shën Joan Gojarti shkruan: “Çfarë është në potir është e njëjta me atë që doli nga ija e Krishtit. Çfarë ështe buka? Trupi i Krishtit”. …buka që unë do ju jap është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës” (Joan 6:51). Kështu, kur një orthodhoks merr kungatën, ai merr Trupin dhe Gjakun e vërtetë të Jisuit, të njëjtin trup që eci në detin e Galilesë dhe qetësoi stuhinë, të njëjtin trup që me vënien e duarve shëroi të verbërin, të njëjtin trup që u kryqëzua në Golgotha për mëkatet tona, të njëjtin trup që u ugjall dhe ndonëse porta ishte mbyllur, ai hyri brenda; të njëjtin trup që u ngjit në qiell dhe qëndron në të djathtë të Atit, të njëjtin trup që do të vijë të gjykojë të gjallët e të vdekurit.

Përgatitja për kungim.

a) Kreshma/Agjërimi.

   Kur flasim për Kungimin përnjëherë do na vijë ndër mend kreshma/agjërimi. Kaq i ngatërruar dhe i keqkuptuar është problemi i kreshmës, saqë në këtë artikull të shkurtër nuk mund të sqarojmë gjithçka rreth kreshmës/agjërimit, por do mundohemi të sqarojmë gjërat kryesore.

   Kreshma/agjërimi është disiplinë shpirtërore që ka për qëllim të vlerësojë pjesëmarrjen tonë në Kungim, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si një shfajësim për të qëndruar larg Potirit.

   Fillimisht duhet të theksojmë se kreshma nuk është një disiplinë që kufizon vetëm ushqimin. Të kreshmosh nuk do të thotë vetëm të mos hash, por edhe të mos gënjesh, të mos vjedhësh, të mos shpifësh, të mos kurvërosh etj. Shpesh dëgjon të krishterë orthodhoksë që të thonë se kanë kreshmuar të Mërkurën dhe të Premten duan të kungohen të Dielën. Në fakt kreshma të Mërkurë dhe të Premte nuk lidhet me Kungatën. Kisha e kërkon atë edhe nëse ti nuk kungohesh. Disa të tjerë gjejnë justifikim për të mos kunguar ngaqë nuk kanë kreshmuar tërë javën, apo në periudhat që ka caktuar Kisha. Nuk ka ndonjë kanon që të vendosi ndonjë kusht për marrjen e Kungimit. Shën Nikodhim Agjioriti thotë: “Nga kanonet nuk urdhërohet mbajtja e ndonjë kreshme para marrjes së Kungatës”.

   Është e vërtetë se kreshma na lartëson për Kungatën, por ne kurrë nuk jemi të denjë për ta marrë atë, edhe nëse kreshmojmë. Kungata është një dhuratë, ne e marrim jo sepse jemi të denjë, por nga mirësia e Zotit. Takimi me Zotin gjithmonë duhet paraprirë nga një përgatitje, ashtu siç paraprihet çdo takim i rëndësishëm.

   Kisha kërkon nga besnikët që ata të kenë mbajtur kreshmë për Kungatën. Por çfarë është kreshma për kungatën? Nëse lexojmë Letrën e Parë të Pavlit drejtuar Korinthianëve shohim se ishte zakon të hahej në shtëpi para se të shkonin në kishë për kungim. Kjo tregon se nuk kishte kreshmë përpara, – të paktën në atë ditë. Mbas disa vitesh, Kisha zhvilloi praktikën e kreshmimit para Kungatën, që ishte agjërimi komplet nga ushqimi dhe pija në mëngjesin para marrjes së saj. Episkopi Kalistos Ware shkruan: “Orthodhoksia insiston në një agjërim strikt përpara kungimit, asgjë nuk mund të hahet apo të pihet mbas zgjimit në mëngjes”. Pra nëse ju mbani agjërimin e Kungatës dhe nuk keni ndonjë problem moral që mund t’ju mbajë larg Potirit, atëherë ju jeni i detyruar të merrni Krishtin, i cili blatohet në Meshë (Liturgji). Tërë qëllimi i Meshës Hyjnore është pikërisht Kungimi, Takimi me Zotin. Në këtë kuptim është parë përgatitja përpara, si një përpjekje për t’u denjësuar. Mendimi se nuk kungohem ngaqë nuk kam mbajtur një kreshmë nuk qëndron. Ne nuk duhet ta shmangim Kungimin kur ne mendojmë që jemi të padenjë e mëkatarë. Pikërisht pse jemi të padenjë e mëkatarë ne kemi nevojë për të. Duhet ta marrim për shërimin e shpirtit dhe t’i afrohemi Potirit me “frikë Perëndie, besë dhe dashuri”.

b) Rrëfimi.

   Edhe Rrëfimi duhet parë në idenë e një përgatitjeje përpara marrjes së Kungimit. Kisha nuk e ndalon atë që do të rrëfehet para çdo Kungimi. Por duhet patur parasysh se Rrëfimi para kungimit nuk është një kusht i domosdoshëm. Asnjë mister nuk është i varur nga një mister tjetër, por ato janë të ndërthurura me njëri-tjetrin.

   Rrëfimi para takimit me Zotin është parë në idenë e shprehur nga vetë Zoti, që kur vjen të flijosh në altar, nëse ke ndonjë gjë kundër vëllait, shko në fillim pajtohu me të, pastaj eja e flijo. Rrëfimi është një pajtim, vendos një paqe në shpirt dhe na ndihmon ta takojmë me gëzim Zotin. Prandaj edhe Rrëfimi nuk duhet të jetë një justifikim për t’u mos u kunguar. Ai duhet të na lartësojë për Kungimin dhe jo të na largojë.

Shpeshtësia e Kungimit

   Në veprat e Apostujve shohim se të krishterët e Jerusalemit mblidheshin së bashku me Apostujt për të kremtuar Misterin e Meshës (Liturgjisë) Hyjnore (Vep. 2:42-47). Në vargjet 46-47, thuhet: “Edhe përditë ishin duke pritur me një zemër në Hierore, e thyenin bukë nëpër çdo shtëpi, e hanin me gëzim e me kthjelltësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë, e duke patur hir para gjithë popullit. Edhe Zoti shtonte përditë në kishat ata që shpëtonin”. Pra të krishterët e Jerusalemit së bashku me Apostujt kungoheshin përditë.

   Konfesori Job thotë: “Po të jetë e mundur edhe përditë lejohet Kungimi, për priftërinjtë dhe për laikët, për burrat e për gratë, për fëmijët dhe për pleqtë”. Shën Vasili i madh shkruan, “Është mirë dhe e dobishme të marrësh Kungimin çdo ditë, sepse vetë Krishti thotë qartë “ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim ka jetë të përjetshme” (Joan. 6:54). Sepse kush është ai që dyshon se pjesëmarrja e vazhdueshme në jetë nuk është gjë tjetër, veçse të shtosh jetën? Unë vetë kungohem katër herë në javë: të dielën, të mërkurën, të premten dhe të shtunën, por edhe në ditë të tjera nëse ka ndonjë përkujtim të ndonjë shenjti”. Shën Ambrozi, episkop i shquar i Milanos, duke kritikuar ata që nuk kungoheshin shpesh, thotë: “Duhet të bëjmë një jetë të tillë, që të jemi në gjendje të kungohemi përditë”.

   Kanonet e Kishës urdhëronin që nëse dikush nuk e merrte kungatën për tre të diela rresht, pa ndonjë arsye, ai duhet të shkishërohej. Këtë mendim kishin të tërë Etërit e Kishës dhe kjo ishte praktika e Kishës. Por për fat të keq, nga disa arsye të caktuara historike, në Kishë filloi një praktikë e gabuar në lidhje me Kungimin. Gjatë pushtimit turk, meqënëse mundësitë ishin të kufizuara filloi praktika e Kungimit vetëm katër herë në vit; mbas katër kreshmave të mëdha. Shën Nikodhim Ajoriti mori iniciativën për të rifilluar përsëri Kungimin e shpeshtë në malin Athos dhe në Kishën Orthodhokse në përgjithësi. Në vitin 1783 ai shkroi një broshurë “Rreth kungimit të shpeshtë”. Ndonëse ai u kritikua nga disa, një dekret zyrtar i Sinodit të Konstandinopojës (gusht 1819) e pranoi parimin e tij që çdo besimtar duhet të merrte Kungimin në çdo meshë (liturgji). Tani ky është një kanon zyrtar i Kishës. Të marrësh Kungimin tre-katër herë në vit nuk është ndonjë gjë e keqe, por të ushqehesh çdo ditë është shumë më mirë. Sa më afër dhe sa më shpesh ta takosh Zotin aq më mirë është dhe aq më shumë shpirti është i ndritshëm dhe i forcuar.

Rëndësia e Kungimit

   Për të theksuar rëndësinë e Kungimit po përsërisim fjalët e Zotit: “Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e të Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj. Ai që ha mishin tim, dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall në ditën e Gjyqit” (Joan 6:53-54).

   Kungimi nuk është diçka sipas dëshirës. Është një nevojë e domosdoshme për shpëtimin, siç është besimi, pendimi, rrëfimi dhe pagëzimi. Duke iu referuar Kungatës, shën Nikolla Kavasila thotë: “Ajo është përmbushja e të gjitha mistereve dhe jo vetëm një prej tyre… Të gjitha përpjekjet njerëzore arrijnë në qëllimin final. Sepse në këtë mister ne arrijmë Zotin Vetë, dhe Zoti Vetë është bërë një me ne, në më të përkryerin e të gjitha bashkimeve… Ky është misteri final, më larg se ai nuk është e mundur të shkohet dhe asgjë nuk mund t’i shtohet”.

   Po e përfundojmë me një pjesë nga Filokalia. Një njeri i shenjtë, i cili kishte fuqi mbi demonët, i pyet njëherë frymët e liga: “Kush janë gjërat që ju keni më shumë frikë tek të krishterët? Ata i përgjigjen: “Me të vërtetë ju zotëroni tre gjëra të mëdha: E para është ajo që ju varni në qafë, e dyta është ajo që ju laheni në Kishë dhe e treta ajo që merrni në Kishë”. Ai i pyet përsëri: “Nga këto cilën keni më shumë frikë?” Ata u përgjigjën: “Nëse ju ruani mirë atë që merrni në Kishë (Kungatën), asnjë nga ne nuk mund t’ju dëmtojë”. Tre gjërave iu tremben demonët, Kryqit, Pagëzimit dhe Kungimit, por më shumë i tremben ruajtjes së pastër të Kungatës Hyjnore.

Hierodhjakon Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës),

Misteret e shenjta në Kishën Orthodhokse, 
Nga libri: Besimi Orthodhoks, 
Shtëpia botuese Bashkimi Orthodhoks Kristian “Kryqi i Nderuar”, 
Selanik, 1996