U KREMTUA ME GËZIM E KREMTJA E DËSHMOR PROKOPIT,
MBROJTËSIT TË TIRANËS, NË KISHËN QË MBAN EMRIN E TIJ

E përuruar në vitin 1945, për të zëvendësuar kishën e shek. XVII, që u prish nga ndërtimi i Bulevardit kryesor, kisha e Shën Prokopit, që ngrihej në kodrat e parkut të Liqenit, u shkatërrua nga regjimi komunist. Jo vetëm kaq, por ajo u tjetërsua – u prish pjesërisht dhe u kthye në lokal, deri në fillim të viteve ’90. Pavarësisht rënies së komunizmit, mendësia që ai sistem kishte ngulitur nuk çrrënjosej lehtë. Kështu, shteti nuk pranonte që të kthehej kisha. U deshën protesta të shumta të besimtarëve, këmbëngulja e Komunitetit Orthodhoks, që ajo t’i kthehej besimtarëve. Duke mos pasur leje për ta rindërtuar, u bë një rikonstruksion i strukturës së mbetur, që u kthye në kishë. Por, dëshira e vazhdueshme ishte që kisha të rindërtohej.

Shën Prokopi është shenjtori mbrojtës i kryeqytetit, ndaj dita e përkujtimit të tij, më 8 korrik, është kremtuar gjithmonë me nderim të veçantë. Megjithëse është një periudhë e nxehtë vere, me temperatura të larta, besimtarë të shumtë kanë marrë pjesë në shërbesa dhe veçanërisht në litaninë tradicionale të ikonës. Këtë 8 korrik 2021, besimtarët u kthyen edhe me shumë dëshirë për të nderuar shenjtorin, pas kufizimeve të diktuara nga Pandemia vitin e shkuar. Shërbesat nisën me një Mbrëmësore panegjirike në mbrëmjen e datës 7 korrik. Të nesërmen në mëngjes, Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Kryepiskopi Anastas, së bashku me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, dhe klerikë të kryeqytetit.

Për jetën e shenjtorit, besimtarëve u foli prifti i enorisë, atë Ilia Mazniku.

Në fund të Liturgjisë, besimtarëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas. Ai tha se kujtonte me emocion kur 29 vjet më parë, në vitin 1992, bënë aty Liturgjinë e parë. Kësaj i kishte paraprirë një demonstrim i rinjve, të cilët u nisën nga Kisha e Ungjillëzimit deri këtu, që në atë kohë ishte restorant. Dhe ishte shumë e vështirë që ta rimerrnim këtë vend të shenjtëruar.

“Ishte sikur të kërkonim që të ndodhte një mrekulli. Por Perëndia ynë është Perëndia i të papriturave dhe i mrekullive. Dhe në fund arritëm që të bindnim edhe njerëzit që punonin atje, që të mos shqetësoheshin për punën që do të humbnin, se do t’i ndihmonim. Dhe në fund, Qeveria pranoi të na e rikthente kishën.

Tani, siç keni dëgjuar, me hirin e Perëndisë është bërë një tjetër hap i madh. Ranë dakord edhe nga Bashkia edhe nga organet kompetente shtetërore dhe na dhanë lejen për ta ndërtuar kishën siç ishte në formën e vjetër. Nuk mund ta bëjmë më të madhe, aq sa do të donim, sepse në park ka kufizime për ndërtimet që kryhen, por do ta ndërtojmë më të lartë dhe sigurisht më të bukur. Nuk do vëmë fasadën e imponuar nga italianët. Do jetë një projekt bashkëkohor, që përshtatet me traditën dhe me vendin.

Le të jemi gati, se në pak kohë këtu do të kryhen shumë punime për ndërtimin e kishës. Do të duhen shumë lutje për këtë qëllim, si dhe shumë fonde për ndërtimin e saj. Ka disa donacione dhe ne guxojmë të bëjmë përpara në këtë përpjekje. Kështu, një orthodhoks i njohuri im, por i panjohur për shumë vetë, ka dhënë një shumë mjaft të konsiderueshme. Prej kohësh, në Katedrale është vendosur një kuti në të cilën të gjithë mund të ofrojnë. Kam bërë edhe thirrje që të gjithë të kontribuojnë financiarisht, që të ndërtohet sa më shpejt këtu kisha e Shën Prokopit. Perëndia bekon edhe të paktën dhe e shumon atë, mjafton që të jepet me dashuri dhe besim. Dua të falënderoj dhe përgëzoj të gjithë ata që në këto vite kanë punuar në këtë kishë. Ju e dini sa është lodhur atë Ilia këtu, kori, njerëzit që punojnë për mirëmbajtjen dhe mbarëvajtjen e kësaj kishe.

Dëgjuam pak më parë atë Ilian që na foli për figurën shumë të madhe të Shën Prokopit. Unë nuk dua t’u rikthehem sa u thanë, por ka një pikë delikate, që ia vlen ta theksojmë dhe ta nxjerrim në pah. Shën Prokopi nuk lindi orthodhoks. Por, me martirizimin dhe vdekjen e tij dha pikërisht ikonën se si duhet të jetë i krishteri i vërtetë orthodhoks. Dhe, siç e dini, ai është shenjtori mbrojtës i Tiranës.

Herë pas here po mbërrijnë në veshët e mi disa fyerje dhe sharje, që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Se ka njerëz që flasin në mënyrë përçmuese për persona që nuk kanë lindur orthodhoksë, por u bënë të tillë në këto vite. Kjo është një fyerje dhe herezi shumë e rëndë. Apostull Pavli nuk ishte më pak orthodhoks dhe apostull meqenëse rridhte nga sekti i farisenjve. Mijëra nga shenjtorët tanë nuk lindën orthodhoksë. U bënë orthodhoksë në mënyrë të lirë, me vullnetin e tyre dhe me anë të pagëzimit. Dhe është marrëzi kur disa persona duan të shfaqen se gjoja janë më tepër orthodhoksë meqë gjyshërit e tyre kanë qenë të tillë. Nuk ka asnjë dallim në këtë pikë. Ndaj, kur dëgjojmë idiotësi të tilla, duhet t’i përballojmë në mënyrën e drejtë dhe t’i hedhim poshtë.

Ka dhe njerëz që thonë, se Kryepiskopi bëri gabim që hirotonisi njerëz të cilët nuk ishin orthodhoksë nga lindja. Për mua ishte dhuratë Perëndie. Ishin persona që erdhën lirisht dhe deshën të bëhen me vullnetin e tyre anëtarë të Kishës Orthodhokse. Respektojmë të gjithë njerëzit për zgjedhjet që kanë bërë në jetën e tyre. Por, duhet që të gëzohemi veçanërisht për ata, që me anë të vullnetit të tyre të lirë morën vendimin për t’u bërë të krishterë orthodhoksë. Nuk dua të hyj tani në detaje të tjera, por duhet të lavdërojmë Perëndinë që na fali shumë njerëz, që, si shën Prokopi vendosën lirisht që të bëhen anëtarë të Kishës.

Çështja është se si do të vdesim të gjithë. Si orthodhoksë të vërtetë autentikë apo si të tillë të rremë? Si njerëz që e duan me të vërtetë Perëndinë dhe jemi gati për t’u martirizuar dhe për të bërë sakrifica apo si njerëz që thjesht besojmë për të pasur përfitime personale për rehatinë tonë? E sigurt është se në një çast jeta do të mbarojë për të gjithë ne. Perëndia të na bëjë të denjë që të kemi sa më shumë dashuri dhe përkushtim ndaj vullnetit të Tij për ta kryer këtë vullnet. Të kemi diçka nga besimi, burrëria, shenjtëria e shenjtorëve tanë, nga durimi i tyre shumë i madh. Ata janë vula e vërtetë e Orthodhoksisë sonë.

Lutuni, vëllezër, dhe për ne klerikët, që të jemi sipas shembullit të shenjtorëve tanë; le të përpiqemi të gjithë që të jemi sipas traditës që na dha Shën Prokopi. Të jetojmë diçka më tepër nga shembulli që na dha për më shumë sakrifica dhe vetëmohim në jetën tonë” – e mbylli fjalën Fortlumturia.

Pas Liturgjisë Hyjnore, nga klerikët dhe besimtarët u krye litania tradicionale rreth kishës me ikonën e shenjtorit.

U kremtua e kremtja e Deshmor Prokopit 08.07.2021

Fjala e Kryepiskopit Anastas në të kremten e “Shën Prokopit