Pre-historia
Bibla fillon me historinë e krijimit dhe, me bërjen e njeriut. Ndonëse shpesh Bibla jep lista të brezave të njerëzve qysh prej krijimit të Adamit (Kronikat 1:1, Lluka 4:38), historia e shpëtimit në kuptimin më të plotë, fillon me Abrahamin, paraardhësi i Izraelit dhe stërgjyshi i parë i Krishtit, “sipas mishit.”
Tregimi i krijimit, dhe kryesisht ajo e Adamit dhe Evës, jep zbulesën hyjnore rreth sovranitetit absolut të Perëndisë mbi të gjithë krijimin. Ai flet për mirësinë e gjithçkaje që ekziston dhe epërsinë e njeriut mbi të gjitha qeniet e tjera. Ai tregon sesi origjina e të keqes nuk është në Perëndinë, por në krijesën e Tij më të përsosur, veprimi i lirë mëkatar i të cilit solli të keqen dhe vdekjen në botë (Shih vëllimi I Doktrina).
Kapitujt e Zanafillës 1-11 quhen “prehistoria” e shpëtimit, sepse, me pak përjashtime, si ai i Noes së drejtë, këto kapituj janë pothuaj krejtësisht një tregim i mëkatit. Ato fillojnë me rebelimin fillestar të njeriut kundër Perëndisë dhe tregojnë se veprimi i parë i bijve të njerëzve ishte vrasja e vëllait. Ato tregojnë hidhërimin e Perëndisë për krijimin e botës kur Ai “pa se ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja e vazhdueshme”, dhe se toka ishte “korruptuar . . . plot me dhunë . . . sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij” (Zanafilla 6:5-12). Ato mbarojnë me tregimin simbolik për mendjelehtësinë e fundit të njerëzve kur thanë “t’i bëjmë një emër vetes” kur donin të ndërtonin “një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell” (Zanafilla 11:4). Me anë të tregimit të kullës së Babelit tregohet arroganca krenare e njeriut që përfundoi në ndarjen e kombeve dhe shpërndarjen e njerëzve “mbi tërë faqen e dheut” (Zanafilla 11:9).
Pre-historia e krijimit, tregimi i mëkatit, është një kundër-simbol fillestar i shpëtimit në Krishtin. Ngjarjet e këtyre kapitujve të parë të Biblës, para thirrjes së Abrahamit, e gjejnë interpretimin e tyre të vërtetë në ngjarjet shpëtimtare të ardhjes së Krishtit dhe të Shpirtit të Shenjtë në dhiatën e fundit dhe përfundimtare të Perëndisë me popullin e Tij.
Krishti është Adami i Vërtetë. Adami i parë ishte thjesht “figura e atij që do të vinte” (Romanët 5:14).
Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesim në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.
Kështu është shkruar, “I pari njeri, Adami, u bë frymë e gjallë”; i pastajmi Adam, shpirt që jep jetë. Edhe nuk u bë më parë ajo e shpirtit, por ajo e gjallesës, pastaj ajo e shpirtit. Njeriu i parë është prej dheut, prej baltës; njeriu i dytë është Zoti prej qielli. Siç është i baltës, të tillë janë ata të baltës, dhe siç është qiellori të tillë janë qiellorët (I Korinthianët 15: 22, 45-49).
Fjala Adam vjen nga hebraishtja “adamah” që do të thotë dhé. Fjala Krisht, në hebraisht Mesia, do të thotë “i lyeri, i vajosuri” i Perëndisë. Ashtu si Krishti është Adami i ri, ashtu edhe nëna e Tij, Maria është Eva e re, sepse ajo është me të vërtetë “nëna e tërë të gjallëve,” që është edhe kuptimi i emrit që iu dha “ndihmëses” fillestare të burrit (Zanafilla 3:20). Simbolizmi biblik vazhdon me Kishën e Krishtit si “arka e shpëtimit” e vërtetë në të cilën “çdo gjë e gjallë” shpëtohet (Zanafilla 6:9, 1 Pjetri. 3:20-22). Dhe ngjarja e Rushajeve kthen mbrapa tragjedinë e Babelit, kur me anë të zbritjes së Shpirtit të Shenjtë mbi Kishën e Krishtit, të gjitha ndarjet kombëtare u kapërcyen dhe të gjithë njerëzit “nga të gjitha anët e dheut” u sollën në bashkim nga Perëndia në Krishtin.
Kështu pre-historia e mëkatit të njeriut është kundër-simboli i drejtësisë së tij në Perëndinë që është realizuar në Krishtin, “bir i Abrahamit” në bijtë e të cilit të gjitha familjet e tokës janë bekuar nga Perëndia (Zanafilla 12:3).