Besimi

     Themeli i çdo virtyti dhe jete të krishterë është besimi. Besimi është zotërimi natyral i të gjithë njerëzve që janë të mençur dhe të virtytshëm. Sepse; nëse një njeri nuk ka besim në aftësinë e njeriut për të njohur, për të bërë mirë dhe për të gjetur kuptimin e jetës; nëse ai nuk beson se kjo është e mundur, përfituese dhe e vlefshme për përpjekjet e njeriut, atëherë asgjë e mençur ose e virtytshme nuk mund të arrihet. Karakteristika më e dallueshme e të gjithë profetëve të shkatërrimit, apostujve të dëshpërimit dhe predikuesve të absurditeteve është mungesa e besimit në aftësitë e njeriut për mirësi dhe të vërtetë dhe mungesa e besimit në kuptimin dhe vleftën e jetës. Është, gjithashtu, një mungesë besimi në Perëndinë. Besimi në Perëndinë është virtyti themelor i të gjithë shenjtorëve (Kr. Hebrejtë 11). Prototipi i besimtarit në Perëndinë është Abrahami, ati i Izraelit.

    Në fakt, premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit. . . atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili . . . është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. Madje, as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. Prandaj edhe “kjo iu numërua atij për drejtësi” (Zanafilla 15:6). E po nuk u shkrua vetëm për të, që “kjo i ishte numëruar”, por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jisuin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për shfajwsimin tonë (Romanët 4:13-25).

    Besimi në Perëndinë është themeli për jetën shpirtërore. Dhe të besosh në Perëndinë do të thotë të besosh, gjithashtu, në Birin e Tij Jisu Krisht. Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua. (. . .) Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave (Joani 14:1, 11). Besimi në Jisuin si “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”, është qendra e jetës së krishterë dhe themeli i Kishës (Matheu 16:16). Ky është burimi i çdo diturie, fuqie dhe virtyti. Është mjeti me anë të cilit mund të njohësh dhe t’i bësh të gjitha gjërat, sepse “të gjitha gjërat janë të mundshme për atë që beson” (Marku 9:23, Matheu 17:20). Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë (Joani 15:4-5).

    Besimi, para së gjithash, është “siguria e gjërave që shpresohen, tregimi i gjërave që nuk shihen” (Hebrenjtë 11:1). Është besimi në aftësitë shpirtërore të njeriut dhe në mirësinë dhe fuqinë e Perëndisë. Është ngjitja intelektuale dhe besimi ekzistencial i përditshëm në premtimet dhe dhuratat e Perëndisë, dhënë botës në krijim dhe shpëtim në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë. Besimi vetë është një “dhuratë e Perëndisë” dhënë të gjithëve dhe pranuar nga të varfërit në shpirt dhe të pastërit në zemër, të cilët janë të hapur ndaj aktivitetit të Perëndisë në jetën e tyre (Efesianët 2:8).

    Besimi i vërtetë nuk është një kërcim i verbër në errësirë, një pranim irracional dhe i paarsyeshëm i paarsyeshmërisë dhe absurdit. Besimi i vërtetë është shumë i arsyeshëm; është i rrënjosur dhe i bazuar në natyrën e arsyeshme të njeriut e bërë në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Të mos besosh, sipas shkrimeve dhe shenjtorëve, është përmbledhja e absurditetit dhe marrëzisë.  Tha i marri në zemër të tij: “Nuk ka Perëndi”. Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.  Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë nëse ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë (Psalmi 14:1-2; 53:1-2).

    Njeriu u krijua që të ketë besim në Perëndinë. Të mos besosh në Perëndinë është një perversion i natyrës njerëzore dhe shkak i të gjitha të këqiave. Dobësia dhe mungesa e besimit në Perëndinë është rrënjosur në mëkat, ndyrësi dhe krenari. Ajo nuk është kurrë, thjesht, një rezulatat i një gabimi intelektual ose pështjellimi mendor. Është gjithmonë rezultat i shtypjes së të vërtetës nëpërmjet ligësisë, ndërrimit të së vërtetës së Perëndisë me një gënjeshtër, kundërshtimi, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje, për të njohur Perëndinë me nderim dhe falënderim (Kr. Romanët 1).

    Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj (Isaia 6:9-10, Matheu 13:14-15). Personi shpirtëror jeton “në besimin e birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha Veten për mua” (Galatianët 2:20). Personi shpirtëror është ai që, me hirin e Shpirtit të Perëndisë, është besnik në çdo gjë.