UNGJILLI – Llukai 19:12-28

Tha pra: Një njeri i fisëm shkoi në një vend të largët për të marrë një mbretëri për veten e tij, e të kthehet.

Edhe thirri dhjetë shërbëtorë të tij, e u dha dhjetë mna, edhe u tha: Bëni tregëti me këto deri sa të vij. Po qytetarët e tij e urrenin dhe nisën një dërgatë pas atij, duke thënë: Nuk e duam këtë të mbretërojë mbi ne.

Edhe si mori mbretërinë u kthye prapë, edhe tha të thirren tek ai ata shërbëtorët, të cilëve u pati dhënë argjendin, për të marrë vesh ç’kishte fituar gjithësecili. Edhe erdhi i pari, duke thënë: Zot, mnaja jote fitoi dhjetë mna. Edhe ai i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë; meqenëse u bëre besnik në të paktën, ki pushtet përmbi dhjetë qytete.

Edhe erdhi i dyti, duke thënë: Zot, mnaja jote bëri pesë mna. I tha edhe këtij: Edhe ti bëhu zot përmbi pesë qytete.

Erdhi edhe tjetri, duke thënë: Zot, ja mnaja jote, të cilën e pata ruajtur në një shami, sepse të pata frikë se je njeri i rreptë; merr atë që s’ke vënë, edhe korr atë që s’ke mbjellë, edhe mbledh atje ku nuk ke shpërndarë.

I thotë: Prej gojës tënde kam për të të gjykuar, shërbëtor i lig. Ti e dije se unë jam njeri i rreptë, dhe marr atë që s’kam vënë, edhe korr atë që s’kam mbjellë, edhe mbledh atje ku nuk kam shpërndarë. Përse pra nuk e dhe argjendin tim në bankë, që, kur të vija unë, ta merrja bashkë me kamatën?

Atëherë u tha të pranishmëve: Merrni mnanë prej tij dhe jepjani atij që ka të dhjetë mnatë. Edhe ata i thanë: Zot, ai ka dhjetë mna. Sepse po ju them juve, se kujtdo që ka do t’i jepet; edhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do të merret prej tij. Por ata armiqtë e mi që s’më deshën të mbretëroj mbi ta, sillini këtu, edhe therini ata përpara meje. Edhe si tha këto, shkonte përpara, duke u ngjitur në Jerusalem.