Kuraja

    Virtyti i kurajës dhe i qëndresës duhet ta shoqërojë durimin. Vetëm ai që ka kurajë mund jetë me të vërtetë i duruar në çdo gjë. Të jesh kurajoz do të thotë, thjesht, të mos trembesh. Shumë herë në Ungjill, Krishti flet për këtë virtyt dhe ia porosit atë nxënësve të Tij. Duke bërë kështu, Ai ndjek shembullin e Dhiatës së Vjetër.

     Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?

     Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti (Psalmi 27:1, 14; Psalmi 31:24).

     Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë Mbretërinë.

     Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në ferr; po, po ju them, nga ai të keni frikë (Lluka 12:32, 12:4-5).

     Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën (Joani 16:33).

      Apostujt ishin krejtësisht kurajoz dhe i këshillonin të gjithë të ndiqnin shembullin e tyre.

    Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë (1 Korinthianët 16:13).  Forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni . . . (Efesianët 6:10).

     Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jisu . . . Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jisu Krishtit (2 Timotheu 2:1-3; Kr. Hebrenjtë 11:32-38).

    Virtyti i kurajës shprehet jo vetëm në kohën e persekutimit dhe vuajtjes, por, gjithashtu edhe përballë talljes dhe përbuzjes. Ai shprehet, po ashtu thjesht, në gjërat më të vogla dhe më të zakonshme të jetës së përditshme. Në parabolën e Krishtit të talentave, njeriu me pak humbi edhe atë pak që ai kishte dhe u hodh në errësirën e jashtme, sepse ai dështoi ta përdorte dhuratën e tij të vogël ngaqë i mungonte kuraja: “pata frikë dhe e fsheha talentin tënd nën tokë” (Matheu 25:25-30). Personi me kurajë i përballon të gjitha me qëndresë dhe jeton çdo ditë, në çdo gjë të vogël, me fuqinë e Krishtit. Të jesh “besnik në të paktat” është një shenjë e një kuraje të madhe. Shenjtorët ishin shumë kurajoz në jetën e tyre dhe e konsideronin këtë virtyt si qendror në jetën shpirtërore.

    Kuraja, sipas Shën Grigorit të Sinait, është i pari nga “të katër virtytet fillestare”, një nga “të katër burimet që i përmbajnë dhe i përbëjnë të gjitha të tjerat” (Shën Grigori i Sinait, shek. 14, Instruksione tek Hezikastët).

      Nëse do të dëshirosh të bësh një fillim të mbarë në veprimtarinë tënde shpirtërore, më parë përgatite veten për tundimet që do të bien mbi ty. Sepse djalli ka zakonin t’i vizitojë me tundime të tmerrshme ata të cilët ai i sheh se po fillojnë një jetë të drejtë me një besim të zjarrtë. (. . .) Prandaj, përgatite veten t’i takosh trimërisht tundimet që sigurisht do të të sulmojnë dhe vetëm atëherë fillo t’i praktikosh ato (Shën Isaku i Sirisë, shek. 6, Porosi mbi Stërvitjen Shpirtërore).

    Nëse do të ndjekësh virtytin . . . ka shumë mundësi të sulmohesh shumë nga frika . . . një njeri i tillë duhet të bëjë çdo përpjekje për të mundur frikën, këtë bijë të pabesimit dhe këtë pjellë të mburrjes.

    Frika është një qëndrim foshnjarak në një . . . shpirt mburravec . . . i rënë nga besimi që vjen nga pritja e të papriturës . . . një provim i rrezikut para kohe në frikë, një humbje e sigurisë.

    Një shpirt krenar është një skllav i frikës; ai më kot mbështetet në veten dhe trembet nga çdo hije dhe zë i krijesave.

    . . . të gjithë njerëzit frikacakë janë mburravecë . . . dhe shpesh kanë tronditje mendore . . .

    Ai që është bërë shërbëtor i Zotit i trembet vetëm Zotit të tij, por ai që nuk i trembet Atij ka frikë shpesh nga vetë hija e tij.

    Ai që e ka mundur frikën e ka përkushtuar jetën dhe shpirtin e tij qartësisht tek Perëndia (Shën Joani i Shkallës, shek. 7, Shkalla e Ngjitjes Hyjnore, shkalla )