Dituria* 

Virtyti i diturisë ndryshon nga njohja në atë që dituria është kuptuar normalisht si depërtim i drejtpërdrejtë brenda gjërave, si kuptimi dhe kapja praktike e asaj që është e vërtetë dhe e drejtë në shprehjen dhe formën e saj të gjallë. Njeriu i urtë është ai që sheh qartë dhe thellë në misteret e Perëndisë. Është ai që mund të japë një këshillë konkrete në problemet e përditshme të jetës, ai që mund të tregojë vullnetin e Perëndisë tek njeriu që po përballet aktualisht me probleme dhe vendime. Është ai, i cili, ashtu si Jisui, njeh jo vetëm atë që është në Perëndinë, por “çfarë është në njeriun” (Joani 2:25).

Në Dhiatën e Vjetër, u zhvillua një grup i tërë i literaturës në lidhje me temën e diturisë (urtësisë) hyjnore (Shih Vëllimi III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës). Psalmet, Fjalët e urta dhe shkrimet e tjera të urtësisë të tilla, si: Kishtari, Urtësia e Solomonit dhe Jisui, Biri i Sirakut, e tregojnë qartë se çfarë dituria është, dhe çfarë është për të qenë i ditur.

A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia, a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; “Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë. Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen. Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund të dëshirojë nuk barazohen me të. Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca” (Fjalët e urta 8:1-14).

Në Dhiatën e Re, dituria hyjnore gjendet në Jisu Krishtin, që është Vetë, “dituria e Perëndisë” (1 Korinthianët 1:24).

. . . flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë, por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë, të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë” (Isaia 64:4, 65:17). Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij. (. . .) Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjërat frymërore me fjalë frymërore (1 Korinthianët 2:6-15).

Në tërë Shkrimet, Shpirti i Zotit është quajtur “fryma e diturisë dhe e kuptimi, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohjes dhe e frikës së Zotit” (Isaia 11:2). Është kjo Frymë që Zoti u jep atyre që besojnë në Atë.

Sepse Perëndia, me gjithë urtësinë dhe mençurinë, bëri të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.

Prandaj edhe unë . . . nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia, që Perëndia i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët, dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë . . .

Për këtë arsye unë, Pali . . . ju shkrova . . . për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat . . . që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej . . . dituria e shumëllojshme e Perëndisë (Efesianët 1:9-10, 15-19, 3:1-10).

Në Kishë, ashtu si thotë Shën Pavli, dituria hyjnore i jepet personit shpirtëror. Njeriu i ditur, që zotëron Frymën e Perëndisë, mund t’i tregojë “popullit të tij njohjen e shpëtimit . . . për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequar hapat tona në udhën e paqes” (Lluka 1:77-79). E kundërta e diturisë hyjnore është marrëzia e mëkatshme, e cila e sjell njeriun në fatkeqësi, vuajtje, shkatërrim dhe vdekje (Kr. Fjalët e urta 10-14). Në jetën shpirtërore të Kishës, janë njerëzit e urtë, mjeshtërit shpirtëror dhe mësuesit e shenjtë, të cilët kanë fituar diturinë hyjnore dhe kështu ata janë bërë të aftë për të drejtuar dhe udhëhequr fatin e shpirtrave të pavdekshëm të njerëzve. Për këtë arsye të gjithë njerëzit duhet t’i nënshtrojnë vetvetet tek mësimet dhe rregullat e tyre.

——————-

* Mund të ishte përdorur edhe fjala urtësi.