Joan Kukuzeli  Mjeshtri i madh i Muzikës Bizantine

 

Theodhor Peci M. A.

Kërkim nr. 8, Tiranë, 2012.

 

     Gojëdhëna, tradita, mendime studime dhe shumë shkrime qarkullojnë për figurën e mjeshtrit të madh të muzikës bizantine, oshënar Joan Kukuzelit. Ky melurg (kompozitor) bizantin është sa i njohur, po aq dhe i veshur me mistere. Tek ikonizimet e tij të jep përshtypjen sikur petku i zi që e mbulon, fsheh dritën dhe pengon hulumtimin e jetës, veprës dhe gjithë aktivitetit të tij artistik e shpirtëror. Por nga ana tjetër, krijimtaria në muzikën kishtare, muzikaliteti i së cilës përcillet me mjeshtëri, arrin të përmbushë qëllimin; bën që vija e thjeshtë melodike e monofonike të depërtojë thellë në brendësinë e zemrave të njerëzve, duke nxitur mallin dhe soditjen e Perëndisë, si dhe duke ngjallur interes në fushën e studimit. Kërkimi i bazuar në fakte dhe argumente ka bërë të mundur mbledhjen e këtyre margaritarëve të shpërndarë, për të realizuar sadopak një mozaik të jetës së tij.

    Ky personalitet i shquar i periudhës bizantine është bërë pjesë e diskutimeve dhe studimeve të mjaft muzikologëve, të cilët përpiqen të nxjerrin në pah sa më shumë të dhëna për jetën, veprimtarinë dhe mbi të gjitha, për kontributin e veprës së tij në Artin Psaltik. Në këtë këkim janë angazhuar muzikologë të huaj perëndimorë e lindorë dhe shumë pak, për të mos thënë fare, muzikologët shqiptarë. Ndodhemi jo vetëm përballë një personaliteti të muzikës, por përballë një arti në tërësi të harruar dhe të palëvruar në Shqipërinë e sotme, ku muzikologjia bizantine ende nuk ka rihedhur themele të forta studimore dhe shkencore.

     Duke u ndeshur me këtë situatë, evidentohen mangësi, gabime dhe antiteza lidhur me personin në fjalë, që vijnë si rezultat i mos njohjes së materialit burimor të kodikëve, por dhe nga anashkalimi i disa të dhënave historike mjaft bazike dhe të rëndësishme. Njëkohësisht, ndeshemi dhe me studime, të cilat nuk paraqiten me objektivitet, por përçohen e ofrohen me një imazh nacionalist dhe aspak shkencor. Ky prezantim synon të hedhë pak dritë mbi këtë personalitet.

     Tradita e hershme, larmia dorëshkrimore e kodikëve, inteligjenca muzikore, përvoja si dhe ndërgjegjja e njerëzimit në shekuj, i ka atribuuar muzikantit të madh Joan epitete, emërtime dhe mbiemra nga më të ndryshmit si: Kukuzeli, Papadhopulosi, Mjeshtër, mësues, himnograf, kompozitor, kryepsalt, reformator, si dhe shenjt i Kishës Orthodhokse. Përveç tyre, shumë kompozitorë të mëdhenj dhe kodikografë kanë nderuar personalitetin e tij. Melurgu i madh bizantin Manuel Krisafi shkruan gjatë periudhës së Rënies së Konstandinopojës, duke e cilësuar atë si: “të hirshëm, më të mrekullueshmin, më të ëmblin, Mjeshtër të vërtetë, mësuesin e mësuesve, qenësisht mësues i madh dhe shumë i lumurueshëm”1. Rreth këtyre emërtimeve ekzistojnë larmi mendimesh e hipotezash, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

     Jetëshkrimi i tij më i vjetër vjen prej sinaksarit2 që ndodhet në kodikun nr. 46 (1550), të manastirit të Vlatadhonit. Përmbledhtazi  gjejmë se:

     “Joan Kukuzeli lindi në Durrës. Që në moshë të vogël mbeti jetim nga i ati dhe për të u kujdes e ëma, për ta rritur e shkolluar. Në shkollë shokët e ngacmonin dhe e pyesnin “Çfarë hëngre sot Joan?” dhe ai përgjigjej “kukia dhe zelje” dhe për këtë arsye e quajtën Kukuzel. Ai ishte një djalë i zgjuar dhe me zë shumë të bukur, prandaj shumë i thërrisnin zëengjëll. Më vonë shkoi të studionte në shkollën mbretërore, në Konstandinopojë. Ai krijoi një simpati të madhe te Perandori, i cili dëshironte ta martonte me një vajzë pallati. Por ai kërkoi të largohej për pak kohë, që ta mendonte atë gjë dhe të takonte dhe njëherë nënën e tij. Shkoi në qytetin e Durrësit dhe kur iu afrua shtëpisë së tij, dëgjoi nënën të vajtonte në bullgarisht: “Moe dhete milo, gdhemisi oho”, d.m.th. “Ku je djali im i ëmbël!”. Kur u kthye në Konstandinopojë, vazhdimisht i kujtohej vajtimi i nënës dhe për këtë arsye kompozoi një polielei, që e quajti “bullgarja”. Por, Joani dëshironte jetën murgërore dhe pa u marrë vesh, iku prej andej për në Mal të Shenjtë, në manastirin e Lavrës së Madhe, ku u qeth murg. Atje jetoi derisa ndërroi jetë.”

     Njihet, gjerësisht, me emrin Joan dhe mbiemrin Kukuzeli. Por më shumë ka bërë përshtypje mbiemri “Kukuzeli”, i shoqëruar me për- shkrimin interesant të një peripecie fëmijërore, që mendohet se e ka paraprirë atë. Për këtë ngjarje tregohen versione të larmishme të karakterit satirik, prej së cilës një pjesë e njerëzve mendojnë se e ka prejardhjen mbiemri i tij. Por a është me të vërtetë kështu?

   Pikërisht, për mbiemrin e tij janë ngritur shumë hipoteza dhe supozime. Së pari, qarkullon gjerësisht mendimi se mbiemrin e mori nga përqeshjet e herëpashershme të shokëve të tij, në formën e një nofke, ashtu siç përshkruhet te dialogu nga sinaksari i lartpërmendur. Këtë mendim pretendojnë muzikologët bullgarë me justifikimin se “kukia dhe zelie” që e përkthyer d.m.th. bathë e lakra janë fjalë me prejardhje bullgare3. Së dyti, mendohet se mbiemri Kukuzeli është një mbiemër i zakonshëm bizantin që përfitohet nga fjala në greqisht “κουκούτζι” apo “κουκούτζηςa” (kukuzis). Sipas muzikologëve bizantinë grekë mbiemri në greqisht Kukuzelis është përkëdhelie mbiemrit “κουκούτζης”, të cilin e hasim në ishujt e Egjeut verilindor. Ata na japin disa shembuj të ngjashëm në mbiemra me mbaresa  në- έλης p.sh.: në sende ψωμί-ψωμέλι, τυρί-τυρέλι, në emra Γιάννης-Γιάννέλης, Δημήτρης-Δημητρέλης dhe në mbiemra Παγανάς-Παγανέλης, Κουκούξης-Κουκουξέλης. Sipas tyre ky mbiemër përdoret edhe sot4.

     Duhet theksuar se pa përjashtim, në të gjithë kodikët muzikorë që njohim deri më sot që përmbajnë veprën e tij artistike, emri Joan shoqërohet gjithmonë me mbiemrin Kukuzeli, si dhe herë pas here me emërtime të tjera si Papadhopulos, Mjeshtër, i lashtë, zotëri etj. Këto kanë bërë të mundur që të mos vihet në dyshim autorësia dhe origjinaliteti i veprës së tij. Por më shumë evidentohet te fakti se vetë Mjeshtri përdor këto emërtime dhe firmos në gjuhën greke, gjuhë në të cilën shkroi himnet madhështore kishtare bizantine. I paraqes këto të dhëna të hollësishme për arsye se në botën e madhe të melurgëve bizantinë dhe pasbizantinë, përveç tij ekzistojnë dhe persona të tjerë që mbartin mbiemrin Kukuzeli. Ndër ta dallojmë Grigor (Kukuzelin) Domestikun,5 si dhe Joasafin, Kukuzelin e ri6.

     Duke iu referuar sinaksarit si burim të vetëm, Grigor (Kukuzeli) Domestiku shpesh është ngatërruar dhe identifikuar me vetë Joan Kukuzelin, për disa arsye: Së pari, vihet re se monedhën e artë nga Hyjlindësja e merr Grigori dhe jo vetëm Kukuzeli, siç dihet prej të gjithëve nga sinaksari; së dyti, Joan Kukuzeli cilësohet si oshënar (murg) dhe jo me mbiemrin Papadhopulos; së treti, te Grigor Domestiku nuk shtohet mbiemri Kukuzelis, siç pretendojnë disa muzikologë. Studiuesi grek Simon Karasi nga përvoja e shum të me kodikët, prezanton ndër ta edhe të tjerë po me të njëjtin mbi- emër: Leond Kukuzelin, shkruesin e kodikut nr. 5302 (1562), të manastirit të Ivironit, Jerothe Kukuzelin, qipriot, shkruesin e dy kodikëve me nr. 135 (1597) dhe me nr. 35 (1601), të manastirit të Kosifinisis, si dhe në fund Joan Kukuzelin e ri, kompozitor nga fillimi i shek. XVI7.

     Gjatë kërkimeve të ndryshme studimore në botën e kodikëve të vjetër muzikorë, përveç emërtimeve të njohura e të lartpërmendura mbi figurën e mjeshtrit Joan Kukuzeli, u konstatua dhe një mbiemër tjetër në dorëshkrime më të mëvonshme. Pra, kemi të bëjmë me Mjeshtrin bizantin Joan “Papadhopulos” Kukuzeli. Mbiemri “Papadhopulos” konstatohet në tri dorëshkrime: te kodiku me numër 1256, i manastirit të Sinait, që përmban një Irmologjio të vitit 1309; te kodiku sinaik, por i emërtuar si kodiku nr. 121 i Leningradit, që është një Irmologjio i datuar më 1302; si dhe te kodiku nr. 457 i manastirit të Kutlumusiut, një Papadhikë që daton në gjysmën e dytë të   shek. XIV. Në kodikun e Kutlumusiut thuhet: «Αρχή συν Θεώ  αγίω του Μεγάλου Εσπερινου από χορού, περιέχει δε αλλάγματα παλαιά τε και νέα, διαφόρον ποιητών, του Γλυκύ και των διαδόχων аυτού και φοιτητών κυρού Ξένου και πρωτοψάλτου του Κορώνη και του Παπαδοπούλου κυρού Іωάννου και μαίστορος του Κουκουξέλη, συν αυτοίς και ετέρων πολλών»8.

    Madje muzikologu Konstandin Psahos konstaton se po me këtë mbiemër gjendet dhe te kodiku nr. 3179 i manastirit të Ksiropotamit. Ky fakt mjaft i rëndësishëm është evidentuar në dorëshkrimet autografe të tij, ku vetë personi në fjalë firmos në këtë formë, por dhe në kopjimin e mëvonshëm, ku kopjuesi i kodikut ruan origjinalitetin e tij. Ky emërtim nuk është shumë i përhapur sa dy emërtimet e para, por është përdorur nga mjaft muzikologë seriozë10. Duke bërë një parantezë të lejueshme, ndër ta dallojnë muzikologët e dëgjuar Grigor Stathis, prof. dr. në Universitetin e Athinës, në degën e studimeve muzikore, si dhe Simon Karas, studiues bizantin11. Por le t’i rikthehemi temës më në brendësi!

     Pikërisht, mbi mbiemrin Papadhopulos janë hedhur disa mendime dhe hipoteza. Së pari, meqenëse mbiemri “Papadhopulos” është fjalë e përbërë në gjuhën greke, që e përkthyer do të thotë “fëmijë prifti”, supozohet që ai mbase të ketë qenë djalë prifti12. Por jetëshkrimi nga sinaksari i lartpërmendur nuk na jep më shumë informacione se kaq, as na përmend faktin se Joan Papadhopulos ishte djalë prifti.

    Madje sinaksari nuk e përmend fare mbiemrin Papadhopulos dhe as që i ati i tij mund të ketë qenë prift. Së dyti, një hipotezë tjetër vjen prej pretendimeve të studiuesve bullgarë, të cilët  mbrojnë me fanatizëm se ky mbiemër është i huazuar në greqisht dhe se origjinën e ka nga bullgarishtja prej fjalëve Püpof ose Popoviç13.

     Figura e Joanit është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Persona- liteti i tij mund të krahasohet shumë mirë me mjeshtrit dhe mësuesit e mëdhenj  të  çdo  kohe. Në muzikologjinë bizantine, termat Mjeshtër14 dhe Mësues marrin ngjyrime të një lloji tjetër, në kontrast me titujt profesor e doktor. “Termat mjeshtër dhe mësues identifikohen dhe tregojnë kryesisht mësuesin e muzikës, teknikun perfekt të artit të  tingu jve (modeve), zotëruesin e plotë të  teorisë  së muzikës,  termave, rregullave dhe “metodave” të saj. Zakonisht mjeshtrit dhe mësuesit kanë zë të ëmbël dhe melodioz. Gjithashtu, parapëlqejnë analoget e të psalurit në tempujt e hirshëm, kompozimin e melodive, si dhe mësimdhënien e muzikës. Nga këta dy terma, termi “mësues i muzikës” mund t’i jepet të gjithë kompozitorëve të njohur të muzikës bizantine, kurse termi “Mjeshtër” jepet vetëm te disa muzikantë të caktuar dhe të parit Joan Kukuzelit Papadhopulit. Ky term përbën majën e titujve muzikorë”15. Nga dorëshkrimet e periudhës së mëvonshme bizantine (1200-1453), nxjerrim në pah se ekzistojnë dhe kompozitorë të tjerë me këtë titull: mjeshtri Joan Kalistos, mjeshtri Manuel Argjiropulos, mjeshtri Manuel Krisafi etj.

     Përveç këtyre që përmendëm më sipër, duhet theksuar se Joan Kukuzeli nuk është thjesht një figurë e spikatur, që ka ngjallur respekt e që ka bërë bujë në rrethin e muzikologëve dhe tek muzikëdashësit, por qëndron në piedestal të lartë, në rreshtat e shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, ku është bërë shembull imitimi i mjaft besimtarëve dhe veçanërisht i psaltëve. Në të kremtet e vitit liturgjik ai festohet më 1 tetor, së bashku me shën Roman Melodistin, kompozitorin e shkurtoreve (një figurë e çmuar e himnologjisë orthodhokse), shën Grigor Domestikun (të ashtuquajtur Kukuzeli) etj.

     Duke u bazuar vetëm te sinaksari, shën Joan Kukuzeli njihet si oshënar (murg), që murgëroi në Malin e Shenjtë, në Manastirin e Lavrës së Madhe, deri në fund të jetës së tij. Tradita e hirshme e Kishës Orthodhokse e rendit Joan Kukuzelin në radhët e oshënarëve që shkëlqyen në Malin e Shenjtë në Athos. Në ndërgjegjen e Kishës, ky fakt nuk diskutohet dhe as që vihet në dyshim16. Megjithëse në përmbajtjen e kodikëve të muzikës shën Joan Kukuzeli nuk për- mendet asnjëherë si oshënar- murg, por vetëm me emërtimet e lartpërmendura17, tradita e Kishës është ajo e cila plotëson dhe vërteton gojë më gojë nëpërmjet ndriçimit të Shpirtit të Shenjtë këtë të vërtetë historike, që është pjesë organike e ndërgjegjes së pagabueshme të Kishës gjatë gjithë historisë së njerëzimit.

     Dëshmia më e njohur për sa i përket një farë renditjeje të kom- pozitorëve që kanë lidhje me Kukuzelin na jepet nga lambadhari dhe mjeshtri Manuel Krisafi. Në manualin e tij teorik të vitit 1458, në kodikun nr. 1120, të manastirit të Ivironit, thuhet:  “Kompozitori i parë i shtëpive (οίκος) ishte Aneotis dhe i dyti  ishte  Glikis,  që imitoi Aneotin; pastaj i treti ishte i ashtuquajturi Ithikos, që ndoqi si mësues dy kompozitorët që parathamë dhe pas gjithë atyre, Joan Kukuzeli, që të gjithë thoshin se ishte me të vërtetë i madh”18. Profesor Stathis pohon se në të njëjtën periudhë kohore dëshmon dhe mësuesi i madh  bizantin i Artit Psaltik, Grigor Bunis Aliatis, në vitin 1437, duke thënë: “U kompozuan nga domestiku, zoti Mihail Aneoti; u kalopizuan19 nga kryepsalti, zoti Joan Glikis. Më pas u shkruan dhe prej mjeshtrit, zotit Joan Kukuzeli, në formë të shkurtuar dhe me përpikëri”.

     Joan Kukuzeli është me të vërtetë i madh në sferën e tij. Ai nuk është adhuruar thjesht nga simpatizantët e muzikës, por për të janë shkruar studime serioze, si dhe tri doktoratura nga informacionet e fundit. Por përsëri shumë elemente nuk janë pranuar unanimisht. Brenda këtij terreni ka pasur shumë mendime, sidomos për përcaktimin e epokës së Joan Kukuzelit. Por, duke u kthyer mbrapa në kohë, le të vëzhgojmë dëshmi të tjera që i referohen atij, për të bërë më të qartë kohën në të cilën ka jetuar. Sipas argumentimeve të profesor Grigor Stathis burimet përcaktuese të epokës së tij përqendrohen: Në  një  Papadhikë,  që daton nga gjysma e dytë e shek. XIV, në kodikun nr. 457 të manastirit të Kutlumusiut. Këtu referohet mjeshtri dhe zoti Joan Papadhopulos Kukuzeli me bashkënxënësin e tij, kryepsaltin Kseni Koronin, si dhe mësuesi i tyre i mrekullueshëm, kryepsalti Joani Glikis, që korrespondon me patriarkun Joan Glikis i 13të, (1315-1320). Ky i fundit së bashku me patriarkun Nikifor Ithikos kanë jetuar para Joan Kukuzelit.

 

  • Në një Stihirar (1341), në kodikun nr. 884, të Bibliotekës Ko- mbëtare të Greqisë (EBE). Në të vërehet se kodikografi Athanas shënon se ka kopjuar kodikun nga një kodik tjetër i korrigjuar. Këtu cilësohet Joan Kukuzeli si i vjetër, por jo se me të vërtetë ishte shumë i vjetër.
  • Në Papadhikën më të lashtë (1336), te kodiku nr. 2458, të Bi- bliotekës Kombëtare të Greqisë. Këtu Joan Kukuzeli cilësohet si mjeshtër dhe zotëri.
  • Në një Irmologjio (1332), te kodiku nr. 1257, i manastirit të Sinait. Këtu përmendet për herë të parë me titullin “mjeshtër”.
  • Në një Irmologjio (1309), te kodiku nr. 1256 i manastirit të Sinait. Në kodik shkruhet se u kopjua  prej  Irinit,  bija  e Theodhor Agjiopetritit, por në të vërtetë e ka firmosur vetë Joan Kukuzeli në f. 183r.
  • Në një Irmologjio (1302), te kodiku i Sinait nr. 491(121), i emër- tuar kodiku i Leningradit (Petërburgut)). Në të ekziston e njëjta firmë.

 

     Duke u bazuar pikërisht te këto të dhëna burimore, janë ngritur shumë mendime dhe nuk është rënë dakord nga të gjithë për sa i përket epokës në të cilën jetoi mjeshtri i madh Joan Kukuzeli. Kjo është një çështje shumë e ndërlikuar dhe do të bëhej akoma dhe më e ndërlikuar po të përmendja të gjitha mendimet në detaj. Fillimisht, do të përpiqem të prezantoj mendimin e muzikologut Stathis, i cili ka pasur përvojën më të madhe me këto dorëshkrime.

     Në Irmologjion e vitit 1309, në kodikun nr. 1256 të Sinait, ekzis- ton një kompozim i Kukuzelit, i quajtur “melodi e re” dhe në Ir- mologjion e vitit 1332, te kodiku nr. 1257 i Sinait ekzistojnë tre kompozime anonime. Këto kompozime janë tre vargje nga Haptoret dhe një varg nga Ps. 1 “Lum ai njeri”, në të cilat shfaqen për herë të parë tendencat e një forme të re kompozimi kalofonik. Joan Kukuzeli, që të shkruante Irmologjion e vitit 1302 në formën e re, duhet të kishte një moshë të pjekur dhe të ishte njohës i përsosur i Artit Psaltik. Në mënyrë logjike, mund të përcaktojmë lindjen e tij afërsisht në vitin 1270. Do të ishte për të e pamundur të jetonte në shekullin XII, sepse shkrimi muzikor deri më 1177 ishte i papërsosur, por as në gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vitet e para të shekullit XIII, kur Perandoria Bizantine ishte e pushtuar nga latinët dhe ishte pezulluar çdo aktivitet shpirtëror. Vetëm në fund të shek. XIII dhe fillimin e shek. XIV te dorëshkrimet evidentojmë melodi të reja kalofonike, të cilat janë gjithnjë anonime, përpunohen nga Kukuzeli dhe bashkëkohësit e tij dhe bëhen të njohura nga viti 1336 e tutje.

     Kalofonia ishte një praktikë e re këndimi, duke filluar me më- suesin e Joan Kukuzelit dhe duke e pasuar ai. Gjithashtu, Joani nuk mund të jetonte pas 1341-it, sepse nga dëshmitë e Sofron Efstriadhit20  që  pasojnë  dhe bashkëkohësit e tij, thuhet se ai ka jetuar në të njëjtën kohë me patrikët shën Filothe Kokino (jep dorëheqjen më 1376) dhe Mateut të parë (1396- 1410), madje dhe me të famshmin Joan Kladha (rreth 1400)21. Me këtë paraqitje të profesor Stathisit bien dakord shumica e muzikologëve grekë, por më shumë dhe ata të huaj.

     Ndërsa studiuesi Karas i përmbahet grupit tjetër, që e shpie Joan Kukuzelin dy shekuj më mbrapa se profesor Stathis. Për të, dy kanë qenë provat, që përcaktonin kohën kur jetoi Joan Kukuzeli: një irmologjio (1309), kodiku nr. 1256 i manastirit të Sinait, si dhe një Stihirario (1341), kodiku nr. 884 i Bibliotekës Kombëtare të Greqisë (EBE). Më pas përmend të gjithë kodikët që ka paraqitur më lart profesor Stathis. Ai pohon se kodiku i Sinait (1302) si dhe kodiku i EBE (1341) janë kopjime dhe jo autografë të Kukuzelit. Pra, nuk jepet informacion që ai të ketë jetuar në këtë kohë. Por dhe kodiku 2458 i EBE (1336), nuk vërteton praninë e  tij. Ky i fundit, por dhe kodikë të tjerë, të cilët edhe pse përmbajnë melodi papadhike dhe anagramatizma të Stihirarit janë sigurisht kopje nga kodikë të tjerë më të vjetër dhe jo të dorës së Kukuzelit. Madje dhe kodiku nr. 1256 i Sinait (1302), dhe ai i Leningradit 491, të shek. XIII, ka melodi papadhike të Kukuzelit dhe bashkëkohësve të tij. Gjithashtu dhe ky i fundit nuk është i shkruar me dorën e Kukuzelit, se dëshmon për Irmologjion si “vepër” dhe jo autograf i Joan Kukuzelit. Por, edhe në kodikun nr. 884 të EBE që përmban një Stihirar i vitit 1341, shkruesi Athanas Vurgos e quan Joanin të vjetër. Pra, shtrohet pyetja: Nëse Kukuzeli fillon veprimtarinë më 1270, 1302 dhe 1309 siç referohet te kodikët, si do të mund të quhej i vjetër më 1341? Madje fjala “i vjetër” për Kukuzelin nuk u përdor kot nga shkruesi i kodikut, sepse donte të bënte dallim me Kukuzelin22 “e tanishëm”, bashkëkohësit të tij, shek. XIV. Pra, nga gjithë ky përshkrim del në përfundimin se koha e Joan Kukuzelit konsiderohet gjysma e dytë e shek. XII.

     Gjithashtu edhe muzikologu shqiptar Ramadan Sokoli në pun- imin e tij mbi “Jan  Kukuzelin”, siç e quan, përcakton ditëlindjen e tij rreth viteve 1070-1075, të cilën e shikon si zgjidhjen e arsyeshme të kronologjisë23. Por do doja të theksoja se përcaktimi i parë nga professor Stathis është pranuar më shumë nga shumica e muzikologëve perëndimorë dhe lindorë, por përsëri nuk mund të flasim me siguri absolute. Të shpresojmë që me kalimin e kohës të dalin në pah elemente të reja.

     Për sa i përket vendlindjes së tij, nuk disponojmë asnjë të dhënë konkrete nga kodikët e muzikës, manualet teorike muzikore bizantine dhe pasbizantine, por vetëm nga kodiku nr. 46 (1550) i manastirit të Vlatadhonit. Në përgjithësi, pranohet se vendlindja e tij është qyteti ynë bregdetar i Durrësit24. Që prej vitit 1550 kur shkruhet biografia  e parë e shën Joan Kukuzelit, si dhe tek të gjithë shkrimtarët më pas, Durrësi i  Ilirisë  përmendet si atdheu i tij së bashku me emërtimin tjetër Justiniana e parë25. Por duhet theksuar se pothuajse gjithë gadishulli i Ballkanit e ka përvetësuar figurën e Joan Kukuzelit, duke e veshur me petkun e flamurit të tyre. Kjo konstatohet te bullgarët, grekët26, sllavët e Ballkanit, si dhe tek ne shqiptarët27. Ajo që mund të pohojmë me siguri, duke u bazuar te jetëshkrimi sipas manastirit të Vlatadhonit, është se Joan Kukuzeli ishte nga Durrësi dhe rrjedhimisht durrsak. Kjo gjë vërehet dhe nga respekti i madh që ka Shqipëria dhe veçanërisht Durrësi për këtë personalitet. Madje për nder të tij shkolla artistike në Durrës ka marrë emrin “Jan Kukuzeli”, fakt që tregon lidhjen e ngushtë të shenjtit me vendlindjen dhe atdhetarët e tij.

     Një element tjetër i rëndësishëm referimi kundrejt  figures së Mjeshtrit tonë, është episodi i vajtimit të nënës së tij, si dhe kompozimi i famshëm i vargut nga polielei, i ashtuquajtur “Bullgarja”. Nga përshkrimi i jetëshkrimit, vajtimi i nënës së Joan Kukuzelit ishte shkaku dhe frymëzimi i krijimit të pjesës së famshme me emrin “Bullgarja”. “Bullgarja” nuk është gjë tjetër veçse një varg kalofonik – “Dhe kujtimi yt brez pas brezi”, i shkëputur prej polieleit “Shërbëtorë Zotin”. Mbi këtë kompozim është ngritur një mal i madh debatesh nga pretendimet e muzikologëve bizantinë. Studiuesit bullgarë janë të parët në listë, të cilët bazuar thjesht te jeta e sinaksarit (e përpiluar nga traditat e gojëdhënat e kohës në të cilën ka jetuar autori), u përpoqën të bullgarizojnë mjeshtrin Joan Kukuzeli, duke ndikuar shumë opinionin dhe duke ndryshuar rrjedhën historike të kombësisë  së Kukuzelit. Prova e vetme që përdorin është vargu i polieleit me emrin “Bullgarja” (që për ta i është dedikuar nënës së tij bullgare), i shkruar sipas tyre në sllavishten e vjetër28.

    Por studiuesit e tjerë29 kanë vërtetuar të kundërtën, duke u bazuar te dorëshkrimet dhe jo hamendësitë. Por le të vërejmë frytet e kërkimit. Së pari, në dorëshkrimet e shek. XIV ky kompozim nuk i atribuohet fare Joan Kukuzelit, por absolutisht mësuesit të tij Joan Glikis, pa emërtimin “bullgarja”30. Së dyti, në dorëshkrimet e shek. XV i atribuohet përsëri Joan Glikisit, me emërtimin “bullgarja”, por dhe thjesht “bullgarja” pa emrin e autorit31. Së treti, në shek. XVI mbetet po kjo situatë, duke iu atribuuar kryepsaltit Joan Glikis, me emërtimin “bullgarja”32.  Gjithashtu,  duhet theksuar se gjatë shekujve XIV-XVI vërehet një paqëndrueshmëri, si dhe një rast tjetër me një varg psalmi, “Sionin, mbretin e Amorenjve”, të quajtur “bullgarja”, kompozuar nga Joan Gliqeoti i Disikut33 që është pothuajse e njëjta  melodi. Së katërti, madje në mënyrë sporadike konstatohet se i atribuohet dhe Joan Kladhasë lambadarit34. Por nëse bëjmë një krahasim paralel të gjithë këtyre variacioneve me tituj të ndryshëm, vërehet identifikimi dhe njësimi i tyre muzikor nga fillimi deri në fund.

     Një konstatim tjetër është dhe fakti se nga mesi i shek. XVI shfaqet tradita dorëshkrimore e jetës së mjeshtrit Joan Kukuzeli, e cila riprodhohet në vazhdim nga një numër i madh kodikësh35. Kjo bëri, siç e përmendëm më lart, që të influencojë traditën dorëshkrimore dhe të krijojë një paqartësi te kodikografët për sa i përket identitetit të vargut psalmik, duke i dhënë autorësinë jo një kompozitori, por më e çuditshmja dy melurgëve, Joan Glikisit si dhe Joan Kukuzelit, në këtë formë: “E quajtura bullgarja, krijim i zotit Joan Glikis, të tjerë thonë e mjeshtrit Joan Kukuzeli; tingulli i parë, Dhe kujtimi yt brez pas brezi36”. Ky fakt tregon se periudha nga shek. XVII deri në mesin e shek. XVIII është e mbushur plot me dyshime dhe paqartësi. Por, në tridhjetë vitet e fundit të shek. XVII botimet, opinioni, të qenit shenjt i kishës, si dhe duke qenë shumë i dashur ndër murgjit, arrihet që në dëm të kompozitorit të vërtetë të vargut Joan Glikis t’i atribuohet vetëm nxënësit të tij Joan Kukuzeli37. Duke krahasuar përsëri paralelisht këto raste, do të konstatojmë se ekziston vija e njëjtë melodike pa ndryshime, e cila realisht i përket krijuesit të saj, kryepsaltit dhe mësuesit të Joan Kukuzelit, Joan Glikis.

    Nëse Joan Kukuzeli do ta kishte shkruar vërtet atë pjesë muzikore dhe do të ishte bullgar në kombësi, atëherë kur ka shkruar kratimën “tatariku” apo “persikja” apo “frëngia” i bie që të ketë qenë me kombësi tatar, pers apo frëng. Por në fakt ai është aq bullgar sa shkroi vargun “bullgarja”, po aq anglez, francez apo italian sa ishte Bahu që shkroi suita angleze e franceze dhe koncert italian. Por nëse Kukuzeli do të ishte realisht bullgar, a nuk do të shkruante një kodik në bullgarisht, kushtuar patriotëve të  tij? Nga konstatimet e kodikëve nuk ekziston deri në shek. XVI ndonjë kodik i plotë me muzikë bullgare. Por dhe vetë polielei i ashtuquajtur “bullgarja” nuk përmban asnjë fjalë e asnjë shkronjë në bullgarisht apo sllavonisht. Madje oshënari Joan Kukuzeli, në  bazë  të  traditës nuk shkoi të murgërojë në manastirin serb apo bullgar, por në Lavrën e Madhe. Nga gjysma e dytë e shek. XIV dhe më pas në dorëshkrimet e kësaj periudhe ndeshemi me këta terma: “bullgarja”, “bullgarica”, “i quajtur bullgar”, “bullgar dhe perëndimor”, “quhet bullgare dhe frënge” etj. Deri në shek. XV këto emërtime iu referohen gjashtë melurgëve të tjerë bizantinë përveç Joan Kukuzelit, siç përmendëm më sipër. Gjithashtu, mendohet se emri “bullgarja”, së pari, rrjedh prej fjalës latine vulgus, që nënkupton populloren, laiken, së dyti, mund të jetë një emër shpendi siç ishte zakon të emërtonin shumë pjesë muzikore, së treti mund t’i referohet një vegle muzikore pikërisht një fyelli të dyfishtë me iso (gurguri, Vurgara apo gorgara), por dhe disa veglave të tjera muzikore.

     Një aspekt tjetër i rëndësishëm i jetëshkrimit është largimi i tij prej vendlindjes drejt Konstandinopojës, kryeqytetit të Perandorisë Bizantine. Por përsëri kjo faqe e jetës së tij mbetet e errët, pa pasur një dritë orientimi apo një pishtar vezullues ku nuk shpaloset qëllimi i largimit, as veprimtaria e tij arsimore në pallatet perandorake dhe shkollat mbretërore. Pothuajse gjithë biografët, duke pasur dëshirën e mirë për të sqaruar gjërat, si dhe duke ditur ose jo mungesën e një fakti të dokumentuar spekulojnë dhe hedhim hipoteza të shumta, duke e bërë më tërheqëse jetën e Joan Kukuzelit. Studiuesit tanë shqiptarë mendojnë se largimi i Joan Kukuzelit përkon me emigrimin e shumë shqiptarëve të Ballkanit Jugor, drejt territoreve të Greqisë e më gjerë, që njihet si zbritja e arvanitasve. Por cili ishe aktiviteti i tij në Konstandinopojë?

     Duke ndjekur gjurmët e Traditës informohemi se Joan Kukuzeli studioi në shkolla mbretërore. Atje u arsimua, duke arritur të bëhej gjigant i muzikës bizantine, “Mësues i mësuesve” dhe Mjeshtër i Madh i Artit Psaltik. Për sa i përket shkollës ku ka studiuar, parashtrohen hipoteza, të cilat arrijnë deri në atë pikë saqë përcaktojnë Joan Kukuzelin në postin e drejtorit të Shkollës së Lartë Mbretërore të quajtur “Pandidaktirion”, e cila ndodhej te kisha e Apostujve të Shenjtë38.

     Madje, në Konstandinopojë pra në Kishës së Shën Sofisë (Urtësia e Perëndisë) ka qenë strehuar dhe një shkollë muzike kishtare në dallim me shkollën e lartë (universitetin) pranë Kishës së Apostujve të shenjtë. Por këto të dhëna nuk mund të përcaktojnë me siguri se Mjeshtri ynë ka studiuar dhe ka dhënë mësim atje për shkak të mungesës së materialit burimor.

      Përsëri, duke u mbështetur te tradita, jeta e tij ndryshon drejt një rrugëtimi të ri. Ai vendos të largohet nga jeta metropolitane dhe të ndjekë jetën engjëllore, te bashkësitë murgërore në Malin e Shenjtë, pikërisht në manastirin e Lavrës së Madhe, ku mes peripecish të shumta i bashkohet atij komuniteti vëllazëror. Fillimisht, kryen funksionin e bariut të përulur që kullot grigjën në  fushat  me bar dhe më pas lartësohet në shërbimin që i takon një mjeshtri po aq të përulur, duke predikuar fjalën e Perëndisë me zërin e tij, në fushën e muzikës, plot me “himne dhe këngë shpirtërore”. Himne që i këndoi deri në fund të jetës së tij në manastir, himne që kanë lënë ende jehonën të kumbojë në zemrat e atyre që e dëgjojnë dhe që nderojnë figurën e shenjtë të gjeniut të heshtur Joan Kukukuzelit, mjeshtrit të madh të muzikës bizantine, krenaria, “gëzimi dhe kurora”39 jonë.

 


 

  1. Dimitri E. Conomos, “The treatise of Manuel Chrysaphes the Lampadarios: On the theory of the Art of Chanting and on Certain Erroneoys Views That some Hold About it (Mount Athos, Iviron Monastery Ms 1120 [July, 1458])”, Monumenta Mu- sicae Byzantinae – Corpus Scriptorium de Re Musica II, Wien 1985, fq. 42. [Në vazhdim: Dimitri E. Conomos, The treatise of Manuel Chrysaphes].
  1. Tradita më e vjetër e jetëshkrimit të tij gjendet te kodiku nr.46, (1550), në manasti- rin e Vlatadhonit, në Selanik shkruar nga një autor i panjohur, jo shumë i arsimuar, dhe me prejardhje sllave. Ai mblodhi të gjitha traditat e gojëdhënat që ekzistonin në kohën e tij dhe krijoi një amalgamë episodesh. Ky jetëshkrim ka shumë elemente të errëta që duhen parë nga filologë dhe historianë. Versioni më i përdorur në kishë sot është ky: Βίκτωρος Ματθαίου, Ο Μέγας Συναξαριστής της Ορθοδόξου Εκκλησίας, τόμ. Ι, Αθήνα2 1964, fq.20-24.
  1. Por në fakt fjala kukia (κουκιά) është fjalë që ka kuptim vetëm në greqisht, d.m.th. bathë.
  1. Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης καὶ ἡ ἐποχὴ τοῦ, Ἀθῆναι 1992, Αθήναι 1992, fq. 63 [Në vazhdim: Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης]; ]]Γρηγορίου Θ. Στάθη, “Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος ο Κουκουζέλης (1270 περίπου – α΄ ήμισυ του ιδ΄ αιώνος) – Η ζωή και το έργο του”, Εφημέριος 34 (1986), τομ. 12-14 [Në vazhdim: Γρηγορίου Θ. Στάθη, Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος. Grigor Domestiku nuk referohet nga të gjithë muzikologët me mbiemrin Kukuzeli, por vetëm prej: Γεωργίου Ι.Παπαδόπουλου, Ιστορική επισκόπησις της βυζαντινής εκκλησιαστικής μουσικής από των αποστολικών χρόνων μέχρι των καθ’ ημάς (1-1900 μ.Χ.), Κατερίνη2 1900, fq. 137-141. Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης, fq. 40, 45; Κ. Α. Ψάχος, Η παρασημαντική της βυζαντινής μουσικής, Αθήνα 1978, fq. 38.
  1. Γεωργίου Ι. Παπαδόπουλου, Λεξικόν της βυζαντινής μουσικής, Αθήνα3 1995, fq. 132-134.
  1. Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης, fq.40.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Τὰ χειρόγραφα βυζαντινῆς μουσικῆς – Ἅγιον Ὅρος. Κατάλογος περιγραφικὸς τῶν χειρόγραφων κωδίκων βυζαντινῆς μουσικῆς, τῶν ἀποκειμένων ἐν ταῖς βιβλιοθήκαις τῶν ἱερῶν μονῶν καὶ σκητῶν τοῦ Ἁγίου Ὅρους, τομ. 3, Ἀθῆναι 1993, fq. 354.
  1. Κ. Α. Ψάχος, Η παρασημαντική της βυζαντινής μουσικής, Αθήνα 1978, fq. 37.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος; Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης, fq. 9; Κωνσταντίνου Καραγκούνη, Η παράδοση και εξήγηση του μέλους των Χερουβικών της βυζαντινής και μεταβυζαντινής μελοποΐας, Αθήνα 2003, fq. 198; Γρ. Γ. Αναστασίου, Τα κρατήματα στην Ψαλτική Τέχνη, Αθήνα 2005, fq. 259.
  2.  Z. Stathisnë veçanti është marrë me katalogimin e përmbajtjes së kodikëve (me të cilin kam pasur nderin të kem qenë shumë herë me të), kurse të dy kanë pasur rastin të kënë shfletuar kodikët një për një me duart e tyre, si dhe të nxjerrin në pah informacione të reja burimore.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος; Nga thesari i shenj- torëve, bot. KOASH, Tiranë 2004, fq. 306.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος.
  1. Termi “mjeshtër” e ka prejardhjen prej latinishtes “magister”.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Οι αναγραμματισμοί και τα μαθήματα της βυζαντινής μουσικής, Αθήνα6 2006, fq. 29.
  1. Αββακούμ, μοναχός, Όσιος Ιωάννης Κουκουζέλης – η εποχή του και η εποχή μας,

          Θεσσαλονίκη 1999, fq. 15.

  1. Madje vetë Kukuzeli në kodikët autografë të tij nuk firmos si oshënar, por si mje- shtër Joan Papadhopulos Kukuzelis.
  1. Dimitri E. Conomos, The treatise of Manuel Chrysaphes, fq. 44.
  1. Καλλωπισμός – zhvillimi artistik i një melodie të vjetër, adoptuar nga një kompozi- tor i ri që e përpunon, zbukuron dhe zgjeron melodinë e mëparshme me mjeshtëri. Kalopizmat kryesisht bënë bujë nga mezi i shek. të XVII.
  1. Σωφρονίου Εὐστρατιάδου, «Ἰωάννης Κουκουζέλης ὁ μαΐστωρ καὶ ὁ χρόνος τῆς ἀκμῆς αὐτοῦ», ΕΕΒΣ 14, Ἀθῆναι 1936, fq. 3-86.
  1. Γρηγορίου Θ. Στάθη, Ο Μαϊστωρ Ιωάννης Παπαδόπουλος.
  1. Bëhet fjalë për Grigor Kukuzelin Domestikun.
  1. Ramadan Sokoli, Figura të ndritura, Tiranë 1963, fq. 5.
  1. Lorenzo Tardo, L’ antika melurgia bizantina. Nell’ interpretazione della scuola manastica di Grottaferrata, Grottaferrata MCMXXXVIII [1938], fq. 70.
  1. Këtu qëndron gjithë problemi, se cili qytet përbën Justinianën e parë, që për më të shumtët është Durrësi, por për të tjerë përmendet Ohri ose Shkupi.
  1. Muzikologët bullgarë e justifikojnë këtë fakt duke bullgarizuar nënën e tij, duke e mitizuar, si dhe duke përdorur si fakt polielein të quajtur “Bullgarja”.
  1. Ramadan Sokoli, Figura të ndritura, Tiranë 1963, fq. 3,4; Sokol Shupo, Shkrimi muzikor dhe sistemi modal në muzikën bizantine, Tiranë 1997, fq. 4, 56-71.
  1. P. Sarafov, Manuel d’études pratiques et théoriques de la musique religieuse orientale, Sofia 1912, fq.184-203; P. Dinev, Duchovni muzikalni tvorbi na sv. Joan Kukuzel, Sofia 1938; Miloš Velimiroviæ, “The ‘Bullgarian’ musical pieces in byzantine musical manuscripts”, Report of the eleventh Congress Copenhagen II, Copenhagen 1972, fq. 790-791; R. Palikarova-Verdeil, La musique byzantine chez les Bulgares et les Russes ( du IXe au XIVe siècle), fq. 204-210.
  1.  Αχιλλέως Γ. Χαλδαιάκη, Ο Πολυέλεος στην βυζαντινή και μεταβυζαντινή μελοποιΐα, Αθήνα 2003, fq. 134-140, 720-747.
  1.  Kodikët e Bibliotekës Kombëtare të Greqisë nr. 889 (EBE 889) (fundi i shek.

           XIV) fl. 71r, nr. 2456 (shek. XIV), fl. 47r.

 

  1. Kodikët e Bibliotekës Kombëtare të Greqisë nr. 2406 (EBE 2406), i vitit 1453, fl. 101v; nr. 906 (EBE 906), fl. 72v.
  1. Kodiku Iviron 1223, i fundit të shek. XVI, fl. 75r.
  1. Kodiku i Bibliotekës Kombëtare të Greqisë nr. 928 (EBE 928), shek. XV, fl. 6r, 19r.
  1. Kodiku i Bibliotekës Kombëtare të Greqisë nr. 2401 (EBE 240), i shek. XV, fl. 108v.
  1. Edward V. Williams, A byzantine Ars Nova: The 14th-century reforms of John Koukouzeles in the chating of Great Vespers, Paris, 1972, fq. 211.
  1. Kodiku Iviron 951, fl. 30v prej autografit të Gjermanit Neon Patron nga një ri- shkrim i dhjetëvjeçarit 1670-1680, por përmendet dhe tek kodikë të tjerë të mëvonshëm.
  1. Kodiku Iviron 1250, fl. 96v, prej kodikut të rishkruar autograf të Balash priftit, i vitit 1670.
  1.  Σίμωνος Καρᾶ, Ἰωάννης μαΐστωρ ὁ Κουκουζέλης, fq. 35.
  1.  Fil. 4,1