25 vjet shërbim kryepriftëror, me përkushtim ndaj Zotit dhe njeriut

 

    24 Qershori i vitit 2017 është një ditë festive për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse që nga data historike e 24 Qershorit 1992 u mbush një çerek shekulli, që të krishterët orthodhoksë udhëhiqen me përkushtim atëror, me vizion dhe hir apostolik nga Fortlumturia e tij Kryepiskopi Anastas. Ky përvjetor plot suksese, vërteton katërcipërisht se përzgjedhja e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike me propozimin e Patriarkut Ekumenik Vartholomeu I, që ekzarku patriarkal, të zgjidhet me vota unanime si Kryepiskopi Kanonik i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, ky një fakt i kryer kishtar, i mirëpritur nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, ishte vendimi më i drejtë dhe i mundshëm që u mor i kushtëzuar nga rrethanat ku ndodhej kisha, kleri dhe populli orthodhoks në Shqipëri mbas atij regjimi ateist, më totalitar në të gjitha vendet e ish-kampit komunist.

    Fortlumturia e Tij, përpara se të merrte këtë detyrë, kishte shërbyer në Kishën Orthodhokse si dhjak (1960), prift (1964), pastaj Episkop i Andrusës (1972), Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë dhe Mëkëmbës i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore, në Kenia, Tanzani, Uganda (1964,1981-1990), duke çelur rrugën për rigjallërimin e Hierapostolisë Orthodhokse në botë, profesor i Historisë së Feve në Universitetin Kombëtar Kapodistrian të Athinës, si Dekan i Fakultetit të Teologjisë, i zgjedhur në shumë poste të rëndësishme të organizma fetarë mbarëbotërorë, autor i dhjetëra monografive shkencore dhe i mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike ose fetarologjike të përkthyera në 12 gjuhë të huaja, ligjërues i spikatur në shumë tribuna ndërkombëtare në lidhje me dëshminë e sotme të krishterë të dialogut ndërfetar, solidaritetin dhe paqen botërore, i mbushur me dhuntitë e hirit të Shpirtit të Shenjtë. Kjo përzgjedhje nuk ishte thjesht nga vullneti njerëzor, por nga vullneti i Kryepriftit të Madh, Zotit Jisu Krisht, që u tha nxënësve të tij apostuj: “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju” (Jn.15:16) dhe i urdhëroi: “Shkoni nëpër gjithë botën, edhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën” (Mk. 16:15).

    Kryepiskopi Anastas, si një apostull i ri, duke imituar dhe ecur në gjurmët e apostullit të madh të kombeve, Pavlit, që tha për vete: “me fuqi shenjash e çudish, me fuqi të Frymës së Perëndisë, kaq sa që nga Jerusalemi e përqark e deri në Ilirik e kam mbushur me ungjillin e Krishtit” (Rom. 15:19), edhe Anastasi, mbasi predikoi Ungjillin e Krishtit në Evropë, në Afrikë, më në fund providenca Hyjnore e drejtoi në Shqipërinë postateiste, më 17 korrik 1991, si Ekzark Patriarkal. Ai thotë në kujtimet e tij: “Gjatë udhëtimeve për një vit në mbarë Shqipërinë, konstatova shkretimin e frikshëm dhe shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse të shkatërruar nga persekutimi i egër, por njëkohësisht edhe farat e besimit orthodhoks që kishin qëndruar të fshehur në mijëra shpirtra, duke pritur kushtet e përshtatshme për t’u zhvilluar përsëri”.

    Pavarësisht nga ngurrimi i tij njerëzor për të mos guxuar të ngrinte këtë kryq kaq të rëndë, i të qenit Kryepiskopi i një Kishe inekzistente dhe mendimit të shumë njerëzve skeptikë për ringjalljen e Kishës në Shqipëri, ai, mbas shumë lutjesh, bëri bindje në fjalët e Zotit: “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje” (Llk. 9:23) dhe që nga ai moment ecën pa ndalur në këtë rrugë përkushtimi dhe sakrifice për 25 vjet.

    Shumë mund të flasin për besimin te Zoti, por për Kryepiskopin Anastas janë të përshtatshme fjalët që thotë apostull Jakovi: “Po do të thotë ndonjë: Ti ke besim, e unë kam vepra. Tregomë besimin tënd nga veprat e tua, edhe unë do të të tregoj besimin tim nga veprat e mia” (Jak. 2:18).

 

    Kjo vepër 25-vjeçare shumëdimensionale ia vlen të kujtohet me një retrospektivë të shkurtër në këtë përvjetor.

     1. Në dimensionin kishtar, me përkujdesjen e tij kryepriftërore, nga 12 priftërinj dhe 3 dhjakë të moshuar dhe të sëmurë, të mbetur gjallë nga diktatura ateiste komuniste, sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka mbi 150 klerikë me nënshtetësi shqiptare të të gjitha gradave, me arsim të lartë, të studiuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, Durrës. Sot Sinodi i Shenjtë i Kishës ka në përbërjen e tij prej 8 anëtarësh, 3 mitropolitë: i Korçës, i Elbasanit, i Apollonisë (Fierit); dhe një episkop titullar: i Bylisit, të cilët janë me origjinë dhe nënshtetësi shqiptare, po ashtu edhe sekretari i sinodit. Sot janë në funksion 460 enori orthodhokse në qytete dhe në fshatra, ku zhvillohen veprimtari liturgjike dhe ku i predikohet popullit fjala e Ungjillit, për të dashur Zotin, të afërmin dhe vendin.

     2. Në dimensionin ndërtues, janë riparuar 160 kisha dhe janë ndërtuar 150 kisha të reja, janë ndërtuar 5 kisha katedrale, ku spikat katedralja “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës edhe si një aset i ri turistik. Janë blerë dhe rikonstruktuar 70 objekte për kopshte, shkolla, qendra rinore, selitë Mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit, të gjitha këto bëjnë 250 objekte. Funksionojnë 50 qendra rinore, në qytete e fshatra ku edukohet rinia me vlerat e larta morale.

     3. Në dimensionin human, dallohen Qendra Diagnostike me 23 specialistë me shërbime bashkëkohore mjekësore, si dhe Qendra Diagnostike Okulistike ORL, ku bëjnë analiza dhe vizita mjekësore shtetas shqiptarë pa dallim fetar. Qendra të kujdesit parësor shëndetësor funksionojnë në Kavajë, Korçë, Jorgucat (Gjirokastër) dhe Lushnjë. Nuk duhet të lihet pa u përmendur ndihma humanitare në shpërndarjen e mijëra tonëve ushqime, veshmbathje dhe ilaçe, që Kisha Orthodhokse, në përkujdesjen e Kryepiskopit, ka dhënë gjatë krizave të ndryshme të vendit më 1992, 1994, 1997. Ndihmën që iu dha 33.000 refugjatëve nga Kosova me fonde të mbledhura nga Kisha të vendeve të ndryshme. Në vitin 2008, u ndanë ndihma humanitare për të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit, më 2015 për familjet e dëmtuara nga përmbytjet.

   4. Në dimensionin arsimor, janë ndërtuar dhe funksionojnë 21 kopshte në 19 qytete, Shtëpia e Fëmijës “Shpresa”, Shën Vlash, Durrës; Shkolla 9-vjeçare “Protagonistët”, Tiranë dhe Durrës; Shkolla 9-vjeçare Shqiptaro-Greke “Frymë Dashurie”, Gjirokastër; dhe 5 shkolla të mesme: “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër dhe Sukth; Kolegji “Platon”, Korçë; Kompleksi Arsimor Shqiptaro-Amerikan “Protagonistët”, Tiranë; Kolegji “Frymë Dashurie”, pranë Kishës “Apostull Pavli”, Mesopotam; Shkolla e Muzikës Bizantine, Tiranë; Konvikti i Shkollës së Mesme, Bularat; Kolegji Universitar “Logos”, Tiranë.

   5. Në dimensionin kulturor, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë restauruar 600 ikona me vlera të rralla artistike, janë restauruar 60 kisha e manastire,  monumente kulture me një vlerë mbi 11 milionë euro.

    6. Në dimensionin ekonomik, në Kishën Orthodhokse janë punësuar më shumë se 800 punëtorë të siguruar.

    7. Së fundi, me fonde të mbledhura nga Kryepiskopi, u ndërtua Hidrocentrali “Rapun 3 & 4” në Librazhd, vepër e madhe hidroenergjetike, ndihmë për ekonominë dhe për vazhdimësinë e veprës ndërtuese të Kishës, por edhe aset ekonomik për vendin.

    E gjithë kjo vepër që duket si maja e një ajsbergu, është e pamundur të përshkruhet, sepse pjesa e saj më e madhe, por e padukshme, është puna shpirtërore që Kisha Orthodhokse e Shqipërisë bën prej 25 vjetësh me njerëzit, duke ringjallur shpresën e humbur për jetën, duke riformuar karaktere të prishura nga egoizmi, lakmia, urrejtja, kotësia, duke shëruar plagët e mëkatit, duke e ngritur njeriun në maja marramendëse në ngjashmëri me Krishtin, në bir Perëndie.

    Kjo statistikë nuk është një propagandë elektorale, por një vepër reale me themele të forta, që do të mbetet përjetë në të mirë të besimtarëve dhe të vendit.

    Kur i shikon të gjitha këto, të duket se kështu ka qenë gjithmonë, por nuk ka qenë kështu, madje për Kryepiskopin, që mban peshën dhe kontributin më të madh, ka qenë një udhëtim i lodhshëm, si një rrugë kalvari duke mbajtur çdo ditë kryqin. Për këtë rrugë kryqi ai ishte informuar nga vetë providenca hyjnore. Në kujtimet e tij thotë se: “sipas traditës së Kishës, në Patriarkanën Ekumenike, kur dikush merr detyrë episkopale, ai e hap Ungjillin rastësisht dhe faqja që lexohet merret si një njoftim i Perëndisë”. Dhe Kryepiskopit Anastas i ra për të lexuar në faqen që flet për kryqëzimin e Krishtit dhe që lexohet të Premten e Madhe në kishë. Prandaj froni kryepiskopal në të cilin ai u ul, “nuk ishte një fron kryepiskopal për t’u ngjitur, por vetëm një stol i thyer, plot me gozhdë, që e kishte lënë persekutimi ateist”, thotë ai.

    Qëndrimi i tij plot fisnikëri dhe durim përballë sulmeve të pandërprera gjatë këtyre viteve, që i janë bërë atij si Kryepiskopi kanonik i popullit orthodhoks, me shpifje, intriga, fyerje, denigrim, nga armiq me urrejtje të pashkak, si: ateistë, nacionalistë paranojakë, kundërshtarë të Krishterimit, shtetarë të keqpërdorur, që nuk i dhanë deri më sot nënshtetësinë shqiptare, ashtu siç e kanë marrë shumë të tjerë të huaj me kontribut modest për Shqipërinë dhe shqiptarët, po ashtu nga njerëz naivë të painformuar, të mahnit!

    Por të gjitha këto sulme dashakeqe ai i duroi dhe i duron duke zbatuar porosinë e Krishtit: “Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, edhe lutuni për ata që ju bëjnë keq e ju përndjekin ju” (Matth. 5:44). Shprehjet e tij kanë mbetur lapidare, si p.sh.: “me gurët që na qëllojnë, ne ndërtojmë kisha”. Shumë “dashamirës” bëjnë çudi si ky njeri qëndron akoma në këmbë, por forca e Kryepiskopit, me gjallëri rinore, qëndron në fuqinë e Krishtit, si apostull Pavli thotë: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13). “Prandaj kënaqem në dobësira, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në shtrëngime, për Krishtin, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm” (II Kor. 12:10).

    Nuk mjafton vetëm durimi për të udhëhequr një kishë, por duhen siguruar fonde për të gjitha këto vepra ndërtuese të domosdoshme për mbarëvajtjen normale të institucionit kishtar. Fondet për këtë ringjallje shumëdimensionale të Kishës janë siguruar nga Kryepiskopi së bashku me shumë miq dhe dashamirës për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i përgjigjen lutjes së tij për mbështetje ekonomike dhe ndërtimin e këtyre veprave jo vetëm me karakter kishtar, por edhe publik, ai thotë: “jam kthyer në një lypës ndërkombëtar”.

    Por, mbas kryqit, ka ngjallje dhe triumf. Në këtë 25-vjetor Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të festojë me triumf, sepse është vërtet një Kishë e ringjallur me të drejta të barabarta me Kishat Orthodhokse simotra në të gjithë botën, me një zë të fortë konstruktiv dhe vendimmarrës, për përballimin e vështirësive të të krishterëve dhe njerëzve në këtë botë të trazuar me probleme globale, një faktor i rëndësishëm dhe frymëzues me ndikim për harmoninë fetare në vend dhe në botë, një ngushëllim dhe përkrahje sociale për ata që janë në nevojë dhe të lënë mënjanë nga shoqëria, një “ambasadore” e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në organizma evropianë dhe ndërkombëtarë ku Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është e pranishme dhe me rol drejtues, një faktor paqeje në rajon.

    E gjitha kjo ringjallje e Kishës korrespondon dhe me emrin Anastas të Kryepiskopit, që në shqip përkthehet ngjallje. Por Kryepiskopi Anastas, edhe pse është i ndërgjegjshëm se është munduar më shumë se gjithë të tjerët, me përulësi thotë: “Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; edhe hiri i atij që është tek unë nuk u bë i kotë,… jo unë, por hiri i Perëndisë që është bashkë me mua” (I Kor. 15:10), duke e nxitur popullin orthodhoks të besojë dhe të pohojë se “Zoti është me ne, dhe ne me Zotin”.

    Në këtë përvjetor panegjirik për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, urimi i Sinodit, i gjithë të krishterëve, klerikë, laikë dhe dashamirësve të veprës së tij në Zotin, është i bashkuar njëzëri: “Për shumë vjet, o Kryezot!”. Sepse, sa më shumë të rrojë ky njeri i Perëndisë, mbushur me dashuri për Zotin dhe të afërmin, aq më shumë do të mendojë dhe do të realizojë vepra më të mëdha për lavdinë e Zotit, në dobi të Kishës, në shërbim të njerëzve edhe të vendit tonë.

 

Nga Miron Çako