Në datën 23 prill 2019, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga Kryetari i tij, H. Bujar Spahiu. Kryepiskopi shoqërohej nga Episkopi i Bylisit, Asti.

Temë e bashkëbisedimit ndërmjet tyre ishte angazhimi i vazhdueshëm ndërmjet komuniteteve fetare të Shqipërisë që gjuhës konfliktuale dhe situatave armiqësore në të cilat bota jeton sot, t’i përgjigjen me një model të vërtetë bashkëjetese, model i trashëguar brez pas brezi, që nga prijësit e parë fetarë të vendit.

Më tej, Kryepiskopi Anastas e uroi H. Bujar Spahiun me rastin e zgjedhjes së tij në krye të KMSH dhe i uroi punë të mbarë.

H. Bujar Spahiu, pasi e falënderoi për urimet dhe vizitën, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm të institucioneve fetare në vend në promovimin e vlerave kulturore, sociale dhe atdhedashëse në shoqërinë tonë dhe shprehu gatishmërinë për ta vazhduar më tej këtë traditë.