Të shtunën, më 2 mars 2019, gjatë Mbledhjes Festive të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (European Academy of Sciences and Arts) në Salcburg- Austri, që u realizua në sallën e ceremonive të Universitetit të qytetit, me pjesëmarrjen e qindra shkencëtarëve dhe artistëve nga mbarë bota, u bë shpallja zyrtare e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasit në Senator Nderi (Honorary Senator), që është shkalla më e lartë e kësaj Akademie, si edhe pranimi i anëtarëve të rinj.
      Propozimi fillestar u parashtrua nga anëtarët e Akademisë së Tiranës, kryetari i saj prof. G. Beqiraj dhe prof. A. Angjeli dhe u pranua me unanimitet nga organet kompetente të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. Siç është e njohur, Kryepiskopi Anastas, është Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës dhe është shpallur Doktor Nderi i Theologjisë dhe i Filozofisë i 19 Universiteteve ose Fakulteteve dhe Departamenteve (Greqi, SH.B.A, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali).