Kur spiritualiteti i adhurimit të krishterë, lihet mënjanë, ekziston gjithnjë rreziku i dobësimit dhe i degradimit të adhurimit në formalizëm.

    Spiritualiteti orthodhoks ka si karakteristikë bazë karakterin liturgjik. Megjithatë, problem themelor mbetet mënyra se si do të përcillet karakteri i tij liturgjik në jetën e përditshme të besimtarëve; se si do të ngrihet ura lidhëse midis përjetimit adhurues dhe jetës shoqërore.

    Tradita dhe teologjia orthodhokse kërkon nga çdo besimtar që të vazhdojë, pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore në tempull (kishë), një tjetër “liturgji” personale, e cila e bën të pranishëm mistikisht Krishtin në realitetin e ashpër të jetës dhe punës së përditshme. Kështu, adhurimi bëhet pjesë e jetës, e ndriçon atë fuqishëm me dritën e tij shpresëdhënëse, dhe zbulon kuptimin dhe “fundin” eskatologjik të ekzistencës njerëzore.

 

 

* * *

 

    Gjëja e parë që duhet të bëjnë të krishterët është “të jenë bashkë me Krishtin”. Të gjenden vazhdimisht në marrëdhënie të gjallë me Të. Krishti, pak përpara flijimit të Tij në kryq, për ta siguruar këtë shoqëri të qëndrueshme edhe në të ardhmen, u besoi apostujve misterin e Eukaristisë Hyjnore; dhe më vonë, përpara se t’i dërgonte të “mësojnë” kombet, u besoi dhuratën e Shpirtit të Shenjtë.

    Pikërisht, kjo përvojë apostolike e njohjes së personit të Krishtit dhe e “shoqërisë” me Të mbetet përjetimi i gjallë brenda Kishës dhe fuqia dinamike transformuese brenda botës, sepse Kisha e ngre jetën njerëzore në mënyrë sakramentale si ofertë dhe flijim për Perëndinë.

    Përvoja adhuruese e Orthodhoksisë ka dimensione të drejtpërdrejta miqësie, shërbimi, dëshmie dhe misioni. Ajo e çliron besimtarin nga kuadratet e ngushta të ideve, të pasioneve, të egoizmit të tij mbytës, të kufizimeve etj… E bashkon me Krishtin dhe me të gjithë Kishën e besimtarëve të të gjitha kohërave e të të gjitha vendeve, me të gjithë ata që jetuan dhe fituan, me të gjithë ata që jetojnë tani, me të gjithë ata që do të jetojnë në të ardhmen, domethënë me të gjithë ata që Ai “që është, që ishte dhe që vjen” përfshin në dashurinë e Tij. E çon në shoqëri dashurie me ta, duke fuqizuar ndjesinë e unitetit me të gjithë njerëzit. E transformon në anëtar të gjallë të Trupit të Tij, të gatshëm për ta parë botën dhe për të vepruar si Ai. Ajo që përjetohet në adhurim duhet të gjejë shprehjen e saj në jetën e përditshme personale e shoqërore.

    Besimtari, duke përjetuar në Liturgji shoqërinë me Krishtin, integrimin e tij tek Ai dhe nëpërmjet Tij trupëzimin e tij te Kisha e së shkuarës, e së tashmes dhe e së ardhmes, zgjeron horizontet e mendimit dhe të interesave të tij, përfton fuqi të brendshme për vazhdimin e një liturgjie përjetuese brenda jetës: domethënë për përparimin e vërtetë të vëllazërimit në botë, për krijimin e urave lidhëse ndërmjet të ndarëve, për shkatërrimin e çdo lloj gardhi kulturor, gjuhësor e politik.

 

* * *

    Vazhdimi i Liturgjisë (“vepër e popullit”) nga besimtarët pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore në tempull (kishë), me celebrues çdo besimtar – e koduar me frazën “liturgji pas Liturgjisë Hyjnore” – tregon se “Nuk duhet të humbasë kjo ngjarje (Liturgjia Hyjnore) si një emocion momental, por duhet që Liturgjia të shtrihet brenda jetës së përditshme. Dhe të transformohet e gjithë jeta në një liturgji, që zyra jonë të bëhet altari ynë, fabrika ose shtëpia jonë tempulli (kisha) ynë, puna jonë liturgjia jonë, ku do të ofrohet shpirti dhe trupi ynë si “therore e gjallë, e shenjtë, e mirëpritur prej Perëndisë”.

    Liturgjia Hyjnore nuk është ikje nga jeta, por transformim i vazhdueshëm i jetës sipas modelit të Jisu Krishtit, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Përderisa është e vërtetë se në Liturgji nuk dëgjojmë thjesht një mesazh, por marrim pjesë në ngjarjen e madhe të çlirimit nga mëkati dhe të shoqërisë me Krishtin nëpërmjet pranisë së vërtetë të Shpirtit të Shenjtë, atëherë kjo ngjarje e trupëzimit tonë personal në Trupin e Krishtit, pra, ky transformim i qenies sonë të vogël në gjymtyrë të Krishtit, duhet të bëhet i dukshëm dhe të predikohet me jetë konkrete.

    Liturgjia duhet të vazhdohet në kushtet personale dhe të përditshme. Çdo besimtar ftohet të vazhdojë një “liturgji” personale mbi altarin e fshehtë të zemrës së tij, të realizojë “për të gjithë botën” një shpallje të gjallë të Ungjillit. Përderisa me ngjarjen eukaristike trupëzohemi në Atë, i Cili erdhi t’i shërbejë botës dhe të therorizohet për të, kemi për detyrë të shfaqim e të shprehim, me shërbim konkret në jetën e shoqërisë, qenien tonë të re në Krisht, Shërbyesi i të gjithave. Therorja eukaristike duhet të shtrihet në therore personale për popullin, të cilin e mundojnë shumë nevoja, për vëllezërit për të cilët vdiq Krishti.

    Përderisa Liturgjia është pjesëmarrje në ngjarjen e madhe të çlirimit nga fuqitë demoniake, atëherë vazhdimi i Liturgjisë brenda jetës do të thotë përpjekje e vazhdueshme për çlirim nga fuqitë e së keqes, që veprojnë brenda nesh: që do të thotë riorientim i vazhdueshëm dhe hapje drejt përftimit të dijeve me përjetim (jo me logjikë), si edhe drejt përpjekjeve, me qëllim çlirimin e njerëzve nga të gjitha strukturat demoniake të padrejtësisë, shfrytëzimit, ankthit, vetmisë dhe krijimin e një shoqërie të vërtetë personash në dashuri.

   Ky qëndrim i përditshëm personal bëhet qëndrim “liturgjik” sepse: 1) fuqizohet nga pjesëmarrja në misterin e Eukaristisë (Falënderimit) Hyjnore, nëpërmjet së cilës marrim hirin e Shpirtit të Shenjtë që çliron dhe bashkon; 2) përbën përgatitjen më të mirë për një pjesëmarrje të re, më shumë të ndërgjegjshme dhe ekzistenciale në Liturgjinë Hyjnore; dhe 3) është një shprehje e gjallë – në kushtet e gjithsecilit – e transformimit të vërtetë të njeriut në Krisht.

    Kështu, Liturgjia bëhet jetë dhe e gjithë jeta lartësohet në Liturgji Hyjnore, domethënë në falënderim, dashuri, lavdërim të Perëndisë, kungim me Të dhe me të gjithë botën.

 

* * *

    Kjo “shoqëri”, që realizohet gjatë Liturgjisë, shtrihet në aktivitetin tonë të përditshëm edhe nëpërmjet lutjes personale. “Lutja e Jisuit” (“O Zot Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin”), si “lutje e vazhdueshme e zemrës”, sjell në mënyrë të qëndrueshme në mendje dhe në zemër praninë e Krishtit të ngjallur dhe e rrezaton në ambientin përreth.

 

* * *


   Një spiritualitet i tillë liturgjik nuk sjell qëndrim negativ kundrejt botës, por, përkundrazi, sjell liri dhe lirshmëri të admirueshme kundrejt saj, mbushur me dhembshuri e dashuri për njeriun. Sa më afër të jetë dikush me Perëndinë, aq më pranë gjendet me botën. Edhe e kundërta, kur humb lidhjen me Të, humb bashkimin me jetën.

    Mbledhja adhuruese eukaristike, si “shenjë e Mbretërisë”, për botën moderne dhe teknokratike është thirrje, që thekson vazhdimisht faktin se ekziston edhe një dimension tjetër i qenies njerëzore. Gjithashtu është ftesë për një shoqëri dashurie me qendër Krishtin, duke e tërhequr drejt Tij, në mënyrë që të “përmblidhen të gjitha në Të” (Efes. 1:10).

 

    Marrë nga Kalendari Orthodhoks 2011, pjesë nga libri Hierapostoli në gjurmët e Krishtit i Prof. Dr. Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, përkthyer nga episkop Asti.