Përdorimi i temjanit në shtëpi

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Kisha Orthodhokse ia përçon lajmin e mirë të Jisuit besimtarit në mënyrë të plotë. Ajo i drejtohet jo vetëm syrit dhe veshit, por edhe shqisës së të nuhaturit. Një person i verbër dhe shurdh që hyn në një kishë orthodhokse, nga era e mirë e temjanit, do ta kuptojë menjëherë që ndodhet në një vend të shenjtë.

    Në librin e Zbulesës lexojmë: “Dhe pashë një engjëll që qëndronte tek altari, kishte një temjanicë të artë; dhe iu dha shumë temjan, dhe tymi i temjanit me lutjet e shenjtorëve u ngrit përpara Perëndisë prej dorës së engjëllit”.

    Retë e tymit erëmirë që burojnë prej temjanicës simbolizojnë lutjen tonë që ngjitet te Perëndia. “Era e mirë” e temjanit shpreh kënaqësinë që Perëndia merr nga lutjet tona.

    Të krishterëve të hershëm u kërkohej nga paganët romakë që çdo vit të digjnin publikisht pak temjan përpara statujës së Cezarit. Duke djegur temjan para statujës së Cezarit, ata do ta njihnin atë si hyjnor.

Të krishterët refuzonin të kryenin këtë veprim, sepse e konsideronin si adhurim. Për ta ekzistonte vetëm një Zot, Jisu Krishti. Ngaqë refuzonin djegien e temjanit para Cezarit, ata i hidhnin te luanët. 

    Në ditët e sotme prifti orthodhoks djeg temjan para Altarit të shenjtë. Ai temjanis Dhuratat e Shenjta (Kungatën) dhe ikonat. Me fjalë të tjera, sot ne djegim temjan para Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë dhe para askujt tjetër. Veprimi i djegies së temjanit para Jisuit rrëfen besimin tonë, se vetëm Ai është Zot.

    Pasi prifti temjanis Altarin dhe ikonat, kthehet dhe temjanis besimtarët. Me anë të këtij veprimi ai nderon dhe respekton ikonën e Perëndisë që banon ndër ne, për shembull, shëmbëlltyra e Perëndisë në të cilën ne u krijuam. Ky veprim na kujton se jemi persona të rëndësishëm në sytë e Perëndisë si, për shembull, shëmbëlltyra e Tij që jeton dhe ecën.

    Çdo shtëpi orthodhokse duhet të mbajë një temjanicë të vogël te këndi i lutjes. Prindërit mund të mësojnë fëmijët e tyre se si të ndezin qymyrin dhe të vendosin pak temjan në të, kur ofrohen lutjet familjare. Disa prindër mund të parapëlqejnë të ndezin temjanicën vetëm në mbrëmjet e të shtunave dhe në mbrëmjet para ditëve të shenjta. Kuptimi i temjanit mund t’u shpjegohet fëmijëve që në moshë të vogël, në mënyrë që edhe ata të mund të marrin pjesë në mënyrë kuptimplote në këtë veprim adhurues.

    Një praktikë e mirë do të ishte që prindërit të bënin shenjën e Kryqit me temjanicë përpara çdo fëmije, duke shpjeguar se me anë të këtij veprimi ata po respektojnë shëmbëlltyrën e Perëndisë që është në ta.

    Imagjinoni sa kujtime të bukura mund të rrënjosë ky veprim te fëmijët. Kur të rriten, çdo herë që do të shkojnë në kishë, ata do ta lidhin erën e mirë të temjanit me kujtimet e dashura të lutjeve të familjes së tyre në shtëpi kur ishin fëmijë. Çdo herë që do shikojnë priftin të temjanisë Altarin dhe njerëzit në Liturgji, do të qëndrojnë me frikë në praninë e Zotit, do të shohin tymin që ngrihet lart, lutjet e tyre që ngjiten te froni i Perëndisë.

    Çdo natë nëna ndez një temjanicë të vogël dhe e çon në të gjitha ambientet e shtëpisë, duke i kërkuar Krishtit të bekojë çdo dhomë me praninë e Tij. Tymi erëmirë i temjanit mbush shtëpinë me praninë e shenjtë. Gjatë gjithë javës fëmijët ndiejnë praninë e Krishtit ngado. Kështu, e njëjta aromë temjani që shijojnë në kishë, përjetohet në shtëpi. Fëmijët fillojnë të kuptojnë se ekziston një lidhje midis kishës dhe shtëpisë. Edhe shtëpia është e shenjtë. Atë çfarë bëjmë në kishë, e bëjmë edhe në shtëpi. Rezultati është se besimi, kur përjetohet në shtëpi, bëhet real.