Mësojini fëmijët të jenë shërbëtorë të mirë

ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Një nga detyrat më të rëndësishme për prindërit e krishterë orthodhoksë është t’i mësojnë fëmijët të jenë shërbëtorë të mirë. Shërbim i krishterë do të thotë se Krishterimi ka parimet e veta të ekonomisë. Për shembull, kapitalisti beson se individët duhet të fitojnë bollëkun e botës.

Socialistët besojnë se të gjithë njerëzit duhet të fitojnë bollëkun e botës dhe të krijojnë një shtet. I krishteri beson se bota i përket Perëndisë dhe se njeriu është vetëm kujdestar, shërbëtor i të mirave të saj dhe se gjithçka i përket Perëndisë. “Toka dhe plotësia e saj janë të Zotit”. Kur i japim diçka Perëndisë, ngjajmë me djalin e vogël që i thotë të atit: “Babi, më jep ca lekë të të blej një dhuratë”.

    Judenjtë e hershëm i jepnin Perëndisë pjesën e parë dhe më të mirën e asaj që kishin, vajin më të mirë, verën më të mirë, të korrat e para etj. Kafshët më të shëndetshme hiqeshin mënjanë për t’ia flijuar Perëndisë.

Perëndia meriton më të mirën, jo atë që ka mbetur pasi të kemi shpenzuar çdo gjë për veten.

    Gjithçka që kemi, i përket Perëndisë, prandaj nuk mund t’i “japim” Perëndisë asgjë. Ne vetëm mund të ndajmë me Atë ato që janë më të mirat nga të Tijat. Ashtu si Dag Hammarskjold ka shkruar në librin e tij Shenjat (Markings): “… çfarë do të thotë fjala ‘sakrificë’ apo edhe fjala ‘dhuratë’? Ai që nuk ka asgjë, nuk mund të japë asgjë. Dhurata është nga ato të Perëndisë për Perëndinë”.

    Shumë nga monedhat e grekëve të hershëm kishin të gdhendur një buf. Ai u kujtonte njerëzve se ata duhej të ishin aq të zgjuar sa bufi, në mënyrën se si duhet të shpenzonin paratë e tyre. Prindërit e zgjuar të krishterë do t’u kërkojnë fëmijëve të bëjnë dy kolona në një copë letre. Kolona nr. 1 do të titullohet PËRSE JETOJMË? Dhe kolona nr. 2 do të titullohet ÇFARË SHPENZOJMË? Ne asnjëherë nuk mund të përcaktojmë me saktësi se si duhet t’i shpenzojmë paratë tona, derisa të kemi kuptuar se për çfarë jetojmë. Ajo se për çfarë jetojmë do të përcaktojë nëse për një muaj ne shpenzojmë më shumë për ushqimin e qenve, sesa i japim Perëndisë. Nëse Jisui është vërtet Zoti dhe Perëndia ynë, kjo do të tregohet në atë që japim çdo muaj për mbështetjen e punës së Tij, nëpërmjet Kishës.

    Lexoni së bashku nga Marku 12:41-44.

    E veja dha gjithçka që kishte dhe Jisui e lavdëroi. Ajo dha në mënyrë sakrifikuese. “Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë dhe nuk do t’i ofroj ZOTIT, Perëndisë tim, holokauste që nuk më kushtojnë asgjë” (II Sam. 24:24). E veja, dy herë e pikëlluar, e privuar për të nxjerrë bukën e përditshme, e varfër në skamje, mbante në duar dy monedha bakri, të cilat bënin një qindarkë. Të dyja monedhat shkuan brenda thesarit të Tempullit. Ajo mund ta mbante njërën për veten e saj, por nuk e bëri. Vendimi i Krishtit ishte se ajo kishte dhënë më shumë se çdo njeri. “Sepse të gjithë kontribuuan nga bollëku i tyre; por ajo nga varfëria e saj, ka dhënë gjithçka që ka”.

    Së dyti, ne vëmë re se Zoti ynë i shikonte të gjithë njerëzit, ndërsa ata po vendosnin paratë e tyre brenda thesarit të Tempullit. “Dhe ai u ul nga ana tjetër e thesarit dhe shikonte shumicën e lekëve që po vendoseshin në thesar” (Mk. 12:41). Ndoshta sot duhet të mendojmë se Jisui shikon, se Ai e di çfarë japim dhe se shporta që mbledh lekët, në të cilën vendosim dhuratat tona, është në realitet, jo një pjatë bronzi, por duart e gozhduara të Zotit tonë. Jisui gjithmonë ulet përballë thesarit duke parë!

    Pra, jep sikur një engjëll të ishte duke pritur dhuratën tënde në derë.

    Jep sikur nesër mëson se dhurata jote është pranuar.

    Jep sikur do t’ia jepje Zotit, sepse takove vështrimin e Tij të dashur.

    Jep sikur atë që ti po jep, pra, ofertën tënde, e morën Duart e Tij.

    Lexoni së bashku I Kor. 8:5.

   Shën Pavli flet këtu për zemërgjerësinë e të krishterëve në Maqedoni. Edhe pse ishin të varfër, jepnin përtej asaj që mundnin, për të ndihmuar vëllezërit e tyre që vuanin në Jerusalem. Pavli tha se kjo ndodh për arsye, sepse “së pari ata dhanë jetën e tyre te Zoti”. Këtu qëndron thelbi i gjithë dhënies së vërtetë te Perëndia: dhënia e vetes. Dhurata pa dhurues është gjithmonë e zhveshur dhe bosh e ndoshta edhe hipokrite. Ka njerëz që dërgojnë në kishë një herë në vit një çek, por vetë nuk marrin pjesë në jetën e Kishës. Ata japin pará, por jo veten. Kjo nuk është dhënie reale. Kjo nuk është dhënie e vërtetë. Kjo nuk është dhënie e krishterë. Dhënia e krishterë përfshin shumë e më shumë sesa dërgimi i një çeku. Çeku është vërtet i pavlerë, nëse ai nuk shpreh dhuratën e vetvetes. Dikush tha një herë: “Gjatë gjithë jetës sime unë ia kam dhënë paratë Perëndisë, por asnjëherë nuk i kam dhënë veten”. Pa dhënien e vetes, asnjë dhuratë nuk ka vlerë.

    Një të diel, kur shporta e ofertës po kalonte mes besimtarëve në kishë, një djalë i vogël i kërkoi mbajtësit të saj ta vendoste shportën në dysheme. Atëherë djaloshi vuri këmbët mbi shportë dhe tha: “Unë dua t’i jap veten time Perëndisë. Kjo është e gjithë ajo që unë mund të jap”. “Së pari, ata i dhanë veten e tyre Zotit”.

    Dhënia në kishë duhet të jetë në proporcion me atë që fitojmë. Gjëja e rëndësishme në dhënien e krishterë nuk është sa shumë japim, por sa shumë në krahasim me mundësinë tonë. Një dollar në javë mund të jetë 10% e të ardhurave për një vejushë ose pensionist. Nga ana tjetër, 20 dollarë në javë mund të mos jenë as 1% e të ardhurave për dikë tjetër. Minimumi i vetëm që Bibla njeh është 10% e të ardhurave tona (një e dhjeta e kishës). Është e rëndësishme që prindërit e krishterë orthodhoksë të mësojnë dhe të inkurajojnë fëmijët e tyre të vendosin mënjanë për punën e Perëndisë një pjesë të asaj që ata fitojnë çdo javë. Kjo mund të vendoset në zarfin e ofrimit të tyre të veçantë dhe të sillet në kishë çdo të diel. Prindërit duhet të tregojnë interes në atë që kontribuojnë fëmijët e tyre çdo të diel. Një prind që i jep fëmijës së tij 1 dollar për ofrimin në kishë dhe 7 dollarë për një film, i jep atij një tjetër kuptim për vlerat.

    Një shembull i dhënies së krishterë është Alvin Dark, dikur manaxher i San Francisco Giants. Ja çfarë shkruan: “E dhjeta e Kishës … dhënia e së dhjetës së të ardhurave të mia të para te Perëndia ishte kaq e padiskutueshme në shtëpinë tonë, sa edhe veshja e çorapeve para se të mbathim këpucët. Një monedhë 50-centëshe çdo ditë ishte shumë për mua. Por ndërsa vitet kalonin dhe të ardhurat e mia rriteshin, unë zbulova se asnjëherë nuk fitoja në lojën e të dhënit te Perëndia. Ai gjithmonë më jepte më shumë. Ai më dha fizikisht, financiarisht dhe në një numër të pafund mënyrash. Ai më dha karrierë të kënaqshme në bejsboll. Aktualisht, nëse unë i përkas

    Atij, Ai zotëron të ardhurat e mia, gjithçka që kam. Unë kam mësuar se e dhjeta e Kishës është thjesht një simbol i besimit tim në Të”.

    Pasi dëgjoi predikimin për shërbimin, një burrë i tha priftit: “Ky është shqetësimi në Krishterim dhe në kishë: gjithmonë jep, jep, jep!”.

    Prifti pa nga burri dhe i tha: “Zotëri, unë dua të të falënderoj që më dhe përkufizimin më të saktë, të cilin asnjëherë nuk e kisha dëgjuar në Krishterim”. Në të vërtetë, kjo është motoja e Krishterimit: Jep! Perëndia dhuroi Birin e Tij. “Ky është gjaku im … Ky është trupi im i dhënë për ju… Biri erdhi… të japë jetën e Tij, si një shpërblim për shumë veta”.

    “Dhe a duhet që unë të jap dhe të jap përsëri?” dhe engjëlli u përgjigj: “Jo, vetëm vazhdo të japësh derisa Ai mos të të japë më”.

     Shtëpia është vendi për t’u mësuar fëmijëve konceptin e krishterë të shërbimit.

    Një grua nga një familje e njohur amerikane tregon se si i ati i mësoi shërbimin e krishterë në një moshë të re:

    Babai im kishte tri kuti druri, të ngjashme me arkat e kursimit dhe unë vendosja një monedhë dhjetëcentëshe në një nga ato, një monedhë tjetër dhjetëcentëshe në tjetrën për ndihmesë. Pastaj merrja një monedhë tjetër dhjetëcentëshe, të cilën e shpenzoja zakonisht për ëmbëlsira. Një herë në vit im atë dhe unë uleshim që të vendosnim se çfarë do të bënim me paratë e kutisë së kursimit. Në gazetën “Times” kisha lexuar për shumë raste bamirësie, rreth 100 (një bamirësi në vit për familjet në nevojë e mbështetur nga Nju Jork Times). Disa nga historitë ishin kaq tragjike, saqë unë nuk mund të vendosja se për cilën familje t’i shpenzoja paratë. Tim atë dhe mua na shqetësonte fakti se disa familje ndoshta nuk mund të fitonin paratë e nevojshme. Kështu që unë përfundoja duke shkruar një letër te “Times” të jepja paratë për familjen që kishte më shumë nevojë. Ata merrnin gjysmat e parave të kutisë. Gjysma tjetër shkonte në kishë.

    Sa mënyrë e bukur për prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre përdorimin me përgjegjësi të bekimeve të Perëndisë!