Qëllimi i “Kishës së vogël”: të nxjerrë atletë të Krishtit

ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Në letrën drejtuar Romakëve, shën Pavli thotë: “Edhe Perëndia i durimit e i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni të njëjtën mendje ndërmjet jush sipas Jisu Krishtit” (Rom. 15:5). Madje, edhe në ditët e sotme, shtëpia, në greqisht, quhet “ekklesioula”, që do të thotë “kishëza”.

    Ajo themelohet përmes Misterit të Martesës së Shenjtë, kur burri dhe gruaja “kurorëzohen” nga Perëndia me autoritet dhe përgjegjësi për shtëpinë, dhe përmes Misterit të Mirosjes, nëpërmjet të cilit marrin “priftërinë mbretërore” të të qenit besimtarë, duke u bërë “priftërinj të “kishës së vogël”, shtëpisë. Pra, për të “dorëzuar” prindërit që të shërbejnë si “priftërinj” në shtëpitë e tyre, kemi dy mistere: Martesën dhe Mirosjen e shenjtë. “Martesa është bashkimi i burrit dhe gruas që krijojnë kishën e vogël”, – thotë shën Joan Gojarti. Qëllimi ynë si prindër është të krijojmë një miniaturë të Mbretërisë së dashurisë së Perëndisë në shtëpinë tonë.

   Në Bashkimin Sovjetik, kur çiftet e reja shkonin të kurorëzoheshin nga atë Jakovi, ai i pyeste: “A mund të lindni një shenjtor? Nëse jeni të përgatitur dhe mundeni, atëherë martohuni; nëse jo, unë nuk do t’ju bekoj!”. Në të vërtetë qëllimi i martesës, sipas shën Joan Gojartit, është të “nxjerrë atletë të Krishtit”. Në vazhdim, ky shenjtor e përshkruan familjen si një vend ku ushtrohemi në virtyt. Shën Theofani u fliste qartazi prindërve se do të fitonin përjetësinë vetëm duke rritur fëmijë të krishterë, por duke rritur të krishterë të shenjtë.

    Jerondi Josif na tregon se të dy prindërit e tij kishin shumë dëshirë të shkonin në kishë dhe shpesh lexonin libra shpirtërorë, veçanërisht Jetë Shenjtorësh. Kësisoj, ata dhanë një shembull të mirë, si përmes jetës së tyre personale lutëse, ashtu edhe nëpërmjet interesimit për të tjerët. Nëna e tyre i drejtonte gjashtë fëmijët e saj në lutjen e përditshme. Në ditë festash, ajo i zgjonte ata herët, për të shkuar në Mëngjesore. Jerondi Josif na thotë se, kur ishte fëmijë, nuk i pëlqente të zgjohej herët që të shkonte në kishë! Por, pasi zgjohej, ndihej shumë i gëzuar gjatë gjithë ditës. Pas Liturgjisë, ktheheshin në shtëpi dhe nëna caktonte Joanin që të lexonte Akathistin para Shpëtimtarit ose Nënës së Perëndisë, ndërsa ajo vetë temjaniste të gjithë shtëpinë. Këto lloj familjesh “nxjerrin atletë të Krishtit”.