Krijimi i një atmosfere
besimi në shtëpi

 

ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Niveli i parë i besimit quhet “besim empirik (përmes përvojës)”. Ky është niveli i besimit të fëmijërisë, kur fëmijët e përjetojnë besimin nëpërmjet njerëzve që ndodhen përreth tyre. Fëmijët, në këtë fazë të jetës, nuk mund ta kuptojnë dot teologjinë, doktrinën apo katekizmin, por ata mund ta kuptojnë Perëndinë nëpërmjet përvojës së përditshme të besimit, veprimeve teleturgjike, simboleve dhe traditave të njerëzve të dashur që ndodhen pranë tyre. Çfarë bën familja në shtëpi? Për të krijuar në shtëpi një atmosferë të tillë “besimi”, prindërve do t’u duhet të punojnë shumë.

    Nëse kemi marrëdhënie personale me Perëndinë, atëherë Perëndia bëhet Perëndi i gjallë, ashtu siç shkruan edhe Niko Kazanxakis: “Aty ku ndodhet burri dhe gruaja, aty është edhe Perëndia; aty ku janë fëmijët, gatimi, diskutimi dhe pajtimi, aty ndodhet edhe Perëndia”. Ja çfarë na thotë një i krishterë orthodhoks nga Greqia rreth atmosferës së “besimit”, – rreth fazës empirike – ashtu siç ishte në fëmijërinë e tij:

    Ende ndiej mall për kishën e vogël të fshatit, për procesionin e gjatë të së Premtes së Madhe me qirinj të ndezur në duar dhe për kremtimin e Ngjalljes jashtë kishës (për “Anastasis”, siç i themi në greqisht), me llambadhet dhe tryezat e bollshme. Java e Madhe në Greqi ka një atmosferë më familjare. Gjatë javës kreshmohet dhe bëhen shumë përgatitje në shtëpi: piqen kuleçë, lyhen vezë të kuqe, bëhet një supë e veçantë, piqet qengj në hell për të kremten e Pashkës. Praktikisht, çdo pjesëtar i familjes jepet i tëri pas këtyre parapërgatitjeve, kështu që Pashka kremtohet brenda një atmosfere të gëzueshme familjare, ashtu siç kremtohet Krishtlindja në Amerikë, madje, edhe më shumë se ajo.

    “Halakah”ose mënyrë jetese

    Në gjuhën hebraike, mënyra e jetesës quhet “halakah”. Judaizmi, mbi të gjitha, ishte një halakah, një mënyrë jetese. Të ishe jude, nënkuptonte të ishe i veçantë. Kjo dukej në mënyrën se si haje, si visheshe, si e kaloje mbrëmjen e së premtes, sa hapa hidhje ditën e Sabatit, etj. Të qenët jude dukej në çdo aspekt të jetës. Kjo do të thotë: të luteshe katër herë në ditë dhe t’u mësoje besimin fëmijëve të tu.

   Sociologu i Harvardit, Harvey Cox, shkruan: “Familja, që të mbijetojë, ka nevojë për një mënyrë jetese tërësisht të re”. Ne të krishterët orthodhoksë kemi pasur gjithmonë një halakah të tillë, një mënyrë jetese brenda familjes. Problemi ynë është se, për arsye të ndryshme, e kemi shpërfillur atë. Ky libër që keni në dorë, ju ofron një mënyrë jetese orthodhokse të jetuar në familje. Qëllimi ynë, përmes zbatimit të praktikave shpirtërore në familje, të cilat gjenden në këtë libër, është që t’ju ndihmojmë të krijoni një atmosferë të sigurt e të shëndetshme “besimi” në shtëpi, jo thjesht për një javë ose për një periudhë, por përgjatë gjithë vitit, duke ndjekur vitin kishtar. Ky libër përmban shumë mënyra praktike që do të na ndihmojnë për të krijuar një traditë familjare orthodhokse të shëndoshë në shtëpi.