Bekimi prindëror

ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Një baba praktikon zakonin e Dhiatës së Vjetër për të bekuar çdo fëmijë në mbrëmje para se të shkojë për të fjetur. Secilit prej fëmijëve i bën shenjën e kryqit në ballë dhe thotë: “Bekimi i Perëndisë Atë qoftë me ty këtë natë, biri im; Shpirti i Shenjtë qoftë me ty, Joan/Jakov, këtë natë dhe përgjithmonë”. Pastaj i puth. Këtë mund ta bëjë edhe nëna çdo mëngjes, përpara se fëmijët të nisen për në shkollë. Edhe gjyshërit mund të marrin pjesë në këtë bekim. Lëri fëmijët të ulen në prehrin tënd, jepu një përqafim, lexoju ndonjë histori dhe jepu bekimin. Ju mund ta vini në gjumë fëmijën tuaj duke i kënduar me zë të ulët dhe me dashuri një lutje. Imagjino se çfarë bekimi i jep fëmijës, çfarë paqeje, çfarë dashurie! Sa të vërtetë e bën praninë dhe dashurinë e Perëndisë.

    Çdo të premte në darkë një baba jude mblidhte të gjithë familjen e tij si një kohë bekimi. Një person i krishterë e përshkruan atë që përjetoi në një familje judaike me këto fjalë:

    Në familjet judaike orthodhokse, bekimi i fëmijëve është i gërshetuar edhe me fjalë që të japin pamjen e një të ardhmeje plot shpresë. Unë e pashë këtë bekim në një shtëpi judaike, në të cilën isha i ftuar ditën e Falënderimit.

Në kohën që arrita, pothuajse dyzet veta ishin përgatitur ose po prisnin me durim për një darkë të shijshme. Gjyshërit, prindërit dhe fëmijët e tyre, tre breza, ishin mbledhur për këtë rast të veçantë.

    Ndërkohë që ushqimi ishte gati, përpara se të shërbehej, kryefamiljari (gjyshi në këtë rast) e mblidhte të gjithë familjen së bashku. Të gjithë burrat dhe djemtë e tyre qëndronin në një anë të dhomës së ndenjjes, ndërsa të gjitha gratë dhe vajzat në anën tjetër. Ai i përshkonte të gjithë, duke ia vendosur dorën mbi kokë çdo mashkulli të pranishëm e duke i thënë: “Të bekoftë Zoti pasurisht dhe të bëftë si Efraimi dhe Manaseu”, ndërsa çdo gruaje i thoshte: “Të bekoftë Zoti pasurisht; të rritesh e të bëhesh si Rakela dhe Sara.

    Ky lloj bekimi i prindërve ndaj fëmijëve dëshmohet edhe në Kishën e hershme, ku ekzistonte zakoni i bekimit të fëmijëve prej prindërve.