Martesa, vlerat e saj unikale dhe universale

Dhjak Anastas Bendo,

Kërkim nr. 2, Tiranë, 2009.

    Institucioni i martesës haset në të gjitha shoqëritë njerëzore të botës së hershme dhe asaj moderne, përbën një nga shtyllat mbi të cilat këto shoqëri kanë ngritur tërë ngrehinën e tyre dhe ka qenë objekti i studimit dhe i përkufizimit nga shumë shkolla fetare, filozofike, sociologjike, psikologjike, kulturore etj. Në shumë kultura është parë si një kusht i domosdoshëm për përjetësimin e gjinisë njerëzore, si një vatër e domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e njeriut si individ dhe person dhe në këtë kuadër edhe si bërthama e shumë shoqërive në anë të ndryshme të globit. Në mjaft fe që mbizotërojnë në planetin tonë përbën një nga çështjet më kryesore dhe të shenjta, shpeshherë tabu dhe është mbrojtur nga ana e tyre me tërë arsenalin e argumenteve teologjike dhe filozofike, në mënyrë që të ruajë tërë rëndësinë dhe shenjtërinë e saj, duke u prezervuar edhe nga legjislacionet përkatëse në ato vende, ku këto fe kanë predominuar gjatë përhapjes së tyre.

   Martesa në shumë përkufizime që mund të hasen në fjalorë të ndryshëm filozofikë ose sociologjikë modernë përkufizohet si një institucion në të cilin marrëdhëniet ndërpersonale midis burrit dhe gruas janë të njohura nga shteti, nga autoriteti fetar, ose nga të dy së bashku. Në disa shkolla është parë madje edhe si një kontratë. Në shkencën juridike martesa civile mbrohet nga shteti, në përputhje me Kodin e Familjes, që është pjesë e rëndësishme e legjislacionit të një vendi të caktuar. Akti i martesës që njihet nga shteti ose nga feja, i atyre personave që lidhin martesë, ndryshon tërë statusin personal dhe shoqëror të tyre.

    Martesa ekziston si formë dhe mënyrë jetese qysh në fillimet e historisë së njerëzimit. Është pikërisht libri i parë i Biblës, ai i Gjenezës që na e tregon këtë fakt, atëherë kur Perëndia e krijoi njeriun mashkull dhe femër dhe kur e urdhëron të shumohet mbi dhé (Gjen. 1:26-28). Qysh në këtë pasazh, Perëndia i shfaq njeriut se gjendja natyrale në të cilën njeriu është i thirrur të marrë pjesë dhe të zhvillohet më tej është ajo e martesës, pra e lidhjes midis burrit dhe gruas në një lidhje intime dhe të përjetshme. Pikërisht kjo lidhje përbën një nga institucionet që Perëndia ia zbuloi njeriut dhe si i tillë është i themeluar hyjnërisht. Edhe nëpër fetë e mëdha monoteiste, por edhe në ato të Azisë dhe Afrikës, kjo lidhje ekziston si derivat i këtij fakti dhe është theksuar dhe mbështetur si një nga gjërat më të rëndësishme që bëjnë pjesë në ceremonitë e shenjta dhe ligjet e këtyre feve, pavarësisht variacioneve dhe qëllimeve të ndryshme që e karakterizojnë.

    Në Judaizëm martesa është një lidhje kontraktuale midis çiftit, gjë që urdhërohet nga Perëndia dhe në këtë roli hyjnor është shumë i theksuar. Riprodhimi nuk konsiderohet si qëllimi i vetëm i martesës. Sipas Kabbalah, shkollës judaike të misticizmit, njeriu kur martohet shtyhet nga fakti se i vetëm është një shpirt i mangët, i paplotësuar dhe që për të qenë i përsosur ka nevojë për një shpirt tjetër që të arrihet kjo përsosmëri. Në ligjin judaik Halakha parashikohet fillimisht fejesa shiddukhin, e cila përkufizohet si premtimi i ndërsjellë midis burrit dhe gruas për të bërë kontratën e një martese në një kohë të ardhshme dhe cakton mënyrat dhe kohën kur do të kryhet. Fejesa nuk ndryshon statusin personal të dy palëve, ose nuk i jep të drejtën njërës palë të parashtrojë kërkesa specifike. Në ligjin judaik, martesa konsiston në dy akte të veçuara, të quajtura kiddushin, që është ceremonia e fejesës dhe nissu’in, ceremonia e martesës. Kiddushin sjell ndryshimin e statusit personal të çiftit, kurse nissui’n sjell pasojat ligjore të ndryshimit të këtij statusi. Tri janë mënyrat:

    • Me para (kesef) ose me një objekt që ka vlerë, si një unazë ose një monedhë, me qëllim kontraktimin e martesës dhe kjo bëhet në praninë e dy dëshmitarëve.

    • Me anë të një kontrate (shtar) në praninë e dy dëshmitarëve, ku shkruhet deklarata e kiddushin.

    • Me anë të kryerjes së një marrëdhënieje seksuale duke pasur si qëllim krijimin e një lidhjeje martese, por kjo mënyrë nuk këshillohet nga shkrimet e rabinëve dhe përdoret vetëm për martesat e leviratit (kur dikush martohet me vejushën e vëllait të tij).

    Nga ana e Halakha, martesa judaike është një akt personal midis një burri dhe një gruaje. Nga ana e ligjit të Halakhës, një martesë judaike, është një akt personal midis një burri dhe një gruaje. Martesa si akt është deklarimi ose konsakrimi nga ana e burrit dhe pranimi nga ana e gruas. Funksioni i rabinit në këtë është të jetë një këshilltar për çiftin dhe të ftuarit janë dëshmitarët.

    Në Kinë, në lidhje me martesën ka të dhëna që rezultojnë mijëra vjet më parë dhe që janë tepër interesante për të bërë krahasime në lidhje me gjendjen e martesës si institut në lashtësi. Origjina e martesës kineze është mitologjike dhe është një histori midis Nyuvës dhe Fu Xi, që shpikën procedurat e martesës, pasi u martuan midis tyre. Në Kinën e lashtë njerëzit që kishin të njëjtin mbiemër nuk martoheshin midis tyre, sepse kjo konsiderohej incest, megjithatë martesa midis të afërmeve nuk konsiderohej si një akt incesti dhe mund të martoheshin kur bëhej fjalë për breza të ndryshëm. Me kalimin e viteve, kur njerëzit nisën të lëviznin më shpesh dhe numri i popullsisë u shtua, kinezët nisën të kryenin martesën ndërklanore që quhet antitetike. Kjo është kryer në vitet 5000 para Krishtit. Individët qëndronin me familjet e tyre biologjike dhe kur një nga anëtarët e saj vdiste, burri ose gruaja, varroseshin të ndarë në varret e klaneve.

    Në Hinduizëm, një martesë hindu, bashkon dy individë përjetë, që ata të kenë mundësi të vazhdojë harman (detyrën e tyre), artha (zotërimet), kaman (dëshirat fizike) dhe noksan (çlirimin përfundimtar shpirtëror) së bashku. Gjithashtu ajo i bashkon dy familje bashkë. Zakonisht martesa është diçka që rregullohet nga prindërit në bazë të disa rrugëve që ata i përzgjedhin sipas mundësisë ose besimit të tyre, zakonisht me ndihmën e një prifti i cili luan rol kyç në këtë martesë. Gjithashtu përdoren edhe harta astrologjie në gjetjen e kandidatëve të përshtatshëm ose këshillohen edhe me një brahman të quajtur “panthulu” i cili ka parasysh kandidatë të përshtatshëm ndër ata njerëz që duan të martohen. Kurse disa komunitete kryesisht ato të brahmanëve në Mithila, përdoren regjistra të dhënash gjenealogjike që mbahen nga specialistë. Gjithashtu edhe martesa e quajtur vedike, ka qenë një nga tipat e martesës hindu. Kurse martesa me dashuri ndeshet shpesh në literaturën hindu dhe kanë ekzistuar disa emërtime të saj si gandarha vivaha etj.

    Afrika është një kontinent ku përfaqësohen të gjitha qytetërimet e vjetra të botës. Ekziston një diversitet kulturash edhe për sa i takon familjes dhe në të gjitha këto theksojnë rëndësinë e familjes. Një martesë afrikane është, më tepër se sa çdo gjë tjetër, bashkimi i dy njerëzve që kërkojnë të përbëjnë një familje të vetme, ose kombinimi i dy familjeve ose edhe i disa fiseve që shkrihen midis tyre në një njësi familjare të vetme. Koncepti i familjes është një nga idetë unifikuese të kontinentit afrikan. Në Afrikë ekzistojnë më tepër se sa 1000 njësi kulturore dhe çdo kulturë, çdo fis ka traditat e tij të martesës dhe të familjes, disa prej të cilave e kanë origjinën e tyre, qindra dhe mijëra vite më parë. Gjithashtu ka edhe fe të ndryshme të cilat kanë hedhur rrënjë në këtë kontinent. Në Afrikën e Veriut, shumë vende të saj janë influencuar nga tradita myslimane, kurse më në jug hasim tradita të krishtera, hindu madje edhe judaike, të përziera me tradita të hershme. Divorci është i rrallë në martesat afrikane. Problemet brenda tyre është e zakonshme të diskutohen midis familjeve me qëllim gjetjen e zgjidhjeve, gjë që e ruan një martesë nga shkatërrimi i saj. Është interesant fakti se martesa është diçka që predikohet dhe kultivohet në brezin e ri nga koha e fëmijërisë së tyre dhe ata inkurajohen të martohen kur janë 13 ose 15 vjeç, në çastin kur arrihet pjekuria e moshës së rritur.

    Edhe midis aztekëve, martesa ishte një institucion shumë i strukturuar dhe me rregulla të përcaktuara qartë, që ishin parashikuar për çdo aspekt të jetës. Sa i takon martesës, një djalë i ri aztek, mund të martohej vetëm pasi kishte mbushur moshën 20 vjeç. Pjesa më e madhe e tyre martoheshin midis moshave 20 dhe 22 vjeç. Martesa rregullohej midis familjeve, që nënkuptonte se çifti i ri kishte pak mundësi të shprehte mendimin e tij në lidhje me këtë çështje, gjë që është e zakonshme në shoqëritë e hershme. Gjëja e parë që duhet të përmbushte një djalë i ri, i cili dëshironte të martohej, ishte të mbaronte shkollimin e tij dhe të merrte lejë nga mësuesit e tij për të lënë shkollën. Pastaj në një banket të shtruar nga prindërit për mësuesit, ata u ofronin këtyre të fundit një sëpatë që simbolizonte dëshirën e të riut për të prerë lidhjet që e mbanin ende të lidhur me mësuesin e tij, derisa ai dëshironte në zemrën e tij që të martohej. Mësuesit e pranonin sëpatën, pasi më parë bënin një predikim tek djali i ri, që t’u bindej gjithmonë zotave, të ishte krenar për shkollën e tij, të ishte një kujdestar i mirë i gruas dhe i familjes dhe një luftëtar i mirë në luftë. Martesa kremtohej natën në shtëpinë e dhëndrit dhe prindërit i çonin të sapomartuarit në shtëpinë e tyre të re, duke u dhënë atyre dhurata të shumta dhe duke kënduar përgjatë gjithë rrugës. Kur ata mbërrinin te dera e shtëpisë të veshur dhe të zbukuruar me kurora me lule, atëherë deklaroheshin burrë e grua. Tek aztekët ekzistonte edhe divorci, që përbënte një çështje gjyqësore, në të cilën gjykata përpiqej fillimisht të pajtonte dy palët dhe në rast të kundërt bënte ndarjen e pasurisë, kurse fëmijët ndaheshin sipas gjinisë së tyre, bijtë me babain dhe vajzat me nënën.

    Në Islam, martesa (“zavaj”), është një lidhje e ligjshme dhe një kontratë sociale midis burrit dhe gruas, siç diktohet nga sheriati. Ka dy lloj martesash që përmenden në Kuran, nikah dhe nikah mut’ah. Nikah, që e përkthyer do të thotë kontratë, është forma e parë dhe që haset më shpesh për myslimanët, e cila përshkruhet edhe në Kuran. Disa nga qëllimet e kësaj martese janë:

   a) Qëllimi i saj është që burri dhe gruaja të kenë një lidhje të qëndrueshme, por të dy kanë të drejtën të kërkojnë divorcin.

    b) Çifti trashëgon njëri nga tjetri.

    c) Nënshkruhet një kontratë midis dy palëve. Burri duhet të paguajë për pajën e gruas.

   Në Islam poligjinia është e lejuar me kusht sipas disa rregullave të përcaktuara qartë. Në teologjinë islamike, të dyja gjinitë janë të barabarta në vlerë dhe ndryshimet midis tyre njihen për shkak të të drejtave, obligimeve dhe roleve të ndryshme. Zakonisht gruaja myslimane është parë si një amvisë dhe rritëse e fëmijëve. Qenia nënë konsiderohet një nga rolet më të rëndësishme në shoqëri.

 

     Martesa në Evropë

   Në Greqinë e Vjetër, nuk ka ekzistuar një ceremoni specifike për martesën dhe ishte vetëm një marrëveshje e ndërsjellë midis burrit dhe gruas. Burrat martoheshin kur ishin në moshën 20 ose 30 vjeç dhe donin që gratë e tyre të ishin adoleshente të hershme. Gratë e martuara kishin të drejta të pakta në Greqinë e Lashtë dhe kujdeseshin kryesisht për fëmijët dhe shtëpinë.

    Në Romë, në fillim martesa nuk parashikonte aprovimin e veçantë të fesë ose të shtetit dhe njësoj si në Greqinë e Lashtë, bazohej në një marrëveshje të ndërsjellë midis burrit dhe gruas. Të drejtën për të lidhur martesë e kishin vetëm personat që kishin ius conubi. Këtë të drejtë e kishin qytetarët romakë, latinët e vjetër dhe me kufizime plebejtë, libertinët dhe grupet e lidhura me profesione të ndryshme, por në periudhën postklasike kjo gjendje ndryshoi për shkak të përhapjes së krishterimit. Gjithashtu përveç këtij kushti, kishte dhe të tjerë si affectio maritalis (qëllimi për të krijuar bashkësinë martesore) dhe forma e parashikuar me ligj për lidhjen e saj. Kuptimi i klasik i saj ishte ai shprehur nga Modestinos (250 para Krishtit): “Martesa është bashkimi i gruas dhe i burrit, një lidhje e përjetshme dhe komunikim i së drejtës hyjnore dhe njerëzore”. Kjo lidhje daton qysh në kohët më të hershme kur burri dhe gruaja formonin një bashkësi të mirash dhe kultesh. Martesa përmbante në vetvete elementin subjektiv ose qëllimor dhe atë objektiv dhe material, që konkretizohej me bashkëjetesën e burrit dhe të gruas në një bashkim permanent. Kurse elementi subjektiv lidhet me vullnetin e dy palëve që japin konsensusin e tyre për të bërë lidhjen e martesës.

    Në të drejtën post klasike të Justinianit, e cila u zhvillua nën dritën e Krishterimit, ai solli ndryshime të mëdha shoqërore në çdo aspekt të jetës, përfshi edhe atë të martesës si p.sh. pazgjidhshmëria e saj me përjashtim të atyre rasteve të cilat parashikohen edhe në Kanunet e Shenjta të Kishës. Është me rëndësi të theksojmë se Justiniani i kushtoi shumë rëndësi elementit të konsensusit me anë të një marrëveshjeje fillestare. Në Romë ka ekzistuar edhe fejesa ose sponsalia, ku jepeshin dhe merreshin premtimet për lidhjen e martesës. Në shoqërinë romake kanë ekzistuar forma të ndryshme martesash:

   Forma e parë ishte coemptio ose blerja reale e gruas, ku ati i nuses në prani të 5 dëshmitarëve, ia dorëzonte nusen pater-familias së dhëndrit, duke marrë një monedhë si simbol të kësaj lidhjeje;

    2. Confereatio ishte forma e dytë, ajo më solemne që përdorej nga shtresat më të larta të shoqërisë, që kryhej në prani të 10 dëshmitarëve dhe të fejuarit. Dhëndri i jepte nuses kur ajo mbërrinte në derën e shtëpisë, bukë, zjarr dhe ujë, kurse ajo duhej të thoshte “kudo që të jesh ti, do të jem edhe unë”. 3. Usus që është forma më e përhapur në shtresat e varfra të popullsisë dhe që konsistonte në një transferim të thjeshtë të nuses në shtëpinë e burrit. Karakteristikë e kësaj martese ishte se ishte martesa pa manus në ndryshim nga martesat e tjera, ku manusi, pushteti i burrit ose i pater-familjas ushtrohej mbi gruan që bëhej pjesë e familjes së burrit, duke i ndërprerë lidhjet me familjen e saj. Në periudhën e Justinianit u sanksionua që për lidhjen juridike të martesës, duhej kërkuar edhe kryerja e shërbesës kishtare të martesës dhe u nxorën edhe ligje që e favorizonin dukshëm martesën si një sakrament i caktuar hyjnërisht.

III

KUPTIMI I KRISHTERË I MARTESËS

    Krishterimi solli një revolucion të vërtetë sa i takon martesës, të drejtave dhe detyrimeve, qëllimit. Duke u bërë fe mbizotëruese, solli ndryshime të mëdha në të gjithë sektorët e jetës. Pikësëpari nxori në pah origjinën e njeriut, që është krijuar sipas ikonës dhe shëmbëllimit të Perëndisë, tregoi qëllimin e lartë të njeriut, i cili është hyjnizimi, vlerën e madhe të burrit dhe të gruas, pa bërë dallime gjinore dhe kreu reformime rrënjësore edhe sa i takon martesës. Krishterimi i mësoi njerëzit se të gjithë kanë vlerë unikale para Perëndisë, pavarësisht racës dhe origjinës dhe se mesazhi i Ungjillit u drejtohet të gjitha kombeve dhe klasave shoqërore, pa bërë kurrfarë dallimi. Martesa ishte një nga të drejtat që me kalimin e kohës përftuan edhe skllevërit që u bënë të krishterë, por edhe popullsitë e tjera të krishtera të cilat ishin pushtuar nga Roma dhe nuk e kishin statusin e qytetarit romak. Martesa e cila do të lidhej në Kishë si një sakrament, i shtrinte efektet e saj juridike mbi të gjitha subjektet e krishtera dhe në këtë mënyrë mori një karakter universal. Një nga autorët më të vjetër të krishterë Tertuliani (160-230 pas Krishtit), thotë “se martesa është caktuar nga kisha, është konfirmuar nga Eukaristia Hyjnore, është vulosur nga bekimi, është regjistruar në qiell nga engjëjt dhe është shkruar në librin e Qengjit”.

    Qëllimi i parë i martesës që iu dha hebrenjve të Dhiatës së Vjetër ishte shumimi. “Shtohuni dhe shumohuni” – i tha Zoti Adamit dhe Evës. “Unë kam për të të bekuar ty, e duke të shumuar ty, unë do të shumoj farën tënde mbi tokë”, i premtoi përsëri Avrahamit. Por në Dhiatën e Re, për hir të veprës shpëtimtare të Krishtit, martesa u lartësua në një nivel të ri, përmbi qëllimin e shtimit të gjinisë njerëzore dhe mbi kontratat ligjore. Njeriu u ngrit në një stad më të lartë dhe sipas shën Joan Gojartit, një prej apologjetëve më të mëdhenj të krishterimit martesa u bë “sakramenti i dashurisë”.

    John Meyendorff thotë, martesa është “një lidhje unike e dy qenieve të dashuruara, që kapërcejnë të qenit njeri të tyre dhe kështu nuk bashkohen vetëm me njëri-tjetrin, por ky bashkim bëhet në Krishtin”. (Martesa: Një Perspektivë Orthodhokse p.18). Në rast se në Dhiatën e Vjetër qëllimi i martesës ishte shtimi i gjinisë njerëzore dhe vazhdimi i trashëgimisë, në krishterim martesa ka si qëllim të sajin, perfeksionimin shpirtëror dhe të gjithanshëm të njeriut, lartësimin e tij në sferën shpirtërore, shkëputjen nga mentaliteti mishor dhe tokësor, bashkimin me Perëndinë. Në rast se në shumë kultura, martesa shikohet edhe si një mënyrë konsumimi të mirash, sidomos në shoqëritë e sotme moderne, apo si një siguri ekonomike, ku qëllimi i saj është grumbullimi i sa më shumë të mirave materiale, martesa e krishterë ofron pasi bekohet me bollëk nga Perëndia, si të mirat shpirtërore ashtu edhe ato materiale ndër të gjithë njerëzit, pa bërë diferencime.

    Janë me mijëra shembujt në historinë e gjatë të Krishterimit, të burrave dhe grave të krishtera që sakrifikuan dhe u bënë shembuj të gjallë dhe autentikë të humanizmit dhe bamirësisë. Në dritën e së vërtetës së krishterë që na është zbuluar, shën Joan Gojarti thotë se “Perëndia qysh nga fillimi na u tregua se është krijuesi, me anë të Providencës së Tij, i këtij bashkimi midis burrit dhe gruas”. Për më tepër niveli i martesës u ngrit në atë të një misteri, sikundër i referohet shën Pavli. Kjo do të thotë se marrëdhënia martesore midis burrit dhe gruas nuk është më një marrëdhënie e përkohshme, e cila tiranizohet nga koha dhe paqëndrueshmëria e ekzistencës së varfër njerëzore, por ajo lartësohet dhe hyn në spektrin e së përjetshmes. Le të citojmë përsëri mësuesin e madh ekumenik, shën Joan Gojartin i cili na thotë “se kur një burrë dhe një grua janë bashkuar në martesë, ata nuk duken më si diçka tokësore, por janë vetë ikona e Perëndisë”. Tek të gjithë, pa dyshim, na bën një përshtypje të madhe, kur dëgjojmë nëpër ceremonitë e martesës ndër konfesione të tjera, frazën “Derisa vdekja të na ndajë”. Kjo do të thotë se martesa ekziston “derisa vdekja të na ndajë” e si rrjedhojë, lidhja midis një burri dhe një gruaje të bashkuar në martesë, mbaron në këtë jetë dhe është rob i kësaj bote. Por Ungjilli na shpall se martesa është e përjetshme. Bashkimi sakramental i një burri dhe i një gruaje në martesën e krishterë është një bashkim i përjetshëm.

    Shën Klementi i Aleksandrisë, një prej Etërve të hershëm të Kishës shkruan “se martesa është diçka më tepër se njerëzore. Është një mikrombretëri, një mbretëri në miniaturë, e cila është shtëpia e vogël e Zotit”. Theologu John Meyendorff e tregon shumë qartë, “veçantinë e martesës së krishterë, që konsiston në transformimin dhe transfigurimin e afeksionit të natyrshëm midis burrit dhe gruas në një lidhje të përjetshme dashurie, që nuk mund të prishet as nga vdekja”, apo duke përdorur fjalët e atë Aleksandër Elchaninov, do të thoshim se “martesa na bën të aftë të kapërcejmë përtej rregullave normale të marrëdhënies njerëzore dhe të hyjmë në një sferë të së mrekullueshmes, të superhumanes”.

    Krishterimi përpiqet të mos lërë idhujt e krijuar nga njeriu të prishin lumturinë e vërtetë të martesës, duke i dhënë atij mundësi për të kapërcyer veten e tij, botën dhe gjendjen e rënë, duke e orientuar jo që të përmbushë vetëm disa nevoja dhe shijime, por e çon drejt sferave më të larta të ekzistencës. Kjo realizohet me mënyrën që shën Grigor Theologu, një atë tjetër i madh i Kishës, na e tregon: “Martesa është çelësi i moderimit dhe harmonia e dëshirave, vula e miqësisë së thellë… pija unike nga një burim i rrethuar me gardh, që është i paafrueshëm për ata që janë jashtë. Të bashkuar në mish, një në shpirt, burri dhe gruaja nxisin njëri-tjetrin me nxitjen e dashurisë reciproke. Se martesa nuk e largon Perëndinë, por i sjell të gjithë më afër Atij, sepse është vetë Perëndia, Ai që na sjell brenda saj”.

________________

Referenca:

– Mandro A., E Drejta Romake, Tiranë, fq. 95-120.
– Elchaninï v A., Diary of a Russian Priest, bot. Con. Press, fq. 46.
– Mack J., Preserve them o God, bot. Con. Press, fq. 15-19.
– Meyendorff J., Marriage. An Orthodox Perspective, bot. SVS Press, fq. 18.
– Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, bot. Qendra e Publikimeve Zyrtare, Tiranë, 2003.
– http://www. Wikipedia. com./ Marriage, different views of marriage in the
main important religions.
– Gjeneza 1:26-28.Gjeneza 1:26-28.