Nish, 6 tetor 2013, me rastin
e 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos

Liria fetare është pazgjidhshmërisht e lidhur me kthimin e vendeve të Shenjta të kultit.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi

    Kur sjellim ndërmend persekutimet e frikshme, martirizimet e mëdha që kaluan të krishterët gjatë tre shekujve të parë nga sundimtarë të ndryshëm të Perandorisë Romake, thjesht dhe vetëm sepse besonin dhe pohonin Krishtin, kuptojmë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka Edikti i Milanos për rrugëtimin e Kishës dhe në përgjithësi për historinë botërore. Një tekst që u dekretua nga dy bashkëperandorët e asaj epoke, Konstandini dhe Liciniusi. Bëhet fjalë për shpalljen për herë të parë të lirisë fetare në Evropë.

   Me rastin e kremtimit të 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos në Nish, në Naison antike, ku lindi Konstandini i Madh, përshëndesnim në radhë të parë dhe përgëzojmë nxehtësisht organizatorët e këtij kremtimi. Me këtë rast do të donim të theksonim dy pika: E para ka lidhje me rivendikimin e drejtë të disa Kishave Orthodhokse, të cilat para shumë vitesh duruan persekutime të rënda ateiste. Dhe pika e dytë, ka të bëjë me përgjegjësinë e atyre që kanë një pozitë me rëndësi në Kishë për të fuqizuar lirinë fetare, si edhe, të bëjmë të ditur qëndrimin tonë në kushtet mbarëbotërore që janë krijuar sot.

   1. Tema kryesore e Ediktit është që të krishterët dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Perandorisë Romake mund të ushtrojnë lirisht fenë e tyre dhe se, të gjitha ligjet e nxjerra më parë, si edhe dekretet e tjera kundër Krishterimit shfuqizohen.

    Duke studiuar tekstin e Ediktit, na bëri përshtypje të veçantë lidhja direkte e lirisë fetare me kthimin e vendeve të adhurimit tek të krishterët, pa detyrimin e riblerjes. Karakteristike është referimi i detajuar dhe këmbëngulja për zbatimin e këtij vendimi. Një e treta e tekstit ka lidhje me këtë çështje. Gjuha e tij emfatike është mjaft zbuluese në vetvete.

    “Urdhërojmë, veçanërisht për të krishterët, përveç të tjerave dhe këtë gjë: vendet e tyre, ku më parë e kishin zakon të mblidheshin… nëse disa i kanë blerë qoftë nga arka jonë apo nga ndonjë arkë tjetër, këto duhet t’u kthehen të krishterëve, pa parà dhe pa asnjë lloj shpërblimi tjetër, pasi të jetë mposhtur çdo lloj neglizhence dhe vënie në pikëpyetje.

    Dhe nëse ka rastisur që disa t’i kenë marrë këto vende si dhuratë, t’i kthejnë ato sa më shpejt tek të krishterët. Si rrjedhojë, nëse ata që i kanë blerë ose ata që i kanë marrë si dhuratë kërkojnë diçka nga mirësia jonë, t’i kërkojnë qeveritarit lokal, një zgjidhje nga dashamirësia jonë. Të gjitha këto vende duhet t’i dorëzohen trupit të të krishterëve, me anë të përkujdesjes sate dhe pa asnjë vonesë kohore.

    Dhe jo vetëm vendet e adhurimit, por edhe shumë më gjerë, të gjithë elementët pasurorë të të krishterëve, duhet me të njëjtat terma të ktheheshin “dhe pa pikëpyetjen më të vogël”.

    Pasojë e pazgjidhshme e lirisë fetare është kthimi i vendeve të shenjta të kultit. Nga kjo vjen edhe detyrimi ynë për të këmbëngulur në këtë anë të kuptimit të lirisë fetare dhe që të kërkojmë të drejtat tona që burojnë prej saj (siç e bëmë në rastin e kishës së Përmetit). Për fakt të keq, disa shtete të sotme moderne shfaqen të vonuar rreth 1700 vjet, sa i takon kuptimit të gjerësisë së Konceptit të Lirisë fetare, për shkak të propagandës ateiste të shekullit të 20-të. Dhe vazhdojnë të mbajnë ende, me pretekste të ndryshme, vendet e kultit, ndërsa në të njëjtën kohë sigurojnë se respektojnë lirinë fetare.

    2. Pika e dytë: Pranverën shpirtërore që solli Edikti i Milanos në jetën e Kishës, e pasuan shumë alergji shpirtërore: ndarje, herezi, dobësi njerëzore, që i çelën rrugën ndërhyrjeve shtetërore në jetën e saj. Liria fetare e siguruar me Ediktin e Milanos, nuk mjaftonte për lulëzimin shpirtëror dhe frytshmërinë e Kishës, siç shpresonin besimtarët orthodhoksë. Në kushtet e reja lindën probleme të reja. Marrëdhëniet e pushtetit shtetëror dhe të Kishës çuan në peripeci të reja. Në Perëndim, Kisha kërkoi pushtetin e kësaj bote dhe eci më tej duke u bërë shtet. Në Lindje, pushteti shtetëror ndërhynte, shpesh arbitrarisht, në çështjet e brendshme të Kishës.

   Në shekullin e 20-të Kisha jetoi përsëri persekutime të rënda. Çështja kritike në epokën tonë është, se si duke shmangur variantet e dy tundimeve të mësipërme, do të vlerësojmë ose jo siç duhet përvojën, rezistencën, pastërtinë e besimit të të krishterëve të shekujve të parë por edhe të atij të 20-të, të cilët “si ari në furrë” u dëlirësuan dhe se si të mos tërhiqemi dhe të biem në ndasi dhe antiteza, të cilat i mbart kërkimi i privilegjeve të kësaj bote.

    Çështja bazë për shekullin e 21-të, duke jetuar në periudhën e shpalljes së të drejtave të njeriut që ka si element kryesor lirinë fetare është kjo: sa ne drejtuesit e Kishës jetojmë moralin kryqngjallësor të të krishterëve që duruan persekutime, pa devijuar në koncepte pushtetare dhe synime për të pasur një madhështi të jashtme. Njëkohësisht, me kremtimet e përvjetorit të dhënies së lirisë fetare me Ediktin e Milanos, imponohet detyrimi që me këto, të bashkekzistojë edhe meditimi për përdorimin e drejtë të lirisë fetare. Ajo që kërkohet nga të gjithë ne, që kemi përgjegjësi brenda në Kishë, është respektimi i çdo personi njerëzor, njëkohësisht edhe zgjedhja e fuqisë së dashurisë dhe shmangia e dashurisë për fuqinë.

    Persekutimet e jashtme, në kohë të ndryshme, herë largohen dhe herën ndodhen në pikë kulmore (p.sh. si në Lindjen e Mesme). Megjithatë, përndjekjet kundër të krishterëve thjesht ndryshojnë formë (përbuzje, fyerje, shpifje). Por na ngushëllon fjala e apostull Pavlit “Sepse juve ju është falur për hir të Krishtit, jo vetëm t’i besoni atij, por edhe të pësoni për të” (Filip. 1:29). Eksperienca dhe morali apostolik na udhëheqin në vazhdimin e përpjekjes dhe të detyrimit tonë apostolik “…në fuqi të Perëndisë; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën; në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; porsi mashtrues, po të vërtetë; porsi të panjohur, po të njohur mirë; porsi duke vdekur, po ja tek rrojmë; porsi të munduar, po jo të vrarë; porsi të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; porsi të vobektë, po shumë veta pasurojmë; porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë (2Kor. 6:7-10).

    Në rrjedhën e ngjarjeve të shekullit të 21-të, me kaq shumë trazira, Kisha Orthodhokse, e bashkuar, duke jetuar në liri dhe në dashuri, ftohet, në çfarëdolloj kushtesh që të ndodhet, të mbrojë lirinë fetare, në mbarë dheun, duke rrezatuar të vërtetën dhe fuqinë shpirtërore të besimit të krishterë.

————————-

1.Ajo që njihet sot si Edikti i Milanos është një letër perandorake dërguar qeveritarëve të krahinave romake, për të zbatuar sa më rigorozisht urdhrat e marrë. Ruhet në gjuhën latine nga historiani latin Laktanti (240-347 pas Krishtit), në veprën e tij De mortibus persecutorum (Vdekja e persekutorëve (Migne, PL. 7/267), dhe në gjuhën greke në një formë më të shkurtuar, nga historiani kishtar Efsevi, episkopi i Cezarisë së Palestinës (265-340 pas Krishtit), Εκκλησιαστική Ιστορία, 10ο κεφ, 5,2-3 Migne, P.G. 20, vargjet 880-885)