Një vështrim i shkurtër historik rreth debatit mbi Filoque.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, Tempulli nr. 10, Korçë, 2005.
Sot jetojmë në një kohë ku shumë nga diskutimet, debatet dhe kundërshtitë teologjike, dogmatike, doktrinale apo eklesiologjike e kanë humbur interesin nga masa e madhe e komuniteteve të ndryshme të krishtera dhe fatkeqësisht, këto diskutime teologjike kanë mbetur çështje vetëm e një rrethi shumë të ngushtë teologësh. Kjo ka ndodhur, jo për arsyen se këto debate kanë gjetur një zgjidhje apo mirëkuptim, por sepse tani për këto probleme ka një indiferentizëm dhe mosinteresim. Kjo në fakt nuk është as zgjidhje dhe as mirëkuptim. Duke mos u jetuar, doktrina bëhet jo e rëndësishme dhe debati teologjik nuk paraqet më interes. Edhe nëse do të diskutohet, kjo bëhet vetëm thjesht nga interesa inlelektuale.
Madje edhe në rrethe që e konsiderojnë veten si fetare, shihet një divorc ndërmjet doktrinës dhe përjetimit të saj.
Nëse doktrina nuk shërben për të formuar qëllimin dhe mënyrën e jetës së përditshme, ajo do të humbasë dobinë dhe interesimi për të do të ishte vetëm nga shkollarët.
Ajo nuk do të ketë kuptim nëse nuk përjetohet dhe duke humbur kuptimin ajo fillon edhe harrohet. Doktrina ka shërbyer gjatë gjithë kohës për të ruajtur besimin. Etërit e Kishës e mbrojtën me forcë doktrinën, pikërisht se e dinin se çdo shtrembërim i saj do të kishte pasoja në jetën shpirtërore. Sepse neglizhimi, harrimi ose deformimi i doktrinës ka sjellë gjithmonë edhe ndryshimin dhe deformimin e jetës shpirtërore dhe si pasojë edhe atë të jetës shoqërore dhe kulturore. Ashtu si ajo nuk mund të mbahet gjallë dhe do të kthehej në disa koncepte dhe shpjegime të thata doktrinale nëse nuk do të ushqehet nga përvoja e përditshme e miliona njerëzve, ashtu edhe përvoja e këtyre mund të shtrembërohej pa sigurinë e doktrinës së përbashkët.
Gjithashtu brenda komuniteteve të ndryshme kanë mbetur paragjykime dhe shpjegime, të cilat nuk kanë patur fare lidhje me të vertetat teologjike. Disa prej këtyre polemikave kanë lindur nga veçoritë e ndryshme historiko-kulturore të popujve dhe zonave të ndryshme. Por edhe çështje të rëndësishme doktrinale, shpesh herë janë mbingarkuar me arsyetime dhe shpjegime jodoktrinale. Në këtë periudhë dialogu ndërmjet shumë besimeve të ndryshme, ndoshta do të ishte me interes, siç edhe po ndodh, rishqyrtimi me seriozitet i shumë debateve të së kaluarës dhe ndarja e “të vërtetave teologjike” nga “polemika teologjike”.
Një debat i gjatë ndërmjet Kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit është zhvilluar gjatë shekujve në lidhje me burimin e Shpirtit të Shenjtë, ose me të famshmen Filoque. Meqenëse ky debat ishte një nga më të rëndësishmit në fushën doktrinale në Skizmën e madhe ndërmjet Kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit, ashtu si doktrina e papatit në atë eklesiologjike, do të ishte me interes për lexuesin tonë t’i paraqitej një vështrim i shkurtër historik rreth debatit mbi Filoque dhe situatës së sotme. Ky shkrim nuk paraqet vetëm këndvështrimin e Kishës Orthodhokse mbi këtë debat, ngaqë qëllimi kryesor i tij nuk është debati, por më tepër një paraqitje historike e këtij diskutimi shekullor, si edhe pozicionin e të dy Kishave, asaj të Lindjes dhe asaj të Perëndimit. Ndonëse ky shkrim kërkon një lexues që të ketë një lloj njohurie të mjaftueshme teologjike, përsëri ai mund të paraqesë interes edhe për një masë më të madhe lexuesish, për t’i ndihmuar ata që të hyjnë sadopak në brendi të këtij debati të gjatë.
II
Lindja dhe zhvillimi i debatit. Për herë të parë e shohim përdorimin zyrtar të Filioque në kanonin 3 të Sinodin III të Toledos, i mbledhur ne 589. Pjesëmarrësit e këtij Sinodi shtuan, në mënyrë të njëanshme, në Simbolin e Besimit të Nikea-Konstandinopojës, mbas fjalëve: “Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot e Jetëbërës, që buron prej Atit [Et in Spiritus sanctum, dominum et vivicantem, ex Patre . . .], fjalët “dhe prej Birit” [et ex filio procedentem].” Aktet e Sinodit IV të Toledos tregojnë se kjo ishte aprovuar. Gjithashtu u konfirmua edhe nga Sinodet V, VI, XI, XV, të Toledos.
Kjo dogmë lokale e Kishës së Spanjës, ngadalë filloi të përhapej, ndonëse hasi edhe rezistencë nga shumë peshkopë. Ndoshta në përhapjen e këtij novacioni, ndikoi edhe lufta kundër adoptionizmit, një herezi mësuar nga peshkopët spanjollë Feliksi i Urgelit dhe Elipandi i Toledos. Ata thonin se Krishti ishte Bir i adoptuar i Perëndisë dhe jo Fjala e Tij, e bashkëqenëshme me Atin. Gabimi i tyre u kundërshtua me forcë në Perëndim. Kështu, shumë kundërshtarë të adoptionizmit, menduan se filioque, ishte një armë e fortë kundër kësaj herezie. Por ky novacion, ndoshta me dëshirë të mirë, ishte një shtesë në Simbolin e Besimit. Peshkopët e Perëndimit që morën pjesë në sinodin e Lateranos, në kohën e papës Martin, e pohuan besimin e tyre në Shën Trininë, sipas Simbolit të Besimit Nikea-Konstandinopolitan dhe konfirmuan vendimin e Sinodit IV Ekumenik, i cili ndalonte të shtohej apo modifikohej ndonjë fjalë e këtij Simboli. Filioque u dënua edhe nga një sinod lokal, i mbledhur ne 791 nga Paulini, kryepeshkop i Akuilesë.
Më pushtimin e një pjese të Spanjës nga frankët e Karlit të Madh, filioque filloi gradualisht të përdorej nga frankët. Por edhe në Francë pati kundërshtime. Teologu i famshëm i Kishës së Francës Alkuen (Alcuin) i shkruante të krishterëve të Lionit në vitin 798: “Vëllezër te dashur, ruhuni me kujdes shumë të madh nga gabimi i sekteve të reja spanjolle. Ndiqni me besë gjurmët e Etërve të vjetër dhe radhituni njëzëri në Kishën universale, sepse është shkruar: Mos i luaj kufijtë e vendosur nga etërit (Fjalët e Urta 22:28). Mos tentoni te fusni gjëra të reja në simbolin e besimit katolik […]. Ecni ne rrugën e madhe të mësimit apostolik dhe mos dilni jashtë rrugës mbretërore në qorrsokak, as majtas dhe as djathtas.”1 Kjo letër u shkrua në vitin 804. Por, ky novacion u favorizua nga Karli i Madh, dhe u diskutua në një sinod të mbledhur prej tij në Aix-la Chapelle (809), ku pjesa më e madhe ishin në favor të tij. Pastaj, vendimi i sinodit u dërgua në Romë për aprovim. Në atë kohë papë ishte Leoni III. Papa bëri një kompromis; ndonëse ai u shpreh në favor të filioque, përsëri nuk e lejoi të futej në Simbolin e Besimit të Nikea-Konstandinopojës. Madje, përkundrazi, urdhëroi që Simboli i Besimit, pa filioque, të gdhendej në dy tabela argjendi, në greqisht dhe latinisht, të cilat u varën në Kishën e Shën Pjetrit me nënshkrimin: “Unë, Leoni i vendosa këto tabela për dashurinë dhe ruajtjen e besimit orthodhoks.” Por, megjithatë, në një kohë relativisht të shkurtër, shtesa u adoptua në të gjitha vendet që ishin nën sundimin e Karlit të Madh: në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Itali. Në Romë ajo u mbrojt nga papa Nikolla I, u kundërshtua nga papa Joani VII dhe përsëri u mbrojt nga papa Marin. Por, Roma e adoptoi zyrtarisht këtë shtesë vetëm në fillim të shek. XI (rreth 1015), me kërkesë të perandorit Henrik.
Në Lindje ky novacion u kundërshtua shumë, sepse u pa rreziku se mund të krijoheshin dy parime dhe kështu të prishej monarkia. Për ata, besimi i Kishës, i bazuar mbi Zbulesën e Shenjtë, mbronte një burim të vetëm, Atin. Nëse do të pranoheshin dy burime do të shkatërrohej uniteti i Perëndisë. Në fakt, përdorimi i filioque-s dhe sidomos i pashoqëruar me shpjegime mund të ishte një rrezik për këtë. Por në Lindje pati gjithashtu edhe zëra të cilët nuk e shikonin filioque-n në kuptimin e dy parimeve. Qysh në shek. VII Shën Maksim Konfesori, duke dashur të mbrojë perëndimorët, të akuzuar se po krijojnë dy burime, shkruan se ata nuk e kuptojnë Birin si burim të Shpirtit të Shenjtë, sepse ata e dinë së ka vetëm një burim të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, njëri me anë të lindjes, dhe tjetri me anë të burimit, por me filioque ata duan të tregojnë që Shpirti dërgohet me anë të Birit. Megjithë dëshirën për t’i mbrojtur, Shën Maksimi e tregon qartë se burimi është i vetëm, dhe se Shpirti e nxjerr ekzistenën e tij, ashtu si edhe Biri, vetëm nga Ati. Nëse filioque do të kuptohej nga të gjithë kështu, ajo nuk paraqiste ndonjë rrezik, të paktën doktrinal. Por, përsëri, me futjen e saj lihej një shteg i hapur për spekulime qe mund të çonin në ndryshime të mëdha doktrinale. Një kundërshtim të madh kundër filoque-s u bë nga Shën Joan Damaskini dhe Shën Foti.
Megjithatë, deri në shk. IX, filioque nuk kishte marrë akoma formë zyrtare, dhe kështu debati ishte shumë i lokalizuar. Me aprovimin që i bëri Papa Nikolla I, diskutimi u ndez në të gjithë krishtërimin, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Patriku i Konstandinopojës, Foti, e kundërshtoi me forcë, si në aspektin dogmatik ashtu edhe në atë eklesiologjik. Debati pati shumë tone të ashpra dhe u shoqërua me akuza dhe kundërakuza, të cilat kanë lënë deri në ditët e sotme një shije të hidhur.
Por edhe në Perëndim shumë teologë u munduan ta shpjegojnë Filioque-n, jo si cënim të doktrinës së monarkisë në Hyjninë, por sipas demostrimit të Shën Agustinit, duke pranuar “se duhet besuar që Ati e Biri ishin parimi i Shpirtit, ndonëse ata nuk janë dy parime.” Si pasojë Shpirti i Shenjtë buron prej Atit substancialisht dhe parimisht, por Ati i transmeton Birit me esencën e tij fuqinë për të buruar Shpirtin. 2 Sinodi i mbajtur ne Lion (1274) dekretoi se Shpirti i Shenjte buron përjetësisht prej Atit dhe Birit, jo si dy parime, por si një parim i vetëm, jo si dy burime, por si një burim i vetëm. Ndonëse, ky nocion e zbuti pak pozicionin e Kishës së Perëndimit, përsëri debati vazhdoi. Filoque u dënua me forcë gjithashtu edhe nga Shën Marku i Efesit, i cili mori pjesë në Sinodin e Firences në 1439.
Kisha e Lindjes e mbronte gjithmonë me këmbëngulje mësimin mbi burimin e Shpirtit të Shenjtë vetëm prej Atit. Ati kishte raport me Shpirtin ashtu si edhe me Birin. Biri nuk mund të jetë një ndërmjetës ndërmjet Atit dhe Shpirtit të Shenjtë, sepse Shpirti nuk është një veçori e Birit. Mendimi trinitar i Lindjes i shprehur nga Shën Grigori i Nisës, Shën Grigor Palamai dhe shumë të tjerë e shikon ndërmjetimin e Birit në ekonominë hyjnore, por jo shkaktimin e burimit të Shpirtit të Shenjtë nga Biri. Ati është shkaku dhe burimi i vetëm. Ndonëse filioque u përdor në Perëndim për të theksuar unitetin bashkëqenësor të Trinisë dhe hyjnishmërinë e Birit, Kisha Orthodhokse e ka kundërshtuar atë, sepse trembej se me anë të saj mund të futej ideja e dy parimeve, dy shkaqeve në Hyjninë dhe kështu do të shkatërrohej uniteti i Hyjnisë. Gjithashtu, duke e theksuar aq shumë dashurinë ndërmjet Atit dhe Birit, sipas interpretimit agustinian, deri sa duke i bërë një burim të perbashkët të Shpirtit të Shenjtë, dobësohej dallimi i personave. Dashuria brenda Trinisë, sipas teologëve të Lindjes është ndërmjet të Tre personave hyjnore. Ndërsa teologët e Perëndimit mbroheshin duke thënë se filioque thekson unitetin e bashkëqenshmërisë së Trinisë së Shenjtë, hyjnishmërinë e Birit, si edhe intimitetin ndërmjet Birit dhe Shpirtit.
Gjithashtu shtimi i filioque në Simbolin e Besimit në mënyrë të njëanshme u pa nga Kisha e Lindjes si një shkelje kanonike. Vendimet e Sinodeve III dhe IV Ekumenik, e shpallën të paprekshëm Simbolin e Besimit të Nikea-Konstandinopojës, duke kërcënuar me anatemë këdo që do të shtonte diçka në të, ose do ta ndryshonte. Kryesuesi i Sinodit III, Shën Qirili i Aleksandrisë i shkruan Joanit të Antiokisë: “Të mos lejojmë as vetvetet tona, as ndonjë tjetër të ndryshojë fjalën e shenjtë të Simbolit të besimit, as edhe te heqë, qoftë edhe njërën nga rrokjet e shenjta të tij, le të kujtojmë atë që ka thënë: Mos i luaj kufijtë e vendosur nga etërit (Fjalët e Urta 22:28). Sepse nuk janë ata që kanë folur, por Shpirti i Perëndisë dhe i Vetë Atit, Ai që buron prej Atij dhe që nuk është i huaj për Birin në kuptimin e esencës.”3 Po ashtu, në Sinodin e VII, Etërit deklaruan për Simbolin e Besimit: “Ne ndjekim vendimet e vjetra të Kishës, ne ruajmë vendimet e Etërve, ne shpallim anatema ndaj atyre që shtojnë ose heqin ndonjë gjë në Kishë.”
III
Mbrojtja dhe kundërshtimi i Filoque-s. Në debatin e gjatë mbi filioque-n, teologët e Kishës së Perëndimit u përpoqën të sillnin në ndihmë të saj pjesë nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga shkrimet e Etërve të Kishës. Ata i interpretonin këto pjesë në favor të doktrinës së tyre, për të justifikur përdorimin e filioque-s. Ja disa prej tyre. Ungjilli i Shën Joanit ku Zoti flet për Shpirtin e Shenjtë: “Sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë të gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju tregojë gjërat që do të vijnë, Ai do të më lavdërojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua tregojë. Gjithë sa ka Ati janë të miat; prandaj thashë se do të marrë prej simes dhe do t’jua tregojë” (Jn. 16:13-15). Por sipas teologëve të Lindjes kjo pjesë nuk flet në favor të filioque, por për dërgimin dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë në kohë siç tregohet edhe nga përdorimi i foljeve në kohën e ardhshme: do të flasë, do të marrë, do të tregojë dhe do të lavdërojë. Po ashtu edhe nuk do të flasë nga vetja, për teologët e Lindjes nuk tregon një varësi të Shpirtit, sepse as Biri nuk flet nga vetja (Jn 12:49), ashtu si asnjë nga Personat e Shën Trinisë, në kuptimin më të ngushtë të fjalës, por nga esenca e përbashkët e Hyjnisë. Këto fjalë “duan të thonë që nuk do të flasë asgjë të kundërt me mësimin tim”. Ndërsa Do të marrë prej meje dhe do t’jua tregojë, ishte për teologët e
Perëndimit një shenjë e qartë për të justifikuar përdorimin e filoque-s, për teologët e Lindjes kjo nuk tregon burimin e përjetshëm të Shpirit dhe mënyrën e tij të ekzistencës, por mënyrën e veprimit të tij në botën e krijuar. Zoti nuk thotë se Shpirti do të marrë prej meje atë që më parë nuk e kishte dhe nuk e njihte, por “do të flasë në harmoni me mësimin tim”, domethënë “çdo gjë që ju kam treguar unë, Ai do t’ju tregojë gjithashtu.”4 “Do të marrë prej meje dhe do t’jua tregojë – do të thotë se – ai do të përdorë të njëjtat fjalë, për shkak të identitetit të esencës, gjithmonë të barabartë në prejardhje, në veprim dhe në fjalë . . . Po ashtu si Biri që është i bashkëqenshëm me Perëndinë Atë, duke qenë fjala e tij, dhe thotë të njëjtat fjalë. Atë që Perëndia ka dërguar thotë fjalët e Perëndisë; po ashtu, unë mendoj Shpirti i Shenjtë thotë fjalët e Krishtit, duke qenë Shpirti i tij, duke zotëruar lavdinë dhe gjuhën e tij dhe gjithçka që rezulton nga identiteti natyror.”5
Po ashtu, për Kishën e Lindjes, Gjithë sa ka Ati janë të miat, nuk tregojnë se Shpirti buron gjithashtu prej Birit. Por ato tregojnë se nga natyra dhe nga hyjnishmëria, gjithçka që ka Ati, ka gjithashtu edhe Biri, përveç se veçorive personale. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shpirtin e Shenjtë, sepse edhe ka sipas natyrës dhe hyjnishmërisë, gjithçka që ka Ati dhe Biri, përveç se veçorive personale, me anë të cilave dallohen përjetësisht dhe pandyshueshmërisht nga njëri-tjetri. Madje teologët e Lindjes argumentonin se nëse do të ndiqej ky arsyetimi i teologëve latinë, se këto fjalë mbeshtesin filioque, domethënë Biri ka të përbashkët me Atin edhe burimin e Shpirtit të Shenjtë, atëherë mund të thuhej se ka të përbashkët edhe palindshmërinë. Nëse gjithçka ka Ati ka edhe Biri do të kuptohej në ketë mënyrë, atëherë përse jo edhe lindja dhe mishërimi i Birit do të ishin të huaja për Personin e Atit? Ata theksonin se duhej të mbahej parasysh ndryshimi ndërmjet bashkëqenshmërisë së natyrës dhe hyjnishmërisë dhe veçorive personale. Nëse veçoritë personale do të ishin të përziera dhe të ndryshueshme dhe të komunikueshme tek njëri-tjetri, atëherë nuk do të kishim Tre Persona të dallueshëm nga njëri-tjetri dhe Trinia nuk do të ishte më Trini. Sipas mësimit unanim të Etërve të Shenjtë, veçoritë personale të Personave hyjnorë janë të pandryshueshme dhe të pakomunikueshme.
Një pjesë tjetër nga me të cituarat është Joani 15:26, ku Zoti thotë: “Por kur të vijë Ngushëllimtari, që do t’jua dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, që buron prej Atit, ai do të dëshmojë për mua.” Në këto fjalë teologët latinë shohin vetëm një veprim. Për ata burimi i Shpirtit nga Ati përmban gjithmonë në vetvete konceptin e burimit edhe “prej Birit”. Ndërsa për teologët e Lindjes, në këto fjalë kemi të bëjmë me dy veprime të dalluara qartë: burimin e përjetshëm të Shpirtit prej Atit dhe dërgimin e tij në kohë nga Ati dhe Biri. Shën Athanasi i Madh, këto pjesë të Ungjillit të Joanit që flasin për Birin dhe Shpirtin, të cilët teologët latinë i citojnë në favor të tyre, i shpjegon si prova të bashkëqenshmërisë të tyre.6 Dërgimi nuk ka të bëjë me jetën e brendshme në Trininë dhe as me lidhjen ndërmjet njëri-tjetrit të personave të Trinisë, por me aktivitetet e jashtme të Perëndisë Triadik. Për me tepër, shtojnë teologët e Lindjes, në Shkrimin e Shenjtë, ka disa pjesë, si Isaia 48:16; 61:1 dhe Lluka 14;18, ku paraqitet Shpirti i Shenjtë duke dërguar Krishtin. “Le te mos mendojmë qe Biri ka qenë dërguar në ketë menyrë prej Atit, dhe që nuk është dërguar gjithashtu prej Shpirtit të Shenjtë”; “Ati me Shpirtin dërgojnë Birin; po ashtu Ati me Birin dërgojnë Shpirtin.”7 Kisha e Lindjes këmbëngulte se këto pjesë nuk mund të interpretohen të izoluara nga Zbulesa e plotë dhe nga i gjithë Mesimi i shenjtë i Kishës dhe se në tekstet e sipërpërmendura, kemi të bëjmë me aktivitetet hyjnore të jashtme dhe jo me jetën e brendshme të përjetshme të Shën Trinisë.
Gjithashtu, është përmendur shumë nga teologët e Perëndimit në favor të filioque, fakti që në Shkrimin e Shenjtë, Shpirti quhet edhe Shpirt i Birit ose Shpirt i Krishtit. Por, për teologjinë e Lindjes, Apostujt e quajnë ashtu, sepse dhuratat e Shpirtit u janë dhënë njerëzve me anë të Birit, si edhe për shkak të identitetit të esencës së tyre. Shën Athanasi i Madh shkruan: “Meqenëse Biri ka të njëjtën esencë me Atin, është e nevojshme që Shpirti, i cili është nga Perëndia, të jetë identik me Birin sipas natyrës.”9 Po të njëjtën gjë thotë edhe Shën Vasili i Madh: “Por, atë e quajnë edhe Shpirti i Krishtit, meqenëse ai është i lidhur në mënyrë intime me të, nëpërmjet natyrës.”; “Ne nuk themi që Shpirti është prej Birit, por megjithatë ne e quajmë Shpirt i Birit dhe pohojmë se ai është shfaqur me anë të Birit, i cili na e ka transmetuar.”10 “Pa dallim, i njëjti Shpirt, për shkak të bashkësisë së natyrës, është quajtur herë i Atit dhe herë i Birit.”11 Prandaj, theksojnë teologët e Lindjes, se nuk duhet nxjerrë nga identiteti i esencës apo nga uniteti i bashkëveprimit, përbashkësia e veçorive hipostatike. Sepse, Shpirti është quajtur i Birit, për shkak të bashkimit të pandarë dhe të esencës së njëjtë, dhe jo sepse ai e ka ekzistencën prej Birit. “Ne e adhurojmë Shpirtin e Shenjtë, si Shpirt i Perëndisë Atë, domethëne që buron prej Atij, dhe si Shpirt i Birit, sepse është shfaqur dhe i është komunikuar krijesës me anë të Atij, dhe jo sepse ai e nxjerr Hipostazën e tij dhe ekzistencën e tij prej Atij.”12 Kjo e vërtetë është ruajtur edhe në adhurimin e Kishës. Shprehja, “Shpirti që buron prej Atit dhe që shfaqet me anë të Birit”, gjendet në disa Tropare të Kishës.
Formula “buron prej Atit, me anë të Birit”, e përdorur nga disa Etër të Kishës, shihej nga teologët e Kishës së Perëndimit si një mbështetje për filoque, ndërsa për ata të Lindjes me anë nuk është e njëjtë me filioque. Për ata me anë është përdorur për të treguar shfaqjen në kohë dhe dërgimin e Shpirtit të Shenjtë mbi krijimin, ose në lidhje me numërimin e personave të Trinisë. Ndonëse, Shpirti i Shenjtë ka buruar perjetësisht prej Atit dhe nuk ka asnjë interval kohe ndërmjet tij dhe Birit, Biri numërohet i dyti dhe ai numërohet i treti, për shkak të kufizimit dhe pamundësisë të mendjes njerëzore. I njëjti debat është bërë edhe për shumë nga shkrimet e Etërve të Kishës. Pjesë nga shkrimet e Shën Athanasit, Shën Vasilit, Shën Grigor Teologut, Shën Qirilit të Aleksandrisë, Shën Agustinit, Shën Leonit I, Shën Gregorit të Madh etj, citoheshin si mbështetje të interpretimeve të ndryshme. Eshtë e vërtetë që shumë nga këto shkrime kanë pjesë ku flasin për Shpirtin e Shenjtë sikur buron prej Atit dhe Birit, sidomos në shkrimet e Shën Agustinit, Shë Leonit I, Shën Gregorit të Madh, por ato motivoheshin nga dëshira për të theksuar barazinë e Atit dhe Birit që mohohej nga kundërshtarët e tyre, si p.sh arianët.
Si përmbledhje të këtij debati të gjatë, pro dhe kundër, mund të themi se teologjia e Lindjes frikësohej se filoque do të cënonte monarkinë e Atit, si i vetmi shkak dhe burim i Shpirtit dhe kështu e theksonte burimin e Shpirtit vetëm nga Ati e kufizonte ndërmjetimin e Birit vetëm në Ekonominë hyjnore. Ndërsa teologjia e Perëndimit e (theksonte filoque-n, duke u trembur se mos theksimi i kufizimim të ndërmjetimit të Shpirtit vetëm në Ekonominë hyjnore do të cënonte bashkëqenshmërinë e Atit me Birin. Për më tepër, Kisha e Lindjes e kundërshtonte si një shkelje kanonike futjen e një klauzole tjetër, në mënyrë të njëanshme, në Simbolin e Besimit të Kishës Universale, pa aprovimin e saj nga një Sinod Ekumenik.
Gjatë gjithë këtij debati të gjatë ka pasur teologë nga të dy krahët që kanë shprehur mendime të ndryshur rreth filoque-s. Disa prej tyre kanë parë një ndryshim të madh dhe një papajtueshmëri doktrinale në lutjen e filoque-s në Simbolin e Besimit, ndërsa disa të tjerë kanë menduar se të dy variantet, nëse do të interpretoheshin drejt, mund të shprehin të njëjtin besim. Debati i sotëm është përqëndruar me shumë në ketë të dytën.
IV
Debati Sot. Me shtimin e dialogut ndërmjet kishave të Lindjes dhe Perëndimit, një vend të rëndësishëm ka marrë edhe ridiskutimi i filioque-s. Shumë gjëra që ishin vetëm një lloj “polemike teologjike” dhe jo “të vërteta teologjike” po rishikohen me kujdes.”13 Duhen pasur parasysh se: “Filoque nuk tregon një ndryshim vendimtar në dogmë, por një ndryshim të rëndësishëm në interpretimin e dogmës, për shkak të përqasjeve të ndryshme kapadokiane dhe agustiniane të misterit të Trinisë.”
Një kontribut i rëndësishëm kanë qenë Memorandumi “Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Krishtit,15 ku teologë nga Lindja dhe Perëndimi nëpërmjet artikujve të tyre studimorë rifreskuan ekzaminimin e filioque-s. Tre nga pikat më të rëndësishme të diskutuara ishin: 1- A është filoque një dogmë e detyrueshme për të gjithë të krishterët që kërkojnë bashkimin në bazë të një besimi të përgjithshëm dhe apostolik? 2- A është filoque nje theologumenon, d.m.th. një interpretim valid por jo i detyrueshëm i dogmës së krishterë? 3- Apo është një gabim doktrinal që duhet korrigjuar?16
Sot, ndër teologët e Perëndimit po flitet më shumë se filioque u përdor kryesisht për të theksuar unitetin e bashkëqenshmërisë së Trinisë së Shenjtë, hyjnishmërinë e Birit, si edhe intimitetin ndërmjet Birit dhe Shpirtit. Të gjitha këto nuk janë në kundërshtim me teologjinë e Lindjes dhe është një hap i madh drejt një kuptimi të përbashkët të jetës së brendshme të Trinisë së Shenjtë. Gjithashtu, sot po theksohet përsëri edhe në Perëndim mësimi mbi “monarkinë” e Atit, domethënë “Ati vetëm është parimi, burimi dhe shkaku i hyjnisë”. Po ashtu shumë teologë të Perëndimit theksojnë se kurrë nuk ka qenë synimi për ta mohuar atë. Ky mësim është kyç për teologjinë trinitare të Lindjes. Në Memorandumin e sipërpërmendur theksohet në mënyrë të veçantë kjo gjë: “Mund të thuhet se as Etërit e hershëm latinë, si Ambrozi dhe Agustini, as edhe edhe tradita e mëvonshme mesjetare, nuk kanë besuar kurrë se duke afirmuar filoque-n po dëmtonin parimin e monarkisë së Atit. Perëndimi e ka deklaruar veten po aq të lidhur me këtë parim sa edhe Etërit e Lindjes.”17
Gjithashtu në debatin e sotëm teologjik po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje të debatit shekullor në formulën pajtuese të Shën Maksim Konfesorit: “buron prej Atit me anë të Birit”, duke pranuar vetëm Atin si shkaktar të burimit dhe ndërmjetimi i Birit në dërgimin e Shpirtin në krijimin. Teologu perëndimor Zhan-Miguel Garrig (Jean-Miguel Garrigue) propozon formulën “Besoj në Shpirtin e Shenjtë që buron prej Atit të vetëm për aq sa ai lind të vetmin Bir.”18 Në të njëjtën frymë teologu i dëgjuar ortodoks Dimitru Staniloae citon Shën Grigor Palamain: “Shpirti e ka ekzistenën e tij nga Ati i Birit, sepse Ai që shkakton burimin e Shpirtit është gjithashtu Ati.”
Theksimi i moscënimit të parimit të monarkisë së Atit do të ishte një afrim me teologjinë e Lindjes dhe formula pajtuese e Shën Maksim Konfesorit e realizon këtë. Gjithashtu, moskufizimi i rolit ndërmjetues të Birit vetëm në Ekonominë hyjnore do të ishte një lehtësim për teologjinë e Perëndimit. “Rregulli i artë duhet të jetë shpjegimi i Shën Maksim Konfesorit në lidhje me pneumatologjinë e Perëndimit: duke pohuar filoque-n, vëllezërit tanë perëndimorë nuk duan të shtojnë një tjetër shkak (αιτιον) në qenien e Perëndisë perveç Atit, dhe një rol ndërmjetësues i Birit në burimin e Shpirtit nuk duhet të kufizohet në Ekonominë liyjnore, por gjithashtu edhe në esencën (ουσια) hyjnore. Nëse Lindja dhe Perëndimi mund t’i përsërisin në kohën tonë këto dy pika sëbashku, kjo do të sigurojë një bazë të mjaftueshme për afrimin ndermjet dy traditave.”2
———————-
1. Alcuin Letra 69, cituar në Abbe Guettee, The Papacy, New York, 1866, f. 328-329; dhe në At Justin Popovic, Philosophie Orthodoxe de la Verite, V.I, f. 222-223.
2. Shën Agustini, Mbi Trininë, V, 14,15.
3. Shën Qirili i Aleksandrisë, Letra 39.
4. Shën Joan Gojarti, Mbi Joanin, 78, § 2.
5. Shën Qirili i Aleksandrisë, Mbi Shpirtin dhe bashkëqenshmërinë e Trinisë, dial. 7.
6. Shën Athanasi i Madh, Letër Serapionit, 1, § 20.
7. Shën Agustini, Kundër Maks. Arian. II, k. 20, § 4; Shën Ambrozi, Mbi Shpirtin e Shenjtë, III, 1.
8. Rom. 8:9; Filip. 1:19; II Kor. 3:17; Gal. 4:6.
9. Shën Athanasi i Madh, letër Serapionit, I, § 25.
10. Shën Vasili i Madh, Mbi Shpirtin e Shenjtë, XVIII, 46; Letra 38, § 4.
11. Shën Hieronimi, Mbi Galatianët, II, 4.
12. Shën Joan Damaskini, Fjalim mbi Sabatin.
13. Shih artikullin the Filioque: Dogma, Theologoumenon or Error? At Theodore Stylianopoulos “The Good News of Christ”, Holy Cross Orthodox Press, Brookline, MA, 1991.
14. Ibid. f. 226.
15. Memorandumi i dy konsultimeve mbajtur ne Schloss Klingental, Francë, në 1978 dhe 1979, artikujt e të cilëve u botuan në “Spirit of God, Spirit of Christ”, Ed. By Lukas Vischer-London and Geneva, 1981.
16. The Filioque: Dogma, Theologoumenon or Error? At Theodore Stylianopoulos “The Good News of Christ”, Holy Cross Orthodox Press, Brookline, MA, 1991. f. 196
17. Memorandumi, f. 13.
18. Memorandum f. 153.
19. Memorandum f. 176.
20. J. Zizioulas, cituar në The Filioque: Dogma, Theologouinenon or Error? At Theodore Stylianopoulos “The Good News of Christ”, Holy Cross Orthodox Press, Brookline, MA, 1991. f. 210.