Anastas Janullatos – Apostull i ditëve tona
shkruar nga Atë Luka Veroni
 
 
Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, Kisha Orthodhokse ishte relativisht jo aktive në misionarizëm. Përpjekjet e mëdha misionare të Kishës Ruse shkuan drejt fundit, ndërsa perdja komuniste e izoloi plotësisht Kishën. Ndërkohë Kishat Orthodhokse të Ballkanit u përpoqën të kapërcenin pasojat e pesë shekujve të regjimit Otoman. Megjithëse vendet orthodhokse si Greqia, Rumania, Bullgaria dhe Serbia fituan pavarësinë, një ndjenjë e fuqishme nacionalizmi mbizotëronte brenda Kishës dhe ideja e shërbimit jashtë kufinjve të vendit të tyre ishte një ide, të cilën pak njerëz e menduan thellë.
   Vetëm përpara fundit të viteve 1950, një numër teologësh të rinj orthodhoksë filluan të ngrenë zërin për nevojën e misionarizmit jashtë Kishës.
   Nga një konferencë ndërkombëtare e të rinjve orthodhoksë që u mbajt në vitin 1958, filloi të zhvillohet një thirrje për misionarizëm. Këta të rinj, shprehën idenë se përgjegjësia e Kishës ndaj misionit nuk ishte thjesht diçka e së kaluarës, por përkundrazi një përgjegjësi për Kishën bashkëkohore.
   Pavarësisht nga gjendja e vështirë e një Kishe të varfër të sapoçliruar nga nënshtrimi, thirrja apostolike e Zotit kërkonte një përgjigje. Udhëheqësi i këtij grupimi shumë të ri ishte Anastas Janullatos, një i ri orthodhoks, teolog nga Greqia. Ai sfidoi Kishën e Greqisë po aq sa dhe Kishën Orthodhokse në një shkallë më të gjerë, që të ringjallte traditën e dikurshme misionare.
   Në vitin 1959, Anastasi ndihmoi në themelimin e “Porefthentes” (Shkoni), një lëvizje misionare qëllimi i së cilës ishte të rindizte ndërgjegjien misionare të Kishës Orthodhokse dhe gjithashtu të edukonte botën jo-orthodhokse për trashëgiminë e pasur misionare të Kishës së Lindjes.
   Kjo lëvizje filloi të nxirrte një revistë në greqisht dhe anglisht që titullohej “Porefthentes”.
   Në numrin e parë të saj, Anastasi shkroi një artikull nxitës të titulluar “Urdhëresa e harruar”, me të cilin ftonte Kishën për të rizbuluar zellin misionar të brezave të mëparshëm. Në këtë artikull teologu i guximshëm vinte në pyetje plogështinë e pranuar ndaj misionit që mbizotëronte në Kishën bashkëkohore Orthodhokse: “Nuk është një çështje ‘a mundemi?’, por është një urdhërim i detyruar “ne duhet”: “Shkoni, pra, dhe mësoni të gjithë kombet! Shkoni në të gjithë botën dhe predikojini Ungjillin çdo krijese!” Nuk thuhet “shikoni nëse mundeni”, por është një urdhër i përcakuar, një urdhër i thënë qartë nga Zoti ynë… Nëse e lëmë veten të prehemi të qetë në këtë ngurtësi zakoni përsa i përket misionarizmit, jo vetëm që po e fshehim dritën e pastër të besimit “nën shinik”, por po tradhëtojmë një nga elementët bazë të traditës sonë Orthodhokse. Sepse puna misionare ka qenë një traditë brenda Kishës Orthodhokse… Aktiviteti misionar nuk është thjesht diçka “e dobishme” ose “e këndshme”, por është një urdhëresë, mbi të gjitha na jep një detyrë, nëse me të vërtetë duam të kemi vazhdimësi në Besimin tonë Orthodhoks”.
   Anastasi, u bë i njohur si mbështetës dhe drejtues i misionarizmit në vitet që pasuan. Ai i nxiste besimtarët orthodhoksë të rigjenin kuptimin e pastër të “një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”. Madje ai shpresonte të ngrinte një lloj qendre misionare orthodhokse të jashtme. Megjithatë entuziazmi i tij u vu në lojë prej shumicës së qarqeve orthodhokse, si qëllim jo realist.
   Sipas një thirrje që ai u drejtoi studentëve të teologjisë në Universitetin e Athinës, në janar të vitit 1959, dikush nga salla bëri një vërejtje, duke thënë në mënyrë skeptike, se “organizimi i një Qendre Misionare të Jashtme është njësoj si një mrekulli”. Kësaj, Anastasi iu përgjigj: “Jemi plotësisht në një mendje, por si të krishterë ne besojmë në mrekullitë”.
   Jeta dhe vepra e Anastas Janullatos, ndoshta misiologjistit më të rëndësishëm në botën e sotme, tregon shembullin e realizimit të një mrekullie në Kishën Orthodhokse bashkëkohore. 
 
Historik i shkurtër
 
   Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në një familje besimtarësh orthodhoksë në Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë.
   Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë viteve të luftës, Anastasi filloi të përjetonte besimin e tij në një mënyrë më personale. Ai ishte dëshmitar i shumë vuajtjeve dhe shkatërrimeve të luftës. Brenda kaosit mundi të gjente kuptim vetëm duke gërmuar thellë në besimin e tij. Që bota dhe vendi i tij të shpëtonte nga të këqijat e luftës si dhe nga pasojat e luftës civile në Greqi, Anastasi kuptoi nevojën urgjente për një mesazh paqeje të brendëshme, paqeje që vjen nëpërmjet Jisu Krishtit.
   Kjo përvojë e drejtoi Anastasin që të braktiste dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe të ndiqte teologjinë. Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thonte: ”Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qënia ime të jetonte në Krishtin”. Prandaj në vitin 1947, ai filloi Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1951.
   Pas shërbimit ushtarak, Anastasi u bashkua me vëllazërinë “ZOI” (JETA), një organizatë fetare e përqendruar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi.
   Përgjegjësitë që kishte ai përfshinin misionin për të rinjtë e vendit të tij. Ai u bë udhëheqës i lëvizjeve studentore, kampeve të adoleshentëve dhe luftoi ta bënte besimin orthodhoks të vërtetë dhe të prekshëm për të rinjtë që kishte pranë.
   Nëpërmjet këtyre përvojave, Anastasi zbuloi ndikimin që patën këto programe mbi Kishën në një shkallë të gjerë. Ai kuptoi se pa një shërbim të tillë misionar, Kisha Orthodhokse humbiste qëllimin dhe së fundi zvogëlohej.
   Gjatë këtyre viteve, Anastasi mori pjesë gjithashtu në një lëvizje ndërkombëtare rinore orthodhokse të quajtur “Syndesmos”. Ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm gjatë viteve 1958-1961 dhe pastaj si Zëvendëspresident nga viti 1964-1978.
   Gjatë kësaj kohe u takua me udhëheqës të tjerë të rinj që kishin të njëjtin zell për të shpallur Ungjillin.
   Së bashku ata filluan të kuptojnë se Krishti asnjëherë nuk mund të kënaqej nga shpallja e Ungjillit vetëm brenda Kishës. Urdhërimi i Tij fillestar ishte që të shkonin në të gjithë kombet. Prandaj, misionet nuk janë vetëm të brendshme, por edhe të jashtme. Urdhërimi i Madh i së kaluarës është një përgjegjësi e madhe për të tashmen.
   Në atë kohë Anastas Janullatos shkruante: “Kisha pa mision është një kundërshtim termash… Nëse Kisha është moskokëçarëse ndaj punës apostolike që i është besuar, ajo mohon veten, kundërshton veten dhe thelbin e saj dhe tradhëton betejën që bën. Kisha që qëndron në vend, Kisha së cilës i mungon vizioni dhe përpjekja e vazhdueshme për të shpallur Ungjillin të pa pagëzuarve, vështirë se mund të njihet si një Kishë e Shenjtë, e Përgjithshme dhe Apostolike, së cilës Zoti i besoi vazhdimësinë e veprës së Tij”.
 
Vitet 60-të – Duke ndjekur thirrjen e Perëndisë
 
   Kuptimi i rëndësisë së misionit të jashtëm të Kishës e mbushi zemrën e Anastasit. Pas dorëzimit të tij në dhjak, në vitin 1960, ai themeloi një qendër misionare ndërorthodhokse “Porefthentes” (Shkoni). Qëllimi i kësaj qendre ishte të edukonte Kishën në fushën e misionit, si dhe të nxiste dhe të dërgonte misionarë nëpër botë.
   Vetë Anastasi po mendonte të bëhej misionar në një vend të huaj. Menjëherë pas dorëzimit të tij në prift, në 24 maj 1964, ai u nis për në Afrikën Lindore dhe kreu liturgjinë e parë në Uganda. Pak pas mbërritjes, prifti i ri u sëmur nga malarja dhe u kthye në Greqi.
   Pavarësisht nga rekomandimi i mjekut për të mos shkuar në Afrikë, ai nuk e humbi guximin për t’u kthyer. Ai e kuptoi më mirë se kurrë rëndësinë e ngritjes së ndërgjegjes misionare në Kishë dhe kërkoi mënyra të reja për të përmbushur Urdhërimin e Madh të Krishtit.
   Duke ndjekur këshillën e njërit prej profesorëve të tij, Anastasi, vendosi se mënyra më e mirë për të pasur ndikim në Kishë ishte duke dhënë një ndihmesë domethënëse në botën akademike. Ai besonte se edhe nëse nuk mundej që të punonte drejtpërdrejt në fushën e misionit, përsëri mund të përpiqej të hapte rrugën për të tjerët. Ai vendosi të bënte studime të tjera në misiologji dhe në historinë e feve.
   Në vitet 1956-1969, Anastasi studioi Historinë e Feve në Universitetin e Hamburgut dhe Marburgut, në Gjermaninë Perëndimore, duke i vënë më shumë theksin ”Pluralizmit fetar dhe Kishës Orthodhokse”.
   Puna e tij u përqendrua në historinë e përgjithshme të feve, në fetë afrikane, misiologji dhe etnologji.
   Ai shkoi në Universitetin e Makererës, në Kampala të Ugandës, për të bërë kërkime të drejtpërdrejta dhe për të mbledhur materiale për tezën e doktoraturës së tij: ”Shpirti Mbandua dhe kuptimi i kulteve të tyre. Një kërkim i pikëpamjeve të fesë afrikane”.
   Mbi të gjitha, ai dëshironte të vendoste bazat e një proçesi të tërë të një studimi serioz të misionit në Kishën Orthodhokse. Nëpërmjet këtij studimi, ai kërkoi përkrahje për tezën e tij fillestare, sipas së cilës është e pamundur që të jesh orthodhoks i vërtetë pa treguar interesim për misionin.
   Bashkë me studimet e tij, Anastasi mori pjesë aktive në lëvizjen Ekumenike mbarëbotërore. Duke qenë pjesëmarrës në Komisionin e Misionit Botëror dhe Ungjëllizimit (KMBU) të Këshillit Botëror të Kishave (KBK), misiologu i ri kuptoi se mund të mësonte nga traditat e tjera të krishtera, si dhe t’u prezantonte anëtarëve të këtyre traditave trashëgiminë e pasur misionare të Kishës Orthodhokse.
   Në vitin 1963, Anastasi u bë anëtari më i ri i KMBU-së në konferencën e Mexico City. Ai vazhdoi të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë mjedis ekumenik, dhe së fundi shërbeu si President Koordinues në vitet 1984-1991. Ai u bë misiologu i parë orthodhoks që pati një pozitë të tillë udhëheqëse.
 
Vitet 70-të – Hedhja e themeleve misionare brenda Kishës
 
   Gjatë dekadës që pasoi, Kisha e Greqisë filloi të dëgjonte dhe t’i përgjigjej zërit të këtij parashikuesi të guximshëm.
   Në vitin 1968, Anastasi dhe stafi i “Porefthentes” ishin nismëtarët e parë të Zyrës për Misionet e Jashtme brenda “Apostoliki Dhiakonia” (“Shërbimi Apostolik”, një degë shërbimi e Kishës së Greqisë). Themelimi i një organizate misionare të përhershme brenda Kishës zyrtare Orthodhokse në Greqi ishte guri i qoshes.
   Kisha e njohu punën e Anastasit, duke e ngritur në vitin 1972 si Episkop të Andrusës dhe duke e bërë drejtor të përgjithshëm të gjithë departamentit të Apostoliki Dhiakonisë. Nën udhëheqjen e Episkopit Anastas, ky komision i Kishës së Greqisë veproi si një trup i vetëm për të mbështetur të gjitha përpjekjet misionare të Kishës, si në Greqi ashtu dhe në botë.
   Bashkë me përgjegjësitë kishtare, Episkopi Anastas vazhdoi të jetë aktiv në nivelin akademik. Në vitin 1972 Universiteti i Athinës e zgjodhi atë si profesorin e saj të Historisë së Feve. Në Universitet, ai themeloi dhe drejtoi një qendër për studimet misionare gjatë viteve 1971-1975. Kjo qendër hapi rrugën për një tjetër pikë referimi, ku u ngrit një katedër për misiologjinë, në vitin 1976.
   Në këtë atmosferë akademike ai vazhdoi të shpallë thirrjen e tij të “zgjimit” për Kishën, duke sfiduar vetkënaqësinë e saj në shërbimin misionar: “Plogështi në fushën e misionit do të thotë, në analizën e fundit, mohim i Orthodhoksisë, një anë e errët e herezisë praktike të lokalizmit…
   Është e paimagjinueshme që ne të mendojmë për ”frymën orthodhokse” të një jete në Krishtin, t’i ngjasojmë Apostull Pavlit, themeluesit të Kishës së Greqisë, dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të qëndrojmë të ngurtë përsa i përket misionit.
   Është e pakuptimtë të shkruash për jetën intensive shpirtërore të Ngjalljes së Zotit, kur ne jetojmë si dembelë dhe indiferentë ndaj thirrjes së misioneve ekumenike, me të cilën është ndërthurrur mesazhi i Ngjalljes”.
   Episkopi Anastas vazhdimisht u përpoq t’i edukonte besimtarët orthodhoksë të kuptonin plotësisht Besoren dhe të shpallnin se besonin në ”një Kishë, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”.
   Për Anastasin, të shpallje një besim të tillë, ndërsa qëndroje indiferent ndaj misionarizmit, ishte hipokrizi. Ai theksonte: “Vetëm atëherë kur kuptohet që misioni ekumenik mbarëbotëror gjen zbatim të rëndësishëm dhe parësor në një nga pjesët themelore të Simbolit të Besimit, gjë që është thelbësore për kuptimin orthodhoks mbi Kishën, dhe atëherë kur kuptohet se ai që quhet ”mision i huaj” nuk është çështje “e jashtme”, por nevojë e brendshme, një thirrje për pendim dhe një bashkim i yni me shpirtin e Ungjillit dhe traditën e Kishës sonë, vetëm atëherë do të kemi një fillim teologjik shpresëdhënës për atë që vjen më pas”.
   Misionarizmi në vende të tjera nuk është thjesht një degë autentike e jetës orthodhokse ose edhe e teologjisë orthodhokse, por është thelbi i kuptimit të vërtetë të Kishës. Kur besimtarët orthodhoksë rrëfejnë: “Unë besoj në një Kishë…Apostolike”, kjo nuk do të thotë vetëm që prejardhja e saj ishte apostolike.
   Më e rëndësishme është përfshirja në “pasjen e zjarrit dhe zellit apostolik për t’i predikuar Ungjillin çdo krijese” (shih Ungjillin sipas Markut 16:15), sepse ushqen anëtarët e saj, që ata të mund të bëhen: “dëshmimtarë në Jeruzalem dhe në Jude, në Samari dhe në të gjitha anët e dheut” (Veprat e Apostujve1:8).
   Episkopi Anastas vazhdoi të sfidonte qëndrimin apatik të Kishës ndaj misionarizmit kur shkruante: “Ungjilli u drejtohet të gjithë njerëzve, prandaj dhe puna e Kishës mbetet e paplotë për aq kohë sa është e kufizuar në zona gjeografike ose klasa sociale. Fusha e veprimit të saj është universale dhe aktive në të dy grupet e njerëzve, të atyre që mirëpresin lajmin e mirë dhe të atyre që në fillim ndoshta e kundërshtojnë atë. Misioni nuk ishte vetëm detyra e brezit të parë të krishterë. Ajo është detyra e të gjithë të krishterëve të të gjitha kohërave. Dëshmia është shprehja e jetës së Kishës po aq sa edhe burimi i ripërtëritjes dhe ripërtëritja e forcës… Gjithsecili duhet të japë ndihmën e vet dhe të marrë pjesë në të, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe jo të drejtpërdrejtë. Është një shprehje thelbësore e mënyrës orthodhokse të të menduarit”.
   Përveç ndikimit në botën akademike në Greqi dhe jashtë saj, Episkopi Anastas pati një ndikim edhe në shumë zona të tjera në Kishë. Në vitin 1972, ai punoi bashkë me atë Andon Romeos dhe ngriti një manastir murgeshash, puna e të cilit do të përqendrohej tek misioni jashtë vendit.
   Ky ishte manastiri i Shën Joan Pararendësit, në Kareas, në Athinë të Greqisë. Episkopi Anastas ndihmoi që t’i drejtonte këto vajza të bëheshin një bashkësi, që do të merrte pjesë në mënyrë aktive në punën misionare nëpër botë. Aty pranoheshin vajza nga vende të ndryshme të botës, që të bashkoheshin me motrat dhe të mësonin për jetën murgjërore, me qëllim që të merrnin me vete këtë mënyrë jete murgjërore kur të ktheheshin në vendet e tyre.
 
Vitet 80-të – Teoria bëhet praktikë
 
   Në vitet 60-të kur Anastasi u sëmur për herë të parë nga malarja, mjekët i patën thënë se nuk do të mund të punonte asnjëherë si misionar nëpër botë, por përkujdesja e Perëndisë nuk tha të njëjtën gjë.
   Në vitet 80-të, Kisha Orthodhokse e Afrikës Lindore po përballej me vështirësi të mëdha. Kjo zonë kishte qenë fusha misionare më aktive në botë dy dekadat e fundit. Themeli i Kishës ishte megjithatë në rrezik nga probleme të brendshme, që më së fundi çuan në çkishërimin e Episkopit të Kenias nga Patriarkana e Aleksandrisë. Kisha Orthodhokse e Afrikës Lindore dukej sikur ishte në buzë të dështimit.
   Gjatë kësaj kohe Patriku Nikolla, kreu i Kishës Orthodhokse në Afrikë, e ftoi Episkopin Anastas të bëhej Kryepiskop i Kryepiskopatës së Afrikës Lindore. Episkopi pranoi, por vazhdoi të ruante përgjegjësitë e tij në Universitetin e Athinës edhe tek Apostoliki Dhiakonia.
   Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, ai vuri re se roli i tij ishte ai i riorganizuesit të Kishës së Afrikës Lindore. Qëllimi i tij kryesor ishte të ngrinte një bashkësi të fuqishme orthodhokse me udhëheqës vendas.
   Duke vënë theksin në përgatitjen dhe formimin e udhëheqësve vendas, Kryepiskopi Anastas i mbeti besnik traditës misionare orthodhokse.
   Ashtu siç edhe thoshte në një shkrim të mëparshëm: ”Mishërimi” i fjalës së Perëndisë, në gjuhën dhe zakonet e një vendi, ka qënë dhe duhet të jetë shqetësimi i parë i gjithë misionit orthodhoks. Qëllimi i tij është ngritja dhe rritja e një Kishe kombëtare, të vetfuqishme dhe vetqeverisëse, të aftë për të vënë në shërbim të gjitha copëzat e traditave kombëtare, duke i shndërruar dhe shenjtëruar ato në harmoni me natyrën e njerëzve për lavdi të Perëndisë”.
   Në vitin 1972, Kryepiskopi Makarios III i Qipros, filloi të ndërtonte një seminar orthodhoks në Nairobi të Kenias, por paqëndrueshmëria politike në Qipro e pengoi Kryepiskopin të përfundonte këtë projekt. Shkolla mbeti e mbyllur për 10 vjet.
   Puna e parë e Kryepiskopit Anastas si udhëheqës i ri i Kishës ishte që të përfundonte së ndërtuari seminarin dhe ta hapte menjëherë. Gjatë viteve 70-të shumë besimtarë të Kishës Orthodhokse Afrikane u zhgënjyen dhe u ligështuan për Kishën, që s’po bënte përpara dhe filluan të largohen.
   Anastasi kuptoi se, mënyra e vetme për t’i kthyer këta njerëz dhe për të sjellë edhe besimtarë të rinj, ishte përgatitja e udhëheqësve dhe priftërinjve vendas. Prandaj, Kryepiskopi hapi zyrtarisht Seminarin Patriarkal Orthodhoks “Kryepiskopi Makari III”, në vitin 1982. Gjatë dekadës që pasoi, shkolla kishte mesatarisht 45 studentë në vit dhe 12 profesorë nga Afrika Lindore, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Kryepiskopi në fuqi, dorëzoi 62 priftërinj dhe dhjakonë, si dhe 42 lexues dhe katekistë. Të gjithë ata kishin mbaruar seminarin. Këta udhëheqës vendas ishin nga 8 fise të ndryshme të Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë. Ishin ata që hodhën themelet e rilindjes së Kishës në Afrikën Lindore.
   Përveç përgatitjes së udhëheqësve vendas, Kryepiskopi gjithashtu përkrahu traditën misionare Orthodhokse të përkthimeve, për të cilën ai vetë besonte se ishte miratuar nga Krishti gjatë Pentikostisë. Prandaj, u vuri përparësi botimeve dhe organizoi përkthime të shërbesave në 7 gjuhë të ndryshme.
   Ai u përpoq gjithashtu të krijonte një ndjenjë vazhdimësie në strukturat e Kishës, duke drejtuar ndërtimin e 67 kishave, 23 prej të cilave ishin prej guri dhe 44 prej druri dhe balte. Ai ndihmoi edhe për restaurimin e 25 kishave ekzistuese. Arritjet në fushën e ndërtimeve përfshinin dhe 7 ndërtesa për misionarët, 7 qendra mjeksore, 5 shkolla fillore dhe 12 shkolla infermjerie.
   Puna e tij në Afrikë tërhoqi vëmendjen e mbarë botës. Kisha Orthodhokse Greke në Amerikë e ndihmoi duke dërguar misionarë në Afrikën Lindore. Ndikimi i fuqishëm i këtyre misionarëve u ndje jo vetëm brenda Kishës së Afrikës Lindore, por edhe në të gjithë Amerikën. Shumë misionarë, që qëndronin për një kohë të shkurtër, u kthyen në Amerikë dhe ndihmuan që të rritej ndërgjegjia misionare në dioqezat e tyre.
   Kisha Orthodhokse në Greqi dhe në Finlandë gjithashtu iu përgjigj një serie leksionesh që Kryepiskopi dha për urdhërin e misionarizmit, duke dërguar grupe misionarësh në Kenia.
   Aspekti më i rëndësishëm i punës së Kryepiskopit Anastas në Afrikën Lindore, nuk ishte dorëzimi i klerikëve, as botimet dhe as interesi për mision që krijuan grupet misionare, por përpjekjet e tij për t’u bashkuar me të krishterët vendas.
   Duke e personifikuar veten e tij me të krishterët orthodhoksë të këtij vendi, ai i inkurajoi dhe i fuqizoi ata për të përqafuar besimin, sikur ky të ishte besimi i tyre. Si rezultat i kësaj, Kisha në Afrikën Lindore vazhdoi të rritej edhe pas largimit të tij në vitin 1991.
   Përveç arritjeve të tij në Afrikë, Episkopi Anastas ka lënë gjurmë në mënyra të ndryshme.
   Në vitin 1981 Episkopi filloi të botonte, nën mbikqyrjen e Apostoliki Dhiakonia-s, revistën e parë zyrtare misionarë të Kishës së Greqisë, të titulluar ”Panda ta ethni” (Të gjithë kombet). Kjo revistë vazhdon të japë informacion për misionet dhe të nxisë të krishterët orthodhoksë në Greqi për t’iu përgjigjur urdhërimit misionar.
   Gjithashtu gjatë viteve 80-të Episkopi Anastas shtoi aktivitetin e tij me Këshllin Botëror të Kishave (KBK). Pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën për Misionin Botëror në Melburn, në vitin 1980, po ashtu dhe në Asamblenë e Përgjithshme të KBK në Vankuver, në vitin 1983, Episkopi u bë Presidenti Koordinues i Këshillit Botëror të Misionit dhe Ungjillëzimit, gjatë viteve 1984-1991, dhe drejtoi Konferencën për Misionin Botëror në San Antonio, në vitin 1989. Ndikimi i tij i fuqishëm misiologjik nuk frymëzoi vetëm botën orthodhokse, por gjithashtu preku edhe qarqet e bordit ekumenik.
   Ashtu si ka thënë dhe teologu i famshëm protestant dhe misionar David Bosch: “Anastasi ka mbetur forca që drejton lëvizjen misionare në Orthodhoksi dhe që kur Kishat Orthodhokse u pranuan në Këshillin Botëror të Kishave, në vitin 1961, ai dhe të tjerë i kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe mendimit dhe praktikës misionare në qarqet ekumenike. Takimi mes Orthodhoksisë dhe Protestantizmit në fushën e misiologjisë ka qenë me të vërtetë një epokë e rëndësishme e ripërtëritjes teologjike në Lëvizjen Ekumenike që prej vitit 1961. Vetëm tre fjalime u lexuan gjatë seancave më të rëndësishme të konferencës gjatë ditëve të para…, ndërsa dy fjalimet e para ishin interesante dhe sfiduese, ishte prezantimi i Anastasit ai që siguroi një përkufizim teologjik për temën e konferencës “U bëftë vullneti Yt”.  Nisma e përgjithshme e tij ishte me të vërtetë ekumenike në kuptimin më të mirë të fjalës.”
 
Vitet 90-të – Pika kulmore e punës së tij
 
  Fillimi i një dhjetëvjeçari të ri, e përballi Episkopin Anastas me një sfidë të re. Në janar të vitit 1991, Patriku i Kostandinopojës e zgjodhi Anastasin të shkonte në Shqipëri si “Eksark Patriarkal”, me mandatin që të takohej me orthodhoksët, pavarësisht nga origjina e tyre etnike dhe të ringjallte Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
   Kisha Orthodhokse në Shqipëri ishte shkatërruar pothuajse prej dyzetë vjetësh persekutimi të ashpër. Para se vendi të hidhte tutje regjimin komunist, numri i klerikëve ishte zvogëluar nga 440 në vitin 1940, në 22 në vitin 1991. Edhe një herë, Episkopi Anastas u përball me mundësinë për të rilindur një Kishë që ishte shkatërruar.
   Anastasi e pa këtë sfidë të re si një mundësi për të mbledhur së bashku të gjitha pjesët e jetës së tij. Përpara komunizmit, Shqipëria ishte një vend me 69% myslimanë. Episkopi Anastas kishte shkruar një libër dhe shumë artikuj për Islamin.
   Pasiguria politike me të cilat përballej Kisha ishte diçka me të cilën ai ishte mësuar tashmë nga puna e tij në Afrikën Lindore.
   Sfida për të ringjallur një Kishë lokale në një boshllëk ateist do të kërkonte një mrekulli, të ngjashme me atë të fillimeve të viteve 60-të, kur ai kërkonte të ndërtonte një misionarizëm orthodhoks të jashtëm. Por, ashtu siç kishte treguar jeta e tij, Episkopi Anastas besonte në mrekullitë.
   Mbi të gjitha, ai, gjatë dy viteve të para i dha përparësi përgatitjes së udhëheqësve vendas, u kujdes për 21% të popullsisë, që thoshte së kishte trashëgimi orthodhokse, dhe për të hapur dialogun dhe urat me njerëz të besimeve të tjera.
   Nën udhëheqjen e tij, Kisha menjëherë hapi një seminar. Numri i studentëve u rrit nga 11 në 52 gjatë dy viteve të parë të punës së tij dhe e ardhmja dukej e ndritshme nga numri i madh i të pagëzuarve dhe nga puna e tij me të rinjtë.
 
Përfundime
 
   Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ndikimi i Anastas Janullatosit ka qënë shumë i madh. Si teolog i ri gjatë viteve 50-të ai kishte si qëllim rindezjen e shpirtit misionar të Kishës Orthodhokse. Tridhjetë vjetë më vonë, është e qartë që ai ia kishte arritur qëllimit të tij.
   Në të vërtetë misionet janë bërë pjesa kryesore e jetës së Orthodhoksisë në shekullin XX. Vetë Kryepiskopi ka thënë: “Ky është dhe kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qënë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik”.
   Një përmbledhje e jetës së Kryepiskopit Anastas mund të shihet në dëshirën e tij për të punuar në katër fronte të reja.
   Së pari, ai e drejtoi vëmendjen tek vet Kisha Orthodhokse, duke kërkuar të ringjallte dëshirën dhe ndërgjegjen misionare, që ka qenë pjesë e traditës së saj prej shekujsh.
   Së dyti, ai kërkoi të jepte një ndihmesë prej akademiku në fushën e misiologjisë. Kryepiskopi Anastas ka shkruar 9 libra, 5 libra katekizmi dhe mbi 140 artikuj.  Ai themeloi dhe botoi 2 revista të ndryshme misionare “Porefthentes” (Shkoni, 1960-1970), dhe “Panta ta ethni”, (Gjithë kombet, 1981-1992), dhe që nga viti 1981 ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe në botimin e Buletinit Ndërkombëtar për Kërkimin Misionar. Përveç kësaj, ai i është drejtuar sa e sa herë publikut në televizion, për t’i thënë atij të përqafojë Jisu Krishtin dhe Kishën e tij. Në vitin 1989, Shkolla Teologjike Orthodhokse “Kryqi i Nderuar”, në Brookline, Massachusetts, e nderoi duke i dhënë titullin “Doktor në Teologji”. Në vitin 1993 Kryepiskopi Anastas u zgjodh njëzëri anëtar korrespondent i Akademisë së Athinës, e cila është shoqëria më e lartë akademike në Greqi.
   Së treti, ka qënë jeta e tij në Afrikën Lindore dhe në Shqipëri. Ai dëshironte të jetonte dhe të ndante përpjekjet misionare në vendet më të humbura të botës. Këtu ai shpresonte t’iu tregonte të gjithë njerëzve të botës, pavarësisht nga origjina e tyre, se Perëndia i donte dhe kujdesej për ta.
   Së fundi, ka qenë në qarqet ekumenike. Nëpërmjet Këshillit Botëror të Kishave Kryepiskopi Anastas ka dhënë dëshmi për teologjinë e misionit orthodhoks dhe spiritualitetin në botën jo-orthodhokse. Ai punoi së bashku me të krishterë bashkëkohës për të përkufizuar misionin e shekullit XX dhe për të dëshmuar në mënyrë të suksesshme besimin dhe traditat.
   Jeta e Kryepiskopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij. Gjatë shtatëdhjetë e dy viteve të jetës së tij ai është përpjekur të jetojë dhe të shpallë misterin e “një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”. Ai u përpoq të jetonte misionin e Kishës brenda këndvështrimit të duhur universal. “Misioni është një shprehje e rëndësishme e ndërgjegjes orthodhokse, një thirrje për të plotësuar me vepra vullnetin e Perëndisë në tokë dhe në qiell. Indiferenca ndaj misionarizmit është mohim i Orthodhoksisë”.
 
 
Marrë nga libri: Atë Luka Veronis, Misionarë, murgj dhe martirë: Duke bërë dishepuj nga të gjitha kombet, (përkthyer në shqip), botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2003.

Titulli i origjinalit: fr.Luke Veronis, Missionaries, Monks and Martyrs: Making Disciples of All Nations, Light & Life Publishing Co., 1994.Anastas Janullatos – Apostull i ditëve tona

shkruar nga Atë Luka Veroni