Episkopi i Apollonisë, Nikolla

PËRGJEGJSHMËRI PËR TË PASUR OBJEKTIVITET

 

Publikuar në web në gazetën “Dita”, Dt. 25.04.2015

    Në një ribotim të fundit të pikëpamjeve të tij nëgazetën Dita (21.04.2015), z. M. Zeqo pyet veten: “Ç’faj kam unë që Janullatosi meshon në greqisht?”. Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Kryepiskopi e kryen Liturgjinë Hyjnore në shqip. Zhurma e madhe që është krijuar pas Pashkës kundër Kishës Orthodhokse, mbështetet në një keqinformim, ose më saktë në një GËNJESHTËR të madhe: se Shërbesat e Shenjta në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kryhen në gjuhën greke. Por realiteti është i kundërt: ato kryhen në gjuhën shqipe. Si z. Zeqo ashtu edhe kushdo tjetër mund të vizitojnë kur të dëshirojnë kishat orthodhokse në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, në Shpat, në Kavajë dhe të sigurohen se Shërbesat e Shenjta kryhen në gjuhën shqipe.   

    Fillesën e këtij sulmi të padrejtë e bëri z. Blushi, me shkak ceremoninë e Pashkës. Sikundër dihet, janë dhënë nga shumë anë përgjigje të qarta për pasaktësinë e pohimeve të tij. Po të kishte interes të vërtetë për faktet, do të dëgjonte njëkohësisht edhe përkthimin në shqip nga Episkopi i Bylisit, Asti, dhe në vazhdim Kryepiskopin Anastas, teksa thoshte vargje biblike me një shqipe të pastër. Transmetimi i Liturgjisë Hyjnore paskale, që zgjati tri orë,është i regjistruar nga Televizioni Publik dhe ekziston në internet – kushdo që interesohet mund ta shikojë. Një përqindje e vogël ka fjalë në greqisht.  Predikimi u lexua në dy gjuhë. E tërëLiturgjia u krye nga Kryepiskopi, si çdo të diel, në gjuhën shqipe.  Këto janë fakte që nuk mund të vihen fare në dyshim.  Megjithatë, njerëz të ndryshëm, për arsyet e tyre, me kokëfortësi, vënë në dyshim këto fakte duke keqinformuar opinionin publik. Kësaj sajese që i takon botës së fantazisë, i janë dhënë përgjigje në mënyrë të përsëritur. Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e intelektualëve seriozë për të kontribuar në informimin objektiv.

    Sa i takon marrëdhënies së Kryepiskopit me gjuhën shqipe, Kisha ka bërë,në mënyrë të përsëritur, një informim më se të qartë. Kryepiskopi studion vazhdimisht gjuhën shqipe, e lexon, e kupton dhe e shqipton saktë. Është e njohur për të gjithë se ai meshon në gjuhën shqipe dhe po në shqip mban mesazhet televizive të tij. Por gjuha shqipe nuk është vetëm fjala e folur, por edhe gjuha e shkruar. Dhe Kryepiskopi, si autor i mirënjohur librash, i kushton kujdes të veçantë fjalës së shkruar kishtare në shqip. Për të bashkëpunuar përzgjedh përkthyes shumë të mirë, korrigjon dhe përmirëson me ndjeshmëri saktësinë e përkthimit. Kujdeset vetë për botimet e Kishës në shqip. Qindra tekste të të gjitha formave (studime, artikuj, predikime, parathënie, libra, meditime etj.), janë botuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (veçanërisht shiko gazetën mujore “Ngjallja” dhe revistën “Kërkim”). Të gjitha këto dëshmojnë respektin e vërtetë dhe dashurinë e tij për gjuhën shqipe.  Interesimin e tij për gjuhën shqipe, fakt që nuk mund të vihet në pikëpyetje, e provon edhe fakti se që nga viti 1992 ka krijuar një shtypshkronjë me interesimin dhe financimin e tij personal. Janë përkthyer për herë të parë në shqip dhjetëra libra liturgjikë dhe vepra të tjera të krishtera, botohet një gazetë mujore dhe revista të ndryshme. Gjithashtu shtatë libra të tij, si dhe shumë studime, referate etj., janëpërkthyer e botuar në gjuhën shqipe. Ka themeluar dhe financuar me dhjetëra shkolla të të gjitha niveleve. Ka dhënë bursa për mijëra nxënës për arsimimin e tyre në gjuhën shqipe. Ai nxit vazhdimisht klerikët dhe bashkëpunëtorët e tij për një njohje sa më të thelluar të gjuhës shqipe. Nga goja e tij janë dëgjuar thënie në shqip gjatë Liturgjive Hyjnore mbarëorthodhokse në Konstandinopojë, Athinë, Bukuresht, Moskë, në Nish të Serbisë, në Sofie, në Damask, Bejrut, Aleksandri etj.

    Sa i takon emrit të Kishës: A do të pranonte dikush që t’i ndryshonin emrin? Emri i Kishës sonë nuk është siç këmbëngulin a shkruajnë disa: “Kisha Shqiptare Autoqefale”. Emri i Kishës sonë nga viti 1929 e deri më sot është: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Nëtë bëjnë pjesë jo vetëm shqiptarë, por edhe qytetarë të tjerë të vendit, të minoriteteve. Ështënormale që gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është gjuha shqipe. Nga koha kur u dha “Autoqefalia” orthodhoksët që kanë një gjuhë tjetër, kanë të drejtën të përdorin gjatë adhurimit hyjnor edhe gjuhën e tyre amtare. Dhe është më se e natyrshme të përdorin edhe gjuhën në të cilën janë shkruar Ungjijtë dhe ku ndodhet e regjistruar e shkruar prej shekujsh tërë Tradita Orthodhokse. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisëbën pjesë në një tërësi më të gjerë të Orthodhoksisë, ku të gjitha gjuhët janë të respektuara. Veçanërisht gjatë të kremtes së Pashkës, Tradita e Kishës është të përdoren sa më shumë gjuhë.

    Z. Zeqo, fatmirësisht rikujton se edhe komunitetet e tjera fetare përdorin gjuhë të tjera dhe madje edhe shumë herë gjatë kohë zgjatjes së ditës dhe natës në qytete e fshatra të vendit (çdo komunitet fetar është i lirë të vendosë kriteret e veta në këto çështje). Sigurisht, që nuk dëgjohen protesta në lidhje me këtë fakt. Vetëm Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjoja rrezikon vetëm, e bashkë me të edhe Shqipëria, kur përdoret gjuha në të cilën janë shkruar Ungjijtë dhe që për shekuj e përdornin vetë shqiptarët dhe ku është shkruar tërë literatura bazë e Kishës Orthodhokse!

    Një çështje tjetër që në kohë të ndryshme nxirret në pah, janë marrëdhëniet shpirtërore midis Kryepiskopit Anastas dhe Imzot Theofan Nolit. Të gjithë ne që jetojmë pranë Fortlumturisë së tij njohim fare mirë vlerësimin e sinqertë të tij për Imzot Theofanin, në mënyrë të veçantë për veprën e tij si përkthyes. Sigurisht, kushtet e dhjetëvjeçarit tëviteve 1920, krahasuar me këto të sotmet, janë të ndryshme.  Kryepiskopi Anastas, duke qenë një historian i thelluar i Feve, me studime sistematike në Gjermani, përkujdeset gjithmonë që të jetë objektiv. Publiku është mirë të njohë edhe një detaj tjetër karakteristik. Anastasi kujton gjithmonëImzot Theofan Noli gjatë përgatitjes së Liturgjisë Hyjnore, kur kujtohen personalitetet e nderuara që ndihmuan Kishën. Në gusht të vitit 1995, vizitoi në Boston varrin e Imzot Theofan Nolit dhe bëri një përkujtimore në kujtim të tij (Përkujtimore të cilat bëhen edhe në evenimente të rëndësishme të jetës së tij.) Klerikët e shquar që vazhdojnë traditën e Imzot Theofanit në Amerikë, atë Artur Liolini dhe Episkopi Nikon Liolin, që ka ardhur dy herë dhe ka bashkëmeshuar me Kryepiskopin Anastas këtu në Tiranë, kanë pohuar në mënyrë publike besimin dhe respektin e tyre për Kryepiskopin.Në një intervistë tek “Shqip”, tetor 2010, Atë Artur Liolin do të shprehej: “Të gjithë e dimë se imzot Fan Noli shpresonte për një kishë autoqefale në gjithë kuptimin e fjalës. Besoj se edhe imzot Anastasi vepron për këtë qëllim, siç ka thënë më shumë se një herë publikisht… Për mendimin tim, unë jam i sigurt se Noli do ishte mik me imzot Anastasin, se të dy gëzojnë arsim të lartë e të thellë, vizion të gjerë intelektual dhe një fryjmë të hapur e të gjerë jo vetëm për ortodoksinë, por edhe për rolin e besimit për njeriun në përgjithësi. Të dy shfaqin respekt për traditën dhe zakonet e ndryshme, kaluan nëpër sfida, ambiente dhe punë të rëndësishme, delikate dhe të lodhshme. Dhe të dy trupëzojnë një frymë më përparimtare dhe një mendje të hapur për fenë e tyre”. Por edhe diçka tjetër akoma më shumë thelbësore: Kryepiskopi Anastas bëri më në fund realitet vizionin e Imzot Theofan Nolit. Ai ngriti dhe zhvilloi më tej një Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dinamike, me prezencë serioze jo vetëm brenda vendit, por edhe më gjerë në botën e krishterë. Të gjithë sa merren me sferën kishtare kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur jo vetëm këtë realitet, por dhe e dinë se po të kishte munguar kontributi i Kryepiskopit Anastas në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, nuk do të kishte ekzistuar ky lulëzim dhe promovim i vendit tonë në qarqet fetare.

    Për rrjedhojë, përpjekja për të helmuar opinionin publik, duke hedhur në qarkullim lajme të gënjeshtërta, kryesisht në lidhje me gjuhën që përdoret në jetën liturgjike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe me sajesa të fantazuara që prezantohen si lajme, mbi të gjitha cenon të vërtetën dhe drejtësinë, të cilat janë të domosdoshme për përparimin e shoqërisë sonë.

     24.04.2015                                       

Episkopi i Apollonisë

Nikolla (Hyka)