TEMPULLI DHE QYTETI

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joani Tempulli nr. 1, Korçë, 2000.

    Fjalët e Plutarkut, se nuk ka patur dhe as nuk do të ketë ndonjëherë qytet pa tempull, tregojnë se është pikërisht tempulli ai që e lind dhe që e mban qytetin.

    Tempulli ka qenë dhe mbetet gjithmonë qendra, shpirti dhe zemra e çdo qyteti, qytetërimi, feje, kulture dhe i çdo aktiviteti tjetër jetësor, shpirtëror dhe mendor që ka patur dhe do të ketë njerëzimi. Është tempulli ai që krijon komunitetin, që e bën njeriun të mendojë dhe të ndiejë se ai merr pjesë në fatet e përbashkëta të gjithë racës njerëzore, ai që i jep njerëzimit vlera universale. Ndërsa qyteti rritej rreth tempullit fizikisht, ai rritej gjithashtu rreth dhe nëpërmjet tij në mendim, kulturë dhe qytetërim.

    Qytetërimi dhe kultura krijohen nga një mënyrë e të jetuarit, e cila ka filluar në tempull, është ushqyer nga ai dhe mbahet prej tij. Ndonëse në historinë e gjatë të njerëzimit ka patur dhe tempuj të deformuar, apo që janë deformuar gjatë rrjedhës së kohës, përsëri tempulli mbetet shtylla kryesore e një qytetërimi. Edhe kur ka patur persona të korruptuar në të, përsëri ai ka qenë i nevojshëm. Historia ka treguar se dëmi pa tempull është shumë herë më i madh.

    Nuk mund të ngrihet një qytet apo shtet pa pasur një filozofi të jetës, pa pasur një ideologji dhe ai nuk mund të mbahet pa atë. Sepse një shoqëri njerëzore, nuk ka rëndësi sesa e zhvilluar është (zhvillimi mund të matet nga parametra të ndryshëm në qytetërime të ndryshme), nuk mund të mbahet pa pasur disa vlera (vlerat mund të jenë të ndryshme në kultura të ndryshme, por ka patur gjithmonë disa vlera bazike të përbashkëta) dhe vlerat, askush nuk mund ta mohojë, kanë dalë nga tempulli. Vetë shoqëria ka lindur dhe është organizuar rreth këtyre vlerave dhe sa më të forta janë ato, aq më e fortë është ajo.

    Çdo qytetërim ka nevoja për vlera shpirtërore. Ashtu si edhe njeriu, i cili nuk mund të jetojë vetëm për të përmbushur nevojat fizike të tij, sepse një ekzistencë e tillë do të ishte një ekzistencë e gjymtuar, ashtu edhe çdo qytetërim nuk mund të ekzistojë pa pasur vlerat shpirtërore dhe kulturore. Dëmtimi i tyre do të sjellë gjithmonë edhe dëmtimin e vetë shoqërisë. Përsa janë ruajtur vlerat aq është ruajtur edhe organizimi shoqëror.

    Këtu me tempull kuptohet qendra shpirtërore, kulturore dhe ideologjike e çdo qytetërimi dhe me qytet gjithë organizimi shoqëror për të arritur, përmbushur dhe përjetuar vlerat e dala nga tempulli.

    Sa herë që kemi pasur degradime ose rënie të tyre, kemi pasur edhe degradime ose rënie të shoqërive apo shteteve të organizuar rreth atyre vlerave.

    Në qytetërimet e lashta tempulli shikohej si qendra shpirtërore dhe fizike e gjithë universit, si pika ku bashkoheshin qielli, toka dhe bota e nëndheshme, si vendi ku fillon dhe mbaron krijimi dhe ku realizohet qëllimi përfundimtar i ekzistencës. Në traditat e lashta të popujve të ndryshëm krijimi kishte filluar në qendër të universit, pikërisht në vendin ku ata kishin tempullin. Sipas një tradite Parajsa ishte në qendër të tokës, Adami ishte krijuar po në qendër, kryqi u ngrit po aty. Tradita të tilla të ngjashme gjenden në të gjitha fetë, kulturat dhe qytetërimet e të gjithë botës. Tempulli përfaqësonte parimin e parë dhe të fundit të të gjithë veprimtarisë njerëzore për të përmbushur qëllimin e ekzistencës. Pikërisht, duke u nisur nga idea se tempulli ishte ikona e botës, ai filloi të ndërtohej si model i gjithë universit. Është interesante të vërehet se fillimi i ndërtimit të qytetit fillonte gjithmonë me qendrën e tij, domethënë me tempullin. Qytetërimet e lashta ishin të vetëdijshëm për këtë dhe, sa herë që themelohej një qytet, përsëritej rituali i krijimit të universit. Idea ishte se nuk mund të krijohet dhe të ndërtohet pa patur një qëllim; pa pasur një parim. Dhe jo vetëm qytetërimet e lashta, por edhe qytetërimet e mëvonshme dhe ato moderne janë ndërtuar duke u mbështetur në vlerat e krijuara në shekuj nga tempulli. Ne nuk do të ndalemi për ta shpjeguar këtë në detaje, sepse nuk është ky qëllimi i shkrimit, por vetëm për të theksuar se qysh në fillimin e çdo kulture, të çdo qytetërimi dhe të çdo shoqërie të organizuar, në qendër të tyre ishte tempulli.

    Qyteti, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk përcaktohet nga sasia e banesave dhe nuk është thjesht një grumbullim banesash. Ai përcaktohet nga prania e tempullit, nga prania e një parimi drejtues shpirtëror, nga prania e një mendimi. Nuk mund të ketë qytet pa pasur një komunitet dhe nuk mund të ketë komunitet pa pasur një qëllim të mbështetur në një mendim të përbashkët. Historia e gjatë e njerëzimit ka dëshmuar se qytetet e mëdha nuk kanë qenë domosdoshmërisht qytetet më të mëdha në banesa por në mendim. Me mendim, në kuptimin e thellë të fjalës, nuk shprehet vetëm aktiviteti racional, por tërë fuqia mendore e shpirtërore e njeriut për të qenë i ndërgjegjshëm për qenien e tij dhe për të komunikuar me realitetin jashtë tij. Kështu, mendimi nuk është thjesht një arsyetim rreth një objekti të jashtëm, por ai mund të shkojë më tej, në realitetin ku ai gjendet i përfshirë dhe të cilin ai e përjeton. Në këtë kuptim të thellë të fjalës, mendimi është tempulli i njeriut. Ai e ndihmon atë për të përmbushur dhe për të kuptuar vetveten. Ai e bën atë të aftë për të ndierë se kufiri i perceptimit shqisor nuk është kufiri i fundit i ekzistencës së tij.

    Mendimtarët duhen sidomos në ato periudha, kur tronditja e vlerave rrezikon motivimin e ekzistencës, kur shoqëria përpiqet të rigjejë identitetin e saj dhe kur njerëzimi kërkon që t’u përgjigjet pyetjeve që i kanë shqetësuar dhe vazhdojnë t’i shqetësojnë qeniet e arsyeshme. Një shoqëri ka nevojë për mendimtarë në çdo kohë, por sidomos kur ajo është në krizë. Nëse një shoqëri në krizë nuk prodhon dot mendimtarë, do të thotë se jo vetëm që rrezikimi i vlerave nuk po merret seriozisht, por edhe motivimi i jetës dhe i ekzistencës është shumë i dobët dhe pa rrënjë dhe çdo tronditje sociale, sado e vogël mund të sjellë katastrofa të mëdha.

    Njeriu është quajtur qenie e arsyeshme. Në terminologjinë e Etërve të Kishës fjala “qenie e arsyeshme” dhe “qenie shpirtërore” janë sinonime. E përmendëm këtë për të theksuar se në kuptimin më të thellë të qenies njerëzore nuk ka ndarje ndërmjet jetës mendore dhe asaj shpirtërore. Një mendim i papërjetuar do të kthehej në një koncept abstrakt pa asnjë kuptim dhe pa asnjë lidhje me jetën dhe ekzistencën reale të njeriut. Një përjetim pa mendim mund ta kthejë jetën në një ekzistencë instinktive pa qëllim. Mendimi i divorcuar nga ontologjia mbetet diçka e huaj për qenien. Po ashtu edhe një ontologji pa patur një motivim dhe një kërkim për të përmbushur qenien, mbetet vetëm në nivelin e gjallesës. Në fakt, të dyja janë të ndërlidhura dhe ndihmojnë e plotësojnë njëra-tjetrën dhe në një kuptim ende më të thellë ato janë e njëjta gjë. Kështu, nuk mund të ketë një mendim pa përjetim shpirtëror dhe asnjë përjetim pa një mendim, sepse mendimi duhet të jetë gjithmonë në funksion të jetës.

    Qenie e arsyeshme do të thotë qenie e lirë. Liria, dhurata më e madhe që i është dhënë njeriut, i jep atij edhe përgjegjësinë e madhe për mënyrën sesi duhet kuptuar dhe jetuar jeta, përgjegjësinë për të menduar dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një shoqëri që t’i japë atij mundësinë për të përmbushur qëllimin e ekzistencës. Ndërtimi i shoqërisë i kthen njerëzit nga qenie të gjalla, në persona. Asnjë person njerëzor nuk mund të jetojë si një individ i izoluar. Nëse ai do të jetë i izoluar, atëherë ai do të jetë një person i cunguar. Ajo që e bën një individ të jetë një person, është pikërisht lidhja me të tjerët dhe ndërtimi i komunitetit. Për të përmbushur vetveten, domethënë që një individ të bëhet një person i plotë, duhet të ketë një lidhje me gjithçka rreth tij, sepse i gjithë krijimi është i ndërlidhur. Në këtë përpjekje të gjatë dhe vendimtare, njeriu do të kishte humbur, siç ka humbur shpesh, nëse nuk do të udhëhiqej nga vlerat universale të krijuara nga tempulli dhe në tempull.

    Kushdo që e njeh pak historinë do të shohë se janë vlerat ato që ndërtojnë kombe, shtete dhe qytetërime. Fiset e ndryshme gjermanike jetonin në një gjendje pothuaj gjysëm të egër. Mbretërit e tyre pinin verë me kupa të bëra nga kafkat e armiqve të tyre. Të gjithë e dimë se me futjen e krishterimit dhe të vlerave të këtij qytetërimi ato u transformuan. Shembuj të tillë mund të merren shumë nga historia. Jo vetëm historia e barbarëve të Perëndimit, por edhe historia e sllavëve, arabëve dhe shumë të tjerëve e tregon qartë se janë pikërisht vlerat e qytetërimit (në rastet e mësipërme u transmetuan nëpërmjet fesë), ato që ndërtojnë kombe, shtete, perandori dhe qytetërime. Janë pikërisht vlerat dhe parimet ato që kanë fuqi transformuese. Ato transformojnë si individë të veçantë ashtu edhe kombe. Njeriu si mish është kudo njëlloj. Nuk ka racë më të ulët apo më të lartë. Janë parimet qytetëruese ato që e lartësojnë një individ, një komb, shtet apo shoqëri. Dhe në të kundërtën, shkatërrimi i tyre sjell edhe degradimin moral të një individi, të një kombi, shteti apo shoqërie.

    Shumë herë dhe tek shumë njerëz vlerat nuk vlerësohen, ngaqë mungon përvoja e një ekzistence pa vlera. Ne jetojmë sot në një kohë kur vlerat ndodhen në rrezik. Qytetërimi po shkëputet nga ato në një mënyrë të papërgjegjshme. Në shumë vende, sidomos në Perëndim, por jo vetëm atje, arritjet e qytetërimit të sotëm shihen si të vetvetishme dhe natyrale, pa kuptuar se ato janë krijuar nga tempulli. Ndonëse tani për tani nuk shihet hapur dhe qartë rreziku që vjen nga humbja e vlerave, shumë shpejt do të duken akoma më qartë. Historia dhe përvoja e gjatë e njerëzimit e ka treguar rrezikun e madh që i kanoset çdo qytetërimi nga mungesa e vlerave. Kjo është njësoj sikur të presësh rrënjët e një peme. Pema ndoshta mund të jetojë edhe dy ose tre ditë, por pastaj sigurisht do të thahet. E njëjta gjë po ndodh edhe me prerjen e vlerave. Jeta mund të duket sikur po vazhdon dhe mund të vazhdojë për disa breza, shoqëria po ashtu, por në fund ajo do të thahet. Sepse, ashtu siç nuk mund të rrojë pema me rrënjët e prera, ashtu nuk mund të jetojë edhe shoqëria me rrënjët e prera.

    Një qytet pa tempull kthehet në kaos. Një shoqëri pa vlera po ashtu. Sa më shumë ato do të humbasin aq më shumë do të shtohen mundësitë për të pasur pushtetarë, politikanë, gjykatës, policë, mjekë dhe administratorë të korruptuar. Dhe, sa më shumë shtohen ata, aq më tepër kalbet shoqëria. Dhe nuk është më çudi kur tërë një shtet mund të shembet për dy ose tre ditë. Shembuj të tillë ka pasur dhe ka shumë në histori. Ndoshta ne shqiptarët e dimë më mirë se çfarë do të thotë prishja e tempullit.

    Ngjarjet e fundit që ndodhën tek ne tregojnë dëmtimin e madh moral që ndodhi në vendin tonë si rezultat i prishjes së vlerave. Prandaj, nëse ne do të fillojmë të ndërtojmë një shtet dhe një shoqëri të shëndetshme, duhet të fillojmë me ndërtimin e tempullit. Investimi i parë që duhet bërë duhet të jetë investimi shpirtëror. Asnjëherë nuk mund të arrihet një progres, qoftë edhe në ekonomi, nëse nuk ndërtohet komuniteti. Dhe komuniteti nuk mund të ndërtohet nëse nuk restaurohen vlerat.

    Tempulli shpirtëror ka një shtrirje të gjerë. Ai përfshin jo vetëm institucionet fetare, që pa dyshim janë baza, por edhe çdo gjë tjetër që përbën jetën shpirtërore, mendore, intelektuale dhe kulturore të një shoqërie. Letërsia jonë duhet të jetë në ballë të frontit për investimin shpirtëror dhe për të restauruar vlerat e humbura. Po të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjitha forcat shpirtërore dhe artistike. Shkollat duhet të jenë një vend ku tempulli duhet të zërë më shumë vend. Universitetet, këto tempuj të dijes, duhet të ofrojnë jo vetëm thjesht edukim akademik, që fatkeqësisht edhe ky nuk është dhënë i plotë, por edhe të mundësojnë mësimin dhe ruajtjen e vlerave. Ne nuk mund të kopjojmë thjesht programe nga universitetet e ndryshme të Perëndimit. Ato vijnë shpesh nga një histori dhe përvojë, e cila është e ndryshme nga historia dhe përvoja jonë. Çdo popull ka mentalitetin, historinë, kulturën dhe përvojën e vet dhe kjo duhet marrë parasysh në hartimin e çdo gjëje. Kopjimi pa kuptim nuk do të japë rezultatet që priten dhe fatkeqësisht shpesh sjell dëm në vend të përparimit. Ndoshta Perëndimi po kalon nëpër një fazë të neglizhimit të vlerave, ku shumë nga rrymat të ashtuquajtura konservatore janë nën një kritikë nga rrymat liberale. Por edhe atje stabiliteti mbahet pikërisht sepse vlerat akoma po ekzistojnë, ndonëse të neglizhuara. Megjithë liberalizimin e skajshëm të shoqërisë, përsëri atje gjenden forca të fuqishme konservatore. Do të ishte ndoshta me interes të thonim diçka edhe për fjalën “konservator”, sepse kjo fjalë shpesh është keqinterpretuar. Të konservosh vlerat, t’i ruash ato nuk do të thotë të jesh kundër progresit, por, përkundrazi, do të thotë t’i sigurosh progresit bazën e tij të domosdoshme, pa të cilën gjithçka do të shkojë drejt degradimit, korrupsionit dhe shkatërrimit. Ndërsa ne kemi një histori të ndryshme. Ne nuk kemi pasur përvojën e gjatë të një shteti dhe nuk kemi pasur institucione me një traditë të vazhdueshme. Prandaj tek ne është e domosdoshme dhe jetike për të krijuar institucione të bazuara në vlerat universale të çdo kulture dhe qytetërimi. Është e domosdoshme të vendosen themele të shëndosha dhe të forta. Ndërsa disa vende mund të kenë luksin edhe të lozin me vlerat, ndonëse kjo mund të sjellë pasoja të rrezikshme edhe për ato, ne nuk mund ta kemi atë luks. Dikush, që ka gjithçka për të ngrënë, mund të eksperimentojë për të pasur fruta dhe ëmbëlsira të veçanta. Por, ai që nuk ka asgjë për të ngrënë, duhet të sigurojë në fillim bukën, pastaj mund të mendojë për gjëra të tjera.

    Vendi ynë ka nevojë për një tempull, rreth të cilit ai mund të ndërtojë të ardhmen e tij. Ndërtimi i tempullit nuk është i lehtë. Të restaurosh vlerat, të cilat nga kushtet e ndryshme historike të vendit tonë janë dëmtuar shumë, do të kërkojë përpjekje dhe sakrifica të mëdha. Por nuk ka rrugë tjetër. Nëse ne do të duam të futemi në rrugën e qytetërimit (me qytetërim nuk kuptohet vetëm zhvillimi teknologjik; por motivimi i shoqërisë për të përmbushur qëllimin e ekzistencës së saj), ne duhet të fillojmë përpjekjet për ndërtimin e tempullit. Çdo gur në këtë ndërtesë, sado i vogël qoftë, është shumë i nevojshëm.

    Vendi ynë ka nevojë për mendim, sado i thjeshtë që të jetë. Ndoshta ajo që i mungon më shumë vendit tonë është pikërisht mendimi. Kemi me bollëk luftëra, urrejtje, polemika, grindje politike etj. Aq shumë sa që të gjithë janë lodhur me to dhe sa që sharjet nuk bëjnë më efekt. Edhe artistë kemi pasur edhe kemi madje shumë të mirë dhe të cilët janë të domosdoshëm për ndërtimin e një jete shpirtërore. Por edhe arti ka nevojë për mendim. Çdo shkollë arti ka pasur filozofinë e saj, sepse arti nuk mund të rezistojë për një kohë të gjatë vetëm në dimensionin e ndijimit, nëse ky ndijim nuk do të arrijë që të koshientizohet. Prandaj ne na duhen edhe mendimtarë, na duhen edhe filozofë, nga të cilët fatkeqësisht kemi pasur shumë pak. Ata nuk mund të krijohen artificialisht. Ata lindin vetëm nga një kërkim i sinqertë shpirtëror për të gjetur, kuptuar dhe përmbushur qëllimin e ekzistencës. Me filozofi përfshihet e gjithë përpjekja mendore e shpirtërore e njerëzimit, e cila i jep motivimin dhe arsyen shoqërisë dhe qytetërimit. Gjithashtu do të jetë jetike për ne që vlerat e krijuara në vendin tonë të paraqiten ashtu siç janë, me tërë bukurinë, madhështinë dhe dobësitë që ato mund të kenë. Për fat të keq ato shpesh paraqiten të deformuara, sa që është vështirë të kuptohet përse po bëhet fjalë. Le të marrim si shembull paraqitjen që i është bërë deri më sot ikonografisë sonë. Ikonat janë paraqitur sikur të ishin bërë vetvetiu. Nuk është folur pothuajse fare për frymën që i frymëzonte ikonografët dhe për ambientin e tyre fetaro-kulturor ku ata jetonin. Që Onufri ka qenë kryeprift, pak përmendet. Edhe kur përmendet, kjo bëhet vetëm thjesht si pjesë e biografisë së tij dhe jo si pjesa kryesore e frymëzimit dhe e përjetimit të asaj që ai pikturonte.

    Prandaj nevojiten iniciativa intelektualësh dhe studiuesish që të tregojnë vlerat që janë krijuar në shekuj në vendin tonë duke dhënë një kontribut në investimin shpirtëror, aq i domosdoshëm për periudhën që po kalojmë.