Si “kreshmë” karakterizohen ditët dhe periudhat e vitit, gjatë të cilave nuk na lejohet të hamë disa lloje ushqimi. E quajmë “kreshmë” nga karakteristika e jashtme. Por, mjerë ne nëse me kreshmë do të kuptojmë vetëm kufizimin e gamës ushqimore. Kreshma është mjet, jo qëllim! Domethënë agjërimi na ndihmon, na krijon atmosferën për lartësim shpirtëror.

    Pse kreshmojmë?

    *  Kreshma është pasoja, “gjoba” e ngrënies së frytit të ndaluar në kopshtin e Edenit, në Parajsë, kur gjarpri mashtroi Evën. Dhe ajo mendoi se “ishte i mirë për t’u ngrënë fryti që më vrau”, siç vajton një tropar (Makarismos i së dielës, Tingulli i rëndë). E hëngrën frytin etërit tanë të parë, duke shkelur kështu porosinë ndaluese, të parën dhe të vetmen gjer atëherë të Krijuesit (Gjen.3:1-7). Ah! Adam edhe Eva fillim të keq bëtë, shembull të keq na latë, trashëgimi mbarënjerëzore të keqe.

Kënaqësinë e mëkatit tuaj, e të parëve tanë, që u bë paralindësi i mëkateve tona, e paguajmë me dhimbje. “Çdo mëkat bëhet për kënaqësi edhe çdo falje vjen nëpërmjet vuajtjeve, mundimit dhe trishtimit”, konstaton me pikëllim Thallasi, një nga shkrimtarët e Fillokalisë (Peri agapis ke egratias .. .Ekatontas 2, 74).

    *  Kreshma është biblike. Tashmë e kemi parë. Model i saj janë tri kreshmët dyzetditëshe (agjërim i plotë, pa ngrënë e pa pirë). Këtu bëhet fjalë për kreshmën e Moisiut, të Ilias dhe të Jisuit; të Moisiut, kur merrte Ligjin në Malin Sina (Eks.34:28), të Ilias, kur ikte nga përndjekja e mbretëreshës idhujtare Jezavel dhe para se të “shihte” të Lartin (3 [sipas një emërtimi tjetër 1] Mbretërve 19:8) dhe Jisuit pas Pagëzimit dhe para daljes së Tij në veprimtarinë publike (Mat.4:2). Kreshmën jo thjesht e nënkuptojmë, por ka edhe porosi të qarta, të shpërndara kudo në Shkrimet e Shenjta për zbatimin e saj. Kreshmojmë “duke iu bindur traditës ungjillore”, thekson himnografi (Vargësore mbrëmësore e së Dielës të të Lidhurave të djathit).

    E kishte parathënë Zoti “se kur do rrëmbehet” Dhëndri, atëherë Nusja e tij, Kisha, do kreshmojë (Mat.9:15). Dhe me të vërtetë, kreshma shfaq pikëllimin për mëkatet tona, që u bënë shkak që të rrëmbehet prej nesh Krishti dhe të ngjitet në Kryq. Pikërisht “do të rrëmbehet lart”, siç thotë teksti hyjnor, ka këto dy kuptime: së pari rrëmbim dhe zhdukje (nga faqja e dheut, vdekja) dhe së dyti, nëpërmjet ngritjes (në Kryq).

    Me të drejtë pra, Kreshma para Pësimit hyjnor dhe Pashkës quhet “Kreshma e Madhe”. Kreshma e Madhe është më e hershme bashkë me Kreshmët e së mërkurës dhe të së premtes (Dhidhaki Apostolon 8.1). Kreshmët e tjera u futën më vonë dhe gradualisht. Kjo Kreshmë është e Madhe edhe për nga rëndësia: Na përgatit për pjesëmarrjen në javën më të madhe dhe plot kuptime të jetës tokësore të Perëndinjeriut.

    Është e madhe nga ana e sasisë, domethënë gjatësisë së saj kohore. Mbahet për shtatë javë dhe e kurorëzon Java e Madhe. Është e madhe gjithashtu, si për cilësinë e saj ashtu dhe për rreptësinë. Me korrektësi nuk hahet vaj (as pihet verë), përveç të shtunave dhe të dielave, ndërsa ditën e Ungjillëzimit dhe të Dielën e Dafinave hahet edhe peshk. Një tropar para kësaj Kreshme bën fjalë për lundrim në “detin e madh të Kreshmës”, para se të arrijmë “në ngjalljen e triditshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, që shpëton shpirtrat tanë”.

    Shtojmë se shumë murgj kur kreshmojnë vajin mbajnë “orën e nëntë”, domethënë hanë një herë në ditë. Kjo është “korrektja”, por kemi edhe përjashtime, “ekonominë”, për të cilën do flasim më vonë. Përshtatja e Kreshmës në përmasat dhe kushtet personale të çdonjërit është rregullimi që i përket bashkëpunimit me atin e tij shpirtëror. Porosinë e Kreshmës nuk pranuan ta shkelnin të shtatë djemtë Makabej bashkë me nënën e tyre Solomona dhe udhëheqësin e tyre të moshuar Eleazar. Shkëmbinj të patronditur! Trimëria e tyre, pavarësisht moshës së re apo të vjetër, mbeti kometë e shndritshme ndër shekuj. U vranë të pamposhtur shpirtërisht pasi kaluan nëpër tortura të egra, shumë të frikshme, sepse nuk shijuan mishin e derrit që nuk lejohej sipas Ligjit të Moisiut. Nëse do kishin ngrënë, do ishin bërë idhujtarë, meqenëse mishi i derrit luante rolin e shenjës dalluese. Dialogu i tyre me tiranin përbën kulm trimërie (2 Makab.6:18-7:42; 4 Makab. kap. 5-18).

    Kështu veproi edhe Danieli me të tre Djemtë në Kaldea (Daniel. kap. 1-3). Ishin rrëmbyer me bashkatdhetarët e tyre dhe u internuan në Babiloni. Falë origjinës së tyre princore, zgjuarsisë dhe pamjes së jashtme, u mësuan dhe u edukuan së bashku me të tjerët në pallatet e saj mbretërore. Danieli iu lut kryekuzhinierit dhe ai, në kundërshtim me urdhrin e perandorit, u jepte atyre për dhjetë ditë, jo ushqime mbretërore të molepsura nëpërmjet flijimeve pagane, por ushqime të tjera bimore. Pas eksperimentit dhjetëditor, kur i pa më të fuqishëm dhe më të pashëm se të tjerët, u bind dhe iu jepte gjithmonë ushqime bimore. Të rinjtë shpresëtarë nuk e shfrytëzuan këtë fakt si justifikim grykësie. Sepse me të vërtetë, do ishte logjike dhe shumë njerëzore të mendonin se Perëndia do t’ua falte shkeljen e detyruar të Ligjit të Tij. Por nuk i lejuan vetes rrugëdalje dhe manovrime në grykësi; edhe sikur tryeza mbretërore të ishte diçka unike në mbarë botën! – perandoria babilonase ishte fuqia e parë e botës së atëhershme!

    Me të drejtë thuhet: Si të mos respektonte zjarri i furrës trupa të pastër nga pasionet e mospërmbajtjes? Kjo është arritja e kreshmës dhe e vetëpërmbajtjes, siç do shohim në vazhdim.

    *  Kreshma përbën tregues zije. Është një zakon mbarëbotëror. Për shembull Judithi, heroinë kombëtare e Izraelit, para se të rrezikonte me vetësakrificë trupore dhe shpirtërore për hir të popullit të saj, kreshmonte edhe pse e pasur, sepse i kishte vdekur burri në moshë të re. “Ishte Judithi e ve në shtëpinë e saj tre vjet dhe katër muaj. Dhe ngriti për veten e saj çadër sipër tarracës së shtëpisë së saj, dhe veshi në mes një thes [domethënë, jo veshjen aristokrate që i takonte, por rrobë zije], dhe kishte mbi veten e saj rrobat e vejërisë së saj. Dhe kreshmonte të gjitha ditët e vejërisë, përveç të shtunave dhe vigjiljeve të tyre… dhe të festave”. Megjithatë bukuria e saj lulëzonte shkëlqyeshëm “dhe nuk u gjend asnjë që të fliste kundër qoftë edhe një fjalë qortuese, sepse ajo kishte frikë të madhe ndaj Perëndisë” (8:4-8).

    *  Kreshma nënkupton hidhërim, agoni, ankth, shqetësime, mërzitje. Kur dikush mundohet nga gjendje të tilla të forta, i pritet oreksi. Për sa herë ushqimi jo i tepërt shkakton neveri, nënkupton një fenomen patologjik të shpirtit ose të trupit. Pavli, pas vizionit në Damask që ishte vendimtar për jetën e tij – dhe për Krishterimin! “ndenji tri ditë pa parë, dhe pa ngrënë e pa pirë” (Vep.9:9). Mosngrënia e tij u shkaktua nga pikëllimi, pendimi dhe agonia. Pikëllim dhe pendim mbizotëruan në “atë që më parë blasfemonte, persekutonte dhe shante” edhe pse vepronte “pa dijeni” (1 Tim.1:13).

    Të tilla trysni, tensione dhe acarime shpirtërore stresonin edhe shpirtin e Davidit, që siç na thotë ai vetë, atëherë gjunjët e tij ishin dobësuar nga kreshma dhe mishi i tij kishte ndryshuar pamje për shkak të (mungesës së) vajit (Psalm.108:24). Davidi qëndroi pa ngrënë edhe një herë tjetër, kur u sëmur fëmija i tij i parë, që e kishte me Versavenë, të venë e Urias. Profeti Nathan e kishte paralajmëruar se ky fëmijë do të vdiste. Ky ishte dënimi që mori Davidi për vrasjen kriminale të besnikut të tij, Uria, pasi kishte si qëllim pikërisht të martohej me gruan e tij. “Dhe kreshmoi Davidi, dhe vuri thasë e filloi të shtrihej poshtë në tokë. Dhe për atë u vunë në lëvizje zyrtarët e shtëpisë së tij [mbretërore] për ta ngritur, dhe nuk hëngri bukë bashkë me ta”. Hëngri pas shtatë ditësh, pasi tashmë fëmija kishte ndërruar jetë – fëmija i dytë nga Versaveja ishte mbreti Solomon (2 Mbret. [sipas një tjetër emërtimi 2 Sam.] 12:14-24).

    *  Të ngrënët me pakicë është armë kundër pasioneve dhe demonëve. “Ky fis nuk largohet përveçse me lutje dhe me kreshmë”, zbuloi Zoti (Mat.17:21). Rrjedhimisht kreshma shton reagimin e tyre.

    Le të provojmë të kreshmojmë me korrektësi, dhe kushedi se sa vështirësi, pengesa dhe justifikime do nxjerrë djalli! Do detyrojë ata që janë përreth nesh të ironizojnë, të afërmit të protestojnë, atmosferën e përgjithshme të na tërheqë, dashurinë për veten tonë të ketë frikë. Të mbisundojnë mendime të tipit “mos sëmuresh; punon shumë, nuk do ta përballosh; do hapësh probleme në punën tënde; do kesh kontradikta me ata të shtëpisë”;

    Megjithatë, ne nuk jetojmë larg vargut të brezave që arriti deri në kohën tonë, atëherë pra kur të krishterët kreshmonin – madje edhe “triditësh”- edhe pse kryenin punë të rënda krahu ditë e natë, në arra, në zënien e bukës, në tezgjah. Të tillë ndoshta mund të kenë qenë edhe prindërit e gjyshërit tanë.

    Bëmë fjalë për “triditëshin”. Është e vlefshme ta sqarojmë pak, mos ndoshta ndihmohemi disi në përpjekjen tonë kundër dembelizmit. Po, shumë besimtarë mbajnë triditëshin. Nga nata e së dielës, para se të fillojë Kreshma e Madhe e Pashkës, deri të mërkurën që bëhet mesha e parë e Parashenjtëruar (që me saktësi bëhet pasdite), as nuk hanë dhe as pinë gjë!

    Vazhdojmë më tej; do të sjellim “në dëgjimet… disa gjëra që [na] çuditën” (Vep.17:20). Ekzistojnë edhe të tjerë, sigurisht shumë të paktë, që kungojnë të mërkurën, të premten dhe të shtunën (e shën Theodhorit) dhe atëherë fillojnë të hanë! Veset “moderne” çuditen nga praktika të tilla, por ka edhe “më keq” janë taktikat kaukaziane, që do t’i shpjegojmë më vonë.

    Kreshmonin të vjetrit. Edhe diçka tjetër e llogaritshme: Nuk kishin shumë nga asortimentet kreshmore, që “pasurojnë” dietën bashkëkohore.

    “Mishi dëshiron kundër frymës, ndërsa fryma kundër mishit; këta i kundërvihen njëri tjetrit” (Gal.5:17), nënvizon Pavli duke aprovuar rrjedhimisht kreshmën e kënaqësive gojore dhe trupore. “Shumë gëzohen demonët në zdërhalljen e trupit”, sipas Athanasit të Madh (Peri parthenias,7). Në të kundërt, helmohen kur me anë të mundimeve dhe të përmbajtjes trupore hollohet dhe përulet mishi dhe lëvizjet e tij, kështu që përparësinë e merr shpirti. Të kundërtat me të kundërtit e tyre, domethënë me engjëjt. Gëzohen në asketizëm, pikëllohen në plogështi.

    Avai Joan Kolov thekson: “Në rrethimin e qytetit ata që sulmojnë bllokojnë furnizimin e tij me ushqime dhe me ujë, kështu që kundërshtarët e tyre nuk rezistojnë dot dhe dorëzohen për shkak të etjes dhe urisë. E njëjta gjë ndodh edhe me pasionet e mishit. Nëse do luftohen me kreshmë, dobësohen” (Jerontikon).

    Oshënar Simeon Theologu i Ri vrojton dhe thotë në mënyrë përmbledhëse për kreshmën: “E ka zakon kjo shëruese e shpirtrave tanë, njërit i ul epshet e mishit dhe lëvizjet, një tjetri i zbut inatin, një tjetri i dëbon gjumin, te një tjetër nxit gatishmërinë, një tjetri i kthjellon mendjen dhe e çliron nga mendimet dinake, një tjetri i butëson gjuhën – bishën dhe me frikën e Perëndisë e mban si me ndonjë fre dhe nuk e lejon të thotë fjalë të kota [Mat.12:36] ose të pista; një tjetër e mbulon në mënyrë të padukshme dhe ia ndalon sytë të lëvizin rreth e rrotull dhe nuk i lejon të vërtiten këtej e andej me kureshtje, por bën që të shikojë secili veten e vet dhe e mëson të kujtojë mëkatet dhe mangësitë e tij. Errësirën e palëndët dhe mbulesën e mëkatit, që qëndron mbi shpirt, dalëngadalë i hollon dhe i përndjek si dielli mjegullën” (Katihisis 11).

    Apostulli na sqaron dimensionin e dyfishtë të vetëpërmbajtjes: “Është tashmë ora të ngrihemi nga gjumi . Pra le të sprapsim veprat e errësirës dhe le të vishemi me armën e dritës. Le të ecim si ditën, jo në dëfrime dhe dehje, jo në shtretër [kurvërie] dhe shthurje, jo në grindje e xhelozi, por vishni Zotin Jisu Krisht dhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni dëshirat” (Rom.13:11-14) – Ky është pasazhi, leximi i të cilit u bë shkaku i pendimit të shën Agustinit.

    Gjumi i kundërvihet vigjilencës dhe errësira dritës. Pra t’u themi jo pasioneve trupore, si p.sh. dehjeve dhe shthurjeve dhe njëkohësisht jo pasioneve shpirtërore, si p.sh. përçarjes dhe smirës. Jo kënaqësisë e dëshirave pa vend, por kultivimit të virtytit. Këtë na e komenton artistikisht një tropar në fillimin e Kreshmës së Madhe (Vargësore mbrëmësore e të hënës së parë): “Le të kreshmojmë kreshmë të pranueshme, të pëlqyer te Zoti. Kreshmë e vërtetë është largimi nga e liga [frazë e Vasilit të Madh (Peri nistias, Logos 1, 10)]; frenimi i gjuhës, prerja e zemërimit, ndalimi i epsheve, thashethemeve, gënjeshtrave dhe betimit të rremë. Ndalimi i tyre është kreshmë e vërtetë dhe e pranueshme”. Kjo është dinamika e kreshmës! Në të njëjtën frekuencë shprehet edhe shën Joan Gojarti: “Çfarë dobie kemi kur distancohemi nga pula dhe peshq, por kafshojmë dhe gllabërojmë vëllezërit tanë?” (Omilia 3 Is adhriantas, 4).

    Në librin e Isaias Perëndia bën veçime konkrete: “Si popull … që [gjoja] nuk ka braktisur vullnetin e Perëndisë së tij, më kërkojnë tani gjykim të drejtë [kundër armiqve të tyre]. duke thënë: ‘Pse kreshmuam dhe nuk [e] pe? I përulëm shpirtrat tanë dhe nuk e njohe?’ Sepse në ditët e kreshmëve tuaja gjeni vullnetet tuaja [të këqija] edhe të gjithë vartësit tuaj i shponi me shtiza. Nëse kreshmoni për gjyqe dhe zënka e i bini me grushte të pafuqishmit, pse kreshmoni për mua? Edhe po të përkulësh si hallkë qafën tënde, edhe thasë, edhe hi të shtrosh nën vete, edhe kështu kreshma nuk do quhet e pëlqyer. Nuk zgjodha unë një kreshmë të tillë, thotë Zoti, por zgjidh çdo prangë padrejtësie, shpërndaji marrëdhëniet e shtrembëruara, të ankthshme, çliroi të munduarit dhe grise çdo kontratë të padrejtë; copëtoji të uriturve bukën tënde dhe të futësh në shtëpinë tënde të varfrit, të pastrehët; po pe të zhveshur, vishe dhe nuk do ta parakalosh për hir të të afërmve të fisit tënd. Atëherë do të thërrasësh edhe Perëndia do të të dëgjojë; do flasësh akoma, ndërsa ai do thotë: ‘Ja ku jam! [erdha]” (58:2- 9). Dhe vazhdon teksti duke numëruar me skena poetike dhe ndjeshmëri bekimet e Perëndisë ndaj filantropëve. Frazë nga pasazhi i Isaias do këndojë psalti në fillimin e Kreshmës së Madhe: “Çdo kontratë të padrejtë kundër të afërmit le ta shfuqizojmë ne vetë, duke mos i vënë atij stërkëmbës ose skandal… Le t’u japim të varfërve bukë dhe le të vijmë tek Krishti me pendim duke thirrur: ‘O Perëndia ynë, mëshirona” (Idhiomelo i mbrëmësores të së premtes së javës së parë). Përgjigjja e psaltit tjetër: “Shiko, shpirti im, kreshmon? Të afërmin tënd mos e përbuz. Distancohesh nga ushqime? Vëllain tënd mos e gjyko” (Lavdërim i së Dielës të të Lidhurave të mishit).

    Kur fillon Kreshma pasuria himnologjike na udhëzon melodikisht dhe na stërvit: “Stadiumi i virtyteve u hap. Ju që doni të merrni pjesë në gara hyni, duke ngjeshur luftën e mirë të kreshmës, sepse ata që marrin pjesë në gara ligjërisht [sipas rregullave] kurorëzohen drejtësisht. Dhe pasi të marrim armatimin e Kryqit le t’i kundërvihemi armikut, duke pasur si mur të paçarë besimin, si mburojë lutjen dhe si përkrenare dhënien lëmoshë; në vend të thikës kreshmën, e cila pret nga zemra çdo të keqe. Ai që bën atë, merr kurorën e vërtetë nga kryembreti Krisht në ditën e Gjykimit” (Lavdërim i së Dielës të të Lidhurave të djathit).

    “Nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave”, tha Pavli (2 Tim.2:5). Kështu i dha sinjalin himnuesit, i dha startin të vrapojë, të nxitet të analizojë, duke komentuar përpjekjen e ligjshme dhe jo të ligjshme, kreshmën e pranueshme dhe të papranueshme.

    Dhe le të kemi parasysh se stadiumi shpirtëror ka përparësi thelbësore kundrejt stadiumit “olimpik”. Në pistë “vrapuesit të gjithë vrapojnë, por një fiton çmimin” (1 Kor.9:24), i pari dhe dy të tjerët dy çmimet e tjera. Por në olimpiadën shpirtërore të gjithë që marrin pjesë me sukses, shpallen fitues dhe kurorëzohen. E dyta, garuesit gjatë stërvitjes trupërisht lodhen “për të marrë një kurorë që prishet, ndërsa ne, një kurorë që nuk prishet” (1 Kor.9:25). Dhe e treta, atë që i këshillonte ai vetë, korifeu i apostujve, nxënësit të tij, Timotheut: “Stërvite veten tënde për shpresëtari; sepse stërvitja trupore për pak është e dobishme, ndërsa shpresëtaria është e dobishme përgjithmonë” (1Tim.4:8). Stërvitja e shpresëtarisë është e dobishme jo vetëm për çdo kohë, por edhe për çdo njeri, burrë apo grua, i ri apo plak dhe madje për të gjitha, trup, shpirt dhe frymë. Si përfundim për këtë paragraf, stërvitja sipas rregullave kërkon jo vetëm kreshmim të ushqimeve, por edhe të pasioneve; dhe shijim të virtyteve.

    *  Kështu poezia liturgjike (adhuruese) na hapi edhe horizonte të tjera. Kombinoi kreshmën edhe me dhënien e lëmoshës. Pra, ndihmon për shkuljen e të këqijave dhe kultivimin e të mirave.

    Shenjtorët sugjerojnë që në periudhat e kreshmës t’i presim ushqimet luksoze dhe paratë që kursehen t’ua kalojmë të varfërve. Pyet Gojarti i shenjtë: “Kreshmon? Ma trego me veprat e tua. ‘Me cilat vepra?’ thotë. Nëse do shikosh një të varfër, jep lëmoshë” (Omilia 3 Is adhriantas, 4). Një pedagog, i ndjeri, rrëfente çudinë e tij, por njëkohësisht turpin që kishte ndjerë, kur një të Hënë të Bardhë hapi frigoriferin në shtëpinë e tij dhe e pa plot e përplot me lloj – lloj ushqimesh kreshmore – kreshmore, por të bollshme. Parodi kreshme…

    *  Në himnin e mëparshëm folëm edhe për lutjen. Vetëm që lutja nuk gjendet në cep, por në zemër të kreshmës. Kreshma i jep krahë. Koalicioni i të dyjave formon aleancë shumë të fuqishme kundër demonëve; i shtyn të largohen me vrap, siç na tha Zoti (Mat.17:21). Njeriu me stomak shumë të ngarkuar – varr pulash, si edhe produktesh e nënproduktesh qeniesh të tjera ish – të gjalla – dhe me kokën e mjegulluar, të rëndë nga lumi i pijeve, si do qëndrojë më këmbë për lutje? Verërat nuk krijojnë “kataniks”, shpirtdërrmim, por lloj tjetër “kataniksi”. Barku i mbushur buzë më buzë, i cili arrin deri te goja, bëhet anije tejet e ngarkuar. Si do të jetë e shpejtë në flladin e Frymës së Shenjtë? Me kapitenin që i merren këmbët, si do të qëndrojë në furtunën e ngasjeve dhe pasioneve? Me barkun e tejmbushur si do të guxosh t’i afrohesh Eukaristisë Hyjnore? Duhet patjetër vetëpërmbajtje.

    Me këtë rast theksojmë se disa njerëz kanë mendim jo të drejtë kur thonë se nëse dikush nuk do të kungohet në Krishtlindje për shembull, atëherë nuk është e nevojshme të kreshmojë në kreshmën e Krishtlindjeve. Gabim! Kreshmët janë për të gjithë, për të mos thënë se nëse një njeri nuk është i denjë që të marrë kungatën për një farë kohe, duhet të kreshmojë dy herë më tepër si shenjë dhe shkaktar pendimi. “Është e mirë lutja bashkë me kreshmën, dhënien lëmoshë dhe drejtësinë”, zbuloi dikur kryeengjëlli Rafail (Tob.12:8). Nëna e Samsonit e lindi – ndërsa ishte sterile pasi zbatoi porosinë e engjëllit që të mos pinte alkool dhe të mos hante disa lloje ushqimesh (Judike 13.4). Gjithashtu shumë shenjtorë lulëzuan nga familje sterile, si çmim për kreshmët dhe lutjet për të pasur fëmijë.

    Pra kreshma përbën element bazë parapërgatitjeje për diçka të çmuar, dhe jo vetëm për diçka të madhe në përgjithësi, si p.sh. për Pësimin Hyjnor, për Javën e Madhe, por edhe për ngjarje personale. Kemi raste ku martirë dhe neomartirë rrinin pa ngrënë sapo i lajmëronin se të nesërmen do ekzekutoheshin; dhe kalonin natën duke psalur e duke u lutur. Nuk u mjaftonte sakrifica e madhe që i priste, por bashkonin edhe të voglën, kreshmën, si parapërgatitje të saj.

    Kujtuam në fillim kreshmën dyzetditëshe të Moisiut në majën e Sinait. “Dhe ishte atje Moisiu karshi Zotit, dyzet ditë e dyzet net; bukë nuk hëngri; dhe ujë nuk piu; dhe shkroi mbi pllakat këto fjalë të Dhiatës, Dekalogun. Por Moisiu, kur zbriti nga Mali i Sinait [duke zbritur nga mali Moisiu mbante në duar dy pllakat e dëshmisë] nuk e dinte që fytyra e tij qe bërë rrëzëllyese, sepse i fliste ai [Perëndia] atij. Dhe pa Aaroni dhe të gjithë pleqtë e Izraelit Moisiun … dha patën frikë t’i afrohen… dhe vuri mbulesë sipër fytyrës së tij” (Gjen.34:28-33).

    Ne do shtonim se edhe kreshma kishte pjesën e saj në ndryshimin dhe rrëzëllimin e fytyrës së Moisiut, por në veçanti bashkëbisedimi i tij me të Lartin. Shoqëria e tij me Atë ka qenë arsyeja vendimtare e lavdisë së tij, por nga ana tjetër “çmaterializimi” i tij në një farë mënyre, nëpërmjet vetëpërmbajtjes, e bëri më të aftë për komunikimin hyjnor. Vasili i Madh komenton se nuk do të guxonte Moisiu t’i afrohej malit, ndërsa maja e tij tymoste sikur digjej, as do guxonte të hynte në errësirë, nëse nuk do ishte armatosur me kreshmën. Me anë të kreshmës pranoi të dhjetë porositë që u shkruajtën në pllakat me gishtin e Perëndisë. Ndërsa sipër majës kreshma u tregua shkaktar ligjvënës, poshtë malit grykësia çmendi dhe shndërroi në idhujtarë – herën e parë izraelitët, duke parë se vononte të zbriste kryetari i tyre nga mali dhe duke kujtuar se humbi, bënë idhull një viç prej ari “dhe u ul populli në ngrënie e në pirje, dhe u ngritën në valle” (Gjen.32:1-6).

    Në rastin e ngjarjeve në Malin Sina, shtojmë se parapërgatitje për marrjen e Ligjit ishte edhe vetëpërmbajtja trupore. U kishte dhënë porosi Moisiu izraeliteve: “Bëhuni gati brenda tri ditëve, mos iu afroni grave” (Eks.19:15). Brenda kreshmës përfshihet patjetër edhe vetëpërmbajtja mishore. Pavli i këshillon çiftet e krishtera: “Mos privoni njëri – tjetrin, përveçse me një marrëveshje të përkohshme, që t’i përkushtoheni kreshmës dhe lutjes dhe përsëri ejani bashkë; që të mos t’ju ngacmojë Satanai [për shkak të mospërmbajtjes suaj]” (1 Kor.7:5). Kryepiskopi i Qesarisë, duke analizuar edhe kreshmën e Ilias, shënon se në këtë mënyrë u pastrua shpirti i tij dhe u denjësua të shikojë aq sa është e mundur te njeriu – Zotin në shpellën e Horivit, prapë në Sina. Dhe shton se nga ushqimi yndyror kemi nxjerrje ndotjesh, dhe këto tymra porsi re të dendura pengojnë shkëlqimet e Frymës së Shenjtë te mendja. Ekologji spirituale! Konceptim bashkëkohor problemesh gjatë shekujve kristianë nga një Atë i vjetër i Kishës.

   Sqarojmë se raste të tilla “unike” të mosngrënieve për një kohë kaq të gjatë dhe kryesisht mospirjeve, si rasti i Moisiut dhe i Ilias, nuk përballohen ndryshe, por vetëm mrekullisht, me Hirin. Ai “që mund t’i nxjerrë fëmijë Avraamit dhe nga këta gurë” (Lluk. 3:8), ka fuqi edhe të mbajë në jetë fëmijë kreshmues të Avraamit, fëmijë sipas mishit ose sipas shpirtit, si Moisiun, Ilian dhe Perëndinjeriun.

    Të gjithë izraelitët në Suza të Persisë bënë dikur një kreshmë solidarizimi para marrjes përsipër të një orvajtjeje shumë të rrezikshme me dimensione kombëtare. Ishte shpallur një dekret gjenocidi ndaj tyre, por përfundimisht u anullua për hir të vetëmohimit të mbretëreshës Ester, që ishte hebreje, por e mbante të fshehtë prejardhjen e saj. Ngjarjet dhe peripecitë përshkruhen në librin me të njëjtin emër, në Dhiatën e Vjetër. Sqarojmë se kur mbreti Artakserksi (Asuero) u fut në grackën e kryeministrit të tij dhe urdhëroi gjenocidin kundër hebrenjve të perandorisë së pafund, reagoi mbretëresha Ester. Ajo u nxit dhe u bind nga xhaxhai i saj të ndërhynte me vetësakrificë për mbrojtjen e bashkëkombësve, duke lënë interesin vetjak e duke rrezikuar madje edhe jetën e saj. Esteri e mirë i kërkoi përkrahjen shpirtërore: “Shko dhe mblidh judenjtë e Suzës dhe kreshmoni për mua, dhe mos hani e as pini tri ditë e tri netë, edhe unë, edhe shërbëtoret e mia nuk do hamë, dhe atëherë do paraqitem te mbreti duke shkelur rregullat [e protokollit] edhe nëse duhet të vdes” (4:16). Orvatja e saj, duke përdorur një sërë manovrash të zgjuara, pati sukses dhe kushtet u kthyen mbrapsht: Populli i saj jo vetëm që shpëtoi, por eliminoi dhe armiqtë e tij. Kështu heroikja Ester është për bashkatdhetarët e saj një yll kombëtar (Ester = yll) ashtu si edhe Judith. Ekzistojnë një sërë referimesh historike për kreshmën si parapërgatitje. Le t’i lëmë mënjanë dhe të kujtojmë vetëm më të lartën: Vetë Çlirimtari ynë u parapërgatit me kreshmën dyzetditëshe para se të fillonte didaskalinë, mrekullitë dhe në përgjithësi veprimtarinë e Tij personale, por me ndikime mbarëbotërore, në të gjithë rruzullin.

    *  Shthurja dhe alkoolizmi e degradojnë njeriun, e hedhin poshtë, madje në mënyrë të ndjeshme në raste dehjeje. “Si i vrarë nga gjarpri shtrihet [përtokë] dhe si nga nepërka shpërndahet helmi në të” (Fjalët e Urta 23:12) – gjah të gatshëm për gjarprin e lashtë, djallin (shih Apok.12:9). E kundërta, kreshma, fuqizon shpirtin drejt ngritjes. Atëherë kalojmë “të lehtësuar drejt udhëtimit të lartë” atje “ku radhët e engjëjve me zëra të pashuar himnojnë Trininë e pandarë” dhe bashkëvallëzojmë “me ushtritë e engjëjve”, sipas troparit (Lavdërim i së Dielës të të Lidhurave të djathit).

    Engjëjt nuk rrezikojnë nga grykësitë dhe kurvëria, kështu që bëhen “drita të dyta” (shih vargësore mbrëmësore e së hënës Tingulli I). Kështu, në një farë mënyre kreshma dhe në përgjithësi vetëpërmbajtja ngre deri në “shkëlqime” dhe vegime Perëndie sipas të mëpërparshmeve të Moisiut dhe të Ilias përkatësisht.

    Sa të mira sjell kreshma!

    Trupi shumëkilogramësh është padyshim një disavantazh, jo vetëm i ngathët por edhe jofunksional. Dhjami mbi peshë vështirëson lëvizjet. Kjo shkakton plogështi dhe trashje. Mbipesha është edhe άtë, edhe fëmijë i trashjes, domethënë ecejake. Ec te mjeku, jakë me analizat. Shumë thjesht dhe kuptueshëm; Njeriu me mbipeshë ngjan me dikë që ka në shpatullat e tij një thes me peshën e tij të tepërt. Nuk i ndahet asnjëherë, as kur ecën, as kur punon, as edhe kur fle. Gjithë ky mund a nuk rëndon? Patjetër! Dhe do ishte mirë sikur ta mbante në krahë. Por e ka brenda tij, rrethues të zemrës. E ka dhe brenda enëve të gjakut, që ngushtohen nga kolesteroli, me një fjalë pra “suvatime”, lodhet duke punuar më shumë pompa e zemrës së gjorë dhe kështu fillojnë infarkti, diabeti etj. Gjithashtu kur “hambari” është i mbingarkuar, lundrimi te limani i çlodhjes së Morfeut nuk është normal, domethënë gjumi është i çrregullt.

    Dhjami futet gramë – gramë. Por më vonë bëhet mal që nuk largohet me asgjë. Nevojitet mrekulli që të lëvizë ky mal “që këtu atje” (Mat.17:20). Nëse do shtonim se në epokën tonë ushqimet jo vetëm janë shtuar për sa i përket llojshmërisë, por edhe janë industrializuar dhe rrjedhimisht janë bërë me më shumë “kimikate”, atëherë i kuptojmë dëmet. Fast-foode “provokuese” dhe ëmbëlsira të ekzagjeruara futen në “magjitë e kuzhinierëve”. Gjellët e pastra, dieta mesdhetare zhduken dalëngadalë. Na tiranizon gjithashtu një egoizëm i ulët dhe megalomania jonë e tepruar: “Fasule do hamë? Barishte do hamë?” I përbuzim edhe pse dietologët këmbëngulin për rëndësinë dhe vlerat e tyre të çmuara. Kreshma edhe në këtë sektor vendos thikën, dhe “pret” me terapi abuzimet.

* * *

    Por ekzistojnë edhe raste që dikush e prish kreshmën. Së pari kjo ndodh për arsye shëndetësore (këtu futen dhe moshat delikate, ajo e fëmijërisë dhe e pleqërisë). Ushqimet që na dëmtojnë shëndetin i heqim nga menyja dhe përdorim më tepër ato ushqime që janë të përshtatshme. I sëmuri, ai që është me të vërtetë i sëmurë, përjashtohet nga kreshma. Dhe madje do ta bindim të hajë me zor, pavarësisht se nuk ka oreks – sëmundja e pret oreksin, meqë sipas shprehjes psalmike “Shpirti i tyre e neveriti çdo ushqim dhe iu afruan dyerve të vdekjes” (106:18). Sigurisht që gjella do jetë e shijshme, që të zvogëlohet trysnia ndaj vetes së tij.

    Me fjalë të tjera, ushtrim dhe mundim për njeriun e shëndetshëm është kreshma, për të sëmurin ngrënia. Kujdes! Flasim gjithmonë për situata reale, dhe jo për justifikime dhe “të sëmurë sipas fantazisë”. I sëmuri në radhë të parë duhet të shërohet, dhe kur ta ndiejë veten mirë, atëherë do të mund të kreshmojë, përndryshe jo. Ja edhe fraza kyçe e oshënar Pimenit: “Nuk u mësuam të jemi trupvrasës, por pasionvrasës” (Jerontikon, 183).

    Oshënarja, e urta Singlitiki, iu shpjegon bindëseve të saj: “Kreshma dhe të fjeturit në dysheme u vendosën për kënaqësitë. Pra, nëse sëmundja i shfuqizoi këto, atëherë fjalët janë të tepërta. Sepse ajo është ushtrim i madh, domethënë, të durosh dhe sëmundjet, dhe t’i dërgosh himne falënderuese Perëndisë” (Jerontikon, 8).

    Gjithashtu e shmangshme është kreshma egoiste. Në kohën e vjetër ekzistonin të krishterë, kuptohet kryesisht asketë, që mbanin kreshmë të rrepta, por me këto ushqehej krenaria e tyre. I këshillonte ava Isidori, presviteri: “Më mirë të hani mish, sepse i leverdis njeriut të hajë më mirë mishra sesa të fryhet nga egoizmi dhe të mburret” (Jerontikon, 4). Avai bashkohet pikërisht me mësimin e Zotit, që godet taktikën e farisenjve. Kur kreshmonin në mënyrë hipokrite, “zhduknin” (d.m.th. prisnin) fytyrat që të dukeshin! “Kur kreshmoni pra, mos u bëni të vrazhdë, sepse zhduken fytyrat e tyre, mbulojnë kokat e tyre që të duken te njerëzit se kreshmojnë. Me të vërtetë ju them se morën shpërblimin e tyre. Ndërsa ti, kur kreshmon lyej kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos dukesh te njerëzit se kreshmon, por te ati yt që është [edhe] në vend të fshehtë” (Mat.6:16-8).

    Aq shumë joshëse dhe dinake është krenaria, sa bëhet edhe mrekullibërëse (!) duke u dhënë të nënshtruarve të saj fuqi mbinjerëzore për kreshmë shumë të rrepta. “Dikur në Keliat [në Nitria të Egjiptit], ku bëhej një e kremte, hanin [së bashku] vëllezërit [që kishin marrë pjesë] në kishë. Njëri nga vëllezërit i thotë murgut që shërbente: ‘Unë nuk ha ushqime të gatuara, por kripë [me bukë]’. Dhe murgu i thirri një vëllai tjetër përpara grumbullit duke thënë: ‘Filan vëlla nuk ha ushqim të gatuar, silli kripë’. Dhe u ngrit një nga jerontët e i tha: ‘Të leverdiste sot të haje mishra në qelinë tënde, sesa të dëgjosh këtë fjalë përpara grumbullit” – murgjit nuk hanin fare mish (Mega Jerontikon II, 454).

    Të njëjtin qëndrim mban edhe Joani i Shkallës, duke folur më gjerësisht për virtytet: “Të bëhesh aktiv në shpirt pa e treguar këtë fare me anë të trupit; as me shenja, as me fjalë, as me nënkuptime. Dhe kjo sigurisht, nëse nuk e poshtëron më të afërmin. Por nëse je i lehtë në këtë, bëhu me vëllezërit e tu i ngjashëm dhe jo me anë të mburrjes i pangjashëm” (4:76). Ne shtojmë të mos bëhesh i pangjashëm edhe për sa i përket mburrjes, domethënë mos mburresh më tepër.

    Por ne nuk rrezikojmë në këtë çështje. Kreshma në vitet tona nuk sjell lavdërime, por ironi, buzëqeshje ironike dhe tallje. Kush kreshmon, e tallin. Sjellja e drejtë është të zbulojmë besimin tonë dhe rregullat e saj si kreshmë kur gjendemi në rrethe negative, ndërsa të gjendur midis shpresëtarëve t’i fshehim ushtrimet që ndoshta bëjmë. Ironizojnë, edhe pse ndoshta kreshmojnë vetë ata që na “qesëndisin që lartazi”, ose për arsye shëndetësore, ose për arsye estetike, domethënë jo për perëndidashje, por për njeridashje. Vetëm fjalën “kreshmë” mos të dëgjojnë!

    Gjoja është anakronike, në kundërshtim me sinonimin e saj në përdorimin e përditshëm “dietë”, e cila gjoja është moderne dhe e denjë për përgëzime! Kreshma zbukuron shpirtin – dieta trupin. Ne jetojmë në vite adhurimi të mishit – “sepse ata janë mishra” (Gjen.6:3). Dy murgj kaukazianë tregojnë se në atdheun e tyre ekziston zakoni, që një ose dy herë në jetën e tyre të mbajnë një dietë të tmerrshme për ripërtëritje biologjike. E filluan dietën njëkohësisht. Njëri e mbajti gati njëzet e shtatë ditë dhe i dyti dy ditë më shumë, vetëm duke pirë çaj (lëngje). U mahnitëm! Vetë me gojën e tyre pohuan se ndiheshin më të lehtë, njerëz të rinj. Më në fund rrëfyen se dietat për arsye shëndetësore i mbanin disi më lehtë, ndërsa kreshmët e Kishës edhe pse jo të rënda, i mbajnë më me vështirësi! Në lidhje me nivelin e kreshmës, nëse nevojitet “ekonomia” domethënë një lëshim, i drejtohemi “dallueshmërisë” së atit tonë shpirtëror, siç thamë edhe në fillim. Në planin personal dhe kur kemi të bëjmë me arsye reale të mosmbajtjes së kreshmës, mund të zëvendësohet me forma të tjera ushtrimi në lidhje me ushqimin dhe kënaqësitë e tij. Le të përmendim për shembull kreshmimin e ëmbëlsirave, erëzave, të cigares.

Cigarja. E kanë quajtur “temjanin e djallit”! Nuk e dimë nëse është hiperbolizim. Por e dimë se ka tre disavantazhe të mëdha dhe asnjë avantazh. Pikë së pari dëmton shëndetin. Sikur vetëm ta dëmtonte! E shfaros, sigurisht për të vdekurin nuk bëhet fjalë për shëndet. Shkakton deri edhe vdekje. E kotë propaganda që bëhet kundër duhanit “Ministria e Shëndetësisë paralajmëron se duhani etj., etj.” Është vërtetuar nga ana mjekësore dhe e pranojnë të gjithë pa përjashtim se cigarja dëmton shëndetin e njeriut. Ajo shkakton kancer të mushkërive, pa lënë mënjanë sëmundjet kardiake etj; dhe një vdekje e tillë nuk është thjesht vdekje, por vetëvrasje.

    Së dyti kostoja ekonomike. Rëndon ndjeshëm xhepin, duke e lehtësuar atë efektivisht! Kryefamiljarë të varfër sakrifikojnë shumë në altarin e cigares dhe të alkoolit në kurriz të buxhetit familjar… Dhe e treta, ndoshta më e rëndësishmja edhe pse nuk duket: dëmton vullnetin. Cigarepirësi maniak bëhet më maniak kur nuk ka “dozën” e tij, cigaren. Në mungesë të saj, arrin deri aty sa të sajojë cigare me copa gazetash e t’i pijë. Bëhet skllav i një bari, i barit të duhanit. Pa bukë mund të rrijë disa ditë, pa duhan jo. Dhe përveç privimeve që mund t’i shkaktojë familjes, siç thamë më sipër, duke pirë duhan në prani të fëmijëve dashur pa dashur i kthen ata në duhanpirës pasivë.

    Si nuk është mëkat? Si nuk është skllav mizor, pa pasur liri vullneti dhe veprimi, pirësi i sëmurë rëndë që edhe pse i thotë mjeku ta presë duhanin, sepse do vdesë, ai pi dhe vdes? Të shumtë janë shembujt. Pa le po të flasim për drogamanët. Kur u privohen “esencat” e tyre kthehen në një gjendje jashtë kontrolli, deri sa çajnë me thika duart e tyre pa mëshirë dhe rrjedhin gjakrat mizorisht e tmerrësisht. Bëhen si bisha të egra ose si të demonizuar që presin veten e tyre (Mark.5:5).

    Sa të lumtur janë ata që nuk varen nga zinxhirë të tillë! Edhe një mushkonjë i shqetëson më shumë se mospërdorimi i duhanit. Çfarë fitimi kolosal nëse një kreshmë do të bëhet shkak për çrrënjosjen e vesit te vëllai duhanpirës, të çrrënjosë një herë e mirë (pemën) – duhan dhe të bëhet “i çliruar i Zotit” (1 Kor.7:22). Çfarë bekimi që do jetë! Dhe më pas kujdes dhe vigjilencë, veçanërisht në fillim, sepse pasioneve u pëlqen të kthehen si edhe demonët, sipas thënies së Zotit (Mat.12:43-45). Mos të shkojë përpjekja e tyre “kot” (Fil.2:16).

    Le të kthehemi në format e kreshmës – zëvendësuese të mira të saj, kur s’mund të kreshmosh. P.sh. gjella të mos ketë kripë, je apo nuk je i sëmurë. Një herë pa kripë, herën tjetër dyfish. Kështu nuk do jetë e shijshme ose do të djegë fyti. Organizmi do furnizohet me ato elemente që ka nevojë, por edhe qiellza do ndiejë privimin e shijes. Nuk do të kënaqësh shijet e tua. Në verë, kur je i djersitur dhe digjesh nga etja, vendos përpara një gotë me ujë të ftohtë dhe mos e pi menjëherë, le të jetë uji diçka kreshmore! Pije pas pesëdhjetë minutash. Ushtrim i rëndë kreshmimi i përkohshëm. Një manovrim tjetër kundër grykësisë. Në periudhë kreshme nëse duhet të hash ushqime shtazore, konsumo vetëm një. Të tjerët që kreshmojnë nuk i hanë fare. Të kesh sedër të bësh edhe ti të paktën një kufizim, nëse nuk do të përmbahesh me saktësi. Kemi mish, qumësht, djathë, gjalpë, vezë. Zgjidh atë që nuk të pëlqen! Le të themi qumështi. Po pra. Do pish përditë jo vetëm një gotë qumësht, që pimë zakonisht, por tri – katër. Kështu do të plotësosh mungesën e proteinave që do merrje nga mishi, gjalpi etj. Ja një kreshmë!

    Atëherë do preferosh ndoshta më mirë të kreshmosh, sesa të hash vazhdimisht atë që të neverit. Bile atëherë ndoshta do konstatosh se gjoja sëmundja ishte vetëm preteksti.

    Duke mbyllur këtë kapitull, dhe që t’iu shmangemi keqkuptimeve, theksojmë se, pavarësisht nga disa përjashtime, kreshma si institucion është e padiskutueshme, e palëkundshme. Orthodhoksia nuk pëson atë që pësoi Perëndimi i shekullarizuar. aristokrat u kthye në shtëpi duke u shtirur si lypës murg, nuk e njohën as njerëzit e tij. Nuk e njohën derisa vdiq, edhe pse e mikprisnin zemërgjerësisht! Këtu gjithashtu mund të përmendim një person tjetër, tani femër, edhe pse dikur ishte regjistruar si mashkull, pra oshënaren Athanasia. Jeta e saj është tërheqëse dhe mallëngjyese:

    Kur i vdiqën të dy fëmijët në të njëjtën ditë, për pak vdiq dhe vetë nga lëndimi shpirtëror dhe dëshpërimi. Por një mrekulli e informoi se ata ishin shpërngulur në lumturinë e Qiejve. Ra dakord pra me bashkëshortin e saj, oshënar Andhronikun, u ndanë dhe u bënë murgj. Njësoj si shën Aleksi, kishte ndryshuar aq shumë nga kreshma dhe asketizmi, sa ndërsa shtirej si burrë kur takoi ish – bashkëshortin e saj, ai nuk mori vesh asgjë. Ai u ushtrua qetësisht bashkë me të, dhe vetëm pas fjetjes së saj mësoi të gjitha ngjarjet nga një letër, të cilën e kishte lënë oshënarja dhe e kishte shkruar me dorën e saj… Kreshma shenjtëron shenjtorët dhe shenjtërohet nga shenjtorët, por edhe shpëton mëkatarët. Urdhëroi dikur Perëndia Jonanë të predikojë pendimin në “Ninevi, qytetin e madh”, kryeqytetin e Perandorisë botërore Asiriane, sepse “u ngrit britma e ligësisë së saj” drejt Zotit.

    “U ngrit Jonai për të ikur … dhe gjeti anije që shkonte në Thars dhe dha biletën e tij, dhe u ngjit në atë për të lundruar bashkë me ta në Thars, që të arratiset nga Zoti” (1:1-3). E di profeti që Tërëmiri është “mëshirues dhe përdëllyes, zemërgjerë, i shumëmëshirshëm dhe pendohet për ligësitë”, domethënë për dënimet që vendosi (4:2). Për më tepër Jonai është shovinist, nuk “duron” asirianët pushtetarë të mëdhenj. Si përfundim kundërshtoi, u trazua, nuk u bind; dhe transferoi trazirën e tij në det metaforikisht dhe realisht. Iku, kujtoi, nga sytë e Perëndisë dhe ra në gojën e balenës. E njohur është historia e tij. Së fundi, u detyrua të shkojë në Ninevi dhe të predikojë: “Tri ditë akoma dhe Ninevi do shkatërrohet. Dhe besuan burrat e Ninevisë te Perëndia, dhe shpallën agjërim, dhe veshën thasë nga më i madhi te më i vogli i tyre. Dhe arriti fjala te mbreti i Ninevisë, dhe u ngrit nga froni e nxori uniformën nga vetja e tij, dhe ngjeshi një thes e u ul mbi hi” (3:4-6). I tronditur shpalli agjërim publik, agjërim deri edhe në ujë.

    Një detaj shumënjerëzor: Urdhri perandorak detyronte “njerëzit, kafshët, qetë dhe delet të mos shijojnë asgjë, as të kullotin, as të pinë ujë. Dhe veshën thasë njerëzit dhe bishat”! (3:7-8). Edhe kafshët u bashkuan në kërkimin e faljes. Si të mos zbutet i Tërëfuqishmi dhe të shkatërrojë qytetin e madh?

    Siç e pamë, ekzistonin shumë shprehje zije, pendimi dhe mundimi. Përmendëm thesin, hirin, të fjeturit në dysheme. Renditen këtu edhe agripnia, dhe djersa e punës së krahut etj., por peshën dhe ligjvënien kryesore e mban kreshma. E madhe fuqia e saj! Shpëton Ninevi të tëra! Ja si përmbledh një tropar tamam para Kreshmës së Madhe: “Arriti koha, fillimi i luftërave shpirtërore, fitorja kundër demonëve, vetëpërmbajtja e gjitharmatosur, dinjiteti i engjëjve, guximi para Perëndisë” (Lavdia e lavdërimeve të së Dielës të të Lidhurave të djathit). Padyshim lufta do mund, do sakrifica, por nuk do mjerim. Leonidha, mbreti i Spartës me zemër luani dhe treqind guximtarët e tij pak para se të fillonte beteja e Termopileve, që i bëri të lavdëruar në vite, u krehën dhe u rregulluan sikur të shkonin në festë – edhe pse u duhej të përballonin detin e hordhive persiane. Me moral të tillë të lartë dhe të pathyeshëm u hodhën kundër armiqve edhe pse nuk kishin iluzione; kishin burrëri!

    Shpirt i tillë nevojitet edhe për ndeshjet shpirtërore. Për më tepër atletët që hyjnë të dekurajuar dhe pesimistë në stadiumin e ndeshjes japin paraprakisht provën e vrasjes së tyre, vëren Shkalla duke nënkuptuar gladiatorët e vjetër (1:21). Nuk mbetet gjë tjetër përveçse me entuziazëm dhe vendosmëri të marrim përsipër peshën e kreshmës. Le të përpiqemi t’i ngjasojmë tipit të fundit të personave të ndryshëm, të cilët na i psikologjis me zgjuarsi, mprehtësishikuesi shën Joan Sinaiti, analizuesi i madh dhe zbërthyesi i frymës njerëzore, njëkohësisht edhe letrari virtuoz. Po citojmë disa nga fjalët e tij “Për zotërinë e famshëm, barkun”: “Gëzohet judeu gjatë të shtunave dhe të kremteve, edhe murgu llupës gjatë të shtunave dhe të dielave. Shumë kohë para, llogarit Pashkën edhe ditë më përpara, gjellët e saj përgatit. Llogarit skllavi i barkut me çfarë ushqimesh do festojë, ndërsa shërbëtori i Perëndisë me cilat dhunti do pasurohet” (Shkalla 14.4).

    Nga ana tjetër, nëse periudhat e kreshmës nuk do jenë të ndryshme nga të tjerat e vitit, nuk do të përjetojmë festat e mëdha, p.sh. Pashkën. Përsëri Shkalla (14.29) duke i modifikuar ngjarjet e Eksodit të hebrenjve, nga Egjipiti, nënvizon se nuk lirohemi nga Faraoni dhe nuk shijojmë Pashkën e lartë pa ngrënë (bukët) jo të ardhura dhe lakra të hidhura. Shpjegon se me lakra të hidhura duhet të kuptojmë trysninë e kreshmës dhe të mundimeve, ndërsa me bukë pa maja dhe të paardhur, mendjen e pafryrë (nga egoizmi). Nëse javët e kreshmës do të jenë njëlloj si të tjerat, si nga ana e ushqimit ashtu dhe nga trysnia shpirtërore, atëherë Pashka do të jetë një festë e zakonshme pa kurrfarë tensioni. E kundërta, nëse do arrijmë në këtë të lehtësuar nga kreshma dhe të ngarkuar, të mbushur me përjetime – atëherë do kuptojmë Ngjalljen (dhe tavolinën e ngjalljes – njerëz jemi!) “Tavolina mbushet, dëfrehuni të gjithë”, do na ftojë me gëzim dhe me zë të madh Joan Gojarti në kuptimin materialo- shpirtëror (Logos katikitikos).

    Le të urojmë të dashur për kreshmë të mbara dhe të shenjta. Le të mendojmë se njerëz të tjerë mbajnë triditësh dhe kreshmë të rrepta dhe le të bëhemi të zellshëm të futemi në garë, të mbajmë kreshmë sipas mundësive. Le të shfrytëzojmë edhe rastet dobiprurëse, dhe ofertat që na dhuron Kisha në periudhat e kreshmëve, si p.sh. shërbesat e veçanta, me qëllim që të arrijmë të gatshëm në të kremtet shpëtimtare, për të cilat na përgatisin agjërimet! “Le të parapastrojmë vetet tona, vëllezër, me anë të mbretëreshës së virtyteve; sepse… na sjell pasuri të mirash. Qetëson fryrjet e pasioneve dhe miqëson me kryezotin [Krisht] fajtorët. Prandaj me gëzim le ta presim” (Lavdia e lavdërimeve të së Dielës të të Lidhurave të mishit). Amin!

PERIUDHAT DHE DITËT E KRESHMËS E TË NGRËNIES

Periudhat e Kreshmës

  • ►  Kreshma e Madhe dhe Java e Madhe.
  • ►  E Krishtlindjeve (15 nëntor deri 24 dhjetor). Në këtë kreshmë konsumohet peshk deri më 17 dhjetor (përveç të mërkurës dhe të premtes).
  • ►  E Fjetjes së Hyjlindëses Mari (1 deri 14 gusht).
  • ►  E Apostujve (Nga e hëna pas të kremtes së Gjithë Shenjtorëve deri më 28 qershor). Në këtë kreshmë konsumohet edhe peshk (përveç të mërkurës dhe të premtes)

Kreshmët ditore

  • ►  Çdo të mërkurë dhe të premte.
  • ►  5 janar (vigjilja e Theofanisë).
  • ►  29 gusht (Prerja e Kokës së Joan Pagëzorit).
  • ►  14 shtator (Lartësimi i Kryqit të Nderuar).
  • Nëse kreshmët e 5 janarit, 29 gushtit dhe 14 shtatorit bien të shtunën ose të dielën, konsumohet vaj dhe verë
  • Gjatë vitit çdo të shtunë dhe çdo të diel konsumohet (të paktën) vaj dhe verë (të paktën në drekë); nuk konsumohet vaj dhe verë vetëm të Shtunën e Madhe.

Konsumohen të gjitha – edhe mishi (të mërkurën dhe të premten)

  • ►  Gjatë javës së parë të Triodhit (nga e diela e Tagrambledhësit dhe Fariseut deri të dielën e Birit plangprishës).
  •   Gjatë javës së tretë të Triodhit (nga e hëna deri të Dielën e të Lidhurave të djathit), por, nuk konsumohet fare mish.
  •   Gjatë Javës së Ndritshme (java pas Pashkës).
  •   Gjatë javës pas Pentikostisë (Rrëshajave).
  •   Gjatë Dymbëdhjetëditëshit (nga Krishtlindjet deri te Theofania, përveç 5 janarit; shih më lart).

Konsumohet peshk edhe kur të kremtet bien të mërkurën dhe të premten

  • ►  Më 7 janar (Mbledhja e Joan Pagëzorit).
  • ►  Më 2 shkurt (Ipapandia – Hyrja e Jisu Krishtit në Tempull).
  • ►  Më 25 mars (Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari).
  • ►  Të Dielën e Dafinave.
  • ►  Të mërkurën e Gjysmëpesëdhjetores.
  • ►  Të mërkurën e Mbylljes së Pashkës.
  • ►  Më 24 qershor (Lindja e Joan Pagëzorit).
  • ►  Më 29 qershor (e Ap. Petros dhe Pavlit).
  • ►  Më 6 gusht (Metamorfoza e Krishtit).
  • ►  Më 15 gusht (Fjetja e Hyjlindëses).
  • ►  Më 8 shtator (Lindja e Hyjlindëses).
  • ►  Më 14 nëntor (Apostull Filipi – vigjilja e kreshmës së Krishtlindjeve).
  • ►  Më 21 nëntor (Hyrja e Hyjlindëses në Tempull).

Datat kur konsumohet vaj dhe verë nëse bien të mërkurën ose të premten

  •   Janar: 11, 16, 17, 18, 20, 22, 25, 27, 30
  • ►  Shkurt: 8, 10, 11, 17, 24
  • ►  Mars: 9, 26
  • ►  Prill: 23, 25, 30
  • ►  Maj: 2, 8, 15, 21, 25
  • ►  Qershor: 8, 11, 30
  • ►  Korrik: 1, 2, 6, 17, 20, 22, 25, 26, 27
  • ►  Gusht: 24, 31
  • ►  Shtator: 1, 6, 9, 13, 20, 23, 26
  • ►  Tetor: 6, 18, 23, 26
  • ►  Nëntor: 1, 8, 12, 13, 16, 25, 30
  • ►  Dhjetor: 4, 5, 6, 9, 12, 15, 17, 20

Përgatiti: Atë Justini, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2006.