22 janari është e kremtja e shën Anastas Persianit dhe besimtarët orthodhoksë shqiptarë kremtojnë në këtë ditë të shënuar edhe emrin e Kryebariut të tyre, Kryepiskopit Anastas.
    Me këtë rast, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore, në të cilën   bashkëmeshuan me Fortlumturinë e Tij gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati;  Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri; episkopët ndihmës, Hirësia e Tij Nikolla dhe Hirësia e Tij Andoni, episkopi i Amantias Hirësia e Tij Nathanaili, episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij Asti, Kryesekretari i Sinodit, Protopresviter Jani Trebicka etj. Në shërbesë morën pjesë përfaqësues, klerikë dhe laikë, nga të gjitha dioqezat, nga shkollat kishtare dhe Akademia Teologjike etj. Në fund, në emër të Sinodit të Shenjtë uroi Imzot Ignati.
    Gjatë kësaj Liturgjie Kryepiskopi Anastas bëri edhe dorëzimin në prift të dhjakon Heliodor Demirit nga Elbasani, i cili shërbente prej disa vitesh si dhjakon në Elbasan. 
    Kisha ishte mbushur me besimtarë, që kishin ardhur për t’i uruar Fortlumturisë së Tij jetë të gjatë dhe që ta kemi edhe për shumë vite të tjera në krye të Kishës sonë. Ata mundën ta bëjnë këtë në pritjen që u bë në sallën përballë kishës, e cila u mbush si rrallëherë. Po aty, Kryepiskopi priti përsëri urime pasdite nga personalitete, politikanë dhe shumë besimtarë.