Në datën 8 korrik 2012, në amfiteatrin e Katedrales së Re Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u organizua ceremonia e diplomimit të studentëve që përfunduan ciklin e parë të studimeve universitare në Shkollën e Lartë “Logos”. Kjo ishte ceremonia e parë që nga fillimi i funksionimit të kësaj shkolle, në 25 tetor 2010.
    Vlerën e këtij momenti të rëndësishëm për historikun e Universitetit “Logos” e shtoi edhe komunikimi për akreditimin e tij nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu janë akredituar edhe të gjitha programet mësimore që zhvillohen në të, përkatësisht Menaxhim Biznes, Financë-Kontabilitet, Informatikë e Zbatuar dhe Teknikë të Lartë Laboratorësh Mjekësorë.
    Në këtë ceremoni mori pjesë Presidenti i Shkollës së Lartë Universitare “Logos”, Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, anëtarë të Sinodit të Shenjtë, studentët që diplomoheshin, familjarë, miq dhe të afërm të tyre, përfaqësues nga universitetet simotra dhe të ftuar të tjerë.
    Takimin e hapi Rektori i “Logos”, Prof. Dr. Ilia Telo. Në ceremoni përshëndetën edhe Prof. As. Dr. Beatriçe Polo, Dekane e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Robert Andoni, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, Prof. Dr. Flutura Kalemi, Damiana Osmalli dhe studentë përfaqësues sipas programeve.
    Presidenti i “Logos”, Prof. Dr. Anastasi, shpërndau diplomat dhe iu uroi suksese të mëtejshme studenteve të sapodiplomuar. 
    Gjithsej këtë vit u diplomuan 155 studentë, nga të cilët 72 në Teknikë të Lartë Laboratorësh Mjekësorë, 30 në Informatikë dhe 53 në Menaxhim Biznes e Financë Kontabilitet.