Në datat 17–21 gusht 2011, në Manastirin e hirshëm të Shën Gjergjit në Haxhidimovo të Bullgarisë, u mblodh Asambleja e pestë e përgjithshme e Federatës Rinore të të Rinjve të Ballkanit, BOYA (Balkan Orthodox Youth Association). Morën pjesë përfaqësues nga Greqia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria. Në të u diskutua plani i aktiviteteve nga drejtuesit e saj për katër vitet e ardhshme. Gjatë zhvillimit të punimeve u zgjodh bordi i ri drejtues me anëtarë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. Presidenca e radhës për katër vitet në vazhdim u vendos t’i përkasë Rumanisë.
    Kisha jonë u përfaqësua nga koordinatori i Zyrës Qendrore Rinore z. Joan Meni, i cili u zgjodh me anë të votimit të përgjithshëm edhe Zv.president i Federatës. Sekretari i përgjithshëm u zgjodh i riu nga Athina z. Vasilis Petrolekas, i cili zëvendësoi paraardhësin e tij, z. Janis Zervos që për 20 vjet me radhë kontribuoi në mënyrë të vazhdueshme për mbarëvajtjen e të gjitha programeve të BOYA-s.
   Federata Rinore e të Rinjve të Ballkanit funksionon dhe i zhvillon aktivitetet e saj me bekimin e Patriarkanës Ekumenike si dhe të kishave të tjera orthodhokse të Ballkanit që prej vitit 1993. Qëllimi kryesor i këtij organizmi është forcimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të të rinjve orthodhoksë si dhe inkurajimi i bashkëpunimit mes kishave motra të Ballkanit, nëpërmjet lëvizjeve rinore, duke u bazuar në besimin orthodhoks dhe në traditën e tij.